Friday, December 3, 2010

Skllavërimi i historiografisë shqiptare

Kur flasim për shoqërinë shqiptare, na pëlqen ta përcaktojmë: “para 90-ës” apo “pas 90-ës”, duke menduar se ky mur është aq i betonuar, sa asgjë nuk i lidh dy anët e kundërta që ndahen prej tij.
Por gjatë këtyre 20 viteve, gjithmonë e më shumë po bindemi se veçanërisht në mentalitetin politik, shumë pak gjë ka ndryshuar.
Kësaj dukurie nuk i ka shpëtuar edhe shkenca historiografike zyrtare shqiptare.
Mbas viteve 90, si një prej fitoreve më të mëdha të demokracisë sonë, qe vërshimi në tregun e botimeve, jashtë çdo lloj “dogane” politike, të studimeve që trajtonin origjinën e popullit tonë dhe ngjarjet e ndodhura që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.
Në këtë prurje të bollshme, botimet që nuk përmbushnin “kriteret” e politikave të ditës, mbetën përsëri, ashtu si “para 90-ës”, të padëshiruara për institucionet albanologjike zyrtare shqiptare dhe fatkeqësisht, materiali studimor i tyre nuk u pasqyrua në tekstet mësimore të brezit të ri (qofshin edhe ato alternative).

Ka më se njëzet vjet që lexojmë, sidomos për disa tema të caktuara, dy Histori shqiptare, atë “zyrtare” dhe atë “të pavarur” (libra, artikuj dhe në internet), që jo rrallë, pak ose aspak i ngjasojnë njëra- tjetrës.
A është një dukuri normale për shkencën tonë historike që, në fund të fundit, duhet t’i shërbejë në radhë të parë formimit kombëtar të brezit të ri?

Në rast se Historiografia zyrtare e emërton veten si një Institucion shkencor, me gjithë këtë prurje të madhe të viteve të fundit, dhomat e këtij institucioni dhe sidomos të kabineteve universitare shtetërore dhe private, duhet të dridheshin nga debati, më shumë se sa Parlamenti ynë zhurmëmadh. Por nuk ndodh kështu.
Duke vërejtur tekstin e maturës “Historia 4” të shtëpisë botuese “Pegi” 2010, në faqen 4, ndodhet kapitulli “Banorët e tejlashtë të vendit tonë”. Në dhjetë rreshta përshkruhet se: Ata prodhuan veglat e para prej bakri, përsosën enët prej balte dhe zhvilluan më tej bujqësinë dhe blegtorinë duke formuar edhe një bashkësi të gjerë kulturore”. Kapitulli mbyllet me përfundimin se: “banorët e tejlashtë të territorit të vendit tonë mund të quhen pellazgë”.
Duke qenë në demokraci, mund ta marrësh edhe po, edhe jo, secili sipas bindjeve!

Në fakt pas viteve ‘90 historiografia zyrtare (në unitet të plotë komunist) vazhdoi t’i shpërfillë studimet për origjinën pellazgjike të arbërorëve, duke ndjekur besnikërisht udhëzimet e politikës së “para ‘90-ës”.
Në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q. të PPSH-së më 3.11.1969 lidhur me detyrën e studiuesve për të sqaruar origjinën e popullit tonë, Enver Hoxha udhëzonte: “Nëse, duke u nisur nga Homeri e disa autorë të tjerë të lashtësisë, pretendohet që të vërtetohet se kultura greke është ndikuar nga autoktonët, përbërja etnike dhe kulturore e të cilëve ende diskutohet, ne parasëgjithash na duhet të hedhim poshtë me argumente, të dhënat që sjell sot shkenca botërore. Bota e njeh me themele kulturën greke e cila, siç dihet, është ndikuar nga civilizimi më i lashte i popujve të Azisë. Është një fakt i njohur, ndërkohë që teza e ndikimit (pellazg-shën. im), që kanë ushtruar mbi civilizimin helenik mbetet ende një supozim që ne nuk mund ta mbështesim për mungesë të provave dhe fakteve”.
Edhe sot në historiografinë zyrtare shqiptare mbi tezën pellazge të origjinës së popullit tonë mbetet i pakapërcyeshëm gardhi: “vetëm kur ta ketë pohuar shkenca botërore!”.

Ja një shembull tipik: “Sa herë që kemi të bëjmë me përpjekje për të shkruar historinë e bijve të shqipes, ajo që vihet re lehtësisht është se historia e tyre bëhet e besueshme kur tregohet nëpërmjet fakteve botërisht të pranueshme” (Ilir Mati “Pellazgët, një çështje e ngritur ndoshta keq” Balkanweb 7.10.2007)
Kjo shprehje, në thelbin e saj është anti-shkencore, sepse në të gjitha fushat studimore por edhe të artit, ecja cilësore përpara, historikisht ka ndodhur me prurjet që “nuk diheshin nga bota” dhe që kanë çarë rrugën duke u ndeshur me ato që “ishin pranuar nga të gjithë”. Prandaj studiuesit në çdo epokë të shoqërisë njerëzore, i kanë paraprirë mentalitetit të kohës së tyre, asaj që “tashmë është pranuar botërisht” duke sjellë ide të reja dhe një logjikë të re të fakteve.
Gjithashtu është për të ardhur keq për inferioritetin që ndihet në këto pohime.  
Historiografia zyrtare shqiptare nuk guxon as ta mendojë faktin se studiuesit shqiptarë mund të udhëheqin në ndonjë drejtim historiografinë europiane apo atë botërore, dhe të sjellin materiale të papunuara më parë “nga të huajt”.
Jo pak intelektualë, pa pasur asnjë njohuri shkencore historike për periudhën pellazgjike, e kanë emërtuar pohimin e origjinës pellazgjike të shqiptarëve, si një mjet- mit (i pabazuar) i përdorur për qëllime të ditës, nga figura të njohura historike shqiptare. D.Omari në hyrje të librit “Rinia e një shqiptareje”, mbasi akuzon Elena Gjikën dhe Skënderbeun për përdorimin e origjinës pellazge për t’iu ngritur moralin shqiptarëve, pohon se edhe sot “e hasim shumë të gjallë një krenari të tillë të shoqëruar shpesh me një padije të madhe”.
Kësaj sëmundjeje nuk i ka shpëtuar as edhe autori i kapitullit të lashtësisë në tekstin e maturës 2010 Myzafer Korkuti, i cili në një material mbi para-ilirët-ilirët-arbrit, kur flet për tezën pellazge të origjinës së arbërorëve shprehet: “Nuk munguan as hipotezat romantike, pa baza shkencore, apo të tjera të frymëzuara nga motive politike”.
Në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q. të sipërpërmëndur, të bën përshtypje një shprehje e E.Hoxhës: “Shkencat tona albanologjike duhet të bazohen dhe udhëhiqen nga shkenca marksiste-leniniste. Të gjitha studimet që do të realizohen në Shqipëri (bëhej fjalë për origjinën e shqiptarëve- shën im), duhet të kenë bazë solide dhe të distancuara nga çdo gjurmë shoviniste”.
Çfarë ka dashur të përcaktojë me fjalën “shovinizëm”?
Kjo fjalë nuk ka pasur kurrë lidhje, jo vetëm me studimet historike të shqiptarëve të të gjitha kohërave, por as me ngjarjet e ndodhura gjatë të gjithë historisë së popullit tonë. Problemi qëndronte gjetkë: Si do ta priste historiografia botërore dhe veçanërisht ajo greko-serbe origjinën pellazgjike të gjuhës dhe popullit tonë?
Ky merak i lindi kur u njoh me studimin e Spiro Kondës. Megjithatë, për të mos ja ngrënë hakun, lejoi të paraqitej teza pellazgjike në Konferencën e parë Albanologjike që u organizua në Tiranë (1962) dhe ku merrnin pjesë autoritete shkencore me emër nga vendi dhe bota. Me gjithë argumentimin e S.Kondës, të bazuar në autorë të shumtë, fakte dhe arsyetime, mbi origjinën pellazge të gjuhës dhe kombit shqiptar, nuk pati debate. As sot e kësaj dite, nga ana e shkencës albanologjike zyrtare shqiptare, nuk janë sjellë fakte shkencore që do ta hidhnin poshtë tezën pellazgjike të tij, por preferohet heshtja.
Historiografia zyrtare e “pas 90” vazhdon të ndjekë denjësisht udhëzimet e E.Hoxhës, i cili theksonte se “sipas mendimit tim, ata (studiuesit e shkencave albanologjike-shën im) duhet t’iu japin përparësi problemit ilir…
Ne nuk mund të mbështetemi mbi hamendësime dhe të themi se etruskët (origjina e të cilëve është shumë e diskutueshme dhe mbetet e errët) janë paraardhësit tanë …dhe përderisa ajo do të jetë një hipotezë, ajo nuk do të përfillet në studimet tona”.

Po kush ishin këta Ilirët dhe Etruskët?
Studiuesi Arif Mati i emërton në grupin “dega perëndimore dhe lindore e fiseve pellazge, ku futeshin edhe thesprotët, molosët, kaonët, dodonët, thesalianët dardanët, venetët, dalmatët, frigjianët, trojanët, maqedonët, getët, dakët etj. Pra Ilirët dhe Etruskët, ose me saktësisht Thrako-Ilirët janë vetë pellazgët!.
Që janë fise të të njëjtit trung pellazg, na e dëshmojnë fakte të shumta, si arkeologjike, ashtu edhe të shkruara, të traditës gojore, zakonore, miteve dhe sidomos ato gjuhësore. “Sintaksa dhe struktura e gjuhës etruske rigjendet në shqipen e sotme prej më shumë se 2000 vjetësh më pas, pa folur për toponime dhe antroponime të shumta të cilat shpjegohen falë kësaj gjuhe (shqipes-shën im)... (f.176 A.Mati).
Fakti që fiset pellazge, kanë marrë dhe kanë dhënë ndërmjet tyre dhe kanë lëvizur në “tokat e tyre”, por edhe janë hedhur deri në Indi, ka çoroditur shumë studiues të lashtësisë. Të nisur nga gjetja e materialeve arkeologjike apo rite të varrimit dhe besimit të njëjta, apo fjalë të një rrënje, kanë shprehur mendime se X-fis ka zbritur nga veriu ndërsa Y- fis ka ardhur nga lindja, pa kuptuar se bëhej fjalë për fise të të njëjtit trung pellazg, dhe që kishin një shtrirje të gjerë tokësore, sidomos fisi i Trako-Ilirëve.
M.Korkuti në paraqitjen e studimit të tij mbi para-ilirët-ilirët -arbrit, duke ju referuar botimeve të studiuesit Zaharia Mayanit dhe Spiro Kondës, mbi lidhjen e gjuhës pellazgjike etruske me atë shqipe, vëren se: “ata kanë përdorur metoda jashtë shkencore, ndaj përfundimet e tyre nuk janë përfillur nga asnjë gjuhëtar shqiptar”. Këtu ka dashur të thotë “nga asnjë gjuhëtar zyrtar shqiptar”. Për të mos u zgjatur për problemin e gjuhës, dua të sjell vetëm një fakt të dhënë nga studiuesi francez Eduard Shnaider në fund të shek.19.
Duke studiuar fjalët njërrokëshe të shqipes, që dëshmojnë lashtësinë e një gjuhe, e që ruhen edhe sot në fondin e saj bazë leksikor (785 të tilla, ndërkohë që në gjuhët e tjera europiane gjenden jo më tepër se katër-pesë rrënjë, në greqishte 9 rrënje, e në latinisht vetëm një) pohon se “i vetmi popull që mund të mburret se trashëgon vetitë, zakonet, traditat, tiparet dhe gjuhën e Pellazgëve, është populli shqiptar” (f.11 E.Sh.).
Për pasojë, në tekstin e Historisë së 2010-ës, ku është ai autor, nuk e pasqyrojnë fare këtë fis pellazg (etruskët, apo toskët e jugut shqiptar), i cili ka meritën e madhe që na ka përcjellë shkrime të shumta deri në ditët e sotme (afro 10.000 siç na njofton Niko Stillo), me alfabetin origjinal pellazgjik, i cili padrejtësisht iu atribuohet fenikasve apo grekëve, por që kuptohet vetëm nëpërmjet dialekteve të shqipes.
Studimet e pavarura shqiptare të viteve të fundit kanë dhënë një ndihmesë të madhe për largimin e errësirës që mbulonte lashtësinë europiane, dhe u takon atyre merita që sqaruan hap pas hapi botën mitike të Pellazgëve dhe sollën zërin e tyre, ashtu siç kanë folur dhe emërtuar vetveten dhe natyrën që i rrethonte që kur u shfaq njeriu i parë mendimtar (botimi i Niko Stillos “Etruskishte Toskërishte”). Sot shkenca botërore këtë periudhë mbi fillimet e inteligjencës njerëzore (periudhën pellazge), e llogarit të ketë filluar 45.000 mijë vjet më parë. Ndërkohë që të gjitha periudhat e tjera historike të shoqërisë njerëzore (edhe ajo greko-romake), nuk i kalojnë disa shekuj. Përjashtim bën vetëm periudha Bizantine, me një kohëzgjatje 1.000 vjeçare.
Si përfundim, brezat e rinj të shqiptarëve që shkollohen me tekstet historike zyrtare, duhet të presin edhe ca shekuj se ndoshta historiografia botërore (në rast se do ta lejojnë akademitë serbo-greke etj) do të kujtohet për studimet tona.
Që historiografia botërore të shprehet për origjinën pellazge të shqiptarëve, ajo duhet të njihet me studimet e bëra në këtë drejtim. Meqenëse këto studime përfshijnë një periudhe kohore tre shekullore (shk.19, 20, 21) janë pikërisht tre Akademi Albanologjike në trevat shqiptare: e Tiranës, e Prishtinës dhe e Shkupit, pa përmendur edhe ato në vendet e huaja, që duhet t’i debatojnë këto studime dhe t’i popullarizojnë në vendet e tyre dhe në botë, duke i përkthyer në gjuhët kryesore dhe jo të presin që këtë punë ta bëjnë vetë autorët me shpenzimet e tyre financiare.
Sigurisht këtu një problem themelor është: nëse këto Akademi kanë studiues të atij niveli sa të debatojnë me autorët për faktet e sjella prej tyre?
“Që të merresh me historinë e popullit shqiptar, që nga prehistoria dhe deri në kohët e vona - shprehej Spiro Konda – duhet të jesh filolog, helenist, latinist, glosolog, indolog dhe gjuhën shqipe ta kesh gjuhë ametare dhe ta zotërosh shkencërisht”. (A.Bitraku “S.Konda dhe prejardhja pellazgjike e shqiptareve”)
Deri sa nxori në dritë librin e tij “Shqipëria- Origjina e pabesueshme e një populli parahelen” Arif Mati pohon: “Unë kam kryer studime të shumta, hulumtime dhe analiza të hollësishme në pesë fusha të ndryshme: Histori, Arkeologji, Antropologji, Gjuhësi, Mitologji” (f.12 A.M.).
A është e drejtë që të vijojmë t’ia hedhim fajin viteve të “para 90-ës” për ç’ka vërejmë në historiografinë zyrtare shqiptare të ditëve të sotme?
Sigurisht që jo. Këtu kemi vetëm një përputhje të qëndrimeve dhe synimeve politike të dy anëve të murit ndarës të vitit 1990.
A është “origjina pellazge e arbërorëve” thjesht një problem i shkencës albanologjike shqiptare, apo ka një shtrirje të gjerë kulturore dhe etnike dhe me një theks veçanërisht aktual politik?

Sa i rëndësishëm është problemi i origjinës së një populli?
Në veprën e tij Spiro Konda përmend një thënie të Aristotelit pellazg se: “Fisnikëri është për një komb kur të parët e tij janë autoktonë ose shumë të vjetër në vendin ku banojnë dhe kur nga gjiri i tyre kanë nxjerrë njerëz që me veprat që kanë lënë, janë për t’u pasur zili”. (A.Bitaku “S.Konda dhe prejardhja pellazgjike e shqiptarëve”)
Në shekullin e 18-të, për të konsoliduar kombësinë e popujve të ndryshëm, që përfshiheshin brenda kufijve të tyre dhe për supremaci kulturore, ekonomike dhe politike, mbretëritë europiane i kthyen sytë “nga origjina e tyre e stërlashtë” dhe filluan të punojnë intensivisht për të dëshmuar lashtësinë dhe vlerat e të parëve. Në këto përpjekje, që u përfshi në lëvizjen e Rilindjes Europiane, prioritet patën romakët dhe grekët. Megjithëse hynë më vonë në këtë garë, ata kishin trashëguar një material të pasur arkeologjik të dëshmuar edhe nga autorët e lashtësisë, gjithashtu kishin një arkiv të pasur të shkruar apo të përkthyer mbi lashtësinë.
Mirëpo është dëshmuar se shumë shkrime, ndërtime dhe vepra monumentale apo të kultit të lashtësisë së hershme, janë shkatërruar qëllimisht nga pushtuesit ose janë përvetësuar apo adaptuar nga më të vonshmit, “për historinë” që do të shkruhej. Siç pohon edhe themeluesi i Akademisë keltike (franceze më 30.3.1805) Mangourit “Aneksimet kulturore, ecin në të njëjtin hap me pushtimet territoriale”. (f.66 A.Th .)
Kështu p.sh. gjatë pushtimit romak, më 167 p.K u sheshuan deri në themel shumë qytete të lulëzuara të Epirit, u shkatërrua edhe vendi i shenjtë i Dodonës.
Të gjithë pushtuesit që kaluan historikisht mbi trevat arbërore, lanë pas “tokën e djegur” apo ringritën mbi trashëgiminë pellazgo-arbërore ndërtime të kulturës apo besimeve të tyre. Shembujt nuk mungojnë as edhe në ditët e sotme. Shumë monumente fetare të lashtësisë dardane apo të periudhës bizantine, janë përvetësuar nga serbët në Kosovë.
Shqiptarë të asimiluar me anë të kishës serbe. Edhe pikturat në kishat serbe pasqyrojnë vetëm shqiptarë, e jo serbë.
Kështu u ndërtua historiografia e lashtësisë europiane si një lashtësi “greko-romake”. Atyre ju takoi edhe “fisnikëria” kombëtare, si dhe “zilia” e shteteve të tjera të mëvonshme që njiheshin historikisht si të ardhur, sidomos në Ballkan.
“Miza nën kësulë” për periudhën pellazgjike, e historiografisë greko-romake ka qenë se nuk mund të vërtetonte shkencërisht autoktoninë dhe vijueshmërinë pa ndërprerje deri në ditët e sotme të kombeve të tyre.
“…Nëse ne kërkojmë në legjendat e lashta mitet historike apo shkrimet më të lashta greke, nuk do të gjejmë asnjë gjurmë të emrit grek, apo Graikos, Helenëve apo Dorianëve! ... Manipuluesit e historisë romake janë përpjekur dhe gjithmonë kanë dashur të mbulojnë rolin vendimtar të Etruskëve në lindjen e qytetërimit romak”. (f.41, f 144 A. Mati)
Mbretëresha Teutë, ndryshe Tefta
Historiografia jonë zyrtare, mbasi ja qan hallin “mizës” së historiografisë greke, me bujari i vendosin grekët (të dëshmuar vetëm në shek.8 p.K) përkrah ilireve dhe trakëve, në vitin 3000 P.K! “Gjatë epokës së bronzit dhe të hekurit, në territorin e Ballkanit kanë banuar tre popuj të mëdhenj: grekët në jug, ilirët në perëndim dhe trakët në lindje të gadishullit”. (f.5. “Historia 4”)
Një pengesë e pakapërcyeshme për historiografinë “greko-romake” qe edhe pamundësia e zbërthimit të shkrimeve të kësaj periudhe, me anën e gjuhëve të tyre, greqishten dhe latinishten e lashtë.
Pa dashur të zgjatem mbi këtë argument, dua të sjell përfundimin e historianit A.Mati, i cili duke u bazuar edhe në arritjet e studiuesve të huaj dhe shqiptar, që në studimin e popujve të parë europianë i kthyen sytë drejt arbërorëve, thekson: “…Shqipëria dhe rajonet në kufi të saj (që njihen si treva arbërore- shën. im) paraqesin një rast unik në Europë: një dhe vetëm një popull, i cili jeton në tokat e tij stërgjyshore, të paktën që nga neolitiku… Ajo që duket të jetë greqishtja e lashtë apo dialekti “miken” nuk është gjë tjetër veçse “pellazgjishtja e lashtë”. (f.12, f 22 A.Mati)
Vetë flamuri i shtetit shqiptar, që është flamur kombëtar i arbërorëve, flet për pellazgët.

Kur flitet për njerëzit e parë europianë duhet të theksojmë se besimi, ishte epiqendra e kësaj shoqërie të stërlashtë, dhe tek Pellazgët ajo përfaqësohej (jo rastësisht) me Dodonën e trevës arbërore. Për të kuptuar rolin e Faltores së Dodonës, mjafton të themi se është dëshmuar si qendra më e vjetër fetare pellazge. Nga gjetjet e qeramikës parahistorike, mësohet se kulti i drurit (i përhapur në popujt e lashtë të Europës qendrore dhe veriore) në Dodonë ka filluar që në vitet 2000 p.K.
Në tekstin “Historia 4” nuk flitet as edhe një rresht për Dodonën, nisur ndoshta nga fakti, se trevat e Thesprotisë shqiptare, ku janë zbuluar gjetjet arkeologjike të kësaj faltoreje, sot ndodhen në shtetin grek.
Frika e historiografisë zyrtare shqiptare është aq e madhe ndaj historiografisë europiane e sidomos asaj greke, sa nuk guxojnë të pohojnë se Ilirët, si pellazgë që ishin, kishin perënditë e tyre që i përshkruan hollësisht Homeri tek “Iliada” (a nuk ishin trojanët fis dardano-ilir?) dhe emërtimet e të cilëve, shpjegohen me dialektet e shqipes (Niko Stillo “Etruskishte Toskërishte” etj.) Simbolet e tyre gjenden edhe në ditët e sotme tek popullsia shqipfolëse (Dhimitër Pilika “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” etj).
Në librin “Historia 4” shkruhet: “Nën ndikimin e kulturës dhe mitologjisë greke, në besimet ilire u futën edhe kultet e perëndive greke. Ilirët adhuronin Zeusin, Poseidonin, Afërditën, Artemisin etj. Këtyre perëndive ilirët u veshën atribute vendase” (f14).
Në fakt, nuk ka mbetur historian i lashtësisë që nuk ka pohuar se grekët i morën besimet nga pellazgët dhe romakët nga etruskët. Është e njohur thirrja “O Zeus Pellazg!” që e gjejmë shpesh tek “Iliada” (“Zemërimi i Akilit”) e Homerit.
Akili me plis - qeleshe
T’i heqësh kurorën “greko-romake” historiografisë europiane dhe sidomos asaj greke, është një nismë, që do shumë kurajë si shkencore dhe politike, megjithëse shumë studime historike, tashmë e kanë bërë të dyshimtë shkëlqimin e artë të saj.
Ja përse edhe historiografia e jonë zyrtare e sotme, nuk guxon të debatojë mbi këtë tezë. Studiuesit tanë zyrtarë i tremben debatit për origjinën pellazge të arbërorëve, sepse domosdoshmërisht do të dalin pohime se:
“Shqiptarët (Arbërorët) janë jo vetëm autoktonë dhe pasardhës të drejtpërdrejt të Pellazgëve dhe që sot e kësaj dite flasin gjuhën pellazgo-shqipe, por deri para Kongresit të Berlinit 1878 dhe të Londrës 1913 ka qenë popullsia më e madhe në gadishullin Ballkanik. Historia e tyre lidhet me qytetërimet më të hershme dhe shumë figura që vunë themelet e qytetërimit grek dhe romak kanë pasur gjak iliro-pellazg në dejet e tyre. (f.212 A. Mati)
Duke njohur këtë të vërtetë historike, si shqiptarët ashtu edhe popullsia europiane, e sidomos brezi i ri, do të avullonin të gjitha pretendimet “ për truall historik” të fqinjëve tanë. Do të pëlcisnin edhe flluskat “historike” për t’i karakterizuar shqiptarët si popull “i ardhur” dhe “pa figura të shquara autoktone historike”.
Këto përpjekje antishqiptare janë mbështetur edhe nga një pakicë intelektualesh shqiptarë, të cilët pa asnjë përgjegjësi shkencore dhe ndërgjegje kombëtare pohojnë “origjinën e huaj” të Skënderbeut apo figurave të tjera historike, duke arritur sa të venë në dyshim edhe origjinën ilire të shqiptarëve.
Vënia në dyshim e origjinës së shqiptarëve, rolit dhe kontributit të figurave të shquara të tij në historinë europiane, padyshim është shprehje e qartë e një strategjie politike dhe luftës psikologjike për të përulur kombin shqiptar.

Pretendohet se ka mungesë të dokumenteve historike për iliro-arbërorët. Përveç materialit të pasur arkeologjik që ruajnë trevat shqiptare, nëpër arkivat e shteteve europiane gjendet një fond i pasur shkrimor, për historiografinë tonë. Qytetet bregdetare dalmate, ruajnë në arkivat e bibliotekat e tyre të shumta, qofshin ato publike, shtetërore, kishtare apo private, një lëndë jashtëzakonisht të pasur dhe të vlefshme për shqiptarët dhe Shqipërinë, po kështu të pa gjurmuara janë arkivat e Vatikanit dhe Athinës, apo të shteteve të tjera. Vetëm nga arkiva e Pragës, Dhimitër Pilika solli 5 arka me dokumente për lashtësinë e popullit tonë.
Studiuesi Bejtulla Destani në Arkivin e Stambollit gjeti për periudhën osmane mbi 90 milion dokumente të dixhitalizuara dhe miliona të tjera që prisnin të dixhitalizoheshin (“Në arkivat e Stambollit ka miliona dokumenta për shqiptarët” pashtriku.org).  
Se përse shpërfillet kjo pasuri historike, është më se e qarte kur vërejmë se si po rrënohet trashëgimia arkeologjike dhe ndërtimore në vendin tonë dhe se si hulumtimet historike pothuajse janë jashtë planifikimeve financiare shtetërore.
Për raportin midis politikës dhe historiografisë, lexova një shkrim interesant, “Rrufetë politike mbi një tekst shkolle” (Gazeta “Standard”) të Artan Fugës, postuar në një prej forumeve me 26.09.2009. Autori shprehet se: “Europa dhe përvojat më të mira perëndimore sot po i nxisin ato praktika që quhen “multiperspektiva historike”, domethënë për ta rindërtuar historinë në mënyra të diversifikuar, kundër mendimit unik. Teksti alternativ shkollor prandaj është. Sjell pikëpamje të ndryshme. Këtu (do të thotë se në Shqipëri- shën. im) ende vazhdon kulti i historiografisë unike, që i “takon popullit”, që i “takon kombit”. Fjalë të mëdha pa pikë kuptimi. Teksti i historisë i takon autorëve të tij, nuk është e vërteta historike përfundimtare dhe unikale”.
Kjo shprehje ka një filozofi të gjerë brenda saj, që më kujton disa citate të Mao-s mbi “dy të mira dhe tre të këqija” apo anasjelltas.  
Autori ngre me të drejtë problemin e pavarësisë nga politika të punës së historianëve në hartimin e tekstit. Gjithashtu leximi i mendimeve të ndryshme mbi një ngjarje historike është më se i drejtë. Ky nuk është një mendim i shekullit të XXI. Shën Jeronimi prej Ilirije (shk.3 pas erës së re) theksonte se duhet të paraqiteshin mendime të ndryshme: “në mënyrë që lexuesi, mbasi të ketë lexuar shpjegime të ndryshme dhe të ketë njohur pikëpamje të ndryshme, të gjykojë vetë se cili është më i besueshmi dhe si një ekspert i këmbimit të valutave të refuzojë monedhën false”. (D.Gazulli “Shen Jeronimi prej Ilirije”17.11.2010)
Por, përsa i takon “historisë kombëtare”, arsyetimi i A.Fugës nuk është i drejtë dhe praktikisht i dëmshëm për vetë këtë shkencë. Autori nuk shpreh se deri ku është “kufiri” i qëndrimit subjektiv të studiuesve ndaj fakteve historike. Historia si shkencë, ashtu si edhe gazetaria, që gjithashtu pasqyron jetën e shoqërisë njerëzore, bazohet në faktet e ndodhura. Trajtimi i këtyre fakteve nuk mund të jetë kurrë “tërësisht objektiv” përderisa ato pasqyrohen nga individë, që kanë një formim kulturor dhe politik të caktuar. Por...këtu ka një kusht, që analisti italian Marko Travaglio e përcakton mjaft qartë:
“Ndryshimi i paraqitjes në tre këndvështrime jo të njëjta, në rast se thelbi i ngjarjes (faktit) është respektuar, nuk përbën problem; kjo është një pasurim për lexuesin dhe vetë ata, gazetarët...(f.20 “La scomparsa dei fatti” 2006).
Dhënia e pacenuar e thelbit të faktit historik, të ngjarjes së ndodhur në historinë e popullit tonë, përbën historiografinë që “i takon popullit dhe kombit”. Respektimi i “thelbit të faktit historik” kufizon “lirinë” e historianëve. Kjo përbën pikërisht linjën “unike” dhe “kombëtare” të teksteve historike, duke përfshirë edhe tekstet alternative.  
Pikërisht kjo historiografi kombëtare, është vlera më e madhe e çdo shteti, sepse ushqen ideologjikisht qytetarët e ardhshëm dhe formon ndërgjegjen e tyre etnike.
Të thuash, se kjo përgjegjësi e historiografisë ndaj popullit dhe kombit të vet, është “fjalë e madhe pa pikë kuptimi” do të thotë se nuk njeh funksionin e kësaj shkence. Autorët nuk janë “pronarë” të teksteve historike të tyre sa të shpërfillin periudha historike, të shtrembërojnë, minimizojnë apo mbulojnë faktet historike të popullit tonë.
Historiografia unike dhe kombëtare në pasqyrimin e fakteve, është sa shkencore aq edhe e kohës dhe nuk duhet të shpërfillim mësimet e saj.
Një ndër gazetarët e shquar amerikanë të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Edward R. Morrow ka thënë: “Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe”. ("A nation of sheep will beget a government of wolves")
Se sa fut duart politika shqiptare dhe ajo e huaj në tekstet zyrtare historike, mjafton të rikujtojmë kërkesat e vazhdueshme të shtetit grek ndaj teksteve tona të historisë.
Me nënshkrimin e Protokollit të bashkëpunimit midis dy shteteve (Athinë 3.04.2003), Ministria e Arsimit e Greqisë u angazhua se do të ngrejë një komision pedagogësh dhe ekspertësh të shkencave historike që njohin edhe gjuhën shqipe për të diskutuar me qëllim që “të heqin nga librat e historisë, kryesisht të palës shqiptare, pasaktësitë dhe ngjarje të cilat helmojnë marrëdhëniet dypalëshe”. Ajo u shpreh se: “Ka akoma ide për Shqipërinë e Madhe” (Shekulli 30/10/2004).

Mbasi u “krasitën” tekstet tona zyrtare nga faktet e shumta komprometuese të shtetit dhe kishës greke, mbasi u përcaktuan edhe “kufijtë” e paraqitjes së lashtësisë, historiografia zyrtare greke vijoi qetësisht të pasqyrojë në tekstet e saj mësimore dhe ato studimore, “viset vorio-epirote të pushtuara nga shqiptarët” pa harruar edhe zakonin e saj të lashtësisë, në greqizimin e emrave dhe kombësive të figurave të shquara historike shqiptare.

Si rrjedhojë, përpara Historiografisë zyrtare shqiptare shtrohet jo aq një problem shkencor, se sa ai aktual politik. Në rast se Historiografia zyrtare shqiptare nuk do të distancohet nga diktati i politikës, “zëri i saj” nuk do të jetë i ndryshëm nga ai i një skllavi, sepse siç vërente dramaturgu i lashtësisë, Euripidi: “Një skllav nuk e ka të drejtën të thotë të vërtetën, nëse ajo nuk i vjen për shtat zotërinjve të tij”.
Nga Fatbardha Demi, G. Tema

No comments: