Monday, September 28, 2009

Pishinat dhe ... pipi-ja

TIRANE - Një mbikëqyrje e fundit që u është bërë pishinave, sigurisht që do t'u bëjë të mendoheni 2 herë para se të futeni në to. Për sa i përket pishinës, të paktën gjysma e atyre që futen për të notuar pranojnë që urinojnë në të. Këtë gjë, sigurisht do e keni menduar dhe ju, pasi 84 % e të pyeturve mendojnë që pishinat nuk janë fare higjenike.

Disa përgjigje për pyetjen që të gjithë e kemi në kokë, por askush nuk i thotë me zë të lartë



Pishinat publike nëpër qytete, janë të gjitha të hapura tani që erdhi sezoni veror dhe të gjithë, në momentin që nuk kemi mundësi të shkojmë në det, priremi të zgjedhim ato.

Le të mos e fshehim. Pavarësisht se shumë pak e thonë, thuajse të gjithë e mendojnë: A urinohet në pishina ?



Në Shqipëri nuk kemi ende sondazhe të tilla, por edhe sikur të kishim, këtu te ne, siç e dimë, sondazhet janë pak si jashtë loje.
Por gjetiu, bëhen edhe sondazhe me këtë temë dhe rezultatet janë vërtet surprizuese.
Një sondazh me emra të fshehur me rreth 1000 të rritur, u realizua në fund të muajit prill dhe në maj të këtij viti, nga Këshilli i Shëndetit dhe Cilësisë së Ujit (Ëater Quality and Health Council), në SHBA.

Një në 5 të pyetur (17 %), pranuan që urinonin në pishinë, ndërsa 8 në 10 (78%), janë të bindur që shokët e tyre të pishinës dhe notit, urinojnë në pishinë. (!)
Kësaj i shtohet dhe fakti se rreth 35 % futen në pishinë pa bërë dush më parë dhe 73 % mendojnë që edhe njerëzit e tjerë që futen në pishinë, nuk bëjnë dush.

Shifër tjetër? Vetëm 36 % thonë se pastërtia e ujit të pishinës është e pranueshme.
Pavarësisht këtyre të dhënave, shumë njerëz janë të kujdesshëm për kushtet higjienike në pishinë.

***
Prapa këtyre shifrave të thata dhe ndoshta të pakuptimta, fshihet diçka më e rëndësishme për kushtet e pishinave.
Pishinat kanë klor. Klori i pishinës, është ai që vret bakteret e ujit, të cilat mund të jenë shumë të dëmshme, nëse gëlltiten.
Por urina përmban nitrogjen, i cili është "armiku" numër 1 i klorit. (ia zhduk atij efektet në ujë). Është e qartë që, nëse shumë njerëz urinojnë në pishinë, do të thotë që pishina ka shumë pak klor dhe uji është shumë më i ndotur.
Edhe kur niveli i klorit është në nivelet e duhura, disa organizma që shkaktojnë sëmundje, mund të mbijetojnë. Për shembull, rreth 2/3 nga gjithë sëmundjet që mund të vijnë, shkaktohen nga "Cryptosporidium", një mikroorganizëm që i reziston klorit dhe që shkakton diarre.
"Ai mund të mbijetojë për gati 10 ditë, edhe në një pishinë të mirëmbajtur", - thotë Michele Hlavas, epidemilogjist. Kjo është dhe arsyeja pse pushuesit vetë (sigurisht edhe ofruesit e pishinave) duhet të mbajnë disa përgjegjësi për ti mirëmbajtur ato. "Mirëmbajtësit e pishinave nuk mund të bëjnë dot gjithçka vetëm, pasi në një pjesë të mirë të rasteve janë vetë ata që futen në pishinë, që i sjellin parazitët në ujë," - thotë Hlavas. "Notuesit duhet të investojnë në mirëmbajtjen e pishinës së tyre të pastër dhe të mbajnë veten e tyre të shëndetshëm".


Ja disa këshilla për t'u ndihmuar juve të mbroni veten dhe notuesit e tjerë, nga sëmundjet që mund të shkaktohen nga pishina:

Mos notoni nëse jeni me diarre

Duket si diçka që s'ka lidhje, por duhet theksuar shumë ky fakt. Mos i dërgoni fëmijët në pishinë, nëse ata kanë probleme me stomakun.

Informohu dhe fol më mirëmbajtësin e pishinës

Pyesni mirëmbajtësin, apo kujdestarin e pishinës, se sa shpesh e kontrollojnë klorin dhe nivelin e PH (pehashit) në ujë. Të dyja duhet të kontrollohen të paktën dy herë në ditë dhe më shumë në ditët kur ka fluks njerëzish.

Testoni vetë ujin

Për ata që kanë "fatin" të kenë një aparat që quhet CDC (testues uji), pishina bëhet më e kontrollueshme. Testuesi mat nivelin e PH dhe klorit në ujë. Niveli i PH duhet të jetë 7.2 deri 7.8. Këto janë standardet që duhet të ketë një pishinë, në të cilën mund të lahesh më pas i qetë.

Shekulli

No comments: