Hyrje
Lëvizja Studentore Shqiptare 1990-1991 (tani e mbrapa, LSSH) është njëra nga lëvizjet shoqërore më pak të njohura në historinë e vonshme shqiptare. Ani pse e ashtuquajtura klasë politike shqiptare dhe intelektualët janë rrekur ta paraqesin veten si pjesë të saj, apo afër saj, paradoksalisht e në mënyrë persistente, ato kanë ngulmuar në mohimin e ekzistencën e saj. Në analizat e qëndrimet e tyre, të cilave ju është dhënë shumë hapësirë në shtypin shqiptar, ato vazhdimisht janë përpjekë që ta deformojnë Lëvizjen në të gjitha aspektet: si kohëgjatësi, duke thënë se ishte vetëm një ose disa ditë, (8 dhjetori dhe jo një Lëvizje e shtrirë nga dhjetori deri në mars 1991) as; të përcaktojnë se kush ishin pjesëmarrës apo udhëheqës të saj duke ndarë dekorata qesharake dhe të pamerituara, (dhe nga pjesëmarrës e drejtues të kësaj Lëvizjeje edhe të papranuara); ta zvogëlojnë kontributin e saj në një demonstratë dhe të lënë mënjanë Grevën e Urisë dhe Rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës. Për më tepër ato kanë shkuar aq larg sa të shpikin mite krejtësisht të pabazuara, të cilat glorifikonin veten dhe shërbyesit e tyre. Por histeria nuk është historia dhe faktet janë shumë kryeforta. Ato duhen trajtuar një e nga një dhe me vëmendjen që meritojnë.
Në këtë shkrim të shkurtër do të analizoj vetëm fillimet e LSSH-së duke u përqendruar në njërin nga aktivitetet më të para të saj. Këtu do të ndalem në analizimin e përgatitjes, organizimit, të mesazhit dhe të domethënies politike të demonstratës studentore në sheshin "Skënderbe" me 9 dhjetor 1990. Kjo demonstratë, e para demonstratë e vërtetë dhe jo e heshtur me qëllime të mirëfillta e krejtësisht të qarta politike e mbajtur për gati 50 vjet në kryeqytetin shqiptar, shënon shndërrimin e masës studentore në Lëvizje shoqërore, si dhe, njëkohësisht, edhe fillimin e vërtetë të LSSH-së si lëvizje politike. Mesazhi, organizimi, mbështetja që pati e bëjnë këtë demonstratë një moment kthese në përpjekjet për të ndryshuar sistemin politik në Shqipëri. Po ashtu edhe kundërvënia e hapur e elitës sunduese, e një grupi të caktuar intelektualësh dhe studentësh të tjerë, pjesëtarë të Lëvizjes Studentore ndaj organizimit të kësaj demonstrate e bëjnë këtë veprimtari politike një pikë kritike në procesin e organizimit të studentëve universitarë të Tiranës dhe në rrugën drejt vendosjes së demokracisë në Shqipëri.
Si dhe pse regjimi u përqendrua tek studentët si faktori i fundit që mund të sillte ndryshimin e sistemit
Menjëherë pas takimit të dështuar me intelektualët komunistë të kryeqytetit të mbajtur më 12 gusht 1990, regjimi kishte filluar të konsideronte me seriozitetin e duhur mundësinë e përdorimit të studentëve universitarë në kryeqytet si një katalist për krijuar mbështetje për reformat politike që kishin ndërmend të zbatonin, jo pse donin, por se nuk kishin se çka të bënin tjetër. Në këtë zgjidhje, ato po e ndiqnin modelin çekosllovak të "revolucionit të kadifenjtë", por edhe i druheshin modelit rumun të trancizionit; në të dyja modelet studentët kishin qenë protagonistë, por ajo çka e kishte bërë ndryshimin kishin qenë intelektualët. Ajo çka i qetësonte ishte se shumë studentë që nuk e donin atë sistem kishin pasur mundësi të iknin me ambasadat dhe e vërteta është se shumë prej tyre kishin ikur. Pra, shumë prej studentëve që kishin mbetur, sipas mendimit të regjimit mund të dukeshin si besnikë të regjimit. Megjithatë, si masë shtesë sigurie, vepronte një sistem i shumëfishtë kontrolli, mbikëqyrjeje dhe mbledhje informacioni që ishte konsoliduar në kufij të skajshëm me caktimin e ish-instruktorëve të Komitetit Qendror të Rinisë në çdo konvikt dhe fakultet. Takimet masive me rininë universitare para fillimit të vitit të ri shkollor në të gjitha rrethet ku sekretarët e parë të partisë e të rinisë dhanë udhëzime e direktiva ishin një shenjë e qartë se rinia universitare shihej si një faktor i mundshëm në lojën politike. Regjimi po i vinte rrotull rinisë universitare pa e ditur se si mund ta "përdorte" më mirë, por duke e matur e peshuar me shumë kujdes.
Cka e bënte përfshirjen e rinisë në lojë të lakmueshme dhe njëkohësisht problematike ishte modeli "specifik" i pluralizmit të mendimit (që synonte mbajtjen e pushtetit në familje dhe në kastën politike) e njëkohësisht dështimi i regjimit për të krijuar atë lloj opozite që dëshironte, dhe e cila do ta luante lojën si duhej. Pasi kishin falimentuar në përpjekjet për t'u bërë të pranueshëm për fuqitë e huaja, pasi kishin dështuar në përpjekjet e tyre për të galvanizuar intelektualët (që vazhdimisht e treguan veten pa shtyllë kurrizore), shumë të pasigurt në lidhje me rolin e emigracionit shqiptar dhe pa pikën e vullnetit për të luajtur me kartën e nacionalizmit shqiptar (përveçse me shmangë vëmendjen e shqiptarëve në shtetin amë duke filluar trazime sa herë lëviznin shqiptarët në Kosovë), si dhe duke refuzuar çdo opozitë që nuk kontrollohej prej tyre (protestat ne Shkodër e Kavajë) regjimi dhe elita politike përfundoi me studentët si një faktor i kontrollueshëm që mund të sillte "pluralizmin e mendimit", por jo pluralizmin e vërtetë e të mirëfilltë politik, çka është edhe parimi bazë i funksionimit të çdo demokracie të vërtetë.
Plani i tyre afatgjatë, i hartuar me shumë kujdes dhe i modifikuar gjatë Gushtit e deri në fund të Shtatorit 1990, veçanërisht pas vizitës së dështuar të Ramiz Alisë në SHBA, parashihte që me drejtim të kujdesshëm studentët do të ngriheshin në protesta të kontrolluara nga levat e partisë. Studentët do t'i kërkonin Alisë pikërisht atë lloj pluralizmi të organizatave e shoqatave (thuajse i njëjti model i majit 1990 i propozuar nga Alia në Plenumin e KQ të PPSH-së dhe i ricikluar nga Sali Berisha në takimin e Alisë me intelektualët komuniste të kryeqytetit), sepse intelektualët e shquar edhe pse kishin bredhur botën perëndimore kishin deklaruar se nuk e dinin se çfarë ishte pluralizmi politik. Më pastaj, plani parashihte që të njëjtët intelektualë "duetet" e "trojkat" e kryeqytetit - të cilët ishin lejuar të botonin mendimet e tyre të cekëta dhe të përgjithshme në gazetat më të rëndësishme të partisë ose të jepnin intervista në Zërin e Amerikës, por që kishin sprovuar veten të ishin njerëz pa pikën e karakterit dhe të manipulueshëm - ma së pari se nuk e pranuan me e marrë përgjegjësinë historike në takimin me Ramiz Alinë - do të dilnin në krye të organizatave e shoqatave pluraliste. Studentët do të shkonin në klasat e tyre dhe transformimi i pamundimshëm do ta shndërronte regjimin nga totalitar në demokratik, komunistët do të bëheshin kapitalistë, dhe shteti shqiptar do të mbetej ajo pronë feudale e kastës sunduese, siç kishte qenë edhe në vitet e fundit pas vdekjes së Enver Hoxhës. Do të kishte qenë shumë më e lehtë po qe se intelektualët do të kishin gjetur një mënyrë të organizoheshin në të vetën. Por asnjë organizatë e tillë nuk u krijua prej tyre përpara se studentët t'ia shkulnin pluralizmin politik presidentit Ramiz Alia. Për më tepër, për disa javë shumë të rëndësishme të tranzicionit drejt demokracisë, e vetmja forcë e organizuar e opozitës do të ishte Lëvizja Studentore Shqiptare.
Disa hapa të logjikshëm u morën në mënyrë që të krijohej si atmosfera ashtu edhe vullneti politik tek studentët për të kërkuar ndryshime politike. Makina e fuqishme e shtetit u vu në lëvizje. Zhurmat po shpërndaheshin me shumë kujdes dhe gradualisht e gjithe elita e kryeqytetit i kthyen sytë nga Qyteti Studenti, dhe pas disa takimeve të organizuara me kujdes, edhe nga Instituti i Lartë Bujqësor në Kamëz. Kjo po ndodhte pothuajse një muaj përpara se të fillonte rebelimi i pritur e i paralajmëruar i mbas-ditës së çlirimit të vendit. Që edhe ky rebelim do të përkonte me zgjedhjet politike në Serbi ishte më shumë se një koincidencë. Në parapërgatitje, nga mesi i Nëntorit, kryeministri, një enverist i tërbuar por i letuar, u takua me shumë studentë, vecanërisht me një grup të zgjedhur nga Fakulteti i Inxhinierisë. Shkëmbimi i hapur i mendimeve e bëri të qartë se kërkesat e studentëve ishin shumë të paqarta dhe konfuze. Studentët që folën në atë takim shpesh nuk e dinin se çfarë donin. Por askush nuk ngriti kërkesa politike të mirëfillta. Në vazhdim, kushtet e jetesës në Qytetin Studenti po përkeqësoheshin me fiat administrativ e institucional; nuk kishte drita, nuk kishte ujë të nxehtë, dhe ushqimi po bëhej vazhdimisht e më i keq. Dritat filluan të priteshin nga 1 Dhjetori por jo më parë. Po të donte regjimi i kishte të gjitha rezervat ushqimore dhe energjinë në mes të dimrit të mbante studentët të kënaqur. Por dukej se askush nuk kishte dëshirë të bënte një gjë të tillë. Në tre katër ditët që vijuan zhurma e parrulla të hedhura nga studentët u 'injoruan' qëllimisht dhe kuptohet studentët morën zemër.
Më 7 dhe 8 Dhjetor, procesi mori një rrugë tjetër. Së bashku me shumë shokë të mi të Godinës 6 ne synuam t'i ngrimin studentet naten e 7 dhjetorit. Por nuk gjetem shumë mbështetje dhe u detyruam te largoheshim. Zhurmat e thashethemet e besueshme tregonin se e shtuna e 8 Dhjetorit do të ishte nata kur do të fillonte rebelimi i paralajmëruar. Perpjekja e ime dhe e disa te tjereve, pak ma te informuar se shumica, me i dalë përpara, dështoi. Dhe me të vërtetë, loja po vazhdonte saktësisht ashtu si ishte parashikuar dhe kallzuar në konviktet, në rrugët, e në kafenetë e Tiranës. Më 8 Dhjetor kryeministri erdhi edhe një herë që të takohej me studentët së bashku me një shpurë të madhe, natyrisht jo për të zgjidhur problemet e ujit të ngrohtë dhe të dritave - se për atë punë i dilte një telefon centrali - por për t'i dhënë rëndësinë e duhur këtyre 'shqetësimeve serioze' që natyrisht mund t'i zgjidhte edhe Drejtori i Qytetit Studenti përmes lidhjeve të tij në KQ të PPSH. Përshtypja u krijua që të dukej se regjimi do të ishte i hapur për diskutime. Nënteksti që nuk mund të mos kuptohej ishte se nuk do të kishte 'ndëshkime' dhe se studentët mund të flisnin si edhe kishin folur e hedhur parrulla në terr për disa ditë me rradhë para se të vinte kryeministri. Po të bërtitej pak më shumë, edhe mund të vinte vetë Ramiz Alia. Drita kishte por dikujt iu tha që të shkëpuste qarkun kështu që disa konvikte mbetën pa drita. Disa të tjerëve ju tha që të dilnin të demonstronin dhe ndërkohë, të tjerët do të prisnin me durim për to para konvikteve të tyre. Këto individë që punonin për sistemin numëroheshin me gishtat e dorës; shumica e studentëve ishin të sinqertë dhe po demonstronin se e donin ndryshimin e sistemit. Të tjerë donin drita për provimet e ushqim më të mirë. Gjithsesi u krijua një masë e elektrizuar që mund të drejtohej edhe për mire por që u drejtua në rrugë.
Nuk duhet harruar se ishte e shtunë dhe shumë studentë kishin shkuar në qytetet e tyre; për më tepër ishte sezon provimesh dhe numri i studentëve ishte vetëm sa një e treta e masës normale, dhe kuptohet shumë më e lehtë për t'u kontrolluar e mbikqyrur. Megjithatë studentët që dolën në demonstratën e 8 Dhjetorit ishin pak dhe nuk e dinin se çfarë kërkonin. Në takim me Presidentin Alia ato kërkuan kushte më të mira, por ky nuk ishte qëllimi i regjimit. Kështu që regjimi vendosi që do të ishte më mirë t'i kthente pas në mënyrë që rradhët e tyre të shtoheshin paksa dhe të kontrolloheshin më mirë. Megjithëse policia nuk i lejonte qytetarët të ngjiteshin në Qytetin Studenti, shumë pak qytetarë të Tiranës e morën rrugën vetë për t'u bashkuar me studentët. Pika kyçe këtu është se studentët atë natë nuk e dinin se çfarë të kërkonin. Ato u takuan në mes të natës për një orë me presidentin Ramiz Alia por nuk kishin as edhe një kërkesë të mirëfilltë politike për t'i parashtruar. Për më tepër ato ishin kaq të nënshtruar dhe me respekt karshi tij sa që Alia e ndjeu të nevojshme të jepte urdhërat që të rriheshin mirë në mënyrë që fitonin ndërgjegjësimin e nevojshëm politik por jo me shume se duhej. Qëllimi ishte, natyrisht që t'i shtynte studentët që të fillonin të mendonin ndryshe, inlektualët të fitonin kohë, dhe që mekanizmat të viheshin në punë si duhet. Pra, udhëheqja më e lartë e partisë, e cila çuditërisht kishte ndenjur zgjuar gjithë natën, e dinte se studentët ishin konfuzë dhe nuk dinin se çka donin - si u tha më lart, disa me ne krye Azem Kajdarin ishin takuar me Alinë dhe nuk kishin thënë ndonjë gjë interesante, në fakt asgjë me u mbajt mend - dhe prandaj 'duetet' e 'trojkat e intelektualëve që e kishin krijuar emrin e tyre si 'disidentë' në pesë muajt e fundit u vunë në punë dhe u dërguan që t'i udhëheqnin dhe t'i mësonin që të bënin 'çka duhej' dhe çka ishte më e mira për partinë, socializmin, dhe kastën sunduese. Gjithashtu, shumë kujdes u tregua për të kultivuar disa njerëz të besueshëm si udhëheqës të studentëve. Në fakt, zgjedhjet ishin bërë me kohë se kush do të ishin 'liderët' e studentëve dhe kjo ishte krejtësisht në rrjedhën normale të gjërave. Disa pedagogë të rinj filluan të përziheshin por shumica qëndruan në konviktet e tyre të bindur se kjo ishte 'loja' për të cilën flitej tash një muaj. Në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë, Sali Berisha, i derguar aty prej Xhelil Gjonit dhe i shoqëruar nga një i punësuar në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste të Nexhmije Hoxhës, e njekohesisht sekretar i KQ te BRPSH, Besnik Mustafaj, u dërguan që të qëndronin mbrapa ndërtesës së tashme të Ambasadës të SHBA. Berisha duhej të merrte udheheqësinë e studentëve dhe të bëhej lideri intelektual për të cilin regjimi kishte kaq shumë nevojë. Jo vetëm që këto të dy nuk u arrestuan por ruheshin edhe me operativë civilë në distancë. Studentët filluan të përgatiten që të demonstronin edhe të nesërmen. Megjithatë policia nuk ndërhyri, një veprim i pajustifikueshëm për atë regjim dhe i paimagjinueshëm deri në atë kohë... që sigurisht e kishte një arsye. Në vijim, demonstrata e mëngjezit të 9 Dhjetorit ishte një përpjekje shumë e pastër e studentëve për të tërhequr vëmendjen - dhe shkaku i saj ishin thirrjet se disa dhjetra studentë ishin vrarë nga regjimi - por edhe ajo u kontrollua me shumë kujdes. Nëpërmjet mbikqyrjes të detajuar dhe të funksionimit gati perfekt të makinës shtetërore-policore regjimi dukej se po ja mbrrinte qëllimit që të krijonte një simbiozë midis intelektualëve pa disidencë dhe studentëve që nuk dinin se çfarë kërkonin në mënyrë që të krijohej pikërisht ajo lloj përgjigje për të cilën ato kishin nevojë; kërkesa për pluralizëm të organizatave dhe të shoqatave, 'pluralizëm i mendimit' më të cilin do të tentohej që t'i hidhej hi syve edhe Perëndimit dhe që do t'i shitej si pluralizëm i vërtetë. Plani i regjimit po realizohej pikë për pikë.
Paradoksi ishte se regjimi nuk donte që të kishte një lëvizje studentore; megjithatë, eksperiencat e përbashkëta dhe përballja reale me regjimin krijuan një ndjesi shumë të fortë solidariteti që po shërbenin si një themel i vërtetë për një lëvizje të konsoliduar shoqërore. Si gjithnjë, elita sunduese kishte dashur një masë studentore që do të udhëhiqej nga kohorta e intelektualëve të tyre dhe të zgjedhur prej tyre, që, aspak habitshëm, ishin dhe mbetën anëtarë të Partisë së Punës deri në Janar 1991.
Megjithatë, më një shpejtësi të pabesueshme, studentët ishin në rrugën e transformimit në një lëvizje shoqërore, e para e këtij lloji gjatë 45 viteve të sundimit komunist në Shqipëri. Shumica dërmuese e studentëve që morën pjesë në këto ngjarje ishin jashtëzakonisht të sinqertë dhe po ashtu thellësisht të fyer nga trajtimi që ju kishte bërë policia dhe forcat speciale, trajtim i cili, më duhet të them, ishte mjaft i përmbajtur. Mbas atij momenti, jeta e tyre u ndërrua një herë e përgjithmonë; ajo ditë përcaktoi se çka prisnin ato nga jeta dhe me kë do të ishin të lidhur në veprimtarinë e tyre. Urrejtja për regjimin që i kishte rrahur, si dhe mundësia e një vale dënimesh u bënë vatra e solidaritetit në rritje dhe elementi themelor i sistemit të vlerave dhe të besimit të tyre që ishte i shndërruar një herë e përgjithmonë ani pse studentët nuk ishin transformuar në një lëvizje shoqërore të mirëfilltë.
Masë Studentore apo Lëvizje Shoqërore?
Më sipër kam theksuar se studentët po transformoheshin në një lëvizje por që ende nuk ishin transformuar në një lëvizje shoqërore të mirëfilltë. Deri në pasditen e 9 dhjetorit ato ishin një masë studentore të pakënaqur por edhe pa struktura të konsoliduara e qëllime të qarta. Në të gjitha demonstratat nuk kishte kundërvënie të mirëfilltë të regjimit, struktura të udhëheqjes e me radhë. Por ky problem sqarohet kur analizohet koncepti i lëvizjes shoqërore. Lëvizja shoqërore ka në thelb katër karakteristika të ndërlidhura:
a - mospajtimin kolektiv të individualëve;
b - të cilët kanë qëllime të përbashkëta;
c - që veprojnë në solidaritet me njëri tjetrin në një kontekst të caktuar shoqëror;
d - që janë në bashkëveprim të vazhdueshëm me elitat, më kundërshtarët e regjimit dhe me autoritetet e shtetit.
Në fillim, masa studentore nuk i kishte këto karakteristika të lëvizjes. Ato ishin një masë individësh që kishin përvoja, shpresa, qëllime dhe kërkesa shumë të ndryshme nga njëri tjetri shpesh edhe të papajtueshme në mes tyre. E vetmja gjë që i lidhte atë masë studentore ishte identifikimi me opozitën karshi sistemit ekzistues. Studentët nga rrethet nuk e donin regjimin, ashtu si edhe studentët nga kryeqyteti por arsyet ishin krejtësisht të ndryshme. Studentët kishin filluar të vepronin në solidaritet me njëri tjetrin, por ato nuk kishin qëllime të qarta politike dhe nuk bashkëvepronin në mënyrë sistematike me elitat, kundërshtarët e regjimit dhe më autoritetet partiako-shtetërore. Çka i bën këto probleme akute është fakti se të dy këto elemente kërkojnë një ideologji të qartë dhe një platformë politike, e cila të përcaktojë qëllimet dhe mënyrat për t'i arritur ato.
Mbi të gjitha, këto dy elemente kërkojnë një udhëheqësi të qartë. Nuk ka një lëvizje, e cila nuk ka një udhëheqësi të qartë që i mbështet veprimet e saj në një sistem koherent vlerash. Studentët që u takuan me Alinë natën e 8 dhjetorit nuk e dinin se çka donin, ata nuk dinin as çka donin edhe në takimin me Alinë të 11 dhjetorit 1990. Nevoja për këtë drejtim që vetëm bartësit e një sistemi koherent vlerash mund ta japin u pa qartë gjatë procesit të shpërthimit revolucionar dhe të radikalizimit të studentëve dhe të situatës. Situatat revolucionare janë revolucionare pikërisht për shkak të ndryshimeve radikale në sistemin e vlerave të individëve që marrin pjesë në këto evenimente, të identifikimit të përbashkët me një sistem besimi dhe të rolit shumë të ndjeshëm që luajnë udhëheqësit si në përmbushjen e qëllimeve të masës ashtu edhe në influencimin dhe formësimin e tyre. Megjithatë, testi i përhershëm i veprimit është pajtueshmëria e veprimeve me vlerat themelore të masës.
Fillimi i përplasjes të sistemeve të vlerave dhe transformimi i masës në lëvizje
Në këtë kontekst duhet thënë se mekanizmat e sistemit kishin nënvlerësuar disa elemente shumë të rëndësishme; së pari ato kishin nënvlerësuar thellësinë e lidhjeve personale, familjare, kulturore e rajonale si dhe miqësitë e bazuara në besimin reciprok të cilat nuk mund të kontrolloheshin prej regjimit por që edhe në të njëjtën kohë kishin ekzistuar paralel me të. Së dyti, ato nënvlerësuan rëndësinë e sistemeve të tjera të vlerave shumë prej studentëve përqafuan sisteme të gatshme vlerash dhe këtu dallohen ideologjia e gatshme e nacionalizmit shqiptar si dhe sistemi i vlerave të kundërta të regjimit, nemesis e tij, sistemi kapitalist. Studentët kishin nevojë për një qëllim dhe për një mision. Për të pasur një mision ato duhej të kishin një sistem të patundshëm vlerash dhe modele se si duhej të silleshin. Pothuajse menjëherë mbas demonstratës së 8 dhjetorit, e si ndodh gjithmonë, në mënyrë thuajse të pavetëdijshme por thelbësisht racionale, ato ishin vënë në kërkim të atij sistemi e të modelit. Kristalizimi i tre sistemeve të ndryshme dhe të papajtueshme të vlerave ishte jo vetëm i dallueshëm në çka studentët kërkonin por ai kishte filluar të polarizonte dhe masën e studentëve. Këto tre ideologji ishin bazuar pikërisht në prezencën e tre platformave të ndryshme politike të mbështetura në ideologjinë e klasës sunduese, në vlerat e nacionalizmit shqiptar të Rilindjes Kombëtare, dhe në ideologjinë e sistemit kapitalist, që në mendësinë e tyre ishte e identifikueshme me tregun e lirë dhe më konsumerizmin europiano-perëndimor.
Këto tre sisteme vlerash dhe individët që i propagandonin ato sisteme po luftonin që të fitonin besimin e studentëve. Çka e bënte gjendjen më të komplikuar ishte se këto sisteme vlerash nuk janë në thelb të papajtueshme. Studentët që vazhdonin të besonin se sistemi mund të reformohej besonin shumë se Alia do të bëhej 'Reformatori i Madh' dhe se ndryshimi do të ishte në të mirë të të gjithëve me demokratizimin e mëtejshëm të sistemit. Grupi i dytë, synonte ndryshime, të cilat do të ishin radikale në ekonomi, në hapjen karshi botës dhe në vendosjen e një sistemi demokratik. Grupi i tretë kërkonte të ndryshonte sistemin në një sistem demokratik, por jo se "duhej të shkonim tek Europa" por, sepse "ishte në natyrën e shqiptarëve" që të ishin një popull i lirë dhe demokratik. Si në çdo periudhë tranzicioni, kombi është forma e organizmit shoqëror që është natyrshëm e mbështetur në do të vërteta që janë të qarta dhe të lidhura me të nga përkufizimi si drejtësia shoqërore, barazia dhe vëllazëria. Disa studentë i mbështetën veprimet e tyre në vlerat themelore të nacionalizmit shqiptar, disa të tjerë i pranuan ato si të natyrshme dhe të tjerët po ndiqnin modele të cilat i njihnin. Përgjegjësia historike filloj që të ndjehej edhe në debatet e proceset e vendimmarrjes. Përplasja midis intelektualëve "pragmatikë" dhe të mençur, të studentëve që i mbështesnin dhe të elitave komuniste nga njëra anë dhe të studentëve që gjykonin çdo veprim se sa mirë i shërbente kombit të tyre në anën tjetër u bë shumë intensive dhe e papajtueshme. Paaftësia e elitave sunduese për të kontrolluar studentët nëpërmjet "dueteve" dhe "trojkave" të zgjedhura me kujdes u pa qartë në pasditen e 9 dhjetorit. Kjo përplasje do të çonte në mbylljen e universitetit dhe në bashkëfajësinë e tyre në fitoren e regjimit që çoi në ngufatjen e Lëvizjes Studentore në mars 1991. Ia vlen që këto kontradiktat dhe sistem vlerash të ilustrohen me një argument nga ndodhitë e asaj kohe.
Demonstrata e 9 dhjetorit 1990 në sheshin "Skënderbe" dhe polarizimi i studentëve.
Pasi regjimi ia kishte arritur që t'i përmbante studentët në dy demonstratat e tyre të njëpasnjëshme të mbrëmjes së 8 dhjetorit e të paradites së 9 dhjetorit, studentët po radikalizoheshin me shumë shpejtësi. Ndërsa qytetarët e kryeqytetit ishin të dhënë pas ndeshjes së futbollit që do të luhej vetëm disa qindra metra nga "Qyteti Studenti" (rreth 20,000 vetë shkuan në stadium) studentët ishin duke rrahur mendime se çka duhej bërë tash e tutje. Si u tha edhe më parë, studentët po organizoheshin në tre grupe që po kristalizoheshin me të shpejtë dhe po konsolidoheshin rreth tre ideologjive të ndryshme, të cilat edhe sugjeronin tre rrugë të ndryshme për tu ndjekur. Studentët që nuk mund të konceptonin politikën përjashta reformimit të regjimit ekzistues filluan të shkoqiteshin e të binin në anët e masës studentore dhe të adoptonin një pozicion më esëll, "prit e të shohim se çka do ndodhë." Të dy grupet e tjera ishin për veprim, por një pjesë e madhe e studentëve ishin nën influencën e Azem Hajdarit dhe të disa pjesëmarrësve të tjerë në "demonstratën" e 8 dhjetorit. Nën influencën e qartë të Berishës dhe të Besnik Mustafajt, Hajdari e kishte të formësuar planin i cili parashihte që studentët do të protestonin vetëm brenda kufijve të "Qytetit Studenti", ekzaktësisht çka, e pikë së pari, regjimi donte të arrinte. Ia vlen të theksohet se deri në atë pikë, por as atëherë, Hajdari dhe grupi i tij nuk kishin bërë asnjë kërkesë politike për be.
Grupi tjetër me radikal dhe më luftarak i studentëve, ende jo fort i konsoliduar, por mjaft i strukturuar dhe i lidhur me një qëllim të qartë donte ta çonte demonstratën tek populli i Tiranës, ta transformonte atë në një lëvizje të të gjithë popullit dhe të kërkonte demokraci e pluralizëm. Pjesë e këtij grupi kam qenë edhe unë edhe shokët e shoqet e mia, Andi Baba, Ermal Hasani, Artan Pervaza, e shumë e shumë të tjerë që kërkoj ndjesë që nuk iu përmend emrin këtu. Arsyet e dhëna nga grupet e ndryshme për të justifikuar këto dy rrugë të ndryshme veprimi, si dhe individët që dolën si udhëheqës të dy grupeve tregonte qartë se studentët ishin po ashtu të ndarë. Me kthimin në "Qytetin Studenti" të këtij grupi që kishte organizuar edhe përpjekjen e 7 dhjetorit, situata u polarizua keqas. Nga ora 16:00 ishte krejtësisht e qartë se studentët ishin të polarizuar dhe se kishin pikëpamje krejtësisht të ndryshme se çka duhej bërë. Në njërën anë qëndronte Azem Hajdari dhe grupi i tij që argumentonte se studentët duhej të qëndronin në "Qytetin Studenti" dhe të përqendroheshin në kërkesat e tyre (ujë, drita, ushqim më të mirë dhe refrenin "Shoku Ramiz, ju lutemi të arrestoni ato policët na kanë rrahur padrejtësisht"). Në thelb të kësaj pozite qëndronte izolimi i studentëve nga populli i Tiranës dhe këto ishin të vendosur që ta shmangnin këtë rrugë të shkrirjes së studentëve me popullin me çdo kusht. Çfarë përfitimi do të kishte regjimi po të lejonte popullin dhe studentët që të përziheshin bashkë? Regjimi rrezikonte të humbte shumëçka po të ndodhte një gjë e tillë. Studentët mund të përmbaheshin, por jo edhe populli i Tiranës. Jo rastësisht ato kishin pritur me shumë durim sezonin e provimeve kur vetëm, e më pak se gjysma, e studentëve rrinin në konvikte.
Në anën tjetër ishin studentët që ngulmonin që demonstrata duhej të çohej tek populli i Tiranës. Qëllimi ishte që të arrihej transformimi i sistemit nga një sistem totalitar në një sistem demokratik, dhe këtë nuk mund ta bënin studentët; këtë duhej ta bënin studentët bashkë me popullin. Probleme të tilla si uji, dritat dhe ushqimi më i mirë dukeshin krejtësisht të parëndësishme, dhe nga këndvështrimi i këtij grupi plotësisht të marra dhe të pakuptimta. Argumenti ishte se studentët nuk mund të fitonin pluralizmin për popullin po të rrinin ku ishin, të izoluar dhe duke kërkuar ujë të nxehtë. Studentët kërkuan një takim të përgjithshëm, por ora e takimit qëllimisht u shty shumë vonë në mbrëmje nga grupi i Hajdarit. Megjithatë, pavarësisht nga Hajdari dhe nga pjesa tjetër e të ashtuquajturve "udhëheqës", ndërsa shumica dërmuese e studentëve mbetën në "Qytetin Studenti", qindra studentë, shumë nga godina 6, por edhe nga godina e fakultete të tjera filluan të zbrisnin drejt qendrës së kryeqytetit. Vendimi ishte marrë që të zbrisnin në grupe të vegjël, pa ngjallur dyshim dhe duke përdorur të gjitha justifikimet si "po shkoj të pres motrën tek stacioni i trenit" dhe "më duhet të marr pyetjet e provimeve tek një shok". Shumë studentë mundën që të linin "Qytetin Studenti" në këtë mënyrë.
*Shinasi Rama eshte Doktor i Shkencave Politike, Professor i Asociuar Klinik, Drejtor i Programeve te Masters ne Departamentin e Politikes te Neë York University dhe Zv. Drejtor i Qendres Alexanher Hamilton per Ekonomine Politike.
Shinasi Rama, G. Shekulli
No comments:
Post a Comment