Monday, November 1, 2010

Skandali i Boboshticës, - Konsulli grek të largohet nga Shqipëria

"Qeveria shqiptare duhet ta largojë këtë konsull nga Shqipëria".



Kjo është deklarata që bën historiani Sabri Godo për gazetën "Shekulli" lidhur me deklaratën e konsullit grek Teodor Ikonomu më datën 29 tetor, kur tha se Korça u çlirua më 21 nëntor 1940.


Duke i bashkëngjitur edhe ngjarjet më të fundit në Boboshticë, Godo tha se heshtja e qeverisë shqiptare është thjesht një qëndrim i gabuar dhe nuk bën gjë tjetër veçse nxit individë të tillë që të vijojnë të japin edhe deklarata të tjera të paqena.


Ditën e premte, më 29 tetor, në një pritje të organizuar me rastin e festës kombëtare të Greqisë ku ata përkujtojnë çlirimin nga Italia, konsulli grek në Korçë, në prani të shumë drejtuesve të lartë të qytetit juglindor deklaroi se "jam shumë i gëzuar për këtë festë të rëndësishme në jubileun e saj të 70-të. Gjithashtu jemi të gëzuar edhe për çlirimin e Korçës më 21 nëntor 1940".

Pavarësisht kësaj deklarate që e cilëson Korçën si pjesë të Greqisë, nga ana e qeverisë shqiptare apo përfaqësuesve të saj në këtë takim nuk pati asnjë reagim.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e dhunimit të varreve në Boboshticë ku u ndërtua një memorial kushtuar një ushtari grek të rënë 70 vjet më parë në luftën italo-greke. Në një prononcim për "Shekullin" për deklaratat e Ikonomus,

Godo u shpreh: "Duket që konsulli grek i cili ka dhënë këtë deklaratë hyn tek ata persona të cilët nuk i pranojnë kufijtë e sotëm grekë. Korça, ashtu si edhe Greqia, kanë qenë të okupuar nga Italia dhe Korça ka po atë datë çlirimi si e gjithë Shqipëria, që është viti 1944. Duket që ky konsull flet përçart. Është punë e ambasadës greke në Tiranë dhe e Ministrisë së Jashtme Greke që t'i japin mësime historie këtij konsulli".

Ndërsa për mosreagimin e shtetit shqiptar, Godo tha se në përgjithësi në këto raste shteti shqiptar preferon të heshtë, duke pretenduar se në këtë mënyrë mund t'i zbusë gjërat. "Por, në mendimin tim, ky është vetëm një qëndrim i gabuar", u shpreh ai duke vijuar se heshtja e qeverisë shqiptare nuk bën gjë tjetër veçse u jep zemër personave të tillë që zërin e tyre ta ngrenë më shumë.
"Kështu nesër ky konsull mund të dalë dhe të deklarojë se ka qenë ai që e ka çliruar Korçën apo edhe mund ta deklarojë Korçën pjesë të Greqisë", vijoi historiani, duke theksuar se heshtja aktuale bën shumë dëm. Lidhur me ngjarjen e Boboshticës ku u ngrit dhe një memorial kushtuar një ushtari të vdekur grek, duke dhunuar edhe varret e vendasve, Godo e cilësoi atë një turp, teksa lidhur me veprimet e konsullit grek bashkëngjitur dhe ngjarjet në këtë fshat ai tha se "qeveria shqiptare duhet të marrë masa dhe ta largojë këtë konsull nga Shqipëria".

Dje u dogjën kurorat me lule te vendosura ne Boboshtice gjate ceremonise per Festen e Çlirimit te Greqise. Ngjarja ndodhi ne mesdite, pak kohe pas mbylljes se ceremonise zyrtare ne varret 200 vjecare të Boboshtices.


Ceremonia eshte mbajtur gjate paradites në nderim te ushtareve grekë të rënë në luftën italo-greke në vitin 1940, ku Konsullata greke ne Korce, OMONIA dhe qindra vizitorë kanë mbërritur nga shteti grek me autobusë kanë zhvilluar homazhe dhe kanë vendosur kurora e buqeta me lule, pranë Memorialit, i ndërtuar në kujtim të një ushtari grek.


Pjese e ceremonise ishte edhe nje meshe në manastirin e Shën Mërise, brenda territorit të së ciles ndodhet edhe kjo varrezë. Homazhet zhvillohen pak ditë pas debateve për ceshtjen e zhvarrimeve në varrezat e Boboshticës për ngritjen e Memorialit për nderimin e ushtarëve grekë të vrarë në këtë zonë.


Konsullata greke dhe OMONIA kane bere denoncimin ne policine e Korçes, nderkohe qe kjo e fundit pohon se djegia e kurorave eshte bere nga persona te paidentifikuar.


Historiani i njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, reagon për skandalin e Boboshticës, teksa bën përgjegjës shtetin shqiptar që nuk reagon kur dhunohen të vdekurit, një vepër e rëndë penale e dënuar nga ligji shqiptar, por që dënohej edhe në Athinën e Lashtë.
Pas ngjarjeve të ditëve të fundit, Xhufi ka udhëtuar drejt juglindjes për t'u ndalur gjatë së shtunës në Boboshticë ku ka parë nga afër memorialin për ushtarët grekë, por dhe është takuar me banorë të këtij fshati të njohur. Skandali i dhunimit të varreve 200-vjeçare të Boboshticës ne Korçë, po merr përmasa të mëdha nga dita në ditë. Edhe pse komuna Drenovë, pjesë administrative e të cilës është fshati në fjalë, deklaroi se ndërtimi është i paligjshëm dhe se nuk kishte dijeni për autorët, ky institucion nuk ka marrë asnjë masë konkrete për shembjen e ndërtimit që nxori në sipërfaqe eshtrat e të vdekurve.


Historiani Pëllumb Xhufi e cilëson si skandal e madje dhe vepër të rëndë kriminale dhunimin e varrezës. Kjo histori, sipas ish-numrit dy të diplomacisë shqiptare është e njëjtë me Kosinën në Përmet dhe me të kanë lidhje si autoritetet greke, ashtu edhe ato të kishës në Shqipëri. Ai akuzon shtetin shqiptar se ka lënë të pambrojtura me ligj këto vende, pas një marrëveshjeje të fshehtë me shtetin grek. "Kjo që ka ndodhur së fundmi në Boboshticë, është një tentativë e dëshpëruar për t'i dhënë identitet të paqenë vijës imagjinare të Vorio-Epirit. Historia është shumë më e komplikuar nga sa shfaqet, pasi në të kanë ndërhyrë dhe klerikët e kishës në Shqipëri, por dhe heshtja e shtetit tonë është për t'u parë.

Dua të theksoj se ka një shkelje të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë për përdhosjen e varreve.
Ky është një krim shumë i rëndë që duhet ndëshkuar me ligj, krim që ndëshkohej po rëndë që në kohën e Athinës së lashtë, ligj që grekët e njohin shumë mirë dhe nuk duhet ta anashkalojnë kur bëhet fjalë për eshtrat e shqiptarëve",- ka theksuar gjatë të shtunës historiani Pëllub Xhufi nga Boboshtica, vetëm 6 kilometra larg Korçës. Xhufi i ka bërë thirrje prokurorisë të ndërhyjë me urgjencë për të zbardhur deri në fund këtë ngjarje të rëndë kriminale që, për habinë e të gjithëve, ka mbetur pa autor. Madje dhe vetë komuna Drenovë, në reagimin e saj bën të ditur se, ndonëse dënon aktin e përçudnimit të varreve të të vdekurve, nuk ka marrë asnjë vendim për prishjen e këtij objekti pa leje që është ngritur në rrethana krejt të paqarta nga persona të panjohur ndonëse në mes të ditës në një fshat të banuar me njerëz. Në Boboshticë disa javë më pare, është ndërtuar një memorial për ushtarët grekë të rënë në luftën italo-greke në vitin 1940. Ndonëse në këtë fshat ka rënë realisht një ushtar grek, eshtrat e të cilit nuk ndodhen më në këtë varrezë të vjetër gati dy shekullore, është ndërtuar memorali që ka dëmtuar të paktën 50 varre duke nxjerrë eshtrat në sipërfaqe.
*************

Konsulli grek: Korca eshte Greqi
"Korça është Greqi, qytetarët e saj janë çliruar nga ushtarët grekë 70 vjet më parë". Kjo është deklarata e bërë dje nga konsulli grek në qytetin e Korçës, në prani të zyrtarëve të shtetit shqiptar, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tij. Ata kanë qëndruar të ulur në vendet e tyre duke miratuar në heshtje këto deklarata provokuese nga ana e zyrtarit grek.


Në fjalën e tij, konsulli, e ka cilësuar çlirimin e qytetit juglindor të Shqipërisë nga fashizmi si të kryer në vitin 1940 në të njëjtin vit, të cilin Greqia e mban si vitin e çlirimit nga fashistët italianë. Deklarimet u bënë gjatë një takimi në qytetin e Korçës ku përkujtohet 70- vjetori i krijimit të organizatës greke OMONIA dhe çlirimi i Greqisë nga fashizmi.


Në takimin e zhvilluar me këtë rast ishin pjesëmarrës edhe pushtetarë dhe drejtues të administratës lokale, si prefekti i Qarkut të Korçës, Andrea Mano, kreu i Këshillit të Qarkut, kryetari i bashkisë së Korçës, si dhe funksionarë të tjerë të administratës lokale. Këta të fundit ishin të pranishëm në sallë me ftesë të organizatës lokale OMONIA, e cila kishte organizuar edhe një takim dhe kokteil me rastin e 70- vjetorit të krijimit të saj. Një deklaratë e tillë duket se është në përmasat e një incidenti diplomatik, por ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje nga funksionarët lokalë dhe prefekti i qarkut si i dërguari i qeverisë shqiptare në Korçë. Madje ky i fundit ndodhej në podiumin e takimit, në momentin e deklarimit të konsullit grek. Thuajse asnjë nga pushtetarët e pranishëm nuk foli gjatë deklaratës së guximshme të konsullit grek, ndërsa shumë persona me shtetësi shqiptare që ndodheshin në sallë braktisën takimin.


Të pranishëm në takim pohuan për Shekullin se konsulli grek Teodoris Ikonomus tha mes të tjerash: Dua të përshëndes gjithë popullin helen në qytetin e Korçës me rastin e 70- vjetorit të çlirimit nga fashizmi dhe me rastin e përvjetorit të krijimit të organizatës OMONIA. Deklarimi shkaktoi jo pak reagim tek pjesëmarrësit. Më tej përfaqësuesi i shtetit grek në qytetin e Korçës, vijoi fjalimin e tij: Dua të uroj veç festës së krijimit të OMONIAS dhe çlirimit të Greqisë edhe çlirimin e Korçës në vitin 1940 nga pushtuesit fashistë. Në këtë mënyrë konsulli grek Ikonomus, ka tentuar ta quajë çlirimin e qytetit të Korçës në të njëjtën kohë me Greqinë. Deklarimet e mësipërme, Ikonomus i dha ende pa përshëndetur as funksionarët e pushtetit lokal si përfaqësues të shtetit shqiptar, si dhe as përfaqësuesin e qeverisë në këtë qark.

Prefekti: Nuk dëgjova gjë se flitej greqisht
Prefekti i Korçës, Andrea Mano është një nga zyrtarët shtetërorë të pranishëm në mbledhjen e OMONIA-s ku konsulli grek e ka quajtur Korçën: Greqi. i kontaktuar dje nga "Shekulli", Mano pohoi se bëhej fjalë për një takim për 70-vjetorin e çlirimit të Greqisë nga fashizmi. Ai pranoi që ka qenë në takim, i ulur në podium, por tha se nuk e ka dëgjuar këtë pjesë pasi është folur greqisht. "Unë dëgjova përfaqësuesin e OMONIA-s por nuk dëgjova fjalën e konsullit grek. Ai foli greqisht dhe unë nuk e dëgjova",- deklaroi Mano. i pyetur nga "Shekulli" për prezencën apo jo të një përkthyesi në sallë, Mano tha se ndodhej një vajzë por që ai nuk e ka dëgjuar. "Ishte një vajzë që përkthente por mu duk sikur nuk përkthente mirë. Dëgjoja njerëz që qeshnin në sallë . Nuk di t'ju them më shumë në lidhje me këtë fakt që ju po më thoni", shpjegoi dje prefekti Andrea Mano.

Memoriali grek përçan Boboshticën
KORÇË- Pasaportat greke i kanë mbyllur gojën banorëve të Boboshticës, edhe pse po u dhunohen varret e të parëve. Mbi varrezën e vjetër po ndërtohet memoriali i një ushtari grek, i cili është vrarë në luftë me italianët 70 vjet më parë. Gjatë ndërtimit të memorialit kanë dalë në sipërfaqe eshtrat e 50 banorëve të Boboshticës të varrosur në këtë zonë por ato janë shortuar për t'i hapur vend përkujtimit të ushtarit grek. Ky memorial ka ndarë përgjysmë fshatin me afro 200 banorë. Një pjesë e banorëve kanë frikë të flasin për shkak se posedojnë pasaporta greke dhe trajtohen me pensione nga shteti fqinj, ndërkohë që të tjerët janë kundër këtij horrori që po ndodh me të parët e tyre. Madje në memorial nuk flitet për një ushtar të vetëm por për dhjetëra të tillë duke krijuar idenë se këta ushtarë kanë vdekur për të çliruar zonën e Korçës. Ata që duhet të flasin për këtë çështje, pasardhësit e të zhvarrosurve, e kanë gojën e mbyllur nga pensionet dhe pasaportat greke. Për këto përfitime personale ata kanë harruar edhe eshtrat e të parëve të tyre që ndodhen aty prej 200 vjetësh. 

Shekulli

No comments: