Monday, November 8, 2010

Thirrje antishqiptare për "Vorio-Epirin"

ATHINE- Rreth 200 të rinj të ashtuquajtur anëtarë të rinisë vorio-epirote, protestuan tre ditë më parë përpara ambasadës shqiptare në Athinë, duke kërkuar të "drejtat e mohuara të Epirit të Veriut" dhe duke hedhur slogane kundër qeverisë shqiptare.

Me parullat e tyre ata kërkonin drejtësi për Aristotel Gumën, dënimin maksimal për autorët e ngjarjes së Himarës, më 12 gusht të këtij viti, mbrojtjen e pronave të vorio-epirotëve dhe mbrojtje për grekët e Shqipërisë.
Protestuesit akuzuan qeverinë shqiptare se diskriminon minoritarët. "Në Shqipëri anëtarët e minoritetit pushohen nga puna vetëm sepse janë grekë, kurse pronat e tyre janë në duart e grabitësve qeveritarë", shkruante një nga pankartat që ata mbanin në duar.

Të rinjtë minoritarë i kërkuan qeverisë shqiptare të plotësojë kushtet për mbrojtjen e minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Ata kërkuan lejimin e tabelave në gjuhën greke në rrugët e Shqipërisë, të drejtën e shënimit të kombësisë dhe fesë në dokumentet e identifikimit, të drejtën e shkollave greqisht në gjithë jugun e Shqipërisë. Sipas organizatorëve të tubimit, në Shqipëri është mbjellë klima e frikës pas "vrasjes" së të riut nga Himara Aristotel Guma, në një aksident automobilistik, për të cilin janë para drejtësisë disa të rinj nga Vlora.
Protestuesit të mbledhur para ambasadës shqiptare në Athinë për shumë minuta mbajtën të bllokuar rrugën, duke hedhur parulla kundër autoriteteve shqiptare dhe duke kërkuar respektimin e të drejtave të "vorio-epirotëve" në Shqipëri. Presidenti i "Ne.V", shoqatës që mbron të drejtat e Epirit të Veriut, Theofanis Kaliviotis, lexoi një rezolutë që iu dërgua ambasadorit të Shqipërisë në Athinë si dhe kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe Presidentit të Republikës Bamir Topi. Për mëse 90 minuta protestuesit bllokuan rrugën "Kifissias" për ta mbyllur protestën me këndimin e himnit kombëtar grek.


Në paradën e festës Kombëtare të Greqisë, bashkë me koret raciste të ushtrisë greke kanë parakaluar edhe anëtarët të shoqatës "Vorio-Epiri". "Vorio-Epiri" është një shoqatë ekstremiste greke që ka pretendime territoriale, në jug të Shqipërisë prej shumë dekadash. Pak muaj më parë anëtarët e kësaj shoqate gjatë parakalimit për festën kombëtare të Greqisë, mbanin parullën "Epirin s'e falim", ndërkohë që mbajtën flamurin e shtetit të Vorio-Epirit, sipas pretendimit të tyre.
Po ashtu pjesëtarë të ushtrisë greke gjatë paradës lëshuan thirrje antishqiptare "Gjakun tënd do derdhim, more derr shqiptar" e të tjera deklarime skandaloze, që shkaktuan reagime të shumta në Shqipëri, por edhe në Greqi ku jetojnë prej vitesh rreth 1 milion shqiptarë. Thirrje të tilla nuk janë bërë vetëm në Athinë dhe qytete të tjera greke. Pas vrasjes aksidentale të të riut nga Himara, Aristotel Guma, rruga në Himarë u mbajt e bllokuar për një ditë dhe në krye të këtij akti antiligjor ishin emigrantë të rikthyer, të njohur si anëtarë të shoqatës greke SFEVA, që lufton për të ashtuquajturin Vorio-Epir.

GALERI FOTO: Protesta e ekstremisteve per Vorio Epirin Drejtuesi i Shoqates NEV, Theofanis Kaliviotis duke lexuar rezoluten kunder Shqiperise

Shekulli

No comments: