Thursday, January 10, 2013

Huliganët maqedonas rrahin pesë të rinj shqiptarë


SHKUP– Një grup të rinjsh maqedonas, prej afro 20 vetash kanë sulmuar mbrëmjen e djeshme pesë të rinj shqiptarë rreth moshës 16- vjeçare në lagjen “Aerodrom”, në Shkup. Njëri nga të rinjtë shqiptarë ka pësuar lëndime të rënda në trup dhe është dërguar për trajtim urgjent në Spitalin e qytetit në Shkup, ndërkohë që të tjerë kanë marrë lëndime më të lehta.

"Sa dolëm te rrgua, kur i pamë mbi 20 veta, vrapuan, na zunë dhe na rrahën. Veç bërtitën, maqedonas ishin, edhe si na zunë na rrahën me shkopinj bejsbolli. Ata ishin 20-30 vetë, ne ishim pesë vetë", ka sqaruar ngjarjen Riad Iljazi, njëri prej të rrahurve, raporton “Alsat”.


Ndaj sulmit ka reaguar të shtunën Rilindja Demokratike Kombëtare e drejtuar nga Rufi Osmani. Kjo parti bën bashkëfajtor për dhunën koalicionin qeveritar.

Pas diskriminimit të shqiptarëve në rastet e fundit mospranimi i amendamenteve të RDK-së, anashkalimi i gjuhës shqipe në autobusët lokalë, diskriminimi me banesat sociale dhe rasti i fundit ku fëmijët shqiptarë rrihen nga 20 huliganë janë dëshmi e radhës se fëmijët shqiptarë nuk ka kush t’i mbrojë. Kjo vjen si rezultat i paaftësisë së partisë shqiptare në Qeveri, BDI që përfundimisht të reagojë në këto raste që nxisin urrejtje ndëretnike, pasi që Nikolla Gruevskit i pëlqen kjo lojë në prag të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e RDK-së.

“Qeveria me rastet e fundit me dhunën e shkaktuar në Parlamentin e Maqedonisë është vetëm një leksion për huliganët maqedonas. Përderisa brenda në Parlament tërhiqen zvarrë gazetarë, rrihen deputetë pse mos këta huliganë të cilët kanë mbështetje nga Qeveria aktuale të mos rrahin fëmijë shqiptarë”, përfundon reagimi i Rilindjes Demokratike.
Balkanweb

No comments: