Pavarësisht se keni zënë në gojë emrin tim, mendoj se ka disa argumente kundër asaj që keni thënë duke shtrembëruar të vërtetën për futjen e Islamizmit.
- Së pari, Islamizmi z. Muhidin pa dyshim që ka ardhur me dhunë dhe këtë e tregojnë aq shumë fakte sa ai që i shtrembëron nuk mund të quhet studiues, sepse turqit erdhën me ushtri dhe luftuan jo vetëm kundër Gjergj Kastriotit Skenderbeut por gjatë gjithë kohës 450 vjeçare ata gjetën kundërshtim të hapur të shqiptarëve.
Fakt për këtë është se nga Shqipëria e asaj kohe ikën rreth 250 mije vetë gati 1/3 e Arbërisë dhe Epirit. Mendoni ju se ikën nga që e deshën Islamin?
- Së dyti, keni shkruar për Kristianizmin që erdhi nga perëndimi e jo nga lindja, gabohesh përsëri zotëri, nëse jeni studiues dhe së paku e keni lexuar Testamentin e ri, Shën Pali kaloi në Maqedoni dhe mbërriti në Durrës, nga ku dhe u përhap kristianizmi nëpër popull paqësisht dhe jo me dhunë.
- Së treti, keni shkruar ashtu si dhe pseudo-nacionalisti z. Sherif Delvina (1996, kritika e tij ndaj Librit Të Penduarit-apo Kombi Përballë Zotit) para shumë kohësh disa budallallëqe për mua sikur unë jam filo-grek. Përkundrazi i Nderuari Muhidin Ahmeti, unë jam po aq filo-grek sa je dhe ti filo-serb, megjithatë të pasqyrosh të vërtetën nuk do të thotë që je me atë që janë faktet, ndryshe nuk do të ishim studiues. Unë jam një nacionalist-liberal dhe mendoj se prishja e binomit FE+ATDHE ka shkaktuar ndarjen e Shqipërisë, mungesën e stabilitetit të saj që pas shpalljes së pavarësisë e deri tani, dhe një mungesë nacionalizmi të theksuar modern dhe jo anakronik.
- Së katërti, ideja ime në parim për një rikonvertim në fenë e të parëve tanë- pra në të krishterë, nuk duhet të përkthehet nga ju dhe nga disa radikalistë islamistë sikur unë jam anti-islamik, por analiza e fakteve më rezulton se një popull i ndarë në fe: së pari nuk mund të jetë nacionalist si Serbia, Greqia, Franca Italia, qoftë dhe Turqia, së dyti nuk mund të krijojë qeveri stabile, sepse pa tjetër do të injorojë një komunitet dhe do të favorizojë tjetrin.
Kështu që unë mendoj se shqiptarët duhet të rikonvertohen në të ardhmen në fenë e krishtere-s'ka rëndësi katolik apo ortodoks apo më mirë ortodokse-uniate, me një rikonvertim i butë, pa përplasje, dhe në brezat e ardhshëm, por sot për sot ka rëndësi arsimimi i mirë i shqiptarëve.
- Së pesti, i nderuar Muhidin Ahmeti, unë e respektoj fenë islame dhe kam po aq shokë e miq aty sa dhe të krishterë, por kjo s'do të thotë që të mendoj ndryshe kur shoh idetë tuaja që thonë se islamizimi i shqiptarëve ruajti identitetin?!
Mendoj se është një justifikim i sofistikuar i predikuesve islamikë radikalistë si puna juaj që hidhni në pazar idetë e tilla të huazuara kushedi se ku në kuzhinat e ndonjë lindori.
Ja një shëmbull për të kundërtën; ju thoni që identiteti i shqiptarëve u ruajt nëpërmjet islamizimit të shqiptarëve të cilët mesa duket u islamizuan me ‘dëshirën e madhe për të ruajtur identitetin shqiptar’, apo jo?
Unë po ju them se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur fenë katolike në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë a do të guxonin vallë Rusia, Franca, Gjermania t'ja jepnin këtë krahinë Serbisë?
Apo në Jug, nëse shqiptarët e jugut do të kishin ruajtur fenë e krishterë ortodokse dhe me gjuhë shqipe të folur nëpër kisha si sot, a do të kishte mundur dot Greqia e Gjermania apo dhe Rusia t'ja jepnin këto toka Greqisë?
Kurrsesi jo, i Nderuar Muhidin Ahmeti. Katastrofa e Shqipërisë etnike filloi menjëherë pas humbjes së Turqisë në Mars 1878 nga Rusia, dhe me nënshkrimin në prani të Anglisë - të Traktatit të Shën Stefanit, ku papritur popullata e krishterë e Ballkanit fitonte lirinë dhe formonte shtetet e saj respektivisht (shih Traktatin e Shën Stefanit). Në këtë moment të gjithë drejtuesit, bejlerët dhe pashallarët shqiptarë ishin në krye të sanxhaqeve, Kasabave, dhe në shërbim të një Sulltani turk që humbi luftën por që i kishte mbushur këta batakçinj me grada dhe ofiqe, të cilat i keqpërdorën ndaj popujve sllavë e grekë, dhe popullsisë shqiptare të varfër të krishterë por dhe asaj myslimane shqiptare, duke shkaktuar një urrejtje të madhe ndaj këtyre turkoshakve sundonjës dhe tradhtarë.
Si mendoni ju, i nderuari Muhidin Ahmeti, për 200 vite këta bejlerë dhe pashallarë shqiptarë të konvertuar në turq e në shërbim të Sulltanit, që kishin shtypur popullsinë e krishterë sllave e greke ashtu dhe shqiptare, - do ti linte Europa në krye të pashallëqeve?
Jo mor mik. Krerët e pasur shqiptarë të Veriut dhe të Jugut u quajtën turq; po kështu u quajtën dhe bujkrobërit dhe popullsia shqiptare myslimane.
E pra ku është identiteti shqiptar, në një kohë që fqinjët na quanin turq?
A e kupton ç’marrëzi thua kur flet për identitetin shqiptar që na e paska ruajtur islamizmi?
Ata pësuan një goditje të dytë të rëndë nga shtetet e krishtera të sapo formuara. Këto shtete të reja të krishtera, fqinjët tanë, mezi pritën, por ua morën tokat, vranë e prenë, popullatën myslimane duke i quajtur ‘turq’ (dhe jo shqiptarë!), biles vranë dhe pashallarët e bejlerët shqiptarë.
Këtë katastrofë nuk e shpëtoi dot as Lidhja e vonuar Prizrenit në qershor 1878, sepse myslimanët e mbledhur javën e parë kërkuan nëpërmjet ‘Kahrarnamesë’, mosprekjen e tokave myslimane?!
Pastaj u kujtua z. Abdyl Frashëri pas 2 javësh kur mblodhi Lidhjen e II, dhe i dërgoi telegramin në Berlin, kongresi i të cilit sapo kishte mbaruar; megjithatë, Bismarku pasi kishte thënë frazën e famshme (e cila ju bie për shtat si mysliman i mirë që jeni, sepse helbete, harroni etninë që jeni shqiptar, por vini në plan të parë se jeni popull mysliman- gjë që nuk ju nderon si studiues- sepse etnia është nga fara dhe jo nga ara, apo jo?)
:.. Shqipëria është një nocion gjeografik...’ por pasi mori telegramin, kërkoi falje dhe tha: ‘nuk e dija që ka dhe shqiptarë të konvertuar në myslimanë (sepse i dinte turq- o i nderuari Muhidin- që thua se islamizmi ruajti identitetin shqiptar?!...).
Kjo humbje e Turqisë fundosi dhe Shqipërinë i Nderuar studiues, dhe ofendues i njerëzve që nuk i njeh. Shqipëria me tre fe -por me fenë islame të imponuar me dhunë në të cilën rreth 48% e shqiptarëve u konvertuan pas reformave të Tanzimatit pra, në shek e XIX (pasi pjesa tjetër ishte konvertuar gjithashtu me dhunë), u bë pre e fqinjëve dhe mollë sherri midis tyre por dhe midis shqiptarëve kryesisht myslimane sepse ishin ata që deshën dhe e kanë në dorë këtë vend ende (sepse komunitetet e tjera nuk janë respektuar në drejtimin e vendit) aq sa duhet).
Sot nuk është islamizmi problem, por është problem mentaliteti lindor shqiptar i cili ka lënë pasoja të rënda si ne mungesën e stabilitetit politik ashtu dhe në mosbesimin e Europës ndaj nesh, sepse sheh një rigjallërim të fesë islame në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, dhe kjo përben problem sepse rigjallërimi nuk është intrinsek por ekstrinsek duke patur rrezikshmërinë e radikalizmit.
Kuptojeni z. Muhidin Ahmeti, një vend si Kosova që çlirohet nga NATO dhe SHBA, sfidon fshehurazi me rritjen e armiqësisë ndaj tyre. A nuk është ky një problem?
Jepeni ju përgjigjen se përse, prandaj jemi të shqetësuar, - jo për komunitetin e nderuar dhe të respektuar mysliman me të cilin kemi qenë dhe jemi vëllezër, por janë radikalistët e fshehur që përpiqen të futin djallëzi, duke etiketuar me epitete si grek njeri e sllavo-komunist tjetri apo djaj, duke harruar se janë ata faqezinjtë e Shqipërisë.
E ku na dolën këto nacionalistë të thekur sot mor z. Muhidin Ahmeti të cilët deri dje ishin ateistë e që dogjën kisha e xhamia, e këndonin për internacionalizmin proletar, por sot 'për një lugë çorbë të prishur që gëlltitin', harrojnë etninë shqiptare, por thonë se jemi popull msyliman, jemi Atdhetare, por fshehurazi thonë se Skënderbeu ishte tradhtar ashtu si thotë Olsi Jazexhiu nga Malajzia, që ka bërë një histori ndryshe të Shqipërisë në të cilën Ballaban Pasha qenka Hero?!
Po ashtu siç i tha pa pikë turpi edhe Erdogani në 2005- Fatos Nanos, thonë që kemi flamurin kombëtar shqiptar dhe nxjerrin përpara këtë flamur të nderuar me simbole të krishtera por fshehurazi 'duan babën', thonë se duam integrimin, por fshehurazi shohin nga lindja- Arabia- që po sjell një fe që nuk ishte deri në 1990.
Po si mund të shkojmë në BE, të integrohemi, të kemi punë, të ndihmohemi nga SHBA dhe NATO, të ruajmë dhe të respektojmë të drejtat e njeriut, të kemi stabilitet, kur kemi 98 vjet që nuk na ecën puna, vetëm përpiqemi, dhe kur një njeri si puna ime thotë se ka dhe alternativa të tjera që të shpëtojmë- i turreni duke i thënë se je grek, armik i fesë islame, etj, etj,?
Nëse jeni, i nderuari Muhidin Ahmeti një shqiptar i vërtetë si unë por me fe ndryshe (s'ka gjë), nëse jeni studiues, me arsim të lartë, që keni dëshirë të integrohemi në BE, që jeni për një Shqipëri të bashkuar shpirtërisht, mendoj se duhet të diskutoni ndryshe. Nuk ju nderon aspak që bëni analiza jo si një studiues por si dikush që i japin para për të sharë të tjerët.
Nëse e keni parë filmin shqiptar 'Koncert në vitin 1936', atëhere mund të kujtoni se 1/2 e shqiptarëve është si beu Nure, i cili paguante jevgat për të kënduar e për ti prishur ahengun të tjerëve. Priftipirro@hotmail.com
Nga Pirro PRIFTI, G. Sot
No comments:
Post a Comment