1. Liria e qytetarit është vlera supreme e shoqërisë. Të parët në botë ligj për qasje publike të informacionit, festohet sot si dita kombëtare e Suedisë. Cdo qytetar mund t'i kërkojë të dhënat nga amza e nga enti tatimor për cdo qytetar, përfshirë të hyrat vjetore, kursimet bankare, patundshmëritë, e letrat me vlerë, prej mbretit e teposhtë.
2. Siguria në tregun e punës, e ndërtuar rreth sindikatave. Sindikatat janë të sanksionuara me ligj si pala që negocion kontratat kolektive. Punëdhënësit privatë të obliguar me ligj të respektojnë kontratat kolektive. Punëdhënësit publike të obliguar me ligj të negociojnë me sindikatat nëse ndryshojnë konditat në punë, apo në rast të shkurtimeve. Sindikatat kanë të drejtë ligjore dhe procedura të saktësuara ligjërisht për greva, përfshirë grevat e simpatisë kundër të gjithë punëdhënësve të një sektori. Por, për arsye të vetëkuptueshme, suedezët s'kanë nevojë për greva aq shpesh. Shteti e merr përsipër vetëm një detyrë, të ofrojë ndërmjetësim nëse negociatat ngelin. Ekspertët mendojnë që ky sistem unik i fuqizmit ligjor të sindikatave dhe negociimit direkt ka siguruar qetësi në tregun e punës, duke ia shtuar efektivitetin dhe produktivitetin ekonomisë suedeze.
3. Shoqëri e solidaritetit institucional: qytetarët kujdesen për njëri tjetrin institucionalisht, ashtu që askush të mos ketë nevojë t'ia shtrojë dorën askujt privatisht. Taksa progresive. Sistem i përgjithësuar i sigurisë sociale, arsim e shëndetësi falas për të gjithë, shtesa për fëmijë njësoj të gjthë prindërve, prej ciftit mbretëror e teposhtë. Suedezët mendojnë se kushtëzimi i tepërt i rritë servilizmin ndaj autoriteteve, e koston e administrimit publik.
4. Barazia gjinore. Të gjitha partitë parlamentare - pos nacionalistëve - vetëquhen feministe. Pothuaj të gjitha partitë kuotojnë gra me vetëdëshirë, qeveria aktuale e djathtë i është kërcënuar madje edhe ekonomisë private me kuotim të detyrueshëm. Të gjitha sistemet e sigurisë sociale janë individualizuar, meqë suporti ndaj "famljes" e saboton clirimin e gruas. Fëmijët edukohen e stimulohen në shkolla për barazi gjinore, në lëndën e amvisnisë djemtë mësojnë të gatuajnë, e vajzat të merren me zdrukthtari.
5. Pushimi prindor i përbashkët. Një vit pushim me 80 përqind të rrogës, që mund të ndahet përgjysëm mes babait e nënës. Një pjesë e pushimit me pagesë ndërpritet nëse nuk e merr babai. Arka e sigurimit social kontrollon që babai të mos ketë të ardhura nga puna gjatë kohës së pushimit: nëse zbulohet se ka të ardhura tjera, ndiqet ligjërisht. Shteti kërkon ta forcojë rolin prindor të baballarëve, e ta dobësojë skajimin e grave në tregun e punës.
6. Toleranca epike. Bashkëjetesa dashururore, me pak dallime, e barazuar ligjërisht me statusin martesor. LGBT mund të martohen, të fertilizohen falas brenda sistemit shëndetësor, e të adoptojnë. Madje edhe kisha nacionale suedeze pranon t'i kurorëzojë LGBT. (Fëmijët e tyre ndihen shuuumë mirë, falemnderit.)
7. Pavarësia e pashembullt e komunave. Komunat suedeze janë shtet në veti, me të drejta largvatëse për të administruar - konform ligjit, kuptohet - shkollimin, shëndetësinë, banimin e qytetarëve, kulturën lokale, ndihmat sociale etj. Me fjalët e një miku suedez, i vetmi vend në botë që ka autonomi më të lartë të komunave se Suedia është - Kosova! Sepse aty, ligji Ahtisaari u ofron komunave etnike serbe të drejta më largvajtëse se komunave suedeze.
8. Niveli i lartë i kulturës. Suedezët janë populli që lexojnë së shumti në botë, sipas OKB-së. Poashtu, janë vendi ku ka më së shumti biblioteka publike. Sistemi i bibliotekave publike është kapilar, pothuaj që s'ka lagje pa një bibliotekë. Në biblioteka mund të porositen, pa pagesë nga qytetari, gazeta nga të pesë kontinentet, si dhe libra në të gjithë gjuhët e botës. Karta e bibliotekës është falas dhe e pakushtëzuar. Kush ka kartë anëtarësimi, mund të kërkojë cfarëdo materiali të dojë. Bibliotekat ofrojnë edhe facilitete të relaksit me fëmijë, disqe CD, si dhe materiale për lexim të lehtë, për imigrantë e dislektikë (persona me sfida neurologjike në lexim).
9. E drejta e kalimit të lirë nëpër natyrë, allemansrätten: shqip tekstualisht "e drejta e cdo njeriu". Pronarët e tokave nuk kanë të drejtë t'ia ndalojnë kalimin e lirë, ndalimin, apo qëndrimin e përkohshëm në tenda, asnjë qytetari që nuk ndote e nuk e trazon ambientin. Suedezët janë fetishistë të natyrës, në cdo stinë të vitet hasë njerëz që enden pyjeve, lundrojnë me barka liqeneve, ngritin tenda nëpër lëndina. Friluftsföreningen, përafërsisht Shoqata për aktivitete në natyrë, është ndër shoqatat më masive suedeze me qindramijëra anëtarë. Nëse zombiet e pushtojnë botën, Suedia do të jetë sigurisht vendi ku do të ketë më së shumti mbijetues të paprekur prej tyre.
10. Modestia suedeze. Ndonëse i ka të gjitha këto, suedezi nuk e lavdëron tej mase vendin e vet, as kombin e vet. Madje shikohet pak si vulgare, të fryhesh kështu për veten: unë personalisht do të ngurroja ta hedh këtë tekst në suedisht. Qytetarët e emancipuar të këtij vendi kanë frikë të rrahin gjoks, meqë nuk duan zhvillime fashistoide në vendin e vet, tëhuajësim të pakicave, e shkatërrim të kësaj ndjenjës së bashkësisë dhe solidaritetit institucional që e ka ndërtuar këtë vend nga themeli. Fjala patriotizëm është fjalë e shëmtuar në Suedi, ka konotacion kolektivist e pothuaj fashist. Pyet pse? Shiko edhe një herë në krye të këtij statusi, fjalinë e parë te pika nr 1.
Ka mënyra e mënyra për ta dashur vendin e vet. Suedezët thjesht e përbuzin dashurinë që cirret, ndërsa e cmojnë dashurinë që shprehet me respekt për lirinë, e mirëqenien, e ndjenjën e përkatësisë së përbashkët.
Shqiptar Oseku