Saturday, September 26, 2009

Sekretet e lidhjes të Delijorgjit me Mytilineos, të cilit Millosheviçi i dha Trepçën dhe bashkëpunëtorët Majko - Berisha

Pas çudisë së Mihal Delijorgjit, që nga një ekskavatoristi minoritar grek i vendosur në Shkozet të Durrësit, në kohën e komunizmit, që në dhjetor 1990 emigron në Greqi, kthehet pas pak vitesh në Shqipëri si një biznesmen me kapital të rëndësishëm dhe lidhje në sferat e larta të biznesit në Greqi, qëndron biznesmenin i madh grek Evangellos Mytilineos.

Evangellos Mytileneos është president i kompanisë «Mytilineos SA- Business Group», që operon në metalurgji dhe miniera, ndërtim, energjetikë, industrinë e makinave, dhe mbrojtjes. Kjo kompani është krijuar në vitin 1990, si një konsorcium dhe ka një xhiro prej gjysmë miliardi euro dhe mbi 4000 punëtorë. Mund të vërtetohet që Delijorgji është njeriu i Evangellos Mytilineos. Në vitin 2003, Mihal Delijorgji lidhi një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, ku atëherë ministër ishte Pandeli Majko, sipas së cilës Delijorgji do të merrte për skrap tanket e ushtrisë shqiptare dhe në këmbim do ta furnizonte ushtrinë shqiptare me një numër automjetesh, që ai do t' i merrte nga kompania greke «Hellenic Vehicle Industry», që në greqisht e ka akronimin ELVO-AVE. Por «Hellenic Vehicle Industry» është pikërisht Evangellos Mytilineos. Në vitin 2000 gjatë privatizimit të kompanisë publike greke të industrisë së makinave, «Hellenic Vehicle Industry», «Mytilineos SA- Business Group», bleu 43% të aksioneve të kësaj kompanie, duke marrë njëkohësisht dhe administrimin e kompanisë. Evangellos Mytilineos po i merrte tanket e ushtrisë shqiptare për skrap, për impiantet e veta metalurgjike, me një çmim katër herë më të lirë se ai i bursës, dhe po paguante me automjete të prodhimit të vitit 1975, që ishin nxjerrë nga përdorimi prej ushtrisë së Qipros greke, që po shiteshin me 70 mijë USD copa. Me të vërtetë një aferë me shumë leverdi, për të cilën Pandeli Majko futi në xhep një ryshfet të majmë.
Biri i ushtarakut, që i «dhimbset» ushtria, siç ka thënë vetë Pandeli Majko, i vuri oficerët të sharrojnë tytat e tankeve, që të quheshin të demilitarizuara dhe t' i transportonte Delijorgji për tek shkritoret e Mytilineosit në Greqi. Kur këto tanke mund të rrinin të depozituara, se çmimi i hekurit në bursë vetëm rritet, dhe mund të shiteshin me para në dorë, dhe jo duke marrë xhipa të vjetër. Edhe skrapi i dalë nga municionet që çmontonte Delijorgji sipas kontratës që kishte me Ministrinë e Mbrojtjes të kohës kur ministër ishte Fatmir Mediu, i shkonte Mytilineos, me anë të Delijorgjit. Këtë herë Mytilineos donte vetëm tunxh (duket me hekur e kishte ngopur Majko), prandaj, me porosi të Delijorgjit, ministri Mediu urdhëroi që ushtria ta furnizonte Mediun vetëm me municion me gëzhojë tunxhi. Çmimi i tunxhit në bursë ishte rritur mjaft kohët e fundit. Mihal Delijorgji është një rast nga manuali që zbulon enigmën e atyre minoritarëve grekë që me hapjen e vendit në vitet 1990-1991, emigruan në Greqi nga ku pas disa vitesh u kthyen me kapitale dhe lidhje biznesi, dhe u bënë biznesmenë të mëdhenj, duke krijuar monopole në tregun shqiptar. Në fakt, pas kësaj mrekullie qëndronin biznesmenë të mëdhenj grekë dhe shërbimi sekret grek, që i përdornin këta njerëz si kukulla të komanduara me fije, për të kontrolluar me anë të tyre ekonominë shqiptare. Mihal Delijorgji kur shkoi në Greqi, në dhjetor 1990, duke kaluar kufirin në mënyrë ilegale, së bashku me turmat e klandestinëve, ishte vetëm një emigrant klandestin i varfër, që shkonte në Greqi me xhepat bosh, duke menduar se atje mund të fitonte duke punuar në profesionin e tij të ekskavatoristit, punë që shpresonte ta gjente me ndihmën e kushërinjve të tij të pasur në Greqi. Duket se ai do të ishte i lumtur sikur të kishte gjetur punë si ekskavatorist, dhe të kishte punuar kështu për gjithë jetën në Greqi. Por në Greqi kishin përgatitur një të ardhme tjetër për të, që ai as e ëndërronte. Kushërinjtë e tij në Greqi, Anastasios Delijorgji dhe Efstathia Delijorgji, ishin biznesmenë në Greqi, dhe kishin lidhje me Evangellos Mytilineos. Në vitin 2006, këta ishin ndër pesë aksionistët e kompanisë Delta, që i kaluan 2.168.622 aksione pikërisht «Mytileneos Holding SA». Një gjë shumë kurioze në karrierën e Mihal Delijorgjit është se ai, kur shkoi si emigrant në Greqi, edhe pse nuk ishte veçse një njeri që veç shkollës 8-vjeçare kishte bërë një shkollë dy-vjeçare për ekskavatorist, megjithatë në Greqi bën një kurs 1 vjeçar për... filozofi antike greke?! Është e qartë se ky ka qenë një kurs i shërbimit sekret grek. Atëherë, ashtu si dhe sot, ishte politika e shtetit grek që biznesi grek të zinte pozita dominuese në ekonominë shqiptare, në disa fusha drejtpërdrejt, ndërsa në disa fusha me anë të shtetasve shqiptarë, duke parapëlqyer ata me kombësi greke.
Mihal Delijorgji u përzgjodh si një nga njerëzit që do të kryenin këtë mision, sigurisht, i drejtuar dhe i kontrolluar nga ekspertë grekë, që do ta komandonin si kukull me fije. Mihal Delijorgji ishte përzgjedhur për të vendosur monopolin grek në tregun e hekurit në Shqipëri, për llogari të Evangellos Mytileneos. Hekuri do të vinte nga Greqia, por edhe nga Rusia dhe Ukraina, ku sillej nëpërmjet firmave me qendër në Qipro, që ishin off-spreengs të holdingut të Mytileneos. Por gjithashtu Delijorgji merrej dhe me tregtinë e produkteve ushqimore, që i sillte nga Greqia, dhe pas vitit 1997 edhe me ndërtime.

Në kohën kur PD ishte herën e parë në pushtet, në vitet 1992-1997, SHIK, duke qenë në dijeni të politikës zyrtare greke të përshkruar më lart, kishte si një nga drejtimet e punës së vet që të vrojtonte dhe ata njerëz që bënin biznes me Greqinë dhe që fuqizoheshin befasisht, në sajë të lidhjeve të dyshimta në Greqi. Prandaj Delijorgji ka qenë herë pas here në survejim, dhe për të në SHIK kishte një dosje inaktive, siç quhet në gjuhën e shërbimit sekret, që do të thotë se kjo dosje hapej peridikisht për t u shtuar të dhëna për veprimtarinë e Delijorgjit. Për SHIK të asaj kohe, duke u ditur lidhjet e Delijorgjit me Evangellos Mytileneos, Delijorgji u bë një person veçanërisht i dyshimtë, kur në dhjetor 1995, vetëm pak ditë pas heqjes së sanksioneve ekonomike ndërkombëtare ndaj Jugosllavisë(Serbi- Mali i Zi) së Millosheviçit, Mytileneos Holdings SA, lidhi një kontratë me regjimin e Millosheviçit për të bërë shitjen e mineraleve që nxirreshin nga Minierat e Trepçës, posaçërisht të plumbit dhe zinkut, që ishin shumë të kërkuara në tregun ndërkombëtar. Në vitin 1996, kjo kontratë do të zgjatej për shtatë vjet. Në fillim të vitit 1997, në prag të fillimit të trazirave në vend, Mihal Delijorgji ishte një nga personat për të cilët degët e SHIK në Vlorë, Gjirokastër dhe Sarandë morën detyrë që të kontrollojnë lëvizjet e tyre atje. Pas rotacionit politik në Shqipëri, në vitin 1997, pushteti i majtë, e ndryshoi komplet drejtimin e punës së SHIK ndaj Greqisë. Tashmë u braktis krejt linja e mbledhjes të së dhënave për veprimtarinë e koordinuar greke për dominimin e ekonomisë shqiptare, duke u quajtur kjo si një paranojë e Gazidedes dhe Berishës. Me këtë rast u arkivua dhe dosja inaktive e Delijorgjit në SHIK. Drejtori i kundërzbulimit në SHIK u emërua Piro Visari, një ish-oficer i Sigurimit të Shtetit që pas vitit 1991 kishte qenë emigrant në Greqi, ku ishte aktivizuar në sillogjet vorio-epirote. Të tjerë drejtorë të drejtorive dhe të emëruar në SHIK, ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit, erdhën nga emigracioni në Greqi. Problemi kryesor nuk ishte se ishin ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit, por se për vite të tëra kishin qenë në Greqi, ku, kur kishin deklaruar se ku kishin punuar u ishte bërë menjëherë një trajtim dhe përpunim special nga shërbimi sekret grek, madje kishin dhe një si lloj klubi ku takoheshin. Tashmë SHIK i drejtuar nga Fatos Klosi shihte vetëm rrezikun e «terroristëve» islamikë që na paskëshin mësyrë Shqipërinë dhe donin t' i bënin atentat ambasadës amerikane në Tiranë. Është e qartë se rreziku i terrorizmit islamik ekzagjerohej për t' u bërë një tymnajë që të fshihej fakti se tashmë po bëhej realitet rreziku i paralajmëruar i kontrollit të ekonomisë shqiptare nga grekët, me pasoja të rënda afatgjata për Shqipërinë. Meqë Delijorgji u bë i pastër për SHIK të Fatos Klosit, tashmë Delijorgji filloi të siguronte privilegje në biznes, si privatizim ndërmarrjes shtetërore, marrja me qira për një afat të gjatë dhe çmim simbolik të një ndërmarrjeje shtetërore në Shkozet të Durrësit, si dhe tenderë të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, për të cilat kërkohet edhe mendimi i SHIK, në lidhje me personin që i përfiton. Në atmosferën e re politike, Delijorgjit iu krijua mundësia që gradualisht të siguronte, praktikisht, monopolin e tregtisë së hekurit në Shqipëri, për llogari të Evangellos Mytileneos.


Evangellos Mytileneos ka interesa të mëdha dhe në biznesin e telefonisë mobile në Shqipëri. Në dhjetor 1996, Evangellos Mytileneos, padroni i Delijorgjit, u emërua në bordin e drejtorëve të kompanisë greke të telefonave, OTE. Kompania OTE do të blinte në Shqipëri, kompaninë publike të telefonisë mobile. Për shkak se ligji shqiptar kërkonte që shitja e kësaj kompanie publike të një sektori strategjik, t' i jepej një investitori të rëndësishëm ndërkombëtar, në mashtrim të ligjit u u bë një konsorcium fiktiv i blerësit grek me kompaninë norvegjeze Telenor, që të paraqiteshin fiktivisht gjërat sikur shitja po i bëhej një investitori të rëndësishëm ndërkombëtar. Këtu ishin të implikuar kryeministri Pandeli Majko, pasuesi i tij Ilir Meta, Presidenti Meidani si dekretues i ligjit (privatizimi u bë me ligj të veçantë), këshilltari i tij juridik, Theodhori Sollaku (si iniciues i vendimmarrjes së Presidentit, në analogji me teorinë juridike që nxorri Prokuroria e Sollakut me rastin e penalizimit të kontratës me kompaninë «Bechtel») etj. Evangellos Mytileneos do të kishte duart brenda edhe në kompaninë e dytë të telefonisë mobile në Shqipëri, që iu dha po ashtu grekëve, dhe praktikisht të njëjtit grup. Delijorgji gjithashtu e zgjeroi veprimtarinë e vet edhe në ndërtim, në sajë të privilegjeve që i bënte Edi Rama me leje ndërtimi. Një nga arsyet që Edi Rama e mori pranë vetes në bashkinë e Tiranës shokun e tij të vjetër, Blendi Gonxhen, të cilit dikur i thoshte të dua, por nuk të duroj dot, është se gruaja e Gonxhes ishte kushërirë e afërt e Delijorgjit, njeriut të Mytileneos, mbështetjen e të cilit Edi Rama e dëshironte shumë. Me lejen e Edi Ramës, Delijorgji ndërtonte pallate ku të donte, dhe madje i shërbente Edi Ramës edhe si sekser për lejet e ndërtimit. Kur Edi Rama bëri atë që e quajti si marshimi i zisë, pas ngjarjes së Gërdecit, ai mori në krah të djathtë, Luiza Xhuvanin (Papamihali), një minoritare greke, kur në krah të djathtë duhet të kishte Valentina Leskajn, ose Mimi Kodhelin, të cilat në parti janë shumë lart se Luiza. Rama e bëri këtë gjë për t' i thënë Greqisë se ai do t' i mbronte interesat e saj, dhe se kur të vitne në pushtet do t' i përmbushte dëshirat e «Delijorgjit» tjetër që do të gjente Mytileneosi dhe të «Delijorgjëve» të tjerë të Greqisë. Duke pasur Rama në krah të djathtë Luiza Papamihalin (Xhuvanin), në shkelje të plotë të hierarkisë partiake, ishte njëlloj sikur të kishte në krah të djathtë Delijorgjin. Kur Berisha u rikthye në pushtet, në vitin 2005, ai tashmë nuk ishte më ai i viteve 1992-1997, në marrëdhëniet me Greqinë. Tashmë Berisha, pasi e kishte marrë një herë mësimin nga Greqia, në vitin 1997, kishte vendosur që të tregohej i bindur ndaj Greqisë në mënyrë që të rikthehej ne pushtet dhe të siguronte përfitime abuzive për veten dhe klanin e tij. Tashmë Berisha, ishte i prirur që t' i lejonte bizneset greke të bënin çfarë të donin në Shqipëri, mjaft që t' i jepnin atij dhe njerëzve të tij në pushtet pjesën që u kishin dhënë paraardhësve të tij. Edhe Delijorgji mund të bënte ç' të donte mjaft që t' u jepte Berishës dhe Mediut ryshfetin që i kishte dhënë Fatos Nanos dhe Pandeli Majkos. Dhe kështu ndodhi. Berishës dhe Mediut nuk u interesonte fare se ç' bënte Delijorgji në Gërdec sa kohë që ata merrnin pjesën e tyre nga fitimet e biznesit të vdekjes. Komandantit të Përgjithshëm. Presidentit të Republikës, Bamir Topi, gjithashtu nuk i interesonte se gjërat ishin ndarë dhe Gërdeci nuk ishte biznesi ku ai merrte fitime për vete. Për drejtorin e SHISH, Bahri Shaqiri, duket se nuk kishte rëndësi se pranë Tiranës, Delijorgji, ekskavatoristi me kurs filozofie në Athinë, pra me kurs të shërbimit sekret grek, njeriu i Mytileneos, mikut të Millosheviçit, kishte krijuar një superminë që mund të shpërthente në çdo moment. Bahri Shaqiri nuk shikon asnjë indicie që të çon tek akti terrorist, tek lidhja Delijorgji-Mytileneos-Millosheviç, Se Arit (Bahriut) ia ka lënë amanet ish-shefi i tij Kujtim Hysenaj, që e rriti çmimin e biletave të kompanisë së tij ajrore ku shiste bileta Ari, në kohën e Luftës së Kosovës, që nuk ka terrorizëm serb në Shqipëri. Drejtori i Antiterrorit në SHISH, Kristaq Sterjo, i ardhur në këtë post me sugjerim të CIA-s së grekut George Tenet, sheh gjithandej vetëm rrezikun e terrorizmit islamik, ndërsa terrorizmat e tjerë për të janë paranoja. Tamam ashtu siç u intereson grekëve. Që të zbërthehet enigma e veprimeve të Delijorgjit në Gërdec, duhet të përdoret si çelës kursi i filozofisë që ai ka bërë dikur në Athinë, dhe që duket qartë se është kurs i shërbimit sekret grek. «Filozofia» që ish-ekskavatoristi Delijorgji mësoi në atë kurs, e bëri atë të zgjedhë Gërdecin pranë Tiranës, në buzë të autostradës, për fabrikën e tij të vdekjes, e bëri që në janar të këtij viti, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe në periudhën pas saj, të shkelte kontratën, duke mos tërhequr lëndët e rrezikshme (tritol dhe barut), të dala nga municionet e çmontuara, në një kohë që silleshin municione të tjera për çmontim. Duket se Delijorgji e ka bërë këtë për motive filozofike. Gjithashtu, duket se Delijorgji, ditën që ndodhi shpërthimi, ka urdhëruar që pushimi i drekës të afrohet një orë (pikërisht në atë kohë ndodhi shpërthimi), sepse pati një kolpo filozofike dhe donte t u jepte mundësi punëtorëve të tij që të meditonin. Gjithashtu, duket se Delijorgji u largua me shpejtësi nga fabrika e vdekjes me të dhënë këtë urdhër, së bashku me kunatin, se u kujtua që kishte lënë përgjysmë në shtëpi një libër filozofie. Edhe shpërthimin dhe tragjedinë që solli ai, Delijorgji duket se e ka marrë filozofikisht, se shfaqet duke qeshur në mes të policëve që e shoqërojnë në gjykatë të arrestuar. Duket se në atë kursin e filozofisë në Athinë, Delijorgjit i kanë mësuar një filozofi të veçantë, sipas së cilës ai duhet të përmbushë çfarëdo misioni që t' ngarkojnë, deri edhe krijimin e një supermine pranë Tiranës, që t' i japë mundësi dikujt ta shpërthejë atë kur u duhet shërbimeve sekrete greke dhe serbe. Delijorgjit i kanë mësuar dhe filozofinë e të përballuarit të pasojave të kryerjes së këtij misioni, duke bërë disa vite burg, derisa Greqia të gjejë mënyrën ta nxjerrë, për kurim apo ndonjë gjë tjetër, për t' i humbur gjurmët, duke u paguar ndonjë pushtetar shqiptar që të konfirmojë se «vdiq» në ndonjë spital në Greqi nga një «sëmundje e pashërueshme». Delijorgji doli nga loja por Mytileneos mbeti dhe ai do të gjejë «Delijorgjë» të tjerë në Shqipëri për të bërë lojën e tij, me anë të politikanëve si Majko, Mediu, Nano, Berisha etj.
Kastriot Myftaraj

Pse tolerojme autoritarizmit e te gjithe liderave: Berisha, Nano, Rama, etj.?
Pse kemi mungesë atdhedashurie dhe një pritshmeri kaq te ulet per Shqiperine ?
Kjo mungese e theksuar e papergjegjshmerise qytetare, qe egziston qe nga Kryeministri, Qeveria, Shteti dhe aparatet e tij, e deri tek qytetari i thjesht e ka bazen tek indiferenca jone, indiferenca ime, indiferenca jote, INDIFERENCA E TË GJITHVE !!
SHQIPTAR MOS FLI POR ZGJOHU SHQIPTAR!!!

No comments: