Nga Putin te Gedaffi, portretet e pacensuruara të aleatëve dhe armiqve
Për herë të parë, për fatin e keq të atyre që qeverisin në Uashington, jepen detaje të gjykimit që diplomacia amerikane ka për liderë dhe udhëheqës të ndryshëm të botës. Kjo bëhet përmes publikimit të një numri dokumentesh të mbledhura nga sajti “Wikileaks”, të cilat iu dhanë për botim disa prej gazetave më të mëdha amerikane.
Krerë shtetesh të vendeve aleate, aleatë afatgjatë dhe armiq numër një si Ahmadinexhadi dalin në revistë përmes këtyre dosjeve që përbëhen nga të dhënat e shërbimeve sekrete dhe materiale diplomatike, po sekrete. Është një kornizë impresionuese që tregon një anë të panjohur të shumë prej liderëve të botës, një anë e panjohur për publikun, por jo për diplomacinë amerikane që kërkon të jetë e informuar realisht dhe në hollësi mbi ata me të cilët ka të bëjë. Bëhet fjalë për një sfilatë vesesh, defektesh politike, strategjish, skeletesh në dollap pra me pak fjalë për një radiografi top sekret të shtetarëve që tashmë nuk është më top sekret.
Kështu, kemi dokumente sipas të cilave e ngarkuara me punë pranë ambasadës amerikane në Romë i shkruan Uashingtonit në lidhje me Kryeministrin italian, Berluskoni, në lidhje me “festat e gjata që organizon” dhe se pikërisht falë këtyre festave ai është “fizikisht dhe mendërisht” i paaftë.
Edhe pikërisht lajmi për festat e Berluskonit ka ngjallur shqetësim për diplomacinë amerikane. Në dokumente flitet edhe për lidhjen tepër të ngushtë mes Putinit, Kryeministrit rus dhe Kryeministrit italian, një miqësi që konsiderohet si e bazuar te “dhuratat e çmuara”, “kontratat e majme energjetike” përmes një “ndërmjetësi-hije”.
Një rol ky që ka alarmuar shumë Shtetet e Bashkuara që nuk mund të tolerojnë lojën e dyfishtë nga një partner i përbashkët i NATO-s.
Madje, kjo grua është kaq e rëndësishme për Gedafin sa për të ai shpesh dërgon avionin personal për ta marrë kur i duhet për t’i qëndruar pranë gjatë ndërhyrjeve plastike në fytyrë. Një rast i tillë ishte ai para daljes në fjalimin e mbajtur në shtator në OKB.
Çdolloj dobësie personale e liderëve kalohet nëpër filtra dhe përbën një material të çmuar për të gjykuar dhe për të vendosur mënyrën e sjelljes së administratës amerikane përkundrejt liderëve të huaj. Gjykimet për Berluskonin janë veçanërisht të rrepta, por edhe të tjerët nuk mbeten më pas.
Ndërsa për Kancelaren gjermane, Merkel, jepet cilësimi “Teflon” që është edhe materiali që përdoret për tiganët në të cilën ushqimi nuk ngjitet. Ajo konsiderohet një Kancelare “këmbëngulëse kur ndodhet në vështirësi”, por edhe “shumë pak kreative”.
Me pak fjalë liderët europianë, nuk shihen me sy të mirë nga diplomacia amerikane, duke u nisur nga vlerësimet diplomatike. Më të hidhur amerikanët kanë qenë në lidhje me ministrin e Jashtëm gjerman, Westerwelle, i cili rezulton të jetë “antiamerikan dhe pak kompetent në detyrë”.
Ndërsa publikimet në lidhje me liderët e vendeve që Amerika i konsideron armiq janë të rëndësishme gjithashtu, sepse përmes tyre shfaqet një botë edhe më e rrezikshme, e vështirë për t’u drejtuar dhe mbushur me kërcënime.
Liderët e Kinës janë në fakt mandatorët e vërtetë të sulmit kundër “Google” dhe që nga viti 2002, sipas disa informacioneve të ambasadës amerikane në Pekin ka pasur një direktivë të drejtpërdrejtë dhe të koordinuar për sabotime informatike në dëm të qeverisë amerikane dhe të aleatëve të saj europianë.
Në teatrot më të nxehtë të Lindjes së Mesme dhe të Azisë Qendrore, palët e privilegjuara të Uashingtonit shfaqen si palë me besueshmëri të pakët, ose më keq akoma.
Për Kryeministrin hebre, Natanjahu, ka një gjykim pozitiv në dukje, por në fund jepet edhe mesazhi se ndër të tjera ai është një njeri që nuk i mban premtimet. Dhe të mendosh se ky është njeriu ndaj të cilit Obama ka mbështetur planin e tij për paqe në Lindjen e Mesme.
Por vetëm diplomacia ndoshta këtë herë nuk do të mjaftojë për qetësimin e ujërave. Në të ardhmen do të duhen rregulla të reja, mënyra të reja të shkëmbimit të informacionit.
G. Shqip
No comments:
Post a Comment