Tuesday, November 9, 2010

Sindromi serb i festimit të dështimeve

8 nëntori është një datë e anatemuar në historinë e Shqipërisë, pasi ka të bëjë me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, regjimi i së cilës izoloi Shqipërinë nga Evropa për 50 vite dhe la pasoja të rënda në mentalitetin e shoqërisë shqiptare për Perëndimin.

8 Nëntori i vitit 2010, 69 vjet pas themelimit të Partisë Komuniste shqiptare, në të vërtetë ndryshon historinë e kontaktit të shqiptarëve me Perëndimin, por duket se po ripërsërit si në një film bardhë e zi patetizmin e komunistëve, me të cilin u përpoqën të mbulonin izolimin real të Shqipërisë.

E vërteta e hidhur është se më 8 nëntor shqiptarët e thjeshtë, ata që ende nuk kanë pasur mundësi të lëvizin pa viza, do të lëvizin të lirë në Evropë, por atdheu i tyre, Shqipëria, do të refuzohet një ditë më pas, që të bëhet kandidate për familjen evropiane.

Nëse liberalizimi i vizave është një projekt evropian, për të cilin Shqipëria aplikoi bashkë me vendet e tjera të Ballkanit dhe i humbi të gjitha trenat, deri sa e ngarkuan me zor tek treni i fundit, projekti për integrimin e Shqipërisë në Evropë është një projekt shqiptar dhe një vendim strategjik i kombit shqiptar, për të cilin do të marrim lajmin e hidhur më 9 nëntor.
Pra, më 8 nëntor kanë të drejtë të gëzojnë qytetarët shqiptarë që ende nuk kanë viza dhe që për shkak të një politike vizionare të Bashkimit Evropian do të përfshihen në lëvizjen e lirë. Por bashkë me këtë lajm Bashkimi Evropian do të refuzojë projektin shqiptar për anëtarësim në BE, që është në të vërtetë strategjia jonë kombëtare, e dështuar prej qeverisë. Sali Berisha, i cili iku si i ndërkryer me një dosje nën sqetull në prill të vitit 2009 për të aplikuar në Pragë, me shpresë se do të gënjente shqiptarët para zgjedhjeve se po fuste vendin në Evropë, i bëri shumë dëm këtij vendi duke e ekspozuar atë si një vend të paaftë për të qenë vend perëndimor.

Së pari, duke aplikuar kundër këshillave të të gjithëve, atij iu desh të blinte shtrenjtë pranimin e aplikimit, duke nënshkruar me kryeministrin grek paktin për kufirin detar dhe më pas duke hyrë në pazare ordinere me presidentin francez, për blerje helikopterësh nga Franca, skandal që po hetohet nga qeveria amerikane. Berisha bëri ç'është e mundur ta paraqiste iniciativën e tij si historike dhe që do të pranohej nga Evropa dhe kështu do ta vlente kostoja e lartë me të cilën ai po bënte fushatë elektorale me aspiratën evropiane të shqiptarëve.
Gjithçka u shumëzua me zero. Shqipëria nuk do të jetë më 9 nëntor kandidate për anëtare në Bashkimin Evropian.
Shkaku është krimi, korrupsioni dhe kultura e konfliktit politik në Shqipëri. Kaq do të mjaftonte që çdo qeveri të jepte dorëheqje, pasi është një qeveri e refuzuar nga Bashkimi Evropian dhe është nën standardin e shteteve thuajse private si Mali i Zi.
Së dyti, dështimi i Shqipërisë për të qenë një vend kandidat për Bashkimin Evropian, po përpiqet të justifikohet nën zë nga politika zyrtare si zhvillim pozitiv, pasi sipas saj, një anëtarësim në BE do rriste shumë detyrime për qeverinë dhe qytetarët, dhe se ne nuk qenkemi gati për këtë. Po të flasësh këto ditë me zyrtarë të qeverisë apo njerëz të pushtetit, që nuk dinë si ta justifikojnë dështimin, ta paraqesin si zhvillim pozitiv faktin që sot s'jemi vend i BE, pasi detyrimet qenkan shumë të mëdha. Kjo në të vërtetë rrezaton mentalitetin real anti-perëndimor të qeverisë dhe shkakun pse ne sot jemi nga vendet e pakta në rajon që po refuzohemi nga Bashkimi Evropian.

Dhe së fundmi, është cinike që më 9 mars, ditën kur qeveria duhet të jap dorëheqje për refuzimin që i bën Bashkimi Evropian, ajo të festojë.
Ky është një karshillëk i rëndë ndaj Evropës, një veprim meskin, që do të rrisë perceptimin se ne jemi një vend primitiv, që po festojmë refuzimin që i bën Evropa qeverisë sonë, njësoj siç festojnë serbët betejat e humbura.
Dhe duket sikur u bëhet thirrje shqiptarëve të ikin një orë e më parë në Evropë, sapo të përfundokjë numërimi mbrapsht nga spotet e qeverisë, meqë Evropa nuk na pranoi si shtet, por vetëm si turistë.

Mero Baze, G. Shekulli 


No comments: