“Familja e tim shoqi u mërzit... jam ndier inferiore dhe e tërhequr sepse kam lindur vajza”, shprehet një nënë nga Bathorja.
Në Shqipëri po lindin më shumë meshkuj sesa femra. Aborti selektiv është njëri nga shkaqet kryesore, edhe pse ai është ndaluar me ligj. Në vendin tonë, për periudhën 2008-2010, raporti i lindjes së meshkujve shënon një mesatare prej 111.7 për 100 lindje vajzash. Ndërkaq, norma botërore është 105 lindje djemsh për 100 lindje vajzash dhe studimi vërteton se ky ekuilibër në Shqipëri është prishur pikërisht për shkak të shtimit të rasteve të abortit selektiv. Këto janë disa nga përfundimet e studimit “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”, i prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e organizatave “UNFPA” dhe “Ëorld Vision”. Studimi u prezantua dje në Tiranë.
Dëshira për të pasur të paktën një pasardhës mashkull në familje është shkaku kryesor i aborteve të qëllimshme të foshnjave vajza. Në pellgun e Ballkanit Shqipëria zë vendin e parë për këtë tregues, ndjekur nga Maqedonia Veriperëndimore. Këtë situatë vërtetojnë rezultatet e raportit, duke konfirmuar një gjendje të paekuilibruar në lindje midis dy sekseve.
Pohimi i gruas nga Bathorja na bën të mendojmë se nëse lind djalë, respektohesh më shumë brenda familjes sesa kur lind vajzë. Duket se në disa raste, të rrisësh djem nuk është vetëm çështje që ka të bëjë me krenarinë, por edhe me një çështje nderi dhe dinjiteti familjar. Arjan Gjonça, demograf, pohoi se, “aktualisht, raporti i lindjes femra-meshkuj ka shkuar në 100 femra të lindura kundrejt 111 meshkujve. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, pritet që në 20 vitet e ardhshëm të kemi mbi 11 për qind meshkuj më shumë se femra”.
Shkrimine plotë e gjeni sot në gazetën Shekulli
Entela Resuli
No comments:
Post a Comment