Friday, November 5, 2010

Intervistë me S.I (III)

Pra, mund të themi se ju keni njohuri të mjaftueshme për të bërë dallimet mes realitetit nga realiteti virtual. Çfarë ju ka bërë përshtypje nga realiteti virtual, cilat janë pikat e takimit me realitetin dhe diferencat mes tyre?
Po të dalësh të shohësh në ballkon, (është e njëjta fjalë me Ballkan) do shohësh një realitet monoton, ku njerëzit përgjithsisht duken të qetë, moskokëçarës, monotonë. Në virtualitet ka një dinamikë shumë më energjike. Njerëzit duke qëndruar pas një monitori, kanë mundësinë të shprehen më lirisht, por kjo mundësi ua lehtëson gjithashtu që të shfaqin dhe derdhin të gjithë mllefin që mbledhin në jetën reale. Në komunikimin virtual, kemi mundësi të lexohemi dhe të lexojmë edhe mijëra njerëz në ditë, ç'ka në jetën reale nuk është e imagjinueshme.

Në virtualitet lepuri kthehet ari, injoranti në pedagog.

Ajo që arrij të kuptoj përmes këtij komunikimi dhe që për mendimin tim përbën një situatë dramatike është drejtshkrimi i shqipes. Nga 1200 artikuj që kam postuar deri tani, një pjesë e mirë e tyre lidhet me shqipen. Nuk e kam fjalën për rregullat e drejtshkrimit, paçka se edhe këtë e kemi trajtuar, por për një të vërtetë të madhe të shqipes, me të cilët shqiptarët janë pak apo aspak të njohur. Për këtë do flasim më vonë, pasi drejtshkrimi i shqipes është një alarm më i madh dhe një problem shumë më i mprehtë.

Në diskutimin virtual, ne krijojmë ura komunikimi me njëri-tjetrit vetëm nëpërmjet shkrimit tonë. Një individ, dallohet lehtë nga terminologjia, pasuria dhe rrjedhshmëria e fjalëve që përdor për t'u shprehur. Me anë të këtij komunikimi ne depërtojmë drejt e në botën e njëri-tjetrit dhe më besoni që me aq sa njoh çdo ditë nga ky realitet, përfundimi është shumë tragjik.
Shqiptarët, në një përqindje rreth 80% nuk njohin alfabetin shqip, nuk dinë ende të shkruajnë gjuhën e tyre. Nuk njohin letërsinë shqipe, historinë shqiptare, figurat historike.
Në shkrimet e tyre gjejnë fjalë të shkruajtur saktë të të gjitha gjuhëve, veçse shqipen e gjen të çalë. Nuk u pëlqen më të flasin shqip, të mendojnë shqip, të jetojnë shqip. Gjithçka shqip le për të dëshiruar dhe gjithçka joshqiptare i josh.

Kjo injorancë e edukuar, i ka shndërruar në njerëz që dyshojnë për gjithçka dhe nuk besojnë në asgjë, ose në atë që e besojnë, t'a besojnë më verbërisht se njeriu i cili ia predikoi. Në realitet nuk vihen re kaq lehtë, por me atë që virtualiteti shfaq, e ardhmja lë fare pak për të dëshiruar.

Ju akuzojnë se ju shkruani nga selia rozë e Ps-së. Sa të vërteta janë këto?

Në këtë 1-2 vjet që postoj, kam shkruar rreth 80 analiza për të cilat falenderoj lexuesit që më kanë shtyrë. Ndër analizat e mia, shpesh theksi bie pikërisht mbi krijimin e shoqërisë civile, krijimin e ndërgjegjes qytetare, krijimin e ndërgjegjes kolektive rreth gjithçkaje që na takon bashkarisht, rizgjimin.

Çdo artikull që shkruhet kundra Qeverisë Shqiptare, e cila është e të gjithë shqiptarëve bashkë, të majtë, të djathtë, qendër apo majë, nga milituesit e Partisë në pushtet përkthehet si sulm ndaj tyre.

E kam theksuar disa herë që ekstremistët e të gjitha formave të shtypjes, nuk janë të mirëpritur, pasi do ndjehen gjithmonë të goditur nga kjo faqe. Sipas meje militantët partiakë, besimtarët fetarë që vetëm propogandojnë fenë, janë pikërisht një arsye e fortë pse kjo faqe u krijua.

Çdokush, ashtu si unë, ka të drejtë të krijojë bindjet e tij, por fakti se ne merremi më tepër me qeverinë dhe drejtimin e vendit, nuk do të thotë se jemi anëtarë të Partisë Socialiste. Shkurt, jemi shqiptarë dhe merremi pikërisht me atë ku varen drejtëpërdrejtë fatet tona. Jemi opozitë e çdo pozite, jemi pozitë e qytetarit dhe mbrojmë interesin e tij kundra çdo lloj tiranie, qeveritare apo e huaj qoftë.

Ju që nuk e kritikoni Qeverinë Shqiptare, nuk e doni më tepër se ata që e kritikojnë, por edhe nëse e doni e doni në formën më perverse, sepse i shërbeni shthurjes së saj. Kush është më i rrezikshëm, një qëndrim opozitar ndaj qeverisë, apo një qëndrim që i bën fresk qeverisë (lexo TVSH në kohën e monizmit dhe sot)?!

Ju të dashur militantë heshtni kur qeveria tentoi shitjen e ujërave detare të Jonit. Ne krijuam një peticion kundra marrëveshjes detare që pati jehonë edhe në shtyp, i cili nuk arriti më tepër se 3000 nënshkrime. http://www.gopetition.com/petition/31143.html

Dhjetra e qindra materiale kam postuar periodikisht për problemet që hasen në kryeqytetin shqiptar, sepse në qendër mbetet qytetari shqiptar, ashtu siç ndjehem edhe vetë. Por nuk e shoh të arsueshme ti bëjmë opozitë opozitës, për këtë mendon më shumë se ç'duhet Qeveria Shqiptare.

E njëjta gjë vlen me besimtarët fetarë, që ankohen pse postojmë më shpesh kritika ndaj fesë islame? Na akuzojnë si të krishterë, serbë, grekë, antishqiptarë etj etj marrina nga më të paimagjinueshmet. E njëjta gjë kur postojmë artikuj kundra një besimi tjetër.

Edhe ju të dashur besimtarë fetarë nuk e doni vërtetë besimin, ose e doni në mënyrën më të gabuar, sa heshtni para skandaleve më të tmerrshme që bien ndesh dhe shkelin të drejtat e njeriut. Ju e ujisni institucionet fetare me mjerim dhe ai mjerim sa vjen e bëhet më i dukshëm. (Për këtë do flas më gjatë njëherë tjetër)

Pra, arsyeja që godasim më shpesh njërin krah, nënkupton thjeshtë se tek ai krah shohim ekstremizëm më të madh dhe rrezik real për shoqërinë.


Pra, ju mbështesni Partinë Socialiste?

Qoftë e majta shqiptare, qoftë e djathta të vijë në pushtet, unë shoh se pushteti nuk i takon atyre. Pushteti i takon disa duarve të huaja që e kanë blerë politikën shqiptare. Kështu shqiptarët dhe veten e shoh jetim.

Mjafton të kujtojmë provokimet e hapura në Himarë, ngritjen e varreve të ushtarëve imagjinarë grekë, blerjen e njerëzve me viza greke, djegiet e flamurit shqiptar, hapjen e shkollave greke e serbe, krijimin e minoriteteve nga hiçi, dhe heshtjen stoike të shtetit shqiptar për të kuptuar se pasi ra sistemi komunist në Shqipëri, Shqipëria gradualisht nisi shitjen e saj, e cila është sot në fazat finale të proçesit të saj.

(Vazhdon) http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: