Showing posts with label Diskriminimi gjinor. Show all posts
Showing posts with label Diskriminimi gjinor. Show all posts

Tuesday, June 17, 2014

Unë nuk jam Intelektual

55 Intelektualë shqiptarë, peticion kundër gay-ve


Nuk di që ndonjë vend tjetër të botës që intelektualët të firmosin peticion kundra të drejtave të homoseksualëve.
Zakonisht, ndodh që të ashtëquajturit intelektualë dalin në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe jo kundra tyre.

E çfarë rrezikojnë, sipas këtyre intelektualëve, homoseksualët?
Familjen...që sipas tyre qenka e shenjtë, e paprekshme.

Po këta homoseksualët, a nuk lindën dhe u rritën në familje vallë?

Zotërinj të nderuar, që nuk e di me ç'kurajo keni firmosur një peticion kaq qesharak, meqenëse nuk ndjehem intelektual si ju doja t'iu thoja që mendoj se familja shqiptare nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë ndonjëherë e rrezikuar prej homoseksualitetit.

Për të mos thënë që homoseksualiteti është natyror, edhe më i lashtë se vetë institucioni i familjes. Historia është e mbushur plot me njerëz me prirje (dhe të drejta) të ndryshme seksuale, që kanë dhënë kaq shumë për njerëzimin. Ata kanë bashkëjetuar gjithmonë në harmoni bashkë, derisa institucionet fetare i shpallën luftë ballore homoseksualitetit, me gjasa se iu binin fitimet nga dasmat...
Institucione fetare, që marrin kurajon të dalin kundra vullnetit të Zotit, që dikujt i dha prirje heteroseksuale, dikujt homoseksuale e dikujt edhe të dyja.
Fetë, që dalin kundra homoseksualitetit dhe në librat e tyre të shenjta nuk mungojnë pedofilitë, inçestet e orgjitë. Murgj që japin leksione mbi familjen...

Përveç faktit se të ashtëquajturit intelektualë duhet të shqetësohen fillimisht për familjen shqiptare në një krizë të thellë ku martesat po shkojnë paralelisht me divorcet, dashur padashur kanë ngritur një çështje tjetër shumë të rëndësishme për t'u debatuar:

"Kush janë intelektualët"?

Me shumë gjasa, intelektualë janë ata njerëz që me formimin e tyre i paraprijnë të ardhmes, kanë vizion dhe do të kujtohen e nderohen për veprat e tyre edhe në të ardhmen.

Këta intelektualë (shumicë të përdalë moralisht) që kanë firmosur këtë peticion, sapo i kanë vendosur vetes tyre në ballë, një njollë të madhe turpi, që zor se do të shlyhet.

Dhe nuk kuptohet pse qenkan intelektualë muzikantët e humoristët dhe nuk janë intelektualë psh furrxhinjtë që na japin bukën??? (S.I)

Lista e INTELEKTUALEVE

1. Prof. Adem Demaçi
2. Prof. Milazim Krasniqi
3. Kim Mehmeti
4. Prof. Dr. Xhevat Lloshi
5. Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu
6. Prof. Dr. Hasan Çipuri
7. Prof. dr. Murat Gecaj
8. Prof. dr. Pajtim Ribaj
9. Prof. dr. Aleksander Kocani
10. Prof. dr. Shyqyri Rreli
11. Prof. dr. Josif Papagjoni
12. Prof. dr. Stefan Çapaliku
13. Prof. dr. Ahmet Osja
14. Prof. Dr. Jashar Demiri
15. Prof. Dr. Ejub Çota
16. Dr. Agron Tufa
17. Dr. Faruk Borova
18. Dr. Baki Dervishi
19. Dr. Zef Gjeta
20. Dr. Angjelin Shtjefni
21. Dr. Fabian Zhilla
22. Dr. Arian Galdini
23. Dr. Agim Baçi
24. Dr. Çelo Hoxha
25. Alush Saraçi
26. Lefter Çipa
27. Sidrit Bejleri
28. Shpëtim Saraçi
29. Julian Deda
30. Albano Bogdo
31. Jonida Maliqi
32. Luljeta Lleshanaku
33. Vedat Ademi
34. Rexhep Çeliku
35. Armand Bora
36. Petrit Ruka
37. Frrok Çupi
38. Lazër Stani
39. Aleksandër Çipa
40. Agim Doçi
41. Ilir Kulla
42. Vladimir Beja
43. Salvador Kaçaj
44. Patrik Sadikaj
45. Roland Zili
46. Fitim Zekthi
47. Bardhyl Fico
48. Dr. Rezart Ajazi
49. Frano Kulli
50. Jozefina Traboini
51. Migena Barolli
52. Redi Shehu
53. Afrim Bilali
54. Bardhyl Selimi
55. Ramush Lekaj.

Thursday, January 10, 2013

“Nëse nuk më bën me djalë, ktheu te prindërit”


“Familja e tim shoqi u mërzit... jam ndier inferiore dhe e tërhequr sepse kam lindur vajza”, shprehet një nënë nga Bathorja.
Në Shqipëri po lindin më shumë meshkuj sesa femra. Aborti selektiv është njëri nga shkaqet kryesore, edhe pse ai është ndaluar me ligj. Në vendin tonë, për periudhën 2008-2010, raporti i lindjes së meshkujve shënon një mesatare prej 111.7 për 100 lindje vajzash. Ndërkaq, norma botërore është 105 lindje djemsh për 100 lindje vajzash dhe studimi vërteton se ky ekuilibër në Shqipëri është prishur pikërisht për shkak të shtimit të rasteve të abortit selektiv. Këto janë disa nga përfundimet e studimit “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”, i prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e organizatave “UNFPA” dhe “Ëorld Vision”. Studimi u prezantua dje në Tiranë.
Dëshira për të pasur të paktën një pasardhës mashkull në familje është shkaku kryesor i aborteve të qëllimshme të foshnjave vajza. Në pellgun e Ballkanit Shqipëria zë vendin e parë për këtë tregues, ndjekur nga Maqedonia Veriperëndimore. Këtë situatë vërtetojnë rezultatet e raportit, duke konfirmuar një gjendje të paekuilibruar në lindje midis dy sekseve.
Pohimi i gruas nga Bathorja na bën të mendojmë se nëse lind djalë, respektohesh më shumë brenda familjes sesa kur lind vajzë. Duket se në disa raste, të rrisësh djem nuk është vetëm çështje që ka të bëjë me krenarinë, por edhe me një çështje nderi dhe dinjiteti familjar. Arjan Gjonça, demograf, pohoi se, “aktualisht, raporti i lindjes femra-meshkuj ka shkuar në 100 femra të lindura kundrejt 111 meshkujve. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, pritet që në 20 vitet e ardhshëm të kemi mbi 11 për qind meshkuj më shumë se femra”.
Shkrimine plotë e gjeni sot në gazetën Shekulli
Entela Resuli

Sunday, September 20, 2009

A nuk duhet të revoltohet femra shqiptare?!

Demagogji shqiptare!



Më 17 qershor 2008, Parlamenti shqiptar votoi ligjin e ri (Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ligji nr. 10019, datë 29.12.2008) mbi barazinë gjinore, nëpërmjet të cilit pretendohej të institucionalizohej një përqindje prej 30% e përfaqësimit të grave në trupat legjislativë, ekzekutivë dhe juridikë.

Por, siç do ta analizojmë më poshtë, me hilen në Kodin Zgjedhor, ky përfaqësim, pas zgjedhjeve 2009, ndryshe nga ai i pritshmi prej afro 30% ,ka arritur vetëm në vlerën e rreth 16%-shit.

Dhe jo vetëm kaq! Shihni kompozimin e kabinetit të ri qeveritar me 16 persona, nga të cilët vetëm një anëtare kabineti është femër, tregon se jo 30%, por 6% është rezultati konkret shqiptar! Dhe, megjithatë, çdo gjë kalohet paturpësisht me lehtësinë më të madhe! Nga shoqëria civile, por dhe vetë gratë votuese apo pjesëmarrëse aktive në politikë!...


Faktorë negativë e kufizues

Faktorët e ndryshëm që lidhen me pjesëmarrjen e gruas në politikë, mund të grupohen në faktorë kulturorë dhe ata institucionalë. Faktorët kulturorë janë më fondamentalë, ndërkohë që ata institucionalë mund të ndryshohen më me lehtësi.

Përgjithësisht, rruga më efektive në reduktimin e vështirësive dhe barrierave ndaj pjesëmarrjes së gruas në politikë lidhet më shumë me punën apo përqendrimin tek përbërësja institucionale sesa ajo kulturore, aq më tepër që kjo e fundit kërkon një kohë shumë më të gjatë për "tretje".

Kudo në botë, disa elementë të rritjes së përfaqësimit të gruas, brenda përbërëses institucionale, janë: futja e sistemit të kuotave, adaptimi i sistemit të favorshëm elektoral (sistemi proporcional kombëtar, apo dhe sistemi rajonal me një përmasë relativisht të konsiderueshme të rajonit etj.), metodat e emërimit brenda partive politike (që favorizojnë përfshirjen dhe promovimin e grave të edukuara dhe të talentuara në politikë), kooptimi dhe "kuotimi", rritja e fondeve për veprimtaritë politike të grave etj.


Dy probleme të tranzicionit shqiptar

Në tranzicionin shqiptar, në lidhje me barazinë gjinore, mund të theksohen edhe dy kushte të tjera: a) përfshirja apo integrimi i femrës jo vetëm në politikë, por edhe në tregun e punës, në kuadër të ristrukturimit të ekonomisë; dhe b) promovimi i harmonizimit të punës në familje, lehtësimi dhe ndarja e "detyrave familjare", përmirësimi i kushteve të përkujdesjes, ruajtjes dhe mbajtjes së fëmijëve etj.

Pa plotësuar drejt këto kushte nuk mund të konsiderohet e arrirë dhe vetë demokracia. Sepse, demokracia e vërtetë është ajo kur njëra gjysmë e popullsisë merr pjesë në mënyrë të barabartë me gjysmën tjetër në vendimmarrjen sociale, ekonomike dhe politike në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Gjithashtu, po aq problem është dhe hedhja poshtë e barrierave kulturore e strukturore ndaj barazisë gjinore. P.sh., një barrierë e tillë kulturore ka mbetur ende binomi politikë-patriarkalitet, në të cilin mashkulli ka dominuar dhe vazhdon të dominojë lojën politike, kontrollin dhe manipulimin e saj.

Ndërsa, barriera strukturore janë, p.sh., vetë partitë politike dhe funksionimi i tyre i brendshëm, vështirësitë financiare etj. Për mënjanimin e këtyre barrierave, ndër strategjitë për arritjen e balancimit gjinor mund të konsiderohen p.sh.: sistemi i kuotës (quota system), përfaqësimi proporcional, reformimi për financat në fushatën elektorale, trajnimet dhe shërbimet mbështetëse për femrat që përfshihen në politikë etj.

Sistemet "Quota"

Sot ka mjaft vende që kanë institucionalizuar "sistemin e kuotës" për të rritur përfaqësimin e gruas në politikë. Kështu, p.sh., në vitin 1994, Afrika e Jugut zinte vendin e 141-të në botë në lidhje me përfaqësimin e grave në Parlament. Pas futjes së kuotës prej 30% nga "African National Congress", Afrika e Jugut kaloi, më 2004, në nivelin e 13-të, me një përfaqësim parlamentar të grave me afro 32.8% në dhomën e ulët; në Indi, "Panchayat Raj Act" u rezervon grave 33% të vendeve në këshillat e fshatit, atë të fshatrave të bashkuara apo në këshillin e distriktit.

(Sot konstatohen në Indi afro 1 milion gra të tilla të zgjedhura në nivel fshati. Një përfaqësim i tillë ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit në këtë nivel qeverisje); ligji finlandez kërkon të paktën 40% të secilës gjini të përfaqësuar në trupat e ndryshme vendimmarrëse.

(Një gjë e tillë ka çuar një rritje të përfaqësimit të femrave nga 25% në vitin 1980, në atë 48% në vitin 1996); Argjentina ka një kuotë prej 30% të grave në listat elektorale të kandidatëve. (Si rezultat, numri i grave të zgjedhura në dhomën e ulët ka mbetur nga 2001 në 2003 tek vlera afro 34.1%. Në senat, aktivizimi i tyre, sado numerikisht i rritur, nuk ka dalë akoma aq rezultativ); Kushtetuta franceze u amendua më 1999 për të arritur tek një akses i barabartë i burrave dhe grave ndaj mandateve elektorale dhe funksioneve zgjedhore.

(Me këtë korrigjim, në vitin 2000, ligji francez për zgjedhjet u ndryshua në mënyrë të tillë që partitë politike të detyrohen të paraqesin numra të njëjtë kandidatësh burra e gra, me diferencë brenda një intervali prej 2%, për shumicën e zgjedhjeve). Pra, siç shihet nga rezultatet e suksesshme në pjesëmarrjen politike të femrave në Evropën Veriore apo rritjen e menjëhershme aty të kësaj pjesëmarrjeje, mund të pohohet se:
• Kuotat kanë rezultuar si mjetet më të shpejta dhe të suksesshme në garantimin e pjesëmarrjes politike të femrave
• Sistemet e kuotimit e përmirësojnë në mënyrë efektive politikën për të mos pasur më si strumbullar mashkullin, dhe ndihmojnë gratë dhe të ardhurit e rinj për të marrë pjesë në politikë. Madje, këto sisteme mund të shfaqen si sisteme me:
a. Kuotë legale (një metodë për të përcaktuar kuotën në statutin e partisë politike apo në ligjin zgjedhor, që kërkon dhe ndjekjen e kuotës nga të gjitha partitë pjesëmarrëse në procesin elektoral).


b. Kuotë vendesh të dhëna në legjislaturë ("legislature seat kuota") (një farë kuote zgjedhjeje që alokon një përqindje vendesh për gratë deputete, kandidimi i orientuar brenda tyre për këto vende).

c. Kuotë nga partitë politike (Nuk ka ndonjë kërkesë rigoroze apo legale për shfrytëzimin e këtij sistemi prej një partie politike, por ajo është thjesht një metodë, në të cilën vetë partia politike "afron" në mënyrë vullnetare një përqindje të grave të emëruara nga partia politike).


Kuota legale

Shqipëria Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t'i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t'i përkasë secilës gjini. (Neni 67, paragrafi 5)

Franca Rishikimi kushtetues në 1999 parashikon që qeverisja dhe partitë politike duhet të rrisin përpjekjet për zgjerimin e pjesëmarrjes politike të gruas. Ligji zgjedhor u rishikua më 2000, sipas tij 50% në kandidim për të gjitha zgjedhjet duhet ta përbëjnë kandidatet gra.
Argjentina 30% e kandidateve gra për të gjitha pozicionet me zgjedhje të shërbimit civil
Afrika e Jugut 50% (idem)
Tanzania 20% e grave në legjislaturë
India 33% e grave në legjislaturën vendore


Kuota nga partitë politike

Suedia, Partia Socialdemokrate futi një sistem ndërthurjeje, ku në çdo zgjedhje kandidimi, mashkulli alternohet në listë me atë të femrës.
Norvegjia Partia Laburiste fut një kuotë për gratë, që nuk mund të jetë më pak se 40%
Mbretëria e Bashkuar Partia Laburiste alokon 40% të vendeve për emërimet gra
Gjermania Partia Socialdemokrate (40%) dhe Partia e Gjelbër (50%) kanë kuotat e tyre për gratë.

Rasti i Francës flet qartë për një rritje të shënuarshme të numrit të grave deputete, madje me aplikimin e "Parité"-s, përqindja e grave të zgjedhura arriti vlerën prej 47%, d.m.th., dhe një rritje prej mbi 22% të legjislaturave të mëparshme.

Që ky sistem me kuotë, në variantet e ndryshme të tij, ka funksionuar në të gjitha kulturat, po ndalojmë shkurtimisht dhe në rastin e Koresë së Jugut. Konkretisht, aty vihet re një rritje e konsiderueshme e përfaqësimit të gruas në Asamblenë Kombëtare, p.sh., nga 5.7% (viti 2000) në 13.4% (viti 2004).

Për këtë janë shfrytëzuar këto skema kuotimi: është adoptuar kuota prej 30 % e nominimit për kandidatet gra në zonat elektorale rajonale (distriktet), kuota prej 50 % e nominimit për kandidatet gra në përfaqësimin proporcional të Asamblesë Kombëtare; çdo parti u përcakton grave vlerën prej 50% të përfaqësimit proporcional, madje dhe u akordon atyre vendet e para etj.

Roli i Sistemit Zgjedhor

Edhe sistemi zgjedhor ka rolin e tij në përfaqësimin parlamentar. Siç e kemi studiuar më parë, dy grupimet e mëdha të sistemeve zgjedhore janë: sistemi mazhoritar dhe ai proporcional, që janë sa demokratike, po aq dhe të ndryshme. Sipas statistikave rezulton që sistemi konkret zgjedhor "ka gisht" në nivelin e përfaqësimit parlamentar të gruas.

Kështu, p.sh., në vitin 1997, statistikat kanë treguar se vendet me një përfaqësim parlamentar femëror me afro 30 % të numrit të plotë, në 60% të rasteve kishin një sistem të pastër proporcional dhe në pjesën tjetër një sistem të përzierë.

Nuk ndeshej asnjë vend me përfaqësim parlamentar mazhoritar që të kishte këtë përfaqësim parlamentar femëror me afro 30% të gjitha vendeve në legjislaturë. Pra, siç duket, një sistem përfaqësimi parlamentar apo ai pjesërisht proporcional rezultojnë si sisteme të favorshme në rritjen e pjesëmarrjes politike të gruas.

Tek i njëjti përfundim arrihet dhe po të analizohet grafiku i mësipërm, që pasqyron lidhjen midis përqindjes së grave të zgjedhura dhe sistemit zgjedhor, në funksion të variantit konkret të tij: sistem proporcional, sistem i përzierë, sistem mazhoritar dhe sistem caktimi (emërimi).

"Maskulizmi" politik shqiptar



Mjafton të ribëhen këto krahasime në botë, për të kuptuar demagogjinë shqiptare dhe, mbi të gjitha, "gënjeshtrën" kryeministrore mbi barazinë gjinore, pas kompozimit të kabinetit të ri qeveritar!

R. Meidani shekulli