Rrëfimi ekskluziv për takimin misterioz të 22 shkurtit 1992. Të gjitha detajet e darkës së përbashkët
Për herë të parë hidhet dritë mbi takimin e shumëpërfolur të Triestes. Pas 17 vjetësh, historia nis të shpluhurojë faktet më të komentuara gjatë gjithë kësaj kohe, duke prodhuar legjenda dhe mite për pakte, apo pazare politike. Shumë është thënë për "Takimin e Triestes", kur Fatos Nano, kryetari i ri i PS-së, po përgatitej për të dalë në opozitë dhe Sali Berisha, kreu i PD-së, po bëhej gati për pushtet. Ishim vetëm një muaj nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992. Dy protagonistët kryesorë të politikës në Shqipëri shkëmbenin replika nga më të egrat. Në politikën shqiptare u fut edhe precedenti i prishjes së mitingjeve, madje edhe me dhunë. Ndërsa një ditë shkurti, papritur Nano dhe Berisha, i cili shoqërohej nga Kryeministri i ardhshëm, Aleksandër Meksi, u takuan në qytetin verior të Italisë, duke darkuar së bashku me shoqërinë e dy shqiptarëve të tjerë. Me figurën e njohur të mërgatës shqiptare, prof. Mentor Çokun dhe Ylli Jasën, ish-gazetar në seksionin e jashtëm të Radio Tirana. Ylli Jasa, dëshmitari i takimit të datës 21 shkurt të 1992-shit mes Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Aleksandër Meksit, rrëfen në detaje se çfarë ka ndodhur dhe çfarë është biseduar në atë tryezë. Disa fotografi, të cilat botohen për herë të parë ekskluzivisht në gazetën "Shqip" pas 17 vjetësh, janë dëshmi të mbrëmjes aq shumë të diskutuar të shkurtit 1992. "Nuk ka pasur asnjë takim sekret, apo komplot. Gjithçka ndodhi në mënyrë spontane. Në atë tryezë nuk u fol kurrë për ndarje pushtetesh", shprehet Jasa, i cili për tri ditë ka shoqëruar liderët e politikës shqiptare që merrnin pjesë në Konferencën për Demokracinë, organizuar në Trieste. Forcat politike vazhdimisht e kanë quajtur si një pakt për ndarjen e pushteteve takimin e Triestes, si tryezë ku u përcaktua që Sali Berisha të merrte postin e Presidentit, ndërsa Nano atë të Kryeministrit. Por Jasa i hedh poshtë të gjitha këto pretendime. Sipas tij, në një tryezë ku ishte i pranishëm ai dhe profesor Mentor Çoku, nuk mund të flitej për sekrete, apo të vendosej për fatet e Shqipërisë. Në intervistën e mëposhtme, Ylli Jasa rrëfen të gjitha detajet e kësaj ngjarjeje, mbi të cilën forcat politike kanë hamendësuar gjatë.
Ju jeni dëshmitar i takimit të shumëpërfolur të Triestes në shkurt të 1992-shit mes Fatos Nanos, Sali Berishës dhe Aleksandër Meksit. Një takim i cili dëshmohet edhe prej fotove ekskluzive që ju keni. Si u gjendët aty?
Disa muaj para shkurtit të ‘92-shit, përmes një kartoline urimi për Vitin e Ri, pata lidhur miqësi me doktor, profesor Mentor Çokun, i cili sot nuk gjendet më mes nesh. Në atë kohë ai ishte president i Institutit të Studimeve Islamike në Romë. Përveç faktit që të dy ishin shqiptarë, ishim edhe azilantë politikë, status të cilin ai e kishte marrë shumë më herët. E kishte numrin tim të telefonit dhe në shkurt më njofton se në datat 22 dhe 23 do të zhvillohej një konferencë, ku do të merrnin pjesë disa nga liderët politikë shqiptarë. "Do të vijë Fatos Nano, Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi", më tha. Me kaq u mbyll kjo bisedë. Unë isha pika e kontaktit për ta. Do t‘i shoqëroja me makinën time. Kisha prenotuar "JOLLY hotel" në Trieste e po ashtu do të isha edhe koordinatori i konferencës në lidhje me gazetarët, meqenëse tashmë i kisha krijuar disa njohje dhe kisha shkruar në shtypin e atjeshëm. Sapo mbërritën në datën 21 shkurt 1992 të dyja grupet, nga një anë Berisha me Meksin dhe nga ana tjetër Nano, u gjendën para faktit që unë isha shoqëruesi i të dyja palëve. E kuptova situatën dhe i ftova të hipnin në makinë, sepse isha i njëjti person që do i shoqëronte. Pritëm të vinte me ne edhe profesor Mentor Çoku.
Të dyja palët kishin ardhur më vete në Trieste? Si reaguan kur u kërkuat të hipnin në të njëjtën makinë?
Kishin ardhur me të njëjtin avion, por nuk e di nëse ishin bashkë, apo nëse flisnin me njëri-tjetrin. Pashë që kishte një lloj vështirësie në të qenit bashkë, ishin dy grupe opozitare. Nuk e di sa e thellë ishte kjo opozitë, por për gati tri ditë e dy net i shoqërova dhe takimi i tyre ishte spontan. Hëngrëm një darkë në një nga restorantet e Triestes dhe profesor Çoku i ftoi të uleshin në një tavolinë të përbashkët. Pati mëdyshje, nuk ishte e lehtë që të uleshin. Por në fund të fundit nuk po shkelej ndonjë parim. Kisha në xhep një aparat fotografik dhe i ftoj të ngrenë një dolli për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kështu është fokusuar në foto ky takim që ishte mjaft njerëzor.
Në qarqet politike ky takim do të komentohej si misterioz, i fshehtë, por edhe një takim i ndarjes së pushteteve. A ishte me të vërtetë i tillë?
Takimi ishte shumë spontan dhe nuk ka asgjë sekrete. Një tavolinë e tillë nuk shërben për të ndarë pushtete, aq më tepër që të pranishëm ishim unë dhe profesor Mentor Çoku. Gjithë kohës që isha nuk pashë dhe as dëgjova ndonjë gjë që ka të bëjë me ndarjen e pushteteve. Tema e bisedës nuk kishte ndonjë interes të veçantë. Këtu është përfolur shumë për takimin e Triestes si një komplot i madh, i errët dhe si një sekret. Nuk ka asnjë sekret.
Çfarë u bisedua në atë tavolinë?
Nuk mund të them me saktësi se çfarë u fol para 17 vitesh. Mbresa që unë pata ishte që Fatos Nano, i cili përfaqësonte krahun socialist të moderuar, jo Partinë Komuniste të Enverit, dukej sikur apriori mbante mbi shpatulla të gjitha gjynahet e komunistëve të tjerë, ndërkohë që krahu i ri demokratik që lindte me kohën zero, kishte "avantazhin" e të mos pasurit histori mbrapa. Pati edhe fjalë të hedhura me kunj kundër njëri-tjetrit, por pas kësaj ngjarjeje, me një komunikim shumë njerëzor, nuk mund ta përfytyroja që Nano do të shkonte në burg.
Nuk u diskutua për rrugët që Shqipëria do të merrte në të ardhmen?
Kujtoj se për Fatosin, një partner i fortë për ne ishte Greqia. Faktin që ne lidheshim përmes tokës me Greqinë, e shikonte si një mundësi të madhe për emigracionin. Ndërsa partneri ynë më i madh strategjik, sipas tij, do të ishte Gjermania me një potencial të konsiderueshëm financiar, disiplinë, traditë dhe interes të madh gjeopolitik. Opsioni i tretë dhe i fundit i Nanos ishte që partneri ynë më i afërt për të hyrë në Evropë është Italia, por të gjitha këto mbyllen në një çadër, dorëzën e së cilës e mbajnë Shtetet e Bashkuara.
Ju i keni shoqëruar edhe në kthimin e tyre. Udhëtuan sërish të tre?
Udhëtuam drejt aeroportit të Triestes bashkë me Nanon, Berishën, Meksin dhe Çokun. Përcollëm profesor Çokun, Berishën dhe Meksin, ndërsa me Nanon dolëm edhe 24 orë të tjera në ambientet shik të Triestes.
Fotot e këtij takimi ju nuk i keni publikuar më parë e po ashtu nuk keni reaguar ndaj komenteve për një takim komplot në Trieste. Pse?
Nuk kam qenë në Shqipëri kur është përgojuar për këto takime, nuk kam pasur rastin, ose askush nuk ka kërkuar të dijë se kush ka qenë aty, çfarë është bërë në të vërtetë. Janë thënë gjithnjë gjëra të turbullta. Për më tepër, në Itali, lajmet i merr vesh gjithnjë me vonesë dhe reagimi im do të ishte një gol pasi kishte mbaruar ndeshja. Gjithsesi, unë jam dëshmitar, isha aty dhe nuk ka ndodhur ndonjë marrëveshje e fshehtë apo sekrete. Fatet e Shqipërisë nuk zgjidhen përmes një dollie. Madje takime të tilla duhet të mbizotërojnë në politikën shqiptare. Unë këto ditë ndodhesha për një vizitë të shkurtër në Shqipëri dhe e kisha menduar publikimin e këtyre fotove. Kjo koincidoi edhe me përvjetorin e lëvizjes rinore. Unë i kam ruajtur dhe nuk i kam manipuluar asnjëherë këto fotografi, nuk i kam nxjerrë në internet. Madje, në periudha zgjedhjesh, persona që e dinë ekzistencën e tyre m‘i kanë kërkuar për t‘i nxjerrë e ndoshta edhe për të hedhur baltë mbi njërin apo tjetrin. Unë i kam ruajtur me një lloj fanatizmi.
Kush j'ua ka kërkuar fotografitë, njerëz të politikës?
Jo, njerëz të lidhur me shtypin. Nuk e di se kush mund të jetë pas tyre, por sigurisht që mund të përbënte një scoop që në momente zgjedhjesh, një forcë tjetër politike t‘i përdorte kundra këtyre dy palëve.
I ka njeri tjetër këto fotografi?
I kanë vetëm ata që janë në foto.
Keni mbajtur komunikim më pas me Nanon, Berishën dhe Meksin?
Jo, nuk kam mbajtur. Pavarësisht nga opinioni im personal se si e ka drejtuar njëri apo tjetri vendin, i quaj miqtë e mi. Nuk kam pasur komunikim edhe për mungesë mundësie, sepse jeta ka ecur me problemet e saj. Unë merrem me problemet e emigracionit në Itali, ata merren me problemet e shqiptarëve në Shqipëri.
Kush është Ylli Jasa?
Kam lindur më 1 korrik 1959 në Pragë, Çekosllovaki. Im atë, Naim Jasa, ka qenë diplomat profesionist i qeverisë shqiptare në atë periudhë. Pas një karriere 18 - 19-vjeçare si diplomat nëpër botë, në Çeki, Algjeri, Kinë, Kore etj., erdhi në Shqipëri. Si babi dhe nëna janë rritur në familje patriotësh. Dajat e mi që mbanin mbiemrin Kurti janë dëshmorë, ndërsa njeri xhaxha(Skënder Jasa) është ndër themeluesit e Debatikut. Kjo do të thotë që jemi të lidhur me historinë e këtij vendi. Unë kam ardhur në Shqipëri në moshën 7-vjeçare. Jam diplomuar në Fakultetin Ekonomik, dega Financë në vitin 1985. Në atë periudhë jam martuar me shoqen time të bankës, Najada. Për një periudhë kohe kam punuar si ekonomist revizor dhe më vonë si gazetar redaktor në Radion e Jashtme në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Më 28 korrik të vitit 1990 kam migruar në Itali bashkë me time shoqe, e cila ishte shtatzënë. Djali ynë ka lindur në Trieste. Vitet e para ishin një eksperiencë e dhimbshme, sepse fillova të përballem me një shtet të huaj, njoha si mikpritjen italiane, por edhe burokracinë e madhe të atij shteti. E para gjë që bëra ishte azhornimi me sistemin ligjor. Unë isha një kërkues azilant politik e për këtë m‘u desh të mësoja të interpretoja ligjet italiane që përcaktonin kriteret për të përfituar këtë status. Status, i cili m‘u njoh në 10 tetor të vitit 1990. Më parë, në shtator, kisha organizuar një konferencë shtypi ku fola për situatën në Shqipëri, një situatë dramatike, e cila akoma vazhdon të ketë pasoja. Ndonëse ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e disa shqiptarëve të tjerë, ata më braktisën duke pasur frikë për pasoja. Një nga aspektet kryesore se pse vazhdojnë të vuajnë shqiptarët është mungesa e kurajës, një frikë e përgjithshme që në pamje të parë duket abstrakte, por mund të jetë edhe shumë konkrete kur nuk ke ujë, drita, perspektivë dhe kur vuan një realitet që nuk është shumë i kthjellët. Ndërsa sot unë vazhdoj të merrem me zgjidhjen e problemeve të emigracionit në Itali.
Burimi :G. Shqip
No comments:
Post a Comment