Monday, September 28, 2009

Mos ua vidhni historinë shqiptarëve !

Anton Z. Çajupi, sërish, prej varri po na thërret: Zgjohuni prej gjumi shekullor, "o shqiptarë të mjerë, q'u ka marrë koka erë, e po luftoni për të tjerë...", mos u frikësoni se, Shqipëria Etnike nuk do të vdesë me këta politikanë të kallëpit "zylfiqarovski" dhe "sejdobajramovski" të shekullit XXI!

"Republika e Maqedonisë është një shtet i brishtë. Ndërtesën maqedone përpiqen ta mbajnë në kambë me paterica forcat ushtarake ndërkombëtare të vendosura në viset etnike shqiptare.." (Shih: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, Tiranë, 1998, f.44).

1. Historia në anën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike



*** Ferdinand Shevil : " The Greeks aren't the original inhabitants of the Balkan peninsula". ( Ferdinand Shevil, A History of the Balkans 1991: 1).

*** Robert d'Angely: " Gjuha shqipe, ose gjuha pellazgo-etrusko-shqipe, është gjuha më e lashtë e Europës " dhe se " shqipja është paraardhëse e greqishtes së lashtë." (L'Engime, Paris, MCMLXII; shqip: Enigma, "Toena", Tiranë,1998, f. 5).

Po ashtu, sa "janë pasardhës të ligjshëm" të Maqedonisë dhe të maqedonëve antikë grekët dhe "maqedonët" e sotëm, shkencërisht provon edhe ky konkluzion i shkencëtarit të shquar frëng, Robert d'Angely: "Sa për Aleksandrin e Madh, nga fakti që ai ishte maqedonas paska qenë bullgar, do të thotë të harrohet që, nëse Aleksandri i Madh ishte helen nga ARSIMIMI, por nga PREJARDHJA ishte SHQIPTAR, i edukuar dhe i arsimuar greqisht nga një SHQIPTAR prej Stagjire: ARISTOTELI.. Mjafton të lexohen tekstet e lashta, të cilat na mësojnë se Aleksandri i Madh, kur fliste me ushtarët e vet me disa nga gjeneralët, të gjithë maqedonas, u fliste në gjuhën e NËNËS. Kurse NËNA e tij ishte OLYMPIA EPIROTE DHE QË FLISTE SHQIP." ( Robert d'Angely, po aty, f.223-224).

Mjaftojnë këto dy fakte dhe argumente të qëndrueshme historike shkencore të famshmit Robert d'Angely (albanolog, lingustit, poliglot, historian, etnolog, etnograf etj); "njohës i shkëlqyerë i gjuhës shqipe, i sanskrishtes, i greqishtes, i latinishtes dhe i gjuhëve neolatine, burime këto fundamentale që e ndihmuan të zgjidhë enigmën shekullore të prejardhjes së racës dhe të gjuhës së Pellazgëve, të Ariasëve, të Hetitëve, të Helenëve, të Etruskëve, të Grekëve dhe të shqiptarëve, të përmbledhura në veprën emblematike me titull: "L'Engime", përmbajtja e së cilës përbëhet nga pesë vëllime të saj, së pari, të botuar në gjuhën frënge në Paris, e më pas të përkthyera në gjuhën shqipe. "Vëllimi i parë: Les Pelasges, 1990; vëllimi i dytë: Des Thraces et des Illyriens a Homere, 1990; vëllimi i tretë: Des Etrsques a l' Empire Byzantin, 1991; vëllimi i katërt: De l'Empire ottoman - Les Albanais - De L'Epire, 1991; vëllimi i pestë: Le Secret des Epitaphes, 1991)", të cilat prerazi përgënjeshtrojnë dhe hudhin poshtë si të pavlera tezat historiografike të falsifikuara të grekëve dhe maqedonëve të Josip B. Titos, se Maqedonia e sotme (1945-2009) nuk është fryt natyror, historik, etnik, racor, gjuhësor, kulturor, gjeografik, politik as territorial i Maqedonisë antike pellazgo-ilire. Si rrjedhim, nuk është kurrfarë prone trashëgimore as e grekëve e as e maqedonëve të Titos.

Sa më sipër, del e qartë e vërteta historike se, as grekët e as maqedonët e Titos dhe të Serbo-Jugosllavisë nuk janë pasardhës natyrorë as legjitimë të Maqedonisë Antike të Aleksandrit të Madh. Edhe pse grekët e vjetër dhe të rinj me shekuj e kanë falsifikuar historinë e Ballkanit, ashtu sikurse sllavët e Jugut të Ballkanit, historia objektive dhe e mirëfilltë e Ballkanit provon se maqedonët dhe Maqedonia antike janë pjellë direkte e pellazgëve dhe e Pellazgjisë, pasardhës së cilës janë ilirët dhe Illyria, shqiptarët dhe Shqipëria Etnike, jo grekët as maqedonët e sotëm, të cilët qe sa vite po luftojnë politikisht dhe "shkencërisht" për ta dëshmuar identitetin e tyre "maqedon antik".. Mirëpo, ndër të tjera, siç pamë edhe nga të dy shembujt konkret të shkencëtarit të shquar frëng, Robret d'Angely, historia flet ndryshe, në favor të së drejtës natyrore dhe të së drejtës së ligjshme të trashëgimisë së shqiptarëve mbi territorin gjeografik të Maqedonisë së sotme.

2. Politika



Siç kemi shkruar paraprakisht, me dhjetëra herë, kjo Maqedoni është ngrehinë artificiale e strategjisë politike dhe ushtarake e ish-RSFJ-së së Josip Broz Titos., ku në objektivat e interesave parësore të politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, patën mbizotëruar këta dy faktorë kryesorë: (1) Mbrojtja dhe siguria e dyfishtë e kufirit të Jugosllavisë ndaj kufirit me Greqinë dhe me Shqipërinë dhe (2) Mbrojtja dhe siguria ndaj kufirit me Bullgarinë. Ky ishte interesi thelbësor i krijimit të një Maqedonie artificiale në kurriz të shpërfytyrimit të së drejtës historike mbi territorin etnik të Shqipërisë dhe të Bullgarisë.

Vetë këmbëngulësia e Greqisë që t'i ndryshohet emri Maqedonisë së sotme të konglomeratit jugosllavo-serb, do të thotë copëtimin e saj territorial (jo vetëm në kuptimin semantik, propagandistik, politik dhe diplomatik të nocionit të saj) midis Greqisë dhe Maqedonisë artificiale, duke i përjashtuar shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike si titullarë legjitimë natyrorë.

Së shpejti, greko-maqedonët, do të gjejnë gjuhë të përbashkët për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë. Mirëpo, prijësve politikë qeveritarë shqiptarë atje, si duket kjo çështje nuk po iu intereson fare. Për ta njësoj (si sivjet, si parvjet, si thotë populli, po merren me "politikë të lartë" antikombëtare dhe antivetëvendosëse"), nuk ka fare rëndësi se me çfarë emri po funksionon dhe, do të funksionojë ajo Maqedoni e Titos, kryesorja është, që ata me fanatizëm dhe me servilizëm po i ruajnë kolltukët e butë dhe të mëndafshtë, duke marrë paga të majme;duke u pasuruar gjithnjë më shumë në emër të rremë të patriotizmit dhe të demokracisë neokolonialiste shfrytëzuese, si ministra, nënministra të qeverisë dhe si deputetë të "Sobriana-s". Për popull, kush "po ia varë", kryesorja, - le te t'ua hedhin voton atyre, sa herë që iu duhet për ta sunduar sa më gjatë, sa më egërsisht, dhe sa më padrejtësisht atë, sikurse këtu e 20 vjet të shkuara (1990-2009).

Pse ndryshime, pse përplasje politike me bashkatdhetarët maqedonë, kur prijësit feudalë shqiptarë për veten dhe partitë e tyre i gëzojnë të të gjitha privilegjet, janë pasuruar, janë avanuar, duke ushtruar pushtetin shtetar në kurriz të së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar, të cilët së bashku me maqedonët, edhe i kanë shndërruar në qytetarë të rendit të dytë-pakicë kombëtare!

Kjo është dhurata më e madhe anti-demokratike dhe anti-kombëtare, sipas së cilës populli shqiptar nën Maqedoni, është "shpërblyer" për dëgjueshmërinë dhe për disiplinimin e kurrizit të tij nën "reformat ekonomiko-politike-juridiko-demokratike" të sundimit tiranik dhe korruptues të pushtetmbajtësve sllavomaqedonë dhe filosllavomaqedonë.

Kjo formë logjikuese dhe vepruese e "bajraktarëve" politikë shqiptarë në qeverinë dhe në parlament e Republikës së Maqedonisë, është prova më e qëndrueshme materiale, se "shqiptarët nën Maqedoni, ende janë në gjumin e thellë shekullor", ashtu siç kanë konstatuar në takimin e tyre të fshehtë ministrat e jashtëm greko-maqedonë, Antonio Miloshoski dhe Dora Bakojnais në Nju-Jork, më 18 shtator 2008.. Nuk po dëshirojnë të ndryshojnë asgjë, por po vazhdojnë me dramën e tyre historike të hidhur nën sundimin e egër kolonial dhe anticivilizues të sllavomaqedonëve dhe të ministrave, të nënministrave dhe të deputetëve shqiptarë, të zgjedhur me votën e tyre, të ashtuquajtur demokratike dhe të lirë.

Se në çfarë shkalle qarqet udhëheqëse shqiptare janë të interesuara lidhur me ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë, dëshmon edhe kjo deklaratë e nënkryetarit të Republikës së Maqedonisë, Rafiz Haliti: "Qëndrimi ynë është i qartë. Zgjidhja e pranueshme për bashkatdhetarët tanë maqedonë, do të jetë e pranueshme edhe për BDI-në."(Shih: 09/07/2009http://www.setimes.com/

Si nga qëndrimi dhe nga sjellja e deritashme 20-vjeçare, e bërjes asgjë në favor të realizimit të së drejtës kombëtare dhe shtetërore të vetëvendosjes së popullit shqiptar në Maqedoni, ashtu edhe nga qëndrimi i tashëm, i gabueshëm politik dhe kombëtar, sikurse ky i rafiz halitave, ali ahmetave, arben xhaferëve, menduh thaçëve...etj., le të kuptohet se atyre "palla e pallës nuk iu hanë" se çfarë statusi do të kenë shqiptarët, dhe se çfarë emri të ri do të ketë Maqedonia. Ndaj, edhe takimi tete a tete i ministrave të jashtëm sllavomaqedonë-grekë (Antonio Miloshovski - Dora Bakoianis, i bërë në Nju-Jork të Amerikës, më 18 shtator 2008) lidhur me pasivitetin dhe me inferioritetin shekullor të shqiptarëve në disfavor të identitetit të tyre kombëtar dhe shtetëror, është plotësisht real dhe objektiv, ashtu siç e ka "incizuar" saktësisht, në origjinal, Mr. Gafurr Adili (Kryetar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik i Bashkimit Kombëtar): "Bakojanis: "Ju, Sllavët, keni ardhur këndej në shek. e VII-të mbas Krishtit dhe nuk mund të keni lidhje me popullin antik maqedon dhe me Maqedoninë Antike, të cilët kanë ekzistuar gjatë kushedi sa shekujve të para Krishtit". Milloshovski: "...dhe një gjë tjetër po ju them zonjë - më mirë është që të merremi vesh shpejt e shpejt, se ju e dini fort mirë dhe ne e dimë fort mirë se cilit komb i përket emri Maqedoni, prandaj, është më mirë ta mbyllim këtë punë, ju mbani atë pjesë që keni, kurse ne ta mbajmë këtë pjesë të Maqedonisë". Konkluzioni i Bakojanis: "Për cilin komb e ke fjalën, për Shqiptarët a? - Për ata mos u mërzit fare, ata janë në gjumë e nuk dinë as vetë se kurë do të zgjohen, se po u zgjuan ata, na mori dreqi, edhe ne, edhe ju !....prandaj duhet të merremi vesh sa më shpejt..."(Shih: ALBANIAPress.com, 9 korrik 2009).

3. Federalizim ose ndarje!



Realisht, nuk është kurrfarë zgjidhjeje për statusin politik të shqiptarëve dhe të maqedonëve, vetëm ndryshimi i emrit të kësaj Maqedonie në "Maqedoninë Veriore", ashtu siç ka propozuar OKB-ja. Sepse, siç theksuam më sipër, problemi nuk qëndron midis Greqisë dhe Maqedonisë, por midis Shqipërisë dhe së ashtuquajturës Maqedoni, ku gjysma e popullsisë është shqiptare dhe, më se gjysma e territorit i përket Shqipërisë Etnike, jo Greqisë e as Maqeodnisë titiste. Ky është problemi i vërtetë historik, gjeopolitik, territorial dhe ndëretnik në Maqedoninë e sajuar jugosllave (1945-2009). Ky problem, duhet të zgjidhet vetëm në rrafshin e titullarëve ekzistues të Maqedonisë- shqiptarëve dhe bullgarëve. Kjo është çështje e ngutshme si për palën shqiptaro - bullgare, ashtu edhe për faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, të pranishëm në Maqedoni, që këtu e njëzet vjet më parë (1990-2009).

Duke qenë se, si maqedonët me prejardhje bullgare,ashtu edhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë janë të interesuar, që me çdo kusht, të ruajnë integritetin e Maqedonisë artificiale jugosllave, edhe pala shqiptare, e dëmtuar dhe e nënçmuar si "pakicë kombëtare", duhet ta mbështetë një strategji të tillë të moszhbërjes së kësaj Maqedonie artificiale, por me kusht që, t'i njihet e DREJTA E VETËVENDOSJES (kombëtare dhe shtetërore), ashtu sikurse maqedonëve me Kushtetutën në fuqi.

Kjo zgjidhje racionale dhe e drejtë për të dy palët, mund të arrihet vetëm me federalizimin e Maqedonisë, që nënkupton ndryshimin e Kushtetutës dhe të rendit ekzistues në Maqedoni. Kjo është formula e vetme politike, juridiko-kushtetuese dhe paqësore, që mund ta shpëtojë Maqedoninë artificiale të Jugosllavisë së Titos. Ndryshe, opsioni i fundit, do të ishte NDARJA e Maqedonisë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë. Mirëpo, ky opsion i imponuar, nuk do të ishte në interesin komplementar të palëve në konflikt, as të BE-së e as të bashkësisë ndërkombëtare, sepse pikësëpari do të vinin në pikëpyetje objektivat strategjiko-politike integruese të BE-së,jo vetëm në kuptimin rajonal ballkanik, por edhe në atë evropian, sepse do të vinte në shprehje korrigjimi dhe ndryshimi i kufijve ndërshtetërorë, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropën Juglindore.

Pikësëpari, ndarja eventuale e Maqedonisë, do të ndikonte negativisht dhe me pasoja të paparashikuara edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore fqinje të Serbisë dhe të Kosovës, sepse Serbia do të insistonte që, me çdo kusht, ta copëtonte pjesën Veriore të Kosovës, së bashku me gjysmën e qytetit verior të Mitrovicës. Si pasojë e një "dridhjeje tektonike" të këtillë të truallit të Ballkanit, në kuptim të ngushtë, do të vinte në shprehje jo vetëm destabilizimi i paqes dhe i sigurisë në Ballkan dhe më gjerë, por edhe deri te shpërthimi eventual i konflikteve të armatosura ndërmjet shteteve ballkanike, të rreshtuar dhe të mbështetur nga aleancat e ndryshme të tyre të shteteve të mëdha evropiane dhe botërore.

Për të evituar këtë rrezik me pasoja katastrofike për paqen dhe sigurinë e popujve në Ballkan dhe në Evropë, nevojitet që,sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë paqësore, të bëhet FEDERALIZIMI i Maqedonisë ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve autoktonë.

4. "Maqedonia Veriore"-formulë e gabuar e OKB-së!



*** "Shqiptarët nuk mund të trajtohen në asnjë mënyrë si minoritet, por si pjesëtarë, njësoj si maqedonët, në shtetin e tyre të përbashkët. Ndryshe, kriza nuk mund të zbutet dhe ca më tepër të kapërcehet, në rast se nuk u njihen shqiptarëve të drejtat kombëtare, ashtu siç parashikojnë aktet themelore ndërkombëtare."(Shih: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, Tiranë, 1998, f.44-45).

Se sa grekët dhe maqedonët janë afër arritjes së një marrëveshjeje të përbashkët dypalëshe (nën monitorimin e OKB-së) për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, këtë e provoi edhe takimi zyrtar i Matthew Nimetz, emisar special ndërkombëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me rastin e vizitës së tij, që i bëri Shkupit dhe Athinës, më 7 dhe 8 korrik 2009.

Ai, nga takimet, që i zhvilloi me qarqet e larta zyrtare maqedone (Gjorgje Ivanov, president, Nikola Gurevski, kryeministër dhe Antonio Miloshoski, ministër i Jashtëm, Rafiz Aliti, nënpresident dhe Xhevat Ademi i BDI-së ), dhe me ato greke, me ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojannis dhe me liderin e PASOK-ut, George Papandreu, deklaroi se " Unë besoj në bisedimet për një zgjidhje të favorshme reciproke; unë besoj se jemi shumë afër të që të gjejmë një zgjidhje, kjo është ajo pse unë jam më shumë optimist sesa më parë."( 09/07/2009http://www.setimes.com/). Si konkluzion i zhvillimit të bisedimeve me palët zyrtare greko-maqedone të Mathew Nemitz-it, del se Athina dhe Shkupi zyrtar (me gjithë disonancat ekzistuese) së shpejti, jo më larg se deri në tetor të vitit 2009, duhet të deklarohen se e pranojnë apo jo propozimin për ndryshimin e emërtimit të Maqedonisë në "Maqedni Veriore", të sugjeruar nga OKB-ja përmes emisarit të tyre special ndërkombëtar, Mathew Nemitz.

Pavarësisht se në çfarë faze të realizimit janë bisedimet e të dërguarit special të OKB-së, Mathew Nimetz me qarqet zyrtare të Shkupit dhe të Athinës për ndryshimin e emërtimit të Maqedonisë në "Maqedoni Veriore", ( e cila kryesisht është e banuar me shumicën dërrmuese shqiptare, "që shtrihen në Veri dhe në Perëndim të Republikës së Maqedonisë, që nga Dibra e deri në Kumanovë"(Shih: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, Tiranë, 1998, f.43), si subjekt politike shqiptare (që të gjitha - pozitë dhe opozitë), ashtu edhe mbarë populli shqiptar në Maqedoni, duhet të mospjatohet me një propozim të tillë, sepse në atë rast dy herë, do të viktimizohej si "peng" dhe si "plaçkë" historike, etnike dhe territoriale nën Greqi dhe nën "Maqedoni", edhe pse nuk i përkasin asnjërës e as tjetrës, por Shqipërisë Etnike.


5. "Razifët" duhet të jenë në anën e shqiptarëve, sepse me votat e tyre janë bërë vice-presidentë, vice-ministra dhe ministra të Maqedonisë sllavomaqedone!



Edhe pse nënpresidenti i Republikës së Maqedonisë, Razif Aliti, është deklaruar se do të pranojë çfarëdo zgjidhjeje qoftë, të arritur mes bashkëvendësve të tij maqedonë dhe grekëve për ndryshimin e emërtimit të Maqedonisë, shqiptarët që tani, prapë e kanë shansin historik, të ngrihen në këmbë kundër pazarllëqeve të tilla politike ndërmjet Athinës -Shkupit dhe Nju-Jorkut (KS të Kombeve të Bashkuara të Ban Ki Moon-it), që të kërkojnë realizimin e plotë të drejtave të tyre kombëtare dhe shtetërore mbi truallin e tyre indigjen etnik, që është pjesë e patjetërsueshme e Shqipërisë Etnike.

Përmbajtja e kërkesë së palës shqiptare, duhet të jetë: (1) Ose FEDERALIZIM ose (2) NDARJE e Maqedonisë artificiale jugosllave. Ndërkaq, nuk duhet pranuar opsionin e dytë (b) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku thuhet se : "ose shqiptarët të gëzojnë të drejtën e një krahine autonome në kuadrin e Republikës së Maqedonisë"(Po aty, Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, f.45).

Një nga arsyet kryesore pse shqiptarët nuk duhet të pranojnë kurrfarë autonomie krahinore ose këtë status ekzistues politiko-juridik dhe kushtetues, është se ata nuk janë minoritet, por me numër janë shumicë, kur kihet parasysh fakti se maqedonë numërohen edhe përfaqësuesit e pakicave të tjera sllave në Maqedoni. Mirëpo, një statistikë e tillë e gjendjes dhe e strukturës demografike të shqiptarëve në Maqedoni, është falsifikuar, jo vetëm nga Maqedonia jugosllave e Titos, por që nga viti 1912 e deri më sot, në dekadën e parë të shekullit XXI, me qëllim, që të shqiptarëve t'iu mohohet e drejta historike dhe natyrore mbi territorin e tyre autokton. Këtë konstatim tonin mbi falsifikimin e statistikës regjistruese të popullsisë shqiptare nga regjimet e ndryshme të deritashme sllavomaqedone, e provon edhe ky vlerësim më i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë(1998): " Ka gati 20 vjet, që qeveritarët maqedonë nuk e shpallin numrin e saktë të shqiptarëve. Zyrtarisht thonë se shqiptarët përfaqësojnë rreth 23% të popullsisë së Republikës. Në të njëjtën kohë përjashtojnë ngas radhët e tyre rreth 170 mijë shqiptarë se ata e kanë humbur nënshtetësinë maqedone, gjë që nuk është e vërtetë. Por burime të tjera flasin për një masë më të madhe shqiptarësh..." (Po aty, Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, f. 43-44).

Sa më sipër, dhe para së gjithash, shikuar në retrospektivën historike, juridike ndërkombëtare, dhe evropiane demokratike, problemi nuk qëndron midis "maqedonëve" të sotëm dhe grekëve të sotëm, por midis bullgarëve dhe shqiptarëve, si titullarë të vetëm të kësaj Maqedonie artificiale me histori komuniste-socialiste jugosllave dekretuese.

Kërkesa për ndryshimin e emrit të "Maqedonisë" në "Maqedoni Veriore", do të thotë njohjen e së drejtës historike dhe ligjore të grekëve dhe të "maqedonëve" mbi territorin etnik indigjen të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike.

Këtë formulë të gabuar të OKB-së, nuk duhet ta pranojnë shqiptarët, sepse është në dëm të identitetit dhe të së drejtës së tyre trashëgimore historike dhe legjitime. Në vend të kësaj formule, shqiptarët duhet të kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, në mënyrë që të jenë të barabartë me "maqedonët" si komb shtetformues, ku për emërtimin e të cilit, do të vendosnin bashkërisht, pa lejuar asnjë ndërhyrje të jashtme nga ana e grekëve, të cilët po synojnë, që ta shkatërrojnë këtë Maqedoni artificiale, në emër të së "drejtës historike" si "vetmit trashëgimtarë" të Maqedonisë antike!

Këtë të drejtë absurde dhe të paqëndrueshme të Athinës, shqiptarët dhe "maqedonët", duhet ta flakin, duke e ndërtuar shtetin e tyre të përbashkët dykombësh: shqiptaro-bullgar, jo shqiptaro-maqedon, sepse këta "maqedonë" e as këta grekë, nuk janë pasardhës të maqedonëve të lashtë të Maqedonisë antike të Aleksandërit të Madh, por janë shqiptarët me prejardhje pellazgjike ngase edhe Maqedonia kishte të njëjtën origjinë pellazgjike.

Pavarësisht nga ushtrimi i trysnisë së faktorëve sllavomaqedonë dhe grekë në relacionin Shkup - Athinë, si dhe të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si ndërmjetës i "zgjidhjes" së kontestit greko-maqedon rreth ndryshimit të emrit të Maqedonisë në një "Maqedoni Veriore", shqiptarët që tani, duhet të ngrihen me kërkesën e tyre për njohjen e së drejtës së vetëvendosjes o shtet dykombësh federal, o ndarje të Maqedonisë.

Pse iu sugjeroj këto dy opsione bashkëvendësve të mi shqiptarë, sepse sipas së drejtës së tyre historike dhe,asaj juridike ndërkombëtare. Pse iu sugjeroj këto dy opsione bashkëvendësve të mi shqiptarë, sepse
sipas së drejtës së tyre historike dhe,asaj juridike ndërkombëtare, si dhe të gjendjes faktike, të padurueshme dhe të papranueshme ( me status minoritar dhe si qytetarë të rendit të dytë), gëzojnë të drejtën e plotë dhe të pakundërshtueshme të mbrojtjes kombëtare dhe shtetërore dhe të drejtën e vetëvendosjes si komb dhe si shtet, ku realizimi i këtyre të drejtave fundamentale, në asnjë mënyrë nuk mund të cilësohet e as të shpallet agresion ndaj Republikës artificiale të Maqedonisë, pavarësisht nga oreksi dhe prapavija politiko-propagandistike e regjimit brutal dhe diskriminues të Maqedonisë ndaj shqiptarëve.

Për më tepër kërkesa e shqiptarëve për njohjen e së drejtës së vetëvendosjes si komb dhe si shtet i barabartë me atë të maqedonëve dhe të Maqedonisë, para së gjithash, do të duhej të mbështetej nga themeluesit dhe bartësit e Rendit të Ri Botëror dhe të Bashkimit Evropian (BE); nga Organizata e Kombeve të Bashkuara; nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian(OSBE), si dhe nga NATO-ja, jo të luhej me fatin e tyre si "monedhë kusuri" të vendosjes së "ekuilibrit ballkanik" të marrëdhënieve dhe të interesave të ndryshme të fuqive të mëdha evropiane dhe botërore.

Nëse jemi përcaktuar për dialog, për paqe, për demokraci dhe mirëqenie të të gjithë njerëzimit në dimensione evropiane dhe globale, atëherë, edhe shqiptarët në Ballkan, nuk duhet të jenë përjashtim, të diskriminuar, të copëtuar, të ndarë dhe të kolonizuara në katër shtetet fqinje sllvao-bizantine.

Shqiptarët në Maqedoninë komuniste të Titos po kërkojnë minimumin e minimumit-FEDERALIZIMIN-BARAZIMIN me sllavomaqedonët në truallin e tyre etnik shqiptar, gjë që kjo zgjidhje kompromisi, është padrejtësi historike dhe ligjore ndaj shqiptarëve. Mirëpo, shqiptarët,për ta ruajtur kohezionin e interesave dhe të marrëdhënieve reciproke me partnerët e tyre evropianë dhe ndërkombëtarë, që është në funksion të paqes, të bashkëpunimit, të qëndrueshmërisë dhe të sigurisë në Ballkan, në rastin konkret, duhet të bëjnë një koncesion të tillë ndaj aleatëve të tyre ndërkombëtarë -FEDERALIZIMIN PAQËSOR DHE DEMOKRATIK TË MAQEDONISË, jo kurrfarë riemërtimi të saj në "Maqedoni Veriore", sipas pretendimeve territoriale të Greqisë ndaj Maqedonisë dhe ndaj Shqipërisë.

Ndryshe, nëse përfillet kursi destruktiv, antidemokratik, antipaqësor dhe antiligjor i politikës dhe i diplomacisë së Athinës, që kjo Maqedoni, të transformohet në një "Maqedoni Veriore", s'ka dilemë se, një opsion i tillë arbitrar dhe i papranueshëm (historikisht dhe ligjërisht), do të çojë në NDARJEN e Maqedonisë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë.. Siç theksuam më lart, kjo ndarje më së paku do të ishte në interes të ruajtjes së stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në Ballkan, madje edhe në Evropë, në kuptim më të gjerë.
Prof.Dr.Mehdi HYSENI

No comments: