Showing posts with label Artet. Show all posts
Showing posts with label Artet. Show all posts

Monday, February 10, 2014

Mene mene xhuxhumene

"Mene mene xhuxhumene
karafil mustafil
xhomodan kokodan
merre une tine pish"


E tillë është një lojë që kemi luajtur fëmijë duke nxjerrë 10 gishtat e duarve dhe në fund të recitimit njëri prej gishtave eleminohet dhe fiton ai që reziston dhe mbetet deri në fund.



Një ditë në tavolinë me disa miq, të tre treguam versione të ndryshme të fjalëve të kësaj loje që nuk i dihet as origjina dhe as autori.

Cili është versioni juaj?

Shkroi: Stop Injorancës

Friday, January 24, 2014

Ç'është Bukuria?

- Flokët që të mbrojnë kokën prej rrezeve të diellit, apo prej të ftohtit, gjysma e bukurisë.
- Balli i pjerrët, i cili në rast rrëzimi nuk goditet në pjesën më të madhe të tij.
- Vetullat e trasha e lakuara në formën e syrit, qerpikët e gjatë e të lakuar, për ta mbrojtur syrin më së miri prej pluhrave.
- Syri i futur mirë në zgavrën e tij, me një formë të zgjatur nga krahët për të zvogëluar sipërfaqen e pambrojtur të tij.
- Hunda aerodinamike me zgavra të vogla për shmangur rrezikun e futjes së papastërtive në to.
- Veshët e puthitur mirë pas kokës, për të shmangur rrezikun e fërkimit të sendeve të rastësishme me to.
- Dhëmbët e bardhë dhe të shëndetshëm për të përtypur më mirë ushqimin.
- Buzët e trasha që shërbejnë për të mbllaçitur me lehtë ushqimin.
- Qafa e hollë dhe e gjatë për të lehtësuar kontrollin e fushëpamjes ndaj çdo rreziku.
- Shpina e drejtë që mundëson një gjumë më të qetë.
- Gjinjtë e mëdhenj për të garantuar ushqim të bollshëm për të vegjlit.
- Gishtat e hollë dhe të gjatë që rrisin efektshmërinë e lëvizjes e kapjes së sendeve.
- Thonjtë e fortë dhe të lakuar nga poshtë, që përveç faktit se nuk lejojnë hyrjen e shumë papastërtive, janë edhe më praktikë për kapjen e hapjen e sendeve.
- Mungesa e dhjamit dhe celulitit rreth belit për të treguar vitalitetin dhe elasticitetin fizik.
- Vithe të forta e të rrumbullakta për të treguar qendrushmëri dhe ekulibër.
- Këmbët e drejta për të lehtësuar vrapimin.
- Lëkura e pastër për të lehtësuar frymëmarrjen e saj.
- Muskulatura fizike për të siguruar mbijetesën.

Më duket mua, apo ajo ç'konsiderohet e bukur në fizikun njerëzor, është pikërisht e përcaktuar fillimisht prej natyrës, nëpërmjet tipareve që kanë rezultuar si më të sukseshmet e sojit tonë, për të mbijetuar?!

Me shumë gjasa, në një tjetër Planet me të tjera kushte, preferencat tonë ndaj së bukurës, do të ishin shumë ndryshe.

Shkroi: Stop Injorancës

Wednesday, March 13, 2013

Shqiptarët vrasës me pagesë në filmin “Dead Man Down”


Regjisori i “The girl with the dragon tatto”, Neils Arden Oplev, ka sjellë një tjetër film, por kësaj radhe ai ka përfshirë edhe shqiptarët. Ata i ka bërë një bandë që vrasin me pagesë e aty flitet edhe shqip nëpërmjet aktorit me prejardhje shqiptare, James Biberaj, i cili luan përkrah aktorëve të njohur Colin Farrell, Noomi Rapace në rolet kryesore.

Banda të ndryshme pjesë e perandorisë së drogës së Alphonse janë edhe gangsterët që në kritikën e “The New York Times” quhen “tullacë të rrezikshëm”. Ata vrasin këdo për çfarëdo arsye. Bandat që vrasin me pagesë janë shqiptarë. Ata janë të lidhur mes vete familjarisht. Kryesori i tyre është Iliri, rolin e të cilit e luan aktori James Biberaj, i cili tregohet goxha i rreptë si gangster, ashtu sikurse qëndrimi i ministres së Qeverisë së Kosovës ndaj rasteve të shpeshta kur Hollywoodi po i personifikon shqiptarët si të këqij.

“Nuk mendoj domosdoshmërisht që filmi është antishqiptar, por edhe në këtë film sikur në disa tjerë para tij, shqiptarët janë portretizuar përmes bandës e cila vret për të holla”, ka thënë Kusari-Lila, nëpërmjet një mesazhi telefonik nga New Yorku, e cila gjatë qëndrimit në metropolin amerikan, ka pasur rastin të shoh premierën botërore të filmit, “Dead Man Down” nën regji të danezit Niels Arden Oplev.
(e.m/kohaditore/BalkanWeb)

Trajlieri: http://youtu.be/6WKmnAcMTKM

Monday, January 30, 2012

Në kërkim të kujt!!!



 Dje u shfaq në televizionin e Top Channel-it një prodhim po i këtij kanali, një serial i vetëquajtur fiksion, me regji të Gjergj Xhuvanit me titull "Në kërkim të kujt!!!"

 Duke u nisur pikërisht nga titulli edhe pse pashë vetëm njërën prej këtyre 5 serive, besoj se e kuptova qartësisht fabulën e këtij filmi, ku marrin pjesë aktorë të mëdhenj të kategorisë së Ndriçim Xhepës, Reshat Arbanës, Luiza Xhuvanit, Niko Kangjerit dhe të tjerë.

 Titulli "Në kërkim të kujt!!!", nënkupton se regjizori i shquar Gj. Xhuvani, nuk ka kuptuar ende se çfarë teleshikuesish kërkon, apo se cilin realitet po trajton.

 Nuk është hera e parë dhe sigurisht që nuk do jetë as edhe e fundit, ku filma prodhim shqiptar, i kalojnë pranë realitetit shqiptar, po vetëm për pak milimetra, nuk e takojnë dot fare.

 Si fillim doja të trajtoja shqipen letrare që përcillet në dialogjet mes personazheve.
 E shtirë, e pajetë me asnjë pikë takimi me fjalorin e sotëm popullor. Po ashtu si banaliteti i përdor prej atyre nxënësve në film, shumë i rëndomtë për të qenë banal.

 Duke kaluar më pas tek ngjarjet e prekura, ku mjeku shikonte përmes syrit të pacientit, trurin e tij.

 A nuk e di Zoti regjisor realitetin e mjeksisë sonë, ku në Lushnjë para pak javësh një burrë vdiq i shtypur nga treni, 5 minuta larg spitalit pasi ambulanca erdhi pas 1 ore.
 Ku një grua e re shtatëzëna në Korçë vdiq si pasojë e ndërhyrjes së mjekut në efekt alkooli.
 Në cilin realitet e marrin frymëzimin këta regjizorë?
 Në kërkim të kujt audience i realizojnë këto filma?


 Pa folur pastaj për vjedhjen e asaj fotos në tabelën e nxënësve të dalluar të shkollës dhe me një drejtor që vjen në shkollë që në orën 7-të të mëngjesit, që ndjen mungesën e fotos dhe menjëherë lajmëron edhe policinë.

 Drejtori nuk dihet se cilën ditë shkon të vizitojë shkollën e tij, nxënësit nëpër shkolla kryejnë marrëdhënie seksuale nëpër banjo e pinë hashash në mes të orëve dhe kurrë një polic apo një drejtor nuk e ka kapur apo ngritur si shqetësim.

 Bindja ime ka qenë se një film duhet të bazohet mbi një realitet dhe të godasë anët negative të tij, për të dhënë në fund me anë të fabulës një moral, por filma të tillë, bëjnë mirë të titullohen të gjithë "Në kërkim të kujt!!!"

 Shkroi: Stop Injorancës!

Thursday, September 2, 2010

Të shëmtuarat, si ndihen dhe e përjetojnë këtë fakt

Edhe pse është shumë e vështirë për t’u pranuar, ky është fati i trishtuar i femrave të shëmtuara: të mos trajtohen asnjëherë si të tjerat

A e keni menduar ndonjëherë se cili është sekreti i bukurisë? Një fytyrë simetrike dhe sasia e duhur e hormoneve. Ky është një rregull që vlen si për meshkujt ashtu edhe për femrat, e madje jo vetëm për qeniet njerëzore, por edhe për majmunët. Por cili është në të vërtetë qëllimi i bukurisë? Sigurisht që nuk është joshja, por riprodhimi. Këtë e ka konfirmuar edhe një studim britanik i zhvilluar në një nga universitetet e Anglisë. Përfundimi? Vërtet bukuria është cilësuar një nga elementet më të rëndësishme të njeriut, prej së cilës lind shpesh stresi dhe tërheqja, por gjithmonë ka një qëllim: ngjizje dhe riprodhim, me ose pa dëshirën tonë.


Studimi ka analizuar disa fotografi të tri grupeve të ndryshme individësh: europianët, disa persona me etni Hadza (Tanzani) dhe majmunët. Me ndihmën e kompjuterit studiuesit bënë disa ndërhyrje për t’i bërë të gjitha fytyrat simetrike, duke zvogëluar distancën mes syve, pasi është edhe një nga faktorët më të rëndësishëm të simetrisë së fytyrës. Kështu, pas operacioneve të rimodelimit, studiuesit ua treguan fotografitë europianëve, të cilët kryenin funksionin e jurisë. Grupi në fjalë përbëhej nga 15 meshkuj dhe 15 femra. Jurisë iu kërkua të vlerësonte se cilat fytyra dukeshin më tërheqëse. Femrat me moshë nga 18-25 vjeçe (numri total i të cilave ishte 59) i ishin nënshtruar gjithashtu analizës, ku përcaktohej niveli i estrogjenit që qarkullonte në gjakun e tyre. Pas rregullimeve, fotografitë e të njëjtave femra të treguara më pas, konsideroheshin më tërheqëse dhe shfaqnin karaktere tipike femërore: sy të mëdhenj, buzë me tul, nofulla dhe hundë të vogël. Këto ishin disa nga vajzat që iu nënshtruan profilit hormonal.

Studiuesit, pasi i rregulluan fotografitë me “software”-in e një kompjuteri, ua treguan ato anëtarëve të jurisë: rezultatet ishin homogjene. Kjo do të konfirmonte se karakteret e pëlqyera te një fytyrë femërore janë karaktere seksuale, që shkaktojnë fertilitet dhe si pasojë janë tërheqëse nën profilin biologjiko-evolutiv. Preferencat e shprehura nga grupi europian të marra në konsideratë nga shkencëtarët nuk lidhen me eksperiencat vizive, por me mbijetesën e farës.

Gjithsesi, nëse karakteristikat e fytyrës mund të japin informacion mbi cilësitë biologjike, atëherë është logjike të mendosh se mund të
ekzistojnë mekanizma të ngjashme që e nxisin.

Për shembull, disa gjene mund të tregojnë një sistem imunitar të mjaftueshëm, ose një aparat të mirë metabolik, pavarësisht se e lejojnë një organizëm të rritet në mënyrë simetrike.

“Shpesh femrat e shëmtuara janë aq të zgjuara, saqë i bëjnë njerëzit ta harrojnë këtë fakt”, thoshte Balzaku, i cili i kuptonte shumë mirë gratë dhe mënyrat se si ato joshnin.

Për pamjen e jashtme të femrave të shëmtuara janë shkruar mjaft libra. Një prej tyre është edhe “Jeta seksuale e gruas së shëmtuar”. “Gruaja e shëmtuar nuk është vetëm një deformim estetik. Mbi të gjitha ajo ka një shpirt si çdo qenie njerëzore”, është shprehur një studiues. Libri në fjalë zbulon misterin dhe konfirmon teorinë: çdo njeri është i bukur aq sa ndihet.

Protagonistja e romanit e përshkruan situatën e saj si atë të një gruaje të shëmtuar, por që për sytë e saj duket mjaft tërheqëse. Ajo është një grua e shëmtuar, natyrisht jo aq e tmerrshme, sepse ajo lloj femre, sipas disa studiuesve, ka një bukuri të veçantë që nuk mund të shihet nga të gjithë, e cila ose kalon pa u vënë re, njësoj sikur të ishte e padukshme, ose në momentin që i vihet në dukje fakti që nuk është e bukur, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të vuajë.

Edhe pse është shumë e hidhur për t’u pranuar, ky është fati i trishtuar i femrave të shëmtuara: të mos trajtohen asnjëherë si të tjerat. Ajo mësohet me këtë gjë që në vogëli dhe e përdor “trashëgiminë” e saj për të krijuar një portret, i cili i pëlqen dhe e bën të ndihet më mirë. Realisht, edhe pse i trishtueshëm dhe argëtues deri në qesharak në të njëjtën kohë, libri “Jeta seksuale e gruas së shëmtuar” është një edukim sentimental gjithnjë e në rritje. Një romancë e jashtëzakonshme, por edhe një libër edukativ, i cili mund t’u shërbejë meshkujve dhe femrave për të parë në një tjetër këndvështrim jo vetëm vetveten, por edhe botën njerëzore që i rrethon. Fatkeqësitë e personazhit kryesor do të bëhen fatkeqësitë e të gjithëve, një pasqyrë në të cilën kushdo, edhe më i bukuri, mund të shihet.

Gazeta  Shqip