Parësia e Sionit, ose siç quhet ndryshe “Të vjetrit e Sionit”, janë përfshirë pothuajse në të gjitha teoritë e konspiracionit, duke u bërë shoqata më e njohur në mbarë botën së bashku me Grupin e Bildenbergut, për sa i përket influencës së shoqërive të caktuara në përcaktimin e fatit të mbarë botës.
“Ata kontrollojnë botën”, – shkruhet në të gjitha sajtet e internetit, kur flitet për Parësinë e Sionit.
Sioni, në fakt, është një mal shumë afër Jeruzalemit, ku mendohet të ketë filluar edhe grupi. Të parët e Sionit, pra pleqtë e moçëm izraelitë të Jeruzalemit, u mblodhën për herë të parë sipas teorisë së konspiracionit, në vitin 400, e më pas krijuan shoqërinë e tyre me qëllim për të sunduar ekonomikisht dhe politikisht botën.
Udhëheqësit
Udhëheqësit e Parësisë së Sionit njihen me emrin Mjeshtër i Madh, emër ky i përmendur për herë të parë nga ai që pretendoi të ishte mjeshtri i fundit i madh, Plantard, çka u vërtetua e pavërtetë.
Por megjithëse Plantard u vërtetua se nuk ka pasur asnjë lidhje me Parësinë e Sionit e në përgjithësi me asnjë shoqatë sekrete, deri më sot nuk është vërtetuar asnjëherë mosekzistenca e kësaj shoqate, duke tërhequr të gjithë njerëzit drejt misticizmit që ajo ofron.
Ndër udhëheqësit më të njohur nuk mungonin as Hygoi e as Da Vinçi, të dy këta artistë të periudhave të ndryshme, por me një tipar të njëjtë. Të dy kanë qenë kundër udhëheqjes politike dhe kishtare në vendet e tyre në periudhat kur jetuan, por të dy arritën jo vetëm të mbijetonin e të mos arrinin në gijotinë, për shkak të mosbindjes ndaj “përfaqësuesve të Zotit në tokë”, por arritën të përfitonin ekonomikisht dhe politikisht nga udhëheqja politike e fetare që sundonte Evropën.
Me këtë mënyrë, ata që kanë studiuar teorinë e konspiracionit në fjalë, kanë arritur në përfundimin se këta persona, sikurse edhe të gjithë të tjerët që mendohet se janë Mjeshtër të Mëdhenj të Parësisë së Sionit, kanë pasur interesa ekonomike dhe politike në vendet e tyre, çka i lejonte të shpreheshin “kundër vullnetit të Zotit”, siç konsideroheshin priftërinjtë dhe mbretërit, pa pasur rrezikun e jetës.
Rasti më tipik është i atij që njihet si Mjeshtëri i parë i Madh, Zhan Gisors, i cili në kohën kur Franca dhe Anglia ishte në luftë për Normandinë, ai arriti të bindte mbretërit e të dyja vendeve që të mbante ofiqet që kishte. Në këtë mënyrë ai mbeti lordi i plotfuqishëm për të dy kundërshtarët, duke treguar se ofroi shumë te të dy mbretërit, çka sipas historianëve tregon një rast të veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërmjet palëve ndërluftuese.
Dosjet sekrete
Në Bibliotekën Kombëtare të Parisit janë një sërë dokumentesh të cilat flasin për çështjen e Parësisë së Sionit, ndër të cilat edhe dosjet sekrete të Henri Labinosë. Në vitet 1960, pretendenti si Mjeshtër i Madh i Parësisë së Sionit, Plantard, në bazë të së cilave u shkruan një sërë librash, si edhe u publikuan një numër i konsiderueshëm dokumentarësh. Sekretet e Henri Labinosë janë një grupim dokumentesh që u bënë bazë e dy dokumentarëve të suksesshëm të BBC-së, të librit “Holy Blood Holy Grail” dhe të librit të famshëm tashmë të Den Broun “Kodi i Da Vinçit”.
Për më shumë, aty gjenden të listuar edhe të gjithë mjeshtrit e mëdhenj të Parësisë së Sionit që prej fundit të viteve 1100, ku ndër emrat më të famshëm janë Isak Njutoni, Leonardo da Vinçi, Viktor Hygoi dhe Sandro Botiçeli. Këto dosje kanë qenë në qendër të vëmendjes së njerëzve në mbarë botën dhe dokumentarët apo librat që u botuan në bazë të këtyre dorëshkrimeve kanë njohur sukses shumë të madh. Për këtë arsye, shumë njerëz vazhdojnë të mendojnë se Parësia e Sionit vazhdon të ekzistojë rregullisht, megjithëse diçka e tillë nuk mund të vërtetohet me dokumente historike.
Vërtetimi i teorisë së konspiracionit
Plantardi, pretendenti për të qenë Mjeshtri i fundit i Madh, pasi nuk ia arriti në mënyrën e ligjshme, siç thotë, filloi të sajonte trillime për ekzistencën e Parësisë së Sionit, me atë në krye, çka u vërtetua më vonë se qe thjesht një krijesë e fantazisë së tij.
Kundërshtimet
Gjithsesi, shumica e historianëve dhe studiuesve mendojnë se Parësia e Sionit është një grupim që nuk ka ekzistuar kurrë, por është krijuar nga fantazia e disa njerëzve për të arsyetuar influencat ekonomike që disa njerëz kanë në botë.
Historianët dhe studiuesit mendojnë se këto influenca janë individuale, që i kanë njerëzit me pushtet dhe nuk janë të grupuara në një strukturë të vetme siç është Parësia e Sionit. Në çastin që Plantard u vërtetua që thoshte gënjeshtra dhe kishte trilluar gjysmën e teorisë së Parësisë së Sionit, shumë prej historianëve vrapuan të thoshin se nuk ka ekzistuar kurrë një organizatë e tillë, mirëpo kjo u hodh poshtë nga Plantardi, i cili theksoi se ai i kishte shpikur historitë e shekullit të njëzetë, sepse nuk arriti të bëhej Mjeshtër i Madh, pasi nuk u pranua nga paraardhësi i tij.
Et in Arcadia ego...
Piktura e famshme “Et in Arcadia Ego” që do të thotë “Unë (jam) edhe në Arkadi” është mbajtur shumë herë në qendër të vëmendjes së teoricienëve konspirativë, të cilët theksojnë se ajo fsheh një mesazh për pasardhësit dhe anëtarët e Parësisë së Sionit. Problemi nuk qëndron në pikturën në vetvete, por në emrin e saj. Në latinisht është e detyrueshme të përdoret folja, çka do të thotë se titulli i pikturës do të duhet të ishte “Et sum un Arcadia Ego”, por diçka e tillë nuk dallohet në titullin e pikturës. Në këtë mënyrë, teoritë e konspiracionit e kanë shndërruar në anagramë këtë shprehje dhe pas kalkulimeve kanë arritur në përfundimin se ajo është anagramë e shprehjes “I Tego Arcana Dei”, që do të thotë “Unë mbaj të fshehtat e Zotit”. Kjo është edhe parulla që mendohet se është zyrtare në Parësinë e Sionit, ndaj piktura “Et in Arcadia Ego” mbahet gjithnjë si simboli i parësisë.
Mjeshtrit e Mëdhenj të Parësisë së Sionit
Zhan de Gisors (1188-1220)
Mari de Sen-Kler (1220-1266)
Guilliem de Gisors (1266-1307)
Eduard de Bar (1307-1336)
Zhan de Bar (1336-1351)
Zhan de Sen-Kler (1351-1366)
Blansh d'Evru (1366-1398)
Nikolas Flamel (1398-1418)
Rene d'Anju (1418-1480)
Joland de Bar (1480-1483)
Alesandro di Mariano Filipepi (Sandro Botiçeli) (1483-1510)
Leonardo da Vinçi (1510-1519)
Contabl de Burbon (Karli, Duka i Burbonit) (1519-1527)
Ferdinand de Gonzagu (1527-1575)
Lui de Nevers (1575-1595)
Robert Flud (1595-1637)
Johan Valentin Andrea (1637-1654)
Robert Boil (1654-1691)
Isak Njuton (1691-1727)
Karl Radklif (1727-1746)
Princ Sharl Alexander de Lorren (1746-1780)
Arkiduka Maksimilian Franci i Austrisë (1780-1801)
Sharl Nodier (1801-1844)
Viktor Hygo (1844-1885)
Klod Debusi (1885-1918)
Zhan Kokto (1918-1963)
No comments:
Post a Comment