Demagogji shqiptare!
Më 17 qershor 2008, Parlamenti shqiptar votoi ligjin e ri (Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ligji nr. 10019, datë 29.12.2008) mbi barazinë gjinore, nëpërmjet të cilit pretendohej të institucionalizohej një përqindje prej 30% e përfaqësimit të grave në trupat legjislativë, ekzekutivë dhe juridikë.
Por, siç do ta analizojmë më poshtë, me hilen në Kodin Zgjedhor, ky përfaqësim, pas zgjedhjeve 2009, ndryshe nga ai i pritshmi prej afro 30% ,ka arritur vetëm në vlerën e rreth 16%-shit.
Dhe jo vetëm kaq! Shihni kompozimin e kabinetit të ri qeveritar me 16 persona, nga të cilët vetëm një anëtare kabineti është femër, tregon se jo 30%, por 6% është rezultati konkret shqiptar! Dhe, megjithatë, çdo gjë kalohet paturpësisht me lehtësinë më të madhe! Nga shoqëria civile, por dhe vetë gratë votuese apo pjesëmarrëse aktive në politikë!...
Faktorë negativë e kufizues
Faktorët e ndryshëm që lidhen me pjesëmarrjen e gruas në politikë, mund të grupohen në faktorë kulturorë dhe ata institucionalë. Faktorët kulturorë janë më fondamentalë, ndërkohë që ata institucionalë mund të ndryshohen më me lehtësi.
Përgjithësisht, rruga më efektive në reduktimin e vështirësive dhe barrierave ndaj pjesëmarrjes së gruas në politikë lidhet më shumë me punën apo përqendrimin tek përbërësja institucionale sesa ajo kulturore, aq më tepër që kjo e fundit kërkon një kohë shumë më të gjatë për "tretje".
Kudo në botë, disa elementë të rritjes së përfaqësimit të gruas, brenda përbërëses institucionale, janë: futja e sistemit të kuotave, adaptimi i sistemit të favorshëm elektoral (sistemi proporcional kombëtar, apo dhe sistemi rajonal me një përmasë relativisht të konsiderueshme të rajonit etj.), metodat e emërimit brenda partive politike (që favorizojnë përfshirjen dhe promovimin e grave të edukuara dhe të talentuara në politikë), kooptimi dhe "kuotimi", rritja e fondeve për veprimtaritë politike të grave etj.
Dy probleme të tranzicionit shqiptar
Në tranzicionin shqiptar, në lidhje me barazinë gjinore, mund të theksohen edhe dy kushte të tjera: a) përfshirja apo integrimi i femrës jo vetëm në politikë, por edhe në tregun e punës, në kuadër të ristrukturimit të ekonomisë; dhe b) promovimi i harmonizimit të punës në familje, lehtësimi dhe ndarja e "detyrave familjare", përmirësimi i kushteve të përkujdesjes, ruajtjes dhe mbajtjes së fëmijëve etj.
Pa plotësuar drejt këto kushte nuk mund të konsiderohet e arrirë dhe vetë demokracia. Sepse, demokracia e vërtetë është ajo kur njëra gjysmë e popullsisë merr pjesë në mënyrë të barabartë me gjysmën tjetër në vendimmarrjen sociale, ekonomike dhe politike në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Gjithashtu, po aq problem është dhe hedhja poshtë e barrierave kulturore e strukturore ndaj barazisë gjinore. P.sh., një barrierë e tillë kulturore ka mbetur ende binomi politikë-patriarkalitet, në të cilin mashkulli ka dominuar dhe vazhdon të dominojë lojën politike, kontrollin dhe manipulimin e saj.
Ndërsa, barriera strukturore janë, p.sh., vetë partitë politike dhe funksionimi i tyre i brendshëm, vështirësitë financiare etj. Për mënjanimin e këtyre barrierave, ndër strategjitë për arritjen e balancimit gjinor mund të konsiderohen p.sh.: sistemi i kuotës (quota system), përfaqësimi proporcional, reformimi për financat në fushatën elektorale, trajnimet dhe shërbimet mbështetëse për femrat që përfshihen në politikë etj.
Sistemet "Quota"
Sot ka mjaft vende që kanë institucionalizuar "sistemin e kuotës" për të rritur përfaqësimin e gruas në politikë. Kështu, p.sh., në vitin 1994, Afrika e Jugut zinte vendin e 141-të në botë në lidhje me përfaqësimin e grave në Parlament. Pas futjes së kuotës prej 30% nga "African National Congress", Afrika e Jugut kaloi, më 2004, në nivelin e 13-të, me një përfaqësim parlamentar të grave me afro 32.8% në dhomën e ulët; në Indi, "Panchayat Raj Act" u rezervon grave 33% të vendeve në këshillat e fshatit, atë të fshatrave të bashkuara apo në këshillin e distriktit.
(Sot konstatohen në Indi afro 1 milion gra të tilla të zgjedhura në nivel fshati. Një përfaqësim i tillë ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit në këtë nivel qeverisje); ligji finlandez kërkon të paktën 40% të secilës gjini të përfaqësuar në trupat e ndryshme vendimmarrëse.
(Një gjë e tillë ka çuar një rritje të përfaqësimit të femrave nga 25% në vitin 1980, në atë 48% në vitin 1996); Argjentina ka një kuotë prej 30% të grave në listat elektorale të kandidatëve. (Si rezultat, numri i grave të zgjedhura në dhomën e ulët ka mbetur nga 2001 në 2003 tek vlera afro 34.1%. Në senat, aktivizimi i tyre, sado numerikisht i rritur, nuk ka dalë akoma aq rezultativ); Kushtetuta franceze u amendua më 1999 për të arritur tek një akses i barabartë i burrave dhe grave ndaj mandateve elektorale dhe funksioneve zgjedhore.
(Me këtë korrigjim, në vitin 2000, ligji francez për zgjedhjet u ndryshua në mënyrë të tillë që partitë politike të detyrohen të paraqesin numra të njëjtë kandidatësh burra e gra, me diferencë brenda një intervali prej 2%, për shumicën e zgjedhjeve). Pra, siç shihet nga rezultatet e suksesshme në pjesëmarrjen politike të femrave në Evropën Veriore apo rritjen e menjëhershme aty të kësaj pjesëmarrjeje, mund të pohohet se:
• Kuotat kanë rezultuar si mjetet më të shpejta dhe të suksesshme në garantimin e pjesëmarrjes politike të femrave
• Sistemet e kuotimit e përmirësojnë në mënyrë efektive politikën për të mos pasur më si strumbullar mashkullin, dhe ndihmojnë gratë dhe të ardhurit e rinj për të marrë pjesë në politikë. Madje, këto sisteme mund të shfaqen si sisteme me:
a. Kuotë legale (një metodë për të përcaktuar kuotën në statutin e partisë politike apo në ligjin zgjedhor, që kërkon dhe ndjekjen e kuotës nga të gjitha partitë pjesëmarrëse në procesin elektoral).
b. Kuotë vendesh të dhëna në legjislaturë ("legislature seat kuota") (një farë kuote zgjedhjeje që alokon një përqindje vendesh për gratë deputete, kandidimi i orientuar brenda tyre për këto vende).
c. Kuotë nga partitë politike (Nuk ka ndonjë kërkesë rigoroze apo legale për shfrytëzimin e këtij sistemi prej një partie politike, por ajo është thjesht një metodë, në të cilën vetë partia politike "afron" në mënyrë vullnetare një përqindje të grave të emëruara nga partia politike).
Kuota legale
Shqipëria Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t'i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t'i përkasë secilës gjini. (Neni 67, paragrafi 5)
Franca Rishikimi kushtetues në 1999 parashikon që qeverisja dhe partitë politike duhet të rrisin përpjekjet për zgjerimin e pjesëmarrjes politike të gruas. Ligji zgjedhor u rishikua më 2000, sipas tij 50% në kandidim për të gjitha zgjedhjet duhet ta përbëjnë kandidatet gra.
Argjentina 30% e kandidateve gra për të gjitha pozicionet me zgjedhje të shërbimit civil
Afrika e Jugut 50% (idem)
Tanzania 20% e grave në legjislaturë
India 33% e grave në legjislaturën vendore
Kuota nga partitë politike
Suedia, Partia Socialdemokrate futi një sistem ndërthurjeje, ku në çdo zgjedhje kandidimi, mashkulli alternohet në listë me atë të femrës.
Norvegjia Partia Laburiste fut një kuotë për gratë, që nuk mund të jetë më pak se 40%
Mbretëria e Bashkuar Partia Laburiste alokon 40% të vendeve për emërimet gra
Gjermania Partia Socialdemokrate (40%) dhe Partia e Gjelbër (50%) kanë kuotat e tyre për gratë.
Rasti i Francës flet qartë për një rritje të shënuarshme të numrit të grave deputete, madje me aplikimin e "Parité"-s, përqindja e grave të zgjedhura arriti vlerën prej 47%, d.m.th., dhe një rritje prej mbi 22% të legjislaturave të mëparshme.
Që ky sistem me kuotë, në variantet e ndryshme të tij, ka funksionuar në të gjitha kulturat, po ndalojmë shkurtimisht dhe në rastin e Koresë së Jugut. Konkretisht, aty vihet re një rritje e konsiderueshme e përfaqësimit të gruas në Asamblenë Kombëtare, p.sh., nga 5.7% (viti 2000) në 13.4% (viti 2004).
Për këtë janë shfrytëzuar këto skema kuotimi: është adoptuar kuota prej 30 % e nominimit për kandidatet gra në zonat elektorale rajonale (distriktet), kuota prej 50 % e nominimit për kandidatet gra në përfaqësimin proporcional të Asamblesë Kombëtare; çdo parti u përcakton grave vlerën prej 50% të përfaqësimit proporcional, madje dhe u akordon atyre vendet e para etj.
Roli i Sistemit Zgjedhor
Edhe sistemi zgjedhor ka rolin e tij në përfaqësimin parlamentar. Siç e kemi studiuar më parë, dy grupimet e mëdha të sistemeve zgjedhore janë: sistemi mazhoritar dhe ai proporcional, që janë sa demokratike, po aq dhe të ndryshme. Sipas statistikave rezulton që sistemi konkret zgjedhor "ka gisht" në nivelin e përfaqësimit parlamentar të gruas.
Kështu, p.sh., në vitin 1997, statistikat kanë treguar se vendet me një përfaqësim parlamentar femëror me afro 30 % të numrit të plotë, në 60% të rasteve kishin një sistem të pastër proporcional dhe në pjesën tjetër një sistem të përzierë.
Nuk ndeshej asnjë vend me përfaqësim parlamentar mazhoritar që të kishte këtë përfaqësim parlamentar femëror me afro 30% të gjitha vendeve në legjislaturë. Pra, siç duket, një sistem përfaqësimi parlamentar apo ai pjesërisht proporcional rezultojnë si sisteme të favorshme në rritjen e pjesëmarrjes politike të gruas.
Tek i njëjti përfundim arrihet dhe po të analizohet grafiku i mësipërm, që pasqyron lidhjen midis përqindjes së grave të zgjedhura dhe sistemit zgjedhor, në funksion të variantit konkret të tij: sistem proporcional, sistem i përzierë, sistem mazhoritar dhe sistem caktimi (emërimi).
"Maskulizmi" politik shqiptar
Mjafton të ribëhen këto krahasime në botë, për të kuptuar demagogjinë shqiptare dhe, mbi të gjitha, "gënjeshtrën" kryeministrore mbi barazinë gjinore, pas kompozimit të kabinetit të ri qeveritar!
R. Meidani shekulli
1 comment:
Per shqiperine mund te thuhen shume gjera por, jo sigurisht qe ka barazi gjinore. Dhe nuk po flas nga ana ligjore por, nga ajo kulturale, shoqerore, ekonomike dhe politike. Kjo situate eshte dhene nja injoranca dhe frika qe sebashku i quajme tradixion. Por ne te vertete keto aspekte nuk kane te bejne fare me traditen. Jane risultate te mbydhjes dhe prapambetjes kulturore qe na ka karakterizuar per shume vjet. Por tani mjaft! Femrat shqiptare duhet sigurisht te revoltohen. Te studiojne, te njohin dhe te refuzojne rolin qe shoqeria i cakton.
Politika mund ti ndihmoje shume ato duke dhene shembullin e mire. Mendoj qe, pervec aspekteve positive qe do te kishte nga ana administrative, prania me e shumte e grave ne pushtet do te ndihmonte tere popullsine ne nje evolucion sjelljesh e mendimesh.
Post a Comment