CEZ, OST dhe KESH kanë kërkuar dje që të rritet me 10 deri në 12 për qind çmimi i energjisë elektrike për vitin 2011.
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur dje një seancë dëgjimore me përfaqësues të KESH, OST dhe CEZ, pas kërkesës që këta të fundit kanë bërë për rritjen e çmimit të energjisë. Kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta, deklaron se përfaqësuesit e këtyre kompanive kanë kërkuar rritjen e çmimit të energjisë deri në 12 për qind, ndërsa sqaron se “çmimi aktual mesatar i energjisë është 9.53 lekë për kë/orë dhe propozohet të rritet në 10.67 lekë për kë/orë”.
Kërkesa
Çmimi i energjisë elektrike mund të pësojë rritje. Gjithçka do të vendoset në datën 7 dhjetor kur dhe do të mblidhet bordi i Entit Rregullator të Energjisë. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Bujar Nepravishta deklaroi se kërkesat për rritjen e energjisë elektrike për vitin 2011 kanë ardhur në rritje. “Çmimi përfundimtar i propozuar nga CEZ për konsumatorët tariforë familjarë dhe jo familjarë mesatarisht është rreth 12%.
Vendimi do të merret nga Enti Rregullator brenda datës 7 dhjetor. Kjo është në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi” tha Nepravishta. Ato mësohet të jenë bërë nga kompania CEZ, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Këto të fundit kanë propozuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 10-12 %. Nga ana e saj kompania CEZ ka kërkuar që “rritja e çmimit të bëhet për investimet e larta, ndërsa shton se një pjesë e konsumatorëve nuk paguan, e të tjerë e vjedhin energjinë”.
Deklarata
Të treja kompanitë e mëdha të sistemit energjetik të vendit kanë kërkuar çmime më të larta në një seancë dëgjimore për tarifat të organizuar nga ERE. “Në propozimin fillestar të KESH, KESH.sha ka kërkuar një tarifë e cila fokusohet në dy skenarë të mundshëm të cilat kanë të bëjnë me mënyrën e shlyerjes së detyrimeve të vjetra të KESH, overdraftet që janë marrë në vitet 2007-2008 dhe konsistojnë përkatësisht në 3.97 lekë për kilovat/orë me hipotezën që këto detyrime do t’i shlyejnë në dy vitet e ardhshme. Në rastin tjetër, 5.31 lekë nëse shlyerja e tyre do bëhet gjatë vitit 2011 siç dhe janë aktualisht kontratat e këtyre linjave kredie me bankat e nivelit të dytë” tha drejtori ekonomik në KESH, Artur Kurti. “Duke ditur edhe sasinë e deklaruar më parë, sasinë që do të transmetojë energjia për vitin që vjen tarifa mesatare e kërkuar në bazë të këtyre shifrave rezulton të jetë 0.73 lekë për kilovat/orë” tha drejtoresha ekonomike në OST Sofie Xhepa.
“Në propozim tonë për tarifat ne parashikojmë një tarifë të vetme. Bazuar në përllogaritjet që kemi bërë propozimi ynë për tarifën është që në vitin 2011 ajo të bëhet 0.98 lekë më e lartë se tarifa aktuale” tha Josef Nemecek, drejtor ekonomik CEZ shpërndarje. Por pavarësisht çmimeve të kërkuara nga operatorët të cilat barten nga operatori i prodhimit tek CEZ për konsumatorët, çmimi mesatar kërkohet të rritet me 12 për qind. Kreu i Entit Rregullator Bujar Nepravisha tha se vendimi përfundimtar për çmimet e energjisë do të merret në javën e parë të muajit dhjetor. Kompanitë kanë kërkuar edhe heqjen e fashës së parë të tarifimit prej 300 kilovat/orë, por ky propozim ka gjasa të mos merret në konsideratë. Sipas një përllogaritjeje paraprake një faturë mesatare me harxhim mujor 500 kilovat/orë energji me vlerë 6 mijë lekë të reja me rritjen e kërkuar bëhet 6800 lekë.
Disa zona në Tiranë, dy ditë pa energji elektrike
Disa zona të kryeqytetit kanë vuajtur gjatë për dy ditë ndërprerje të energjisë elektrike. Kështu zona e 21 Dhjetorit, Tirana e Re, nuk janë furnizuar rregullisht, duke patur ndërprerje të energjisë që llogariteshin në disa orë, që shtriheshin gjatë paradites por dhe darkës. Sipas Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, shkak për këto ndërprerje është bërë defekti në linjën 220 kv të hidrocentralit të Komanit, Selitë-Elbasan. Ky defekt ka bërë që nënstacioni të punonte me 40 % të kapacitetit të tij e për rrjedhojë OSSH të bënte një shpërndarje të furnizimit me energji të disa zonave në Tiranë deri në riparimin e plotë të defektit. Ndërkaq edhe dje është raportuar për mungesë të energjisë në orët e para të paradites, ndërsa OST pranon të ketë një defekt për të cilin po punohet në zonën e Komunës së Parisit.
OST: Defekt në linjën Koman-Elbasan, shkak rrufetë
Operatori i Sistemit të Transmetimit bëri të ditur të enjten se furnizimi me energji elektrike për qytetarët gjatë do të jetë i plotë, pas riparimit të defektit në linjën Koman-Elbasan. Burime zyrtare të kësaj kompanie thanë se stakimet gjatë mbrëmjes së të mërkurës u kryen për shkak të shkarkimeve atmosferike në linjën e transmetimit që lidh Hidrocentralin e Komanit me nënstacionin 220 kv të Elbasanit. Sipas tyre, për shkak të zvogëlimit të kapacitetit transmetues në rrjetin e shpërndarjes, nënstacioni i Selitës punoi vetëm me 40 për qind të kapacitetit, duke sjellë edhe kufizime të detyruara të energjisë elektrike në Tiranë.
ZMK: Pretendimet për rritjen e çmimit të energjisë, absurde
Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ZMK, reagoi dje pas kërkesës zyrtare të KESH, OST dhe CEZ për rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë me 12 për qind në seancën dëgjimore të organizuar për këtë qëllim nga Enti Rregullator i Energjisë. Sipas ZMK, pretendimet e KESH-it për rritje të çmimit ishin absurde pasi vetë KESH pranoi pas pyetjeve të ZMK që situata hidroenergjetike është e shkëlqyer dhe se kjo kompani është në kapacitet maksimal si edhe në gjendje të shkëlqyer financiare, pasi është rritur shumë efiçenca e prodhimit të energjisë elektrike. ZMK ka vlerësuar ndërkaq, absurd edhe pretendimin e OST për rritje çmimi, ku u pranua qartë që situata ishte shumë e mirë, dhe sipas Altin Goxhajt, CEZ duhet të argumentojë se kush janë arsyet e pretendimeve për efiçencë në cilësinë e shpërndarjes së energjisë elektrike, kur dihet se situata kohët e fundit është përkeqësuar shumë. “Pretendimi i CEZ se tashmë faturat u shkojnë konsumatorëve shqiptare me zarf është i pamjaftueshëm pasi sipas ligjit duhet t’u shkojnë në shtëpi me zarf të mbyllur dhe jo t’u lihet nga personat e CEZ në katin e parë të pallatit dhe kushdo mund të kontrollojë faturën dhe të dhënat personale të komshiut”, citon më tej reagimi i ZMK-së. Ndërsa në lidhje me pretendimin e CEZ, ZMK pohon se tashmë konsumatorët mund të kontrollojnë matësit elektrikë, kjo është e pavërtetë plotësisht pasi shumica dërrmuese e konsumatorëve nuk kanë asnjë shans që të kontrollojnë sahatet e tyre.Duke përmendur edhe pretendimet e tjera të CEZ se janë ulur humbjet dhe është rritur arkëtimi nga pagesat e konsumatorëve, apo se janë eliminuar abuzimet dhe mashtrimet, ZMK i ka cilësuar si të pavend dhe të pamjaftueshme në aspektin logjik dhe juridik për të pretenduar një rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Avokati Altin Goxhaj u kujtoi gjithashtu përfaqësuesve të ERE që çdo rritje e çmimit do të konsiderohej një shpërdorim detyre për drejtuesit e ERE dhe për këtë arsye, ZMK do të bëjë kallëzim penal në prokurori.
Erion Habilaj, G. Tirana Observer
No comments:
Post a Comment