Përsiatje pas kërkimit të dështuar të një pavioni shqiptar në Fiera Internazionale dell’Artigianato në Fierence.
Doja të shprehja një shqetësim si një student që ndodhet larg vendit nga ku është lindur, rritur dhe pjekur. Është viti i shtatë që jetoj e studioj në një nga qendrat e kulturës, artit dhe qytetarisë botërore, në qytetin e Firences në Itali.
Është e pashmangshme që t’i shpëtosh gjatë këtyre viteve skalitjes së jetës me kulturën e kësaj bote sa të re aq dhe të vjetër.
Ashtu si unë, janë të shumtë studentët shqiptarë që studiojnë në shumë qendra të botës, nga ku janë duke u formuar si profesionistë të ardhshëm. Jam larguar nga Shqipëria, sapo kam mbaruar shkollën e mesme dhe sapo më kanë quajtur të pjekur, me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar e studiuar në një botë të re, në një kulturë të re.
Jam larguar nga një vend, nga një vend që në atë moshë më thoshte veçse ik dhe vetëm ik. Sa hap e mbyll sytë jam gjendur në botën që aq shumë e kisha dëshiruar, të parë veçse nga largësia e televizionit.
Fillon një jetë e re, fytyra të reja, rregulla të reja, ndërtime të reja…. Çdo gjë ndryshe!
Vitet ndjekin dalëngadalë njeri-tjetrin pa u ndjerë. Malli për vendlindjen është kthyer në një kujtim, sepse tashmë rreth meje janë dhe dhjetëra studentë të tjerë.
Të gjithë përpiqemi me sa mundemi që me studimin, punën tonë dhe sjelljen të ndikojmë sadopak në të mirë të vendit tonë, edhe pse jemi larg.
Përpiqemi, që me anë të veprimtarive të ndryshme kulturore dhe shoqërore, si studentë të tregojmë dhe të shfaqim Shqipërinë e vërtetë. Atë Shqipëri që pak veta e njohin, të thyejmë mite që tashmë njihen nga cilido.
Por a mjaftojmë vetëm ne si studentë? Nga gjithë këto vite kam arritur në përfundimin se bota është e larmishme dhe në larminë e saj mirëpret dhe respekton shqiptarët e ndershëm, të punës dhe ata të kulturës. Ndoshta më shumë nga çfarë mund të mendohet.
Nga ana tjetër, është për t’u pikëlluar kur sheh se jo e njëjta gjë ndodh me shtetin shqiptar.
Mendoj se nuk ka shqiptar që mund të gjejë një shpjegim të arsyeshëm për këtë sjellje të çuditshme dhe arrogante të shtetit shqiptar.
Nga data 25 prill deri më 3 maj, këtu në Firence u mbajt veprimtaria “Mercato Internazionale dell’Artigianato”, në shqip “Tregu Ndërkombëtar i Artizanatit”.
Një ndër shumë veprimtaritë kulturore dhe artistike që mbahen çdo muaj në këtë qytet të kulturës, në kështjellën që ndodhet në zemër të qytetit. Të gjitha këto veprimtari vizitohen nga mijëra turistë nga e gjithë bota.
Bashkë me shumë miqtë të mi studentë isha dhe unë të shihja punën e duarartëve nga e mbarë bota. Kemi shëtitur për rreth katër orë më radhë në të gjithë pavjonet e mundshme. Kemi parë të gjithë botën aty. Kishte pavjone nga Amerika Latine, Afrika, Azia e largët, etj. Pothuajse të gjitha vendet e
Evropës. Një shumëllojshmëri punimesh nga më të bukurat dhe nga më të çuditshmet.
Më bëri shumë përshtypje që në pavijonin e Rusisë ndër të tjera kishte shumë stema dhe simbole ushtarake të një regjimi të rënë me kohë.
Po ne? Shqipëria apo Albania? Në çfarë pike të këtij planeti artizanësh ndodheshim?
Të gjithë e dimë se duarartët shqiptarë arrijnë të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ishim dhe nën legjendën që shpjegonte vendosjen e pavjoneve, por në vendin dhe numrin e caktuar gjendej pavjoni i një shteti tjetër!!! Jemi ndjerë shumë të trishtuar, gati të pikëlluar.
Kërkuam pareshtur se mos kishte ndodhur ndonjë gabim. Ishte e kotë! Shqipëria nuk merrte pjesë!!!
Pse vallë kështu? A jemi larg nga Firence dhe Italia? A mos vallë ne si shqiptarë nuk kemi art dhe artizanat për të paraqitur? Apo ndoshta nuk na kanë ftuar?! Këtë të fundit nuk e besoj. Pasi u informova, u bëra me dije se vitin e kaluar po në Firence, organizatorët i kishin dhënë Shqipërisë një hapësirë FALAS, që të paraqiste artin dhe kulturën e saj. Vendet e tjera duhet të paguajnë për këtë gjë! Edhe në këtë rast Shqipëria nuk kishte marrë pjesë, sepse pala shqiptare nuk e kish vënë ujin në zjarr, sepse ndoshta kishin kuptuar se nuk kishte përfitim vetjak për xhepat e burokratëve shqiptarë.
A mos vallë nuk kemi njerëz me aq kulturë në Ministrinë e Kulturës apo gjetkë, sa të dinë tëkuptojnë sesa vlera ka puna e shqiptarëve, sa kulturë të trashëguar ka Shqipëria dhe se si duhet të përfaqësohet Ajo në botë? Fjalët janë vetëm fjalë! Dy vjet ikën! Dy vjet rresht pa u përfaqësuarnë një nga qendrat botërore të artit dhe kulturës! Sikur vetëm shqiptarët të blinin në atë pavjon,do të kish qenë një arritje ekonomike, meqenëse në kohët e sotme bëhen përpjekje me çdo kusht që të bëhet paraja njësi matëse.
Fatkeqësisht vë re se dëshira e botës së qytetëruar për të na ndihmuar është më e madhe sesa vullneti ynë për të ndryshuar! Kjo është diçka që më pikëllon pa masë.
Lidhje : http://www.shqiptariiitali
No comments:
Post a Comment