-Të jetosh në rrugë me baltë, por me emra plot ngjyra si “Silvio Berluskoni”, “Nikolas Sarkozi” ose “Moxart” dhe të punosh në “Manhattan”, “Coca Cola”, “Paris”, “Meksikë” ose “Dubai”, është një privilegj që e kanë vetëm njërëzit e varfër të qytetit të Kamzës në Shqipëri, shkruan sot spanjollja e famshme ‘El Mundo’.
Në një reportazh të saj nga Kamza, 7 kilometra nga qendra e Tiranës, ‘El Mundo’ shkruan se Kamza befason emërtimin e rrugëve të saj, një ide që ka ardhur nga kreu i Bashkisë, Xhelal Mziu dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Bashkiak, për të krijuar një qytet modern.
El Mundo thekson se Kamza nga 6.000 banorë që kishte para viteve ‘90, tashmë numëron 100.000 banorë duke e bërë qytetin e gjashtë më të madh në Shqipëri.
Gazeta thekson se ky qytet njihet si një bastion i Partisë Demokratike, aq sa edhe bulevardi kryesor i qyteti ka marrë emrin “Bulevardi Blu.”
“Në “Manhattan” fshatarët shesin presh, qepë, portokalle, mjaltë dhe pula të gjalla të rritura në oborr, ndërkohë në “Neë York” është tregu i veshjeve të përdorura. Në rrugën e pagëzuar me emrin “Londër” duhet të mbash mirë ekuilibrin, se ndryshe rrezikon të biesh në gropa të shumta me ujë dhe baltë, që në verë kthehen në re pluhuri.”- shkruan gazeta.
Më tej, ata që jetojnë në “Bruksel” “Uashington”, “Berlin” dhe “Milano” janë më me fat se banorët që jetojnë në rrugën “Silvio Berluskoni” që ngjan më shumë me një shteg fshati.
Një banor i zonës është shprehur se emrat e rrugëve janë të qyteteve madhështore, por gjendja e tyre është si në Afrikë, ndërsa një student thotë se emrat duhet të jenë shqiptarë, por askush nuk i ka pyetur banorët për këtë.
Popullsia e Kamzës, theksohen në këtë reportazh, ka një moshë mesatare 27 vjeç, por vuajnë nga papunësia, margjinalizimi social, shërbimet joefikase shoqërore, dhe të ardhurat e familjes janë të bazuara kryesisht në disa dërgesa të emigrantëve shqiptarë, që po vijnë e po pakësohen për shkak të krizës, kryesisht në Greqi.
(d.b/BalkanWeb)
No comments:
Post a Comment