Monday, November 8, 2010

Rritet çmimi i pasaportave biometrike

Pasaporta në kohë rekord, tri herë më shtrenjtë se viza Shengen


Rritet çmimi i pasaportave biometrike. Që prej 8 nëntorit 2010, në këmbim të 15 mijë lekëve, pasaportat biometrike për qytetarët do të jenë gati brenda 48 orëve.
Ministria e Brendshme dhe kompania “Aleat” e prodhimit të dokumenteve biometrike ka bërë publike dje procedura të reja për marrjen e pasaportës në kohë rekord. Kuponët e ‘vjetër’, me vlerë 6 mijë lekë do të vazhdojnë të shiten për qytetarët në postën qendrore, por strategjia e re e qeverisë u ka kushtuar prioritet shërbimit ekspres për nxjerrjen e dokumenteve biometrike të identitetit. Në rast se qytetarët do të aplikojnë me procedurën e vjetër, pra me kuponin 6 mijë lekësh, atëherë pasaporta e tyre biometrike do të jetë gati për 15-30 ditë. Në rast se qytetarët do të tërheqin kuponin pranë postës qendrore prej 15 mijë lekësh, atëherë ata do të kenë në duar pasaportën biometrike brenda 48 orëve.

Procedura e aplikimit
Vetëm çmimi dhe ngjyra e kuponit ka ndryshuar dhe asgjë nga modalitetet e përcaktuara më parë nga Ministria e Brendshme dhe kompania “Aleat”. Kuponi me vlerë 15 mijë lekë ka ngjyrë portokalli dhe që prej ditës së hënë do të gjendet në filialin e Postës Qendrore të Tiranës dhe në zyrën postare të njësisë bashkiake nr. 3 në Tiranë. Aplikimi do t’u mundësohet të gjithë shtetasve shqiptarë pa asnjë përjashtim, por do të aplikohet dhe kryhet vetëm pranë zyrave të “Aleat” në tri njësi bashkiake të Tiranës. Njësia bashkiake nr:3, nr:4 dhe nr:10 në Tiranë do të pranojnë aplikimet e qytetarëve shqiptarë me kuponët portokalli me vlerë 15 mijë lekë. Në rast se shtetasi aplikon deri në orën 11.00, atëherë pasaporta do të jetë gati brenda dy ditëve. Ndërsa në rast se shtetasi do të aplikojë pas orës 11.00, atëherë pasaporta do të prodhohet për tri ditë. Pasaportat e prodhuara në mënyrë të përshpejtuar do të mund të tërhiqen nga qytetarët çdo ditë në orën 16:00 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Kuponi jeshil me vlerë 6 mijë lekë do të vazhdojë të jetë në qarkullim për pasaportat biometrike, por afati ligjor i parashikuar për tërheqjen e pasaportave është minimalisht 15 ditë dhe maksimalisht 30 ditë që nga momenti i aplikimit.
Ndërkohë, vlen të theksohet se fushata për aplikimin e pasaportave ka nisur që prej vitit të kaluar. Në mars 2009, qytetarët shqiptarë kanë pasur mundësinë për të aplikuar dhe për të tërhequr pasaportën biometrike me vlerë 6 mijë lekë. Për shkak të fluksit të madh të aplikimeve dhe njerëzve që duan të kalojnë Krishtlindjet jashtë Shqipërisë, marrja e pasaportës me kuponin 6 mijë lekë që pas momentit të aplikimit mund të tejkalojë edhe afatin maksimal të 30 ditëve.

Kostoja e një vize
35 euro është tarifa për vizën. 10 euro maksimumi siguracioni. Nëse me pak fat nuk të refuzohet viza, ateherë me 45 euro shkon drejt vendeve të Bashkimit Europian. Pra, në rast se më parë viza kishte një kosto prej 45 eurosh, këtë herë do të ketë një kosto pothuajse trefish për të marrë pasaportën biometrike si faturë për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë nuk do të përballen më me ambasadat dhe më frikën e rrezikimit të mosmarrjes së vizës, por me pasaportën biometrike do ta kenë të sigurt udhëtimin në zonën Shengen. Përpos kësaj, problemet për shqiptarët nuk kanë të sosur, pasi këtë herë ata nuk do të përballen me refuzimin e vizës, por me koston e lartë që ka marrja e vizës në kohë rekord.

Në pamje të parë, duket se kjo më tepër se një favor nga qeveria shqiptare për qytetarët është kthyer në një biznes fitimprurës.


Erjon Ajazi, Shqip

No comments: