Thursday, January 24, 2013

Ku shkuan 1 milion eurot e dhëna për muzeun?


TIRANE - Mozaiku më i madh në Shqipëri, realizuar në fasadën e Muzeut Kombëtar, vepër unikale e artistëve shqiptarë, filloi të rrëzohet dy ditë më parë. Shiu i dendur zbuloi papritmas faktin që ky mozaik ishte lënë në mëshirë të fatit edhe pse gjendej në mesin e Tiranës. I mbani mend skelat me banderolën e fytyrës së qeshur të kryeministrit tonë? E pra, poshtë banderolës që mbulonte fasadën për muaj me radhë, skelat ishin ngritur për të restauruar mozaikun.

Ca fonde donatorësh ishin lëvruar, por me sa duket askush nuk vuri dorë në këtë mozaik. Një tjetër vepër e trashëgimisë së shqiptarëve po dëmtohet rëndë. Kësaj radhe nuk ishin hajdutët që hynë për ta prishur. Mozaiku kishte edhe rojë, po kishte edhe drejtor që paguhet për ta mbrojtur. Mozaiku po prishet nga indiferenca dhe kusaria e pushtetit tonë, i cili nuk po lë gjë pa vjedhur. E mbani mend Ministrin, i cili do të flasë vetëm në datën 23 qershor? Ministri na tha se kisha në Shpat ishte në një vend të humbur.                                                   Po tani z.Ministër, çfarë mund të thoni? Z.Ministër, a mund të na thoni se ku shkuan paratë e restaurimit të mozaikut? Po fondi prej 1 milion eurosh që ka dhënë UNDP për këtë muze? UNDP-ja, sigurisht që duhet të flasë publikisht se ku shkuan paratë e qeverisë spanjolle për Muzeun Kombëtar, pasi nuk është normale që, paratë e donatorëve shkojnë për rrush e kumbulla dhe askush të mos mbajë përgjegjësi.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

No comments: