Tuesday, November 23, 2010

Ca pika shiu ranë mbi qelq, e një Shqipëri u gjend në hall...

Jo, nuk mundem t'a besoj që n'a kanë gënjyer kaq rëndë dhe kaq pa arsye. Të gjitha krijimet, poezi, këngë apo valle, që janë bërë për shiun të demaskohen si heretike. Të gjithë njerëzit me natyrë romantike, sidomos nga ata që adhurojnë ecjen nën shi e luten që ai të bjerë, të etiketohen si persona të rrezikshëm.
Të ndryshohen tekstet e Diturisë së Natyrës, tek pjesa ku thuhet se shiu është ushqim për bimët, pastrues ajri, zbutës klime, etj. Shiu të futet menjëherë tek fenomenet më të rrezikshme siç janë vullkanet, tërmetet, tsunamit, uraganët, tajfunet etj.
Madje duhet të demaskojmë edhe mashtrimin historik, se shiu qenka një fenomen i vjetër sa edhe vetë atmosfera mbi Tokë. Kjo nuk ka asnjë mundësi të jetë e vërtetë. Shiu duhet të jetë padyshim një fenomen shumë i ri dhe i rrezikshëm, përndryshe njerëzit e sotëm do të kishin mundur t'ia gjenin një zgjidhje.

Askund në librat historikë nuk njohim ngjarje ku një qytetërim paralizohet nga shiu, përmbytet nga shirat. Eshtë e paimagjinueshme të mendosh që edhe në Shqipëri ku teknologjia e fundit vjen me shpejtësinë e internetit, njerëzit ende mos të kenë gjetur një zgjidhje për shiun, këtë fenomen misterioz.

Nëse nuk jeni të informuar, me hidhërim të plotë më duhet t'iu tregoj, se dje në Shqipëri ka rënë shi. Nuk dihen shkaqet e këtij fenomeni vrastar që na goditi, nuk dihet as periudha kur ky fenomen godet, por dihet që paralizimi që ai na shkaktoi, ishte fatal.

Dje Shqipëria, por shumë më rëndë kryeqyteti i saj, Tirana, janë paralizuar totalisht.
http://www.youtube.com/watch?v=XBLc_mYCujs%EF%BB%BF

Dje dita u shkurtua me 6 orë. Shumica e banorëve kryeqytetas dje u ushqyen në drakë (drekë+darkë). Dje banorët e Tiranës kryen edhe ritualin e munguar të ditës "Një ditë pa makina". Dje nuk u vodh asnjë makinë. Dje të gjitha rrugët e Tiranës u shndërruan në parkingje. Të gjitha makinat që kishin lëvizur dje, harxhuan minimalisht 10 litra karburant më tepër. Dje në kryeqytet nuk u vendos asnjë gjobë për mungesën e vendosjes së rripit të sigurimit, por as për kundravajtje, parakalime të gabuara, thyerje sinjalistike. Dje me shumë gjasa policia nuk kreu asnjë ndjekje keqbërësi. Dje urbanët ishin bosh dhe njerëzit iu rikthyen ecjes në këmbë duke mbushur rrugë e trotuarë.
Njerëzit nëpër makina ndahesh në dy kategori kryesore: në ata që ziheshin e grindeshin papushim gjithë kohës dhe në ata që filluan të shkëmbejnë cigare me njëri-tjetrin duke bërë një dorë të mirë muhabet.
Fëmijët e çerdheve, kopshteve, shkollave fillore e 9-vjeçareve i zunë të qarat, uria e gjumi nëpër furgonat e transportit.
Foto nga Erjon Rryçi
Mosha e tretë, që vuan nga sëmundje të ndryshme, ishte ajo që detyrohej më tepër të kryente nevojat personale në mes të rrugës, midis makinave me drita fikur.

Dje asnjë shërbim urgjence nuk ka funksionuar dhe nëse ndonjë grua shtatëzënë ka lindur në rrugë, i sugjeroj t'a quajë fëmijën e saj Shiu apo Vetëtima.


Në qytete e zona të tjera rurale të Shqipërisë ka patur përmbytje, mungesë të energjisë elektrike dhe pasiguri për jetën.
Tani që u njohëm pak a shumë me panoramën që shiu gjakatar shkakton, mendoj se është koha për t'u marrë disa masa. Ka zëra jo fort të besueshëm që thonë se në Shqipëri mund të bjerë shi sërish...

Të lëmë pak mënjanë wireless-in, 3GP-në, naftën D2, antimaterien, përpunimin e plehrave, çentralet bërthamore, teknologjinë dixhitale e kanalet dixhitale dhe të guxojmë më lart, duke tentuar të hapim kanalet zhbllokuese.

Nuk ka rëndësi vetëm të bëni pingpong me topin e fajit Zotërinj përfaqësues të popullit, por kujdes!
Shiu do të bjerë përsëri!

Nuk besoj se doni të hyni në histori si rasti i vetëm në botë, ku pushteti rrëzohet nga revoltat popullore, kundra shiut!

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: