Sunday, September 27, 2009

Mbledhja e Mukjes

Botohet për herë të parë procesverbali i Mbledhjes së Mukjes si dhe fotoja që ka fiksuar një nga momentet më historikë të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Si një nga ngjarjet më të errëta, së fundi ndriçohet nga një dokument autentik i nxjerrë nga Arkivat e Shtetit. Në të shkruhet gjithçka që kishte ndodhur në mbledhjen e 1 gushtit 1943 në fshatin Mukje të rrethit të Krujës, si dhe emrat e personave që morën pjesë në të.

Historiografia komuniste Mbledhjen e Mukjes jo vetëm që nuk e ndriçoi, por për gati 50 vjet në tekstet shkollore ajo e sulmoi si të ishte një tradhti kombëtare. Sot në përvjetorin e 64-t të kësaj mbledhje, ne mund ta quajmë me plot gojën se Mukja ishte një parlament pluralist në kohë lufte.

Dokumenti autentik

Procesverbali i Mbledhjes së Mukjes përmban një sërë vendimesh të ndërmarra në mbledhjen e Tapizës më 26 korrik 1943 i cili ishte edhe hapi i parë i bashkimit të dy forcave politike. Në këtë mbledhje njëkohësisht është vendosur edhe kryesia që do drejtonte mbledhjen. Kryetar i kësaj mbledhje u vendos me vota unanime, Thoma Orollogai i cili përfaqësonte Ballin Kombëtar, kurse sekretar i saj u zgjodh anëtari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, z. Mustafa Gjinishi. Në dokument tregohet edhe personi që hapi mbledhjen e rëndësishme historike. Ai ishte Hasan Dosti, një nga eksponentët më të rëndësishëm të Ballit Kombëtar. Mbledhja përbëhej nga 24 anëtarë dhe secila forcë politike përbëhej me nga 12 anëtarë. Në listën e 24 anëtarëve të bie në sy se të dy forcat politike ishin munduar që të përfaqësoheshin me figurat më të njohura dhe më me reputacion. Fronti Nacionalçirimtar nga ana e tij ishte i përbërë nga emra të dëgjuar si Myslim Peza, i cili ishte edhe njeriu që krijoi të parën çetë antifashiste, Abaz Kupi, një emër i njohur i rezistencës ndaj pushtuesit, si dhe nga Mustafa Gjinishi apo Ymer Dëshnica, të cilët ishin nga drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste.
Nga ana tjetër edhe përfaqësuesit e Ballit Kombëtar përfaqësoheshin nga disa prej personaliteteve më të larta të tyre si, Hasan Dosti, Mit'hat Frashëri, Hysni Lepenica etj.
Në procesverbalin e mbledhjes së Mukjes të bien në sy edhe 5 pikat kryesore për të cilat diskutuan anëtarët e dy kampeve.

*Të dy palët do të luftonin kundër pushtonjësit fashist dhe çdo armikut tjetër që mund të sulmonte tokën shqiptare.
*Të dy palët do të luftonin për një Shqipëri të pavarur dhe etnike. Forma e regjimit do të zgjidhej prej popullit, me vota të lira, pas çlirimit të vendit. Komiteti i përbashkët do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të shpërndahej porsa që të formohej një qeveri e përkohshme.

Fundi tragjik i një mbledhjeje

Por megjithatë "parlamenti i parë pluralist" pati një jetëgjatësi shumë të vogël. Vetëm pak ditë më vonë nga Mbledhja e Mukjes, Enver Hoxha do ta dënonte rëndë atë, duke e cilësuar si një gabim të madh dhe Fronti Nacionalçlirimtar nuk mund të bashkëpunonte me Ballin Kombëtar. Një muaj më pas, më 4 shtator 1943, në Labinot të rrethit të Elbasanit u mbajt Konferenca e Dytë e Komitetit Qendror të Lëvizjes Nacionalçlirimtare", në të cilën u mor një qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar. Gjithashtu Partia Komuniste e paditi Ballin Kombëtar si organizatë "fashiste" dhe "tradhtare". Por sulmit nuk i shpëtuan as anëtarët e Frontit Nacionalçlirimtar që morën pjesë në atë mbledhje historike. Ata do uleshin nga postet e tyre drejtuese dhe u kritikuan rëndë për marrëveshjen. Ndërkohë që një fat tragjik pati Mustafa Gjinishi, i cili ishte edhe një nga drejtuesit e Partisë Komuniste. Ish-drejtuesi i Partisë Komuniste u vra vetëm pak kohë më vonë në një mënyrë të mistershme.

Procesverbali i Mbledhjes së Mukjes

1 Gusht 1943


Sot, më datën 1 gusht 1943, u mbajt në katundin Mukje mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës së Ballit Kombëtar dhe të Organizatës Nacionalçlirimtare. Kryesia e mbledhjes, me vota unanime, iu ngarkua z.Thoma Orollogait dhe sekretaria, z. Mustafa Gjinishit. Bisedimet i hapi z. Hasan Dosti, delegat i Ballit Kombëtar, i cili deklaroi se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit Kombëtar, procesverbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar “ad referendum” prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme t’u bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritur.
Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e Nenit 2 të ndryshohet e të qëndrojë në këtë mënyrë.
  • Pika 1: Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator
  • Pika 2: Luftë për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalishit e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike.
  • Pika 3: Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: një Shqipëri të lirë indipendente demokratike popullore.
  • Pika 4: Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverie provizore.
  • Pika 5: Ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante të zgjedhur me sufrazh universal direkt.


Delegacionet

B.K. (Balli kombëtar)


1. Hasan Dosti
2. Mit’hat Frashëri
3. Thoma Orollai
4. Sk. Muço
5. Hysni Lepenica
6. Jusuf Luzaj
7. Kadri Cakrani
8. Major Rauf Fratari
9. Nexhat Peshkopija
10. Halil Meniku
11. Ismail Petrela
12. Vasil Andoni


K.P.N.C (Fronti Nacional-Çlirimtar)

1. N/kolonel Jahja Çaçi
2. Myslim Peza
3. Abaz Kupi
4. Ymer Dishnica
5. Mustafa Gjinishi
6. Omer Nishani
7. Sulo Bogdo
8. Shefqet Beja
9. Medar Shtylla
10. Stefan Plumbi
11. Haki Stërmilli
12. Gogo Nushi

Armand Jonuzi2007
Proçesverbali


Si do të ishte sot Shqipëria nëse kjo mbledhje nuk do të dështonte dhe shqiptarët nuk do të përçaheshin ? A duhet të rimarrë Mbledhja e Mukjes një konsideratë më të lartë, për tu rikujtuar si një datë e madhe e pluralizmit dhe e bashkimit shqiptar ?

No comments: