Pas votimit të raportit për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Europian, i cili e miratoi atë me 538 vota pro dhe 47 kundër, tashmë propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën pritet të miratohet në samitin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian në Bruksel.
Paraditen e sotme, rreth orës 10:00 zyrtarët e lartë të vendeve anëtare të BE-së do të japin "ok" përfundimtar çështjes së vizave për shqiptarët dhe boshnjakët. Heqja e vizave kërkon 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm. Megjithëse ka pasur vende skeptike si Franca dhe Holanda, në këtë samit nuk priten kundërshtime, pas janë marrë të gjitha garancitë se vendi ynë do të qëndrojë nën vëzhgim dhe nuk do të ketë përsëritje të rastit të Maqedonisë dhe Malit të Zi, qytetarët e të cilëve vërshuan për në vendet e BE-së.
Nën rregulla të forta shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht dhe pa viza në vendet e hapësirës Shengen. Diplomatë të Bashkimit Europian bëjnë të ditur për mediat ndërkombëtare se lëvizja e liria pritet të hyjë në fuqi pak përpara Krishtlindjeve dhe kjo mund të konsiderohet si një dhuratë e BE-së për festat e fundvitit. Lëvizja për në vendet e hapësirës Shengen do të duket të jenë sipas rregullave, në të kundërt do të ketë dënime individuale që mund të shkojë me pezullim deri në 5 vjet për të hyrë në vendet Shengen.
Çdo qytetar shqiptarë mund të qëndrojë në një vend të Bashkimit Europian 90 ditë nga 180. Nëse nuk zbatohen këto udhëzime atëherë do të hyjnë në fuqi sanksionet. Në rast se propozimi votohet pozitivisht, ashtu siç edhe pritet, atëherë vendimi për heqjen e vizave do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.
Propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën u bë më 27 maj nga Komisioni Europian. Ai erdhi si rezultat i një pune intensive 2-vjeçare në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave.
Sipas Komisionit Europian, Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë progres në përmirësimin e sigurisë së pasaportave forcimit të kontrollit të kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar. Zona Shengen përbëhet nga 28 vende europiane vendet e unionit me përjashtim të Britanisë dhe Irlandës dhe tre vende të tjera jo anëtare si Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Përpara marrjes së dritës jeshile për hyrjen në listën e vendeve që mund të qarkullojnë pa viza Shqipërisë iu vendosën tre kushte të rëndësishme. Së pari, zbatimi i plotë i marrëveshjeve ekzistuese për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm. Së dyti, është siguria e dokumenteve të identifikimit dhe së treti është bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar. Në raportin e fundit të raportuesve të Bashkimit Europian vlerësohet se të tria këto kushte janë plotësuar dhe vendit iu hapën dyert për t'u futur në procesin e liberalizimit të vizave.
Ja kriteret që duhet të plotësojnë qytetarët shqiptarë për të lëvizur në vendet e BE
Kushtet për të lëvizur pa viza
Një shtetas shqiptar nuk mund të qëndrojë në hapësirën Shengen më shumë se 90 ditë për 180 ditë kalendarike. Kjo do të thotë se për çdo shqiptar që duhet të lëvize jashtë vendit, duhet të ketë parasysh se nëse qëndron për 3 muaj në një vend të zonës Shengen, atëherë nga dita e hyrjes duhet të mbushen 6 muaj që të ketë mundësi të dalë përsëri.
Asnjë qytetar nuk ka të drejtë të punësohet.
Këto ditë mund të konsumohen të gjitha njëherësh, të hyhet ditën e parë dhe të dilet ditën e 90-të, ose mund të hyhet një numër të pakushtëzuar herësh, por po t'i mbledhësh të gjitha së bashku, nuk mund të kalojnë 90 ditë në 180 ditë kalendarike. Nëse personi do të qëndrojë në varësi të qëllimit, nëse ka një kontratë punësimi, ose nëse bën bashkim familjar, ose nëse bën pushime të gjata mbi 90 ditë në 180, ai duhet të marrë vizë në ambasadë përpara se të niset. Viza është e vetmja që konvertohet në leje qëndrimi. Asnjë mënyrë tjetër hyrje nuk ka për të qëndruar në mënyrë të ligjshme më shumë se 90 ditë. Në rast se një rregull i tillë shkelet, ashtu sikurse faji është individual, penaliteti është individual. Nëse dikush shkel rregullat e qëndrimit, ai përballet drejtpërdrejt si person me penalitet në varësi të shkeljes që ka bërë. Në çdo rast personi duhet të jetë patjetër i pajisur me një pasaportë biometrike. Ai mund të pyetet në kufi nëse ka mjete të mjaftueshme financiare, mund të pyetet për qëllimin e udhëtimit. Oficeri kufitar mund të kërkojë të shohë që personi ka apo nuk ka një sigurim shëndetësor, i cili mbulon shpenzimet në rast aksidentesh.
Nëse jeni i ftuar nga dikush si person fizik apo juridik, duhet të tregoni ftesën. Nëse nuk keni para të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet tuaja, atëherë duhet të tregoni se kush ju ka ftuar dhe që merr përsipër të gjithë qëndrimin tuaj. Një tjetër kujdes që duhet t'i kushtojnë shqiptarët në daljen e tyre jashtë vendit, duhet të jetë dhe shuma që duhet të kenë me vete, përveç sigurimit të fjetjes. Mbi shpenzimet për fjetur dhe në varësi të vendit, si rregull midis 50-70 euro në ditë quhen të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e tua ditore.
Nëse personi deklaron se do të rrijë dhjetë ditë, duhet të ketë përveç fjetjes dhe 500-700 euro. Mund të kesh kartë krediti, nuk duhet që të kesh patjetër para në dorë.
Shekulli
No comments:
Post a Comment