Friday, November 5, 2010

Intervistë me S.I (II)

Si lindi ideja e kësaj nisme?
Faqja u hap afro një vit e gjysëm më parë, duke gërmuar nëpër aplikimet e Fb-së. Puna që bëj prej afro 5 vitesh, ku paguhem mesatarisht mirë, më mban 8 orë të lidhur pas internetit. Eshtë një punë mekanike, që nuk ka asnjë pikë takimi me pasionet e mia, por e shfrytëzoj për të gërmuar në minierën e pafund të internetit.
Fillimisht jam aktivizuar në disa forume shqiptare, ku hasa për herë të parë botën shqiptare të virtualitetit. Ishte një botë e re plot kuriozitete, plot befasira, ku mund të kishe kontakt me të gjitha nivelet e ndryshme, të hasura në një odë të përbashkët, ku diskutohej nga çështjet më madhore dhe deri tek "chit-chatet" e adoloshentëve që çdo ambjent ku ka femra, e shohin si zonë gjyetie, ku banaliteti mban armën në dorë.
Mesa duket spikata ndër anëtarë dhe në dy prej forumeve më të mëdhaja shqiptare kam patur poste drejtuese e moderuese të diskutimeve.
Kështu, duke u ndeshur me këtë botë virtuale, që të përbashkët me realitetin ka zhgënjimin, mendova të krijoj një odë, ku anëtarët e saj të ishin të përzgjedhur dhe të diskutohej në formën e një ore mësimi të përbashkët, ku dëshira e të gjithëve të ishte nxënia, e cila bëhet më e thjeshtë kur njerëzit zotërojnë kulturën e debatit, ç'ka mbi të gjitha përkufizohet me respekt ndaj njëri-tjetrit dhe respektim të tematikave që diskutohen.

I lodhur dhe i zhgënjyer nga intelektualët dhe intelektdashësit që kishin pranuar t'i dorëzoheshin fatit të tyre, të cilin e diskutonin vetëm në rangun e kafeneve, vetëm si kuriozitet dhe mbytur në zhgënjim, mendova se mund të mblidheshim një e nga një bashkë me kalimin e kohës, për të formuar një grup kompakt, solidë në ide dhe qëllime, për të REAGUAR dhe dhënë kontribut real në shoqërinë shqiptare, aty ku 1000 sindikata ende ekzistojnë vetëm si emra.

Kjo ishte edhe arsyeja përse e titullova STOP INJORANCES!, pasi në vendin tonë injoranca ka marrë frenat e shoqërisë. Injoranca prodhon realitetin tonë të përditshëm që kaq dhimbshëm çdo ditë konsumojmë, ushqen venitjen tonë, përgjumjen. Akoma edhe më keq, kur janë edhe vetë institutet e shenjta arsimore që e prodhojnë dhe e infektojnë tek të gjitha brezat këtë injorancë, që sigurisht po na kushton e dominon. Pra është një çështje mbarëshqiptare, është revolucion mendimi, një revolucion që ka shekuj që thërret për ekzistencë, me një zë që sa vjen dhe i mbytet.

M.q.s jemi tek emri i faqes, përse keni zgjedhur të përfaqësoni një nismë kombëtare me emrin Stop Injorancës dhe jo psh. Ndal Paditurisë, Ndal Padijes, Pro Dijes etj. Me pak fjalë një emër tipik shqiptar?!

Kur kërkova të vendosja emrin e faqes, FB më sugjeroi si më të suksesshëm fjalën STOP, e cila përdoret gjerësisht në mbrojtje të kauzave të ndryshme në mbarë botën.


Nga ana tjetër fjala injorancë ka më tepër peshë se fjala padituri. Të paditur jemi të gjithë një fushë apo në disa, ndërsa injorant në shqip, i thuhet njerëve me padije të përgjithshme, apo dije të keqmësuar, me sjellje arrogante dhe me një mendësi sa sipërfaqësore edhe jo produktive.

Por gjithsesi, ky emër mbetet jo shqip?

E dua shqipen më tepër se shqiptarët sot, duke përfshirë këtu edhe veten. Nga dashuria për shqipen dhe hulumtimi rreth saj, kuptojmë se shumë nga fjalët mbarëkombëtare që rifuten tek shqipja, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i rikthehen gjuhës mëmë, pasi është shqipja ajo që i zbërthen dhe u jep kuptimin logjik edhe sot. Nëse do hyjmë t'a zbërthejmë fjalën Stop apo edhe fjalën injorancë, nuk është e vështirë të gjejmë rrënjët shqip të saj. Por duke mos u zgjatur këtu, për çdo patriot që lind kur debatojmë rreth lashtësisë e fisnikërisë së shqipes që të imponon respekt absolut, kemi shkruar tek fotoja e profilit emrin NDAL PADITURISE, pasi emri i faqes nuk ndryshohet dot më. Gjithashtu kemi krijuar një profil me emrin Ndal Paditurisë http://www.facebook.com/NdalPadijes ku anëtarët mund të kontaktojnë drejtëpërdrejtë me drejtuesin e faqes për sugjerime, ankesa e këshilla të ndryshme. Gjithashtu kemi vënë në dispozicion edhe postën elektronike stopinjorances@gmail.com për këtë qëllim, e cila shumë pak është kontaktuar.

Ndal Paditurisë, sikur ka edhe faqe të tjera me këtë emër..?!

Po, ka faqe të tjera, të hapura nga anëtarë të faqes tonë, anëtarë përgjithsisht problematikë, që kanë vështirësi në të përshtaturit në hapësira ku respektohen anëtarët dhe sigurisht edhe drejtuesi i faqes.
Kopjet asnjëherë nuk dalin më të arrira si origjinale. Maksimumi që mund të bëjnë është ngatërrimi dhe hamullia që krijojnë tek anëtarët, që në fund fare, sigurisht do t'i zhgënjejnë duke prishur kështu edhe imazhin e faqes tonë.

Ç'janë këto përjashtime? Ato që shpesh i lexojmë të quhen çensurë?

Kjo është qesharake. Nuk mund të quhet çensurë rregulli. Të tillë njerëz që çensurohen, janë po ata që pas pezullimit të përkohshëm rikthehen në faqen tonë duke e nxirë murin me të shara nga më të ultat. Kjo kategori njerëzish, nga e cila zor se shpëton dot, përqafohet e mbështet edhe nga anëtarët e tjerë.
Me aktivitetin që faqja Stop Injorancës ka, me 2-3 statuse në ditë, 3-4 artikuj nga më të përzgjedhurit, 1-2 foto për diskutim, nëse drejtuesi i faqes do shfaqte keqmenaxhim, asnjëherë nuk do mblidhte anëtarë, por vetëm do të dëbonte, me çdo përditësim.

Nëse një faqe lihet pa moderim, siç ka ndodhur, rruga e saj e vetme është degradimi dhe degjenerimi total. Ashtu si parazitët thajnë frutat ku kapen, ashtu edhe ky nivel rruge do të kthente shterp çdo mund e djersë të harxhuar.
Pra edhe njëherë. Faqja është publike, por nuk është pronë publike. Kujt nuk i pëlqen, nuk është i detyruar të qëndrojë, por nëse qëndron është i detyruar të zbatojë rregullat e shtëpisë.

(Vazhdon) http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: