Tuesday, June 17, 2014

Le të mbetemi njerëz...

Shpesh të kapin sytë thirrje të njëpasnjëshme për njerëzit në nevojë.
"Ju lutem kontribuoni për 'Filan Fistekun', që vuan nga një sëmundje e rëndë dhe kurimi i tij kushton shumë shtrenjtë.

Ndihmoni me sa të mundni këtë familje të gjorë që rrezikon jetesën në këtë shtëpi që pret ti zërë brenda. Hidhni para për jetimët. Kontribuoni për të ndihmuar të pastrehët. Solidarizohuni me njerëzit e sëmurë prej patologjive të ndryshme. Dhuroni gjak për talesemikët. Hapni vende pune për të verbrit, apo tetraplegjikët. Ndihmoni komunitetin rom. Merrni pjesë vullnetarisht në pastrimin e ambjentit. Denonconi aktet e korrupsionit.
E nga ana tjetër përplot me njerëz që të kapin në rrugë për lëmoshë, zotërinj që lypin para për ilaçe, dikush tjetër vetëm 30 lekë për të ngrënë bukë. Pseudoshitësa orbitësh, manikotash, lajthish etj, etj, që blejnë keqardhjen tonë njerëzore, çdo ditë.

Dhe nuk ka asgjë të keqe të jesh i dhimbsur, të ndjesh keqardhje, e të ndihmosh të tjerë.
Kjo është pikërisht të qenit njeri.

Mirëpo ne kemi pranuar të bëhemi pjesë e një sistemi i cili të jep mundësinë të kapësh majat e botës dhe t'ua shtrish kurrizin të tjerët të punojnë për ty. E pranuam këtë sistem sepse të gjithë besuam se i kishim aftësitë për të qëndruar atje lart në majë, për të jetuar në mes të luksit, për të shfrytëzuar të tjerët. Por ja që matematika është shkencë ekzakte dhe duke iu referuar asaj, në këtë sistem një pjesë e madhe njerëzish do rrezikojnë mbijetesën dhe me shumë gjasa tek ajo kategori njerëzish, mund të jesh edhe ti.
Nëse ke shëndet, do të punosh gjithë jetën që nëse ke sukses, atje pas të 50-ave të arrish të sigurosh një strehë. Dhe kështu ti nuk ke kohë të marrësh pjesë në edukimin e fëmijës tënd sepse të duhet të punosh fort, me orare të tejzgjatura, apo me dy punë që të mundësh të përballosh kreditë, që ti garantosh familjes ushqimin, që në rast sëmundjeje të kesh një mundësi të siguroshsh edhe për shëndetin një kredi.
Jeta vrapon dhe ti duhet të ndjekësh ritmin e saj për të mbijetuar, prandaj nuk ke kohë të ndalosh e ndihmosh në rrugë një fatkeq, se ti nuk preferon t'ia japësh ndihmën e parë një të lënduari pasi kjo është detyra për të cilët paguhen të tjerë njerëz, se ti nuk mund të dëshmosh mbi një ngjarje kriminale sepse janë të tjerë njerëz që për të zbardhur krimet paguhen. E kështu pa kuptuar nuk të bën më përshtypje se këmba e një futbollisti po vlen aq para sa do duhej për të rimëkëmbur një qytet. Nuk e sheh si problem që i vetmi që po troket në derë, është administratori i pallatit që për mirëmbajtjen të kërkon lekë.
Dhe ai punëdhënësi (pronari yt) që të gjithë e shohin si perëndinë që iu fal ekzistencat, nuk ta rrit rrogën dhe të hedh në rrugë sipas oreksit të vet. Ai ka edhe pafytyrësinë që për protagonizëm të merret me politikë apo të bëjë bamirësi.

Hero merr titullin ai që guxon.

Çfarë guxon?
Thjeshtë të mbetet njeri.

Domosdo çdo ditë e më tepër do kthehesh në njeri indiferent. Ngadalë do të lodhesh duke etiketuar bashkëgjallesat e tua si kafshë, që zgjedhim ta filmojmë një situatë sesa ta zgjidhin atë. Ajo cipë e reagimit, e moralit, e solidaritetit do të humbasë e do të humbasë derisa të gjithë të kemi harruar plotësisht se ç'kishim dashur e ç'kishim qenë.

Prandaj ju lutem, boll më kapët me kapje mëngësh për lëmoshë, boll me thirrjet për keqardhje, me birtmat për ndihmesë!
Ne kemi pranuar të jemi pjesë e një sistemi ku i pastrehuari duhet agimi ... shpirtin t'ia tresë, ku i paafti që s'ka para për ndërhyrje kirurgjikale ashtu si vemje duhet të mbesë.
Nuk ka kuptim keqardhja në një sistem që për jetët njerëzore nuk shpreh mëshirë e pendesë! Në një sistem ku paraja qëndron si tutore, në hierkinë e të gjitha vlerave njerëzore.

Ose ose, kam një tjetër ide. Pse mos të përpiqemi kështu bashkarisht të ndërtojmë një tjetër rregull, për një tjetër botë ku do të kishte më tepër drejtësi, barazi për e meritokraci, për çdo krijesë?!

Le të mbetemi njerëz...

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: