Tuesday, November 30, 2010

Muzikë, Maestro!

"Muzika nuk tradhëton, muzika është pikëmbërritja e udhëtimit. Muzika, është vetë udhëtimi." shkruan Giorgio Faletti tek "Io Uccido". Një DJ vrasës që lë indicie muzikore para vrasjeve të veta.

Mund t'i shpëtosh ata njerëz, po arrite ta zbërthesh muzikën.
Po tek ne, a prodhohet muzikë nga ajo që lë gjurmë, si tek "Io Uccido" të mund të përdoret qoftë edhe nga delikatesa e një vrasësi? Kam frikë se jo.

Testi i vërtetë për muzikën janë klubet ku këndohet live.
Dhe në live, këndohen këngët shqipe që vijnë deri në 98-n. Pas 98's, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, ka vetëm black out. Dhe live-in e mbizotëron "Margherita", himni ynë kombëtar! Vitet 1998-2010, vitet kur kemi prodhuar muzikë sa 300 vjet bashkë, janë vitet që nuk po lënë pas asgjë.
Kjo, sepse muzika vidhet, dhe sepse muzika ka nisur të shërbejë më tepër si një vitrinë prostitucioni artistik.
Edhe kantautori im i preferuar, me sa duket vjedh. Më afrohet para disa ditësh një mik dhe sikur të më jepte një lajm vakie, më tha pikërisht këtë. Kantautori im i parapëlqyer, vidhka muzikë. A ka ndonjë shans për të që të shpëtojë shpirtin?

ARTI VIDHET MË KOLLAJ SE SUFLAQET
Një hajdut banke që largohet me 4 milionë të vjetra, është super-lajm. Rri në faqet e para të gazetave me ditë e javë.
Një kompozitor që vjedh?! Për t'u gajasur! Ç'të keqe ka këtu? Vidhka muzikë? Po punë e madhe, sikur vodhi ndonjë bankë! Le që ky nuk është as i pari dhe nuk ka për të qenë as i fundit. E dimë të gjithë, dhe nuk na bëhet vonë.

Unë nuk e kam hallin edhe aq te hajdutët, sesa tek ata që vidhen.
Vjedhja e muzikës na pengon që të admirojmë autorët e vërtetë, qofshin këta bullgarë, turq, algjerianë apo francezë. Dhe më e keqja, vjedhja e muzikës nga disa e bën të pamundur mbijetesën për ca të tjerë. Fakti që disa hanë bukë duke vjedhur e bën të pamundur që kushdo të hajë bukë me djersë (për aq sa mund të djersisë një artist në Shqipëri).
Artistët e vërtetë, po pati mbetur akoma ndonjë, nuk mund të mbijetojnë përballë ritmit "kreativ" të hajdutëve. Ti bën një këngë të mirë në muaj, ata "krijojnë" 10 të vjedhura në ditë!
Hajdutët, në fakt, vjedhin jetën e të tjerëve.
Prandaj, edhe më i ndershmi do vijë një ditë që do detyrohet të mbijetojë duke vjedhur. Po atëherë, si është e mundur që askujt nuk i bëhet vonë kur merr vesh që një kompozitor/këngëtar vjedh në mënyrë të pacipë?
Si është e mundur që media e konsideron akoma të suksesshëm? Si është e mundur që ka njerëz që "vdesin" akoma për të? Si është e mundur që shoqata për mbrojtjen e të drejtave të autorit nuk bën një denoncim? Sepse, vjedhja është nder!

NJË SINGLE, CA SINGLE, SHUMË SINGLE...
Vjedhja është nder. Ja, shikoni më të suksesshmit në treg. Janë ata që vjedhin më shumë! Dhe vjedhja ka prodhuar një fenomen sa qesharak aq edhe të mjerë, fenomenin: "single". Single - dmth një këngë teke.
Kushton lirë, dhe garanton famë të menjëhershme. Një artist i vërtetë normalisht shkon te fansat e vet me një album, një produkt integral për të cilin punohet me muaj e jo rrallë edhe 1 vit ose më shumë. Artistët tanë të futur në furrë brenda natës, të pagjykuar nga institucionet apo morali i shoqërisë vjedhin një këngë në 3 ditë dhe ja ku janë, të famshëm për një javë.
Tërë ditën në TV, në gazeta, gjithandej. Në majë të famës. Shpesh, me një "single" të vjedhur.

EMIGRANTËT DHE YJET PREJ MËMËDHEUT
E gjithë loja e "famës" dhe "single"-ve pa fund, nuk është gjë tjetër vetëm lufta e pandershme për të marrë me çdo kusht tregun e vetëm që ekziston. Atë të diasporës.
Këngëtarë apo këngëtare që nuk janë në gjendje të këndojnë pa playback as në dush, që skena e live-it e Tiranës i ka spost'uar me mëshirë, janë "yjet" e koncerteve në diasporë, koncerte shumica e të cilëve bëhen në salla kafenesh apo bilardosh. Problemi nuk është te sallat (muzika e mirë fundja, më shpesh luhet në metro) por tek abuzimi këtë rradhë me mallin e disa njerëzve.
Ajo që u ofrohet emigrantëve (në shumë raste) është abuzim i pastër me dëshirën e tyre për të parë një copë Shqipërie, për të shlyer mallin apo pengjet që kanë ndaj vendit ku kanë lindur.
Prandaj ia vlen të investosh në një këngë, në një video, në një single dhe aq. Sa të të shohin në youtube në diasporë. Eurot e dollarët fluturojnë mbi skena si në dasëm! Dhe askujt nuk i vjen ndoht t'i mbledhë përdhe.

1000 FANS
Shqetësimi im i vërtetë sot nuk është as shija e keqe që është ndërt'uar në muzikën shqiptare këto 10-12 vitet e fundit, e as "përfaqësuesit" e saj.
Shqetësimi im është si mund të mbijetojë një artist i vërtetë, pa qenë nevoja të vjedhë muzikë.
Por ne këngetarët tanë i kemi burgosur në bare-pube ku këndohet live. Ne shpenzojmë minimalisht 2000 lek në natë në një pub që këngëtari ynë i preferuar (në shumicën e rasteve) të mos këndojë këngët e tij, por repertore të huaja, shtampë, duke e shndërruar atë në marionetë të shijeve masovike. "Po s'këndove Kalinkën ikin klientët". O burra, Kalinkën! Pa harruar Margheritën e shkretë, që e këndojmë në Shqipëri më shumë se në Itali.

Atëherë çfarë duhet të bëjë ky artist për të mbijet'uar në Tiranë?
Kam përshtypjen se nëse një kantautor do të kishte 1000 fansë të cilët janë gati të shpenzojnë 5000 lek të reja për të në vit, ky artist do mund të mbijetonte.
Sikur, të hiqnim dorë nga 2 fundjava në vit të kaluara në pub/club, dhe t'i shpenzonim për të blerë CD-në e re të artistit jo me çmimin e një palë çorapesh, por me një çmim më të denjë; sikur të pranonim të paguanim një biletë koncerti makar dhe në një pub, për të suport'uar artistin që të luajë muzikën e vet; sikur të blinim objekte të tjera me logon e albumit a të artistit, qofshin bluza, mbajtëse çelësash apo tasa çaji... Sikur... atëherë, artisti nuk do të vdesë.
Por, ne na vjen turp të veshim bluza me logon "Djemtë e Detit", se mos na tallin, ndërkohë që ka djem e vajza në bllok që u duket tendencë të veshin bluza me Megan Fox. Ne presim që albumi të dalë pirat në tezga apo në Internet që ta marrim falas, se nuk jemi budallenj ta blejmë.
Ne na duket krim kur na vënë biletë për të hyrë në një pub për bendin që luan live, ndërsa paguajmë bileta të kripura për të parë një DJ anonim nga Polonia që luan 90 minuta në një pishinë, sepse kjo është trendy.
Meqë ra fjala, Djemtë e Detit kanë nxjerrë album, "Epos". Sa nga fansat e tyre apo të asaj rryme e dinë këtë, le më që ta kanë blerë albumin?!
Ama, që filan këngëtare ka bërë gjoksin dhe një këngë të re... këtë e dimë të gjithë! Kjo e fundit nuk na kërkon ta sponsorizojmë. Kjo e ka gjetur tregun dhe sponsorët e saj me investimin e vet.
Unë nuk pres, e as nuk dua që Djemtë e Detit të bëhen "mainstream" - grupi a muzika e pëlqyer nga të gjithë - e as të spostojnë turbo-folkun nga moda.
Unë thjesht dua që ata dhe arti i tyre, sikurse dhe i shumë artistëve të tjerë pa gjoks të bërë, të mbijetojnë. Dhe për këtë, duhen vetëm 1000 fans! 1000!
1000 vetë që të duan dhe që janë gati të shpenzojnë për ty, duke blerë CD-të e t'ua apo bileta për në koncertet e shfaqjet e t'ua. Me kaq, shpirti i kantautorit shpëtohet, ai nuk detyrohet të vjedhë.
Kaq i mjaftojnë të punojë i qetë që ata 1000 t'i bëjë 5000 apo 30000 fansë.

MUZIKË FUGONI 
Çuditërisht, ata që e mbështesin më pastërtisht muzikën janë shoferët e kamionëve e fugonëve të rrugëve të largëta. Ata e blejnë pa u menduar gjatë kasetën me artistin që u pëlqen, ndryshe nga neve, njerëzit e Internetit e të Bllokut, që kemi zbuluar parajsën e shkarkimit pirat të këngëve në mp3. Prandaj këngëtarët e fugonave do të mbijetojnë në treg. Sepse, ata që i duan, i duan me të vërtetë e janë gati të shpenzojnë për ta.
Ky është turpi ynë para atyre shoferëve të Kukësit. I yni, që ankohemi për "këngëtarët e fugonit", por nuk u japim shans artistëve që ne pëlqejmë që të mbijetojnë. Përndryshe ata e kanë një zgjidhje alternative. Të vjedhin.

Koloreto Cukali, G. Shekulli

No comments: