Prokuroria nis hetimet dhe dërgon eshtrat në Institutin e Mjekësisë Ligjore
Tiranë Pa u shuar ende jehona e skandalit të Boboshticës, Kisha Ortodokse përfshihet në një tjetër rast të dëmtimit të varreve në Shqipëri. Këtë herë, ngjarja transferohet në Kavajë, ku rikonstruksioni i kishës së Shën Premtes ka nxjerrë mbi sipërfaqe eshtra të një varreze të vjetër, duke regjistruar kështu një tjetër hetim të policisë dhe prokurorisë lokale.
Rasti në fjalë është mbajtur i fshehtë, jo vetëm nga strukturat shtetërore, por edhe nga vetë Kisha Autoqefale e Shqipërisë, përfaqësues të së cilës thanë dje se nuk ishin në dijeni për një ngjarje të tillë. Zyrtarisht konfirmohet se për këtë ngjarje, Prokuroria e Kavajës ka nisur një hetim penal, pas referimit të materialeve nga policia e këtij qyteti. Sipas të dhënave të policisë konfirmohet se në datën 28 nëntor të këtij viti, disa punëtorë që po rikonstruktonin Kishën e Shën Premtes në Kavajë, në territorin e saj kanë vënë re disa eshtra njerëzish, që dyshohet se i përkasin një varreze të vjetër. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, ku konstatoi eshtra të shpërndara, të cilat pas këqyrjes paraprake, i janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të analizohet koha e vdekjes dhe numri i saktë i eshtrave që dolën në sipërfaqe, gjatë punimeve për rikonstruksionin e Kishës Ortodokse të Shën Premtes.
Rikonstruksioni i Kishës konfirmohet edhe nga Kisha Autoqefale, e cila zyrtarisht tha dje se ishin njoftuar për punimet që po kryheshin në Kishën e Shën Premtes, por jo për rastin e zbulimit të eshtrave. Por zyrtarë të Prokurorisë së Kavajës konfirmuan se menjëherë pas konstatimit të skeleteve, policia ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe më pas materialet për këtë rast i janë përcjellë Prokurorisë së Kavajës.
Sipas këtyre të dhënave rezulton se eshtrat, që dyshohet se i përkasin një varreze të vjetër, kanë dalë në sipërfaqen e tokës pikërisht në kohën kur disa punëtorë po kryenin punimet për rikonstruksionin e Kishës.
Ky fakt është pohuar edhe nga vetë punëtorët, që janë marrë në pyetje nga policia, të cilët kanë mohuar që shkak i dëmtimit të varreve janë bërë punimet rreth kishës. Sipas tyre, synimi i punimeve ka qenë rikonstruksioni i Kishës dhe jo dëmtimi i varreve. Punëtorët kanë deklaruar në polici se eshtrat kanë dalë në sipërfaqe për shkaqe natyrale, që kanë të bëjnë me rrëshqitjen e tokës. Por këto pretendime pritet të verifikohen nga grupi hetimor, i ngritur posaçërisht për këtë çështje në Prokurorinë e Kavajës.
Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, mësohet se për çështjen në fjalë, që po hetohet me objekt “dëmtimin e varreve”, ende nuk ka një vendim.
Shkak është bërë mungesa e raportit mjeko-ligjor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili aktualisht është duke ekzaminuar eshtrat e gjetura në territorin e Kishës Ortodokse të Shën Premtes, gjatë kohës kur aty kryheshin punime. Po ashtu, organi i akuzës pritet të zbardhë se kujt i përkasin varrezat e dëmtuara dhe cili ka qenë shkaku i daljes së eshtrave në sipërfaqen e tokës. Të gjitha pikëpyetjet e ngritura për këtë çështje pritet të hetohen nga Prokuroria e Kavajës, pas marrjes së rezultateve nga Mjekësia Ligjore, për eshtrat e gjetura fare pranë Kishës së Shën Premtes.
Kisha Ortodokse: Jemi në dijeni vetëm për punimet
I kontaktuar nga gazeta “MAPO”, zëdhënësi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Thoma Dhima ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për dëmtimin e varrezave në fshatin Çetë të Kavajës. Megjithatë, ai bëri të ditur se ishte në dijeni të faktit se pranë Kishës së Shën Premtes do të kryheshin punime për rregullimin e saj. “Nuk jam në dijeni të një fakti të tillë dhe nuk di se çfarë t’u them. E vetmja gjë që di, është se përpara 1 muaji jam njoftuar se do të kryheshin disa punime pranë kësaj kishe, për rregullimin e saj”, – u shpreh Dhima në prononcimin e tij.
Mapo, Habjon Hasani
No comments:
Post a Comment