Monday, September 28, 2009

Unë njoh një shqiptar - atë e njeh edhe ti

Unë njoh një shqiptar, që do ta ndryshojë alfabetin
Njoh një shqiptar, që do ta ndryshojë gjuhën
Edhe një, që do ta ndryshojë flamurin
Një tjetër, që do ta ndryshojë himnin
Dhe një, që do ta ndryshojë historinë

Unë njoh një shqiptar, që do ta ndryshojë emrin
Unë njoh një, që do ta ndryshojë mbiemrin
Njoh një shqiptar, që do të ndryshoje edhe emrin, edhe mbiemrin
Një tjetër, që do ta ndryshojë origjinën

Unë njoh një shqiptar, që do ta ndryshojë kombin
Dhe ta ndërtojë një komb për vete
Sipas dëshirës:

Komb privat
Histori private
Hero privat
Gjuhë private
Alfabet privat
Për ditë të liga, për ditë të mira
Dhe,
Unë njoh këtë shqiptar trazovaç
Që do të ndryshonte çdo gjë, edhe Tokën
Por, kurrë, veten!

E njoh unë atë! Edhe ti...
Dhe e dua, ashtu si është, trazovaç...
kërcënues, mburracak, kokëfortë, plëngprishës
E dua se po bërtet nga dëshpërimi
Bota rreth tij po ndryshon
E ai mbeti..


Naser Aliu

1 comment:

DIELLI said...

Z. Naser Alu, kam ndjekur pothuajse të gjitha shkrimet tuaja dhe do doja të pranonit prej meje urimet e mia më të sinqerta për to dhe botëkuptimin tuaj. Shkrime të tilla janë gota vere për shkretëtirën morale shqiptare.