Monday, September 28, 2009

Alarmi, 20 % e të rinjve, mbipeshë ose obezë

Sipas të dhënave të ISHP-së, po rritet gjithnjë numri i personave me obezitet ose mbipeshë. Specialistët: Ja pasojat:



Obeziteti dhe mbipesha po kthehet gjithnjë e më shumë në problem shqetësues jo vetëm në botë, por edhe për vendin tonë. Numri i personave mbipeshë po vjen në rritje, duke sjellë pasoja mbi shëndetin. Sipas studiuesve të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, sot mbipesha vazhdon të mbetet një sfidë e re për shëndetin publik në tërë botën. Ndërkohë të dhënat tregojnë se vendi ynë tashmë futet në listën e vendeve të prekura nga fenomeni i obezitetit. Ndërsa shefi i shërbimit të Diabetologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, Petrit Hoxha, pohon se fenomeni i mbipeshës dhe obeziteti, për fat të keq, po prek shumë edhe fëmijët.
****
Në vendin tonë, të dhënat e deritanishme flasin se 20 % e të rinjve të shkollave të mesme janë mbipeshë. Tek femrat, mbipesha shkon mesatarisht deri 26 %, ndërsa nga një studim në qytetin e Tiranës për mosha mbi 55 vjeç, u vu re se ky fenomen arrin në shifrën 28.6 %. "Të dhënat shqetësuese paraqiten tek fëmijët. Një tjetër studim për obezitetin dhe mbipeshën, tregoi se "rreth 15.2 % e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8 % e tyre, obezë", - bëhet e ditur nga ISHP-ja. Nisur nga këto të dhëna, specialistët pohojnë se vëmendja duhet drejtuar tek parandalimi dhe frenimi i rritjes së obezitetit të moshës fëminore. "Kjo, pasi, trajtimi i obezitetit të instaluar është shumë i vështirë, por dhe mundësia e të qenit një adult obez është shumë e lartë. Gjithashtu, po kaq i vështirë është korrigjimi i zakoneve të gabuara ushqyese në moshë të rritur, të cilat janë fituar që në fëmijëri",- pohon Petrit Hoxha, duke shtuar se këta fëmijë janë më të predispozuar për t'u bërë diabetikë. Gjithashtu, për shkak të obezitetit dhe mbipeshës, fëmijët mund të vuajnë edhe nga hipertensioni, vështirësitë në fjetje, si dhe probleme psiko-sociale, si probleme të përparimit të ulët në mësime. Por, kanë dhe probabilitet të madhe të mbeten obezë në moshën e rritur dhe të zhvillojnë probleme të sëmundjeve serioze, me vuajtje dhe ulje të cilësisë së jetës së tyre.

Specialistët: Ja si përcaktohet mbipesha



Obeziteti është masë e madhe dhjamore, që vjen si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së pakët të kalorive të marra, apo depozitimi i tepruar i tepricave kalorike në formë dhjami. Për të përcaktuar peshën e shëndetshme, apo indeksin e masës trupore, çdo njeri mund ta përcaktojë vetë këtë tregues, duke pjesëtuar peshën e tij me gjatësinë në katror. Treguesi i masës trupore (IMT), midis 18,5-24,9 është normal apo i shëndetshëm. Nëse treguesi i masës trupore (IMT) është midis 25-30, personi është mbipeshë dhe nëse treguesi i masës trupore (IMT) është mbi 30, personi është obez.
Për mbajtjen e peshës trupore në limitet e rekomanduara (IMT te 20-25) dhe për të patur një ushqyerje të shëndetshme, mjekët rekomandojnë konsumimin e larmishmërisë së ushqimeve, bazuar në ushqime të ndryshme me origjine kryesisht bimore sesa shtazore, konsumimin e bukës, drithërave, orizit, disa herë në ditë, si dhe të zarzavateve e frutave të freskëta (së paku 400 gr në ditë) etj. Gjithashtu, krahas kësaj, ata rekomandojnë kryerjen e aktivitetit fizik çdo ditë (30 minuta ecje e moderuar, të paktën 4 herë në javë).


Shekulli

No comments: