Tuesday, November 16, 2010

Qingji i vogël rri mendueshëm...

Ti qingj i vogël nuk e kupton se pse sot ty dhe dhjetra nga miqtë e kushërinjtë e tu, ju kanë ngarkuar sëbashku mbi një mjet transporti. Ti nuk e kupton se pse sot po bën shëtitje nëpër kryeqytet, qytete të tëra me rradhë anembanë botës.

Nuk e kupton se pse kaq shumë njerëz kanë mbushur bulevardet, sheshet, trotuarët, lulishtet.
Ti nuk e kupton se pse njerëzit të ngazëllyer, të drejtojnë gishtin dhe nxjerrin para nga xhepat e tyre pas atij gjesti. Ti nuk e kupton që ai zotëria me të bardha nuk është mjek, por ...

Qingj i vogël dhe i pafajshëm. Ty prindërit nuk të kanë treguar kurrë se që prej mijëra vjetëve më parë, këto specie që ecin me dy këmbët e para dhe në ditë të tilla imitojnë qëndrimin tuaj mbi tokë, të kanë flijuar ty për disa krijesa imagjinare që sillnin shiun, breshërin e prishnin të korrurat. Ato të korrura, atë gjelbërim që është gjithashtu edhe gostia jote.

Këto krijesa kanë zgjedhur flijimin tënd si rit, për të qetësuar krijesat e imagjinatës. Ndoshta mishin yt është vërtetë i shijshëm dhe ti zë një vend shumë joshës në zinxhirin ushqimor të specieve dhe flijimi yt ishte një preteks që njerëzit të bënin gosti me ty, duke e ndarë edhe me ata të varfërit, që ashtu si ti, ushqehen vetëm me bimë.
E di o qingj i bardhë dhe i bukur që në sytë e tu dukemi më barbarë e të egër se të gjitha kafshët e tjera, por më beso se ne jemi përpjekur me të gjitha mënyrat për të luftuar instiktet tona kafshërore. (kërkoj ndjesë për ofendimin).

Eshtë po aq e vërtetë se specia jonë është e vetmja nga krijesat e egra që vret edhe kafshë me të cilat nuk ushqehet, vret edhe kafshë për sport, përdor kafshë për transport, dhunon dhe keqtrajton kafshë për argëtim.

Ka edhe nga ata dykëmbësha i dashur qingj i urtë, që kanë vendosur të mos ushqehen kurrë me mish kafshësh, duke i parë kafshët si pasuri e kësaj toke, si një pasuri të rrezikuar dita-ditës. Ne kur ishim kafshë si ju nuk ishim mbipeshë, nuk ishim të deformuar, nuk ishin kaq të shëmtuar, ishim të bukur si ju o qingj.

Shumë bukur më pyet o qingj se nëse një specie tjetër do ishte më e fuqishme se ne njerëzit, a do na pëlqente që ajo të na vriste në grup, të argëtohej me këtë asimilim, vetëm e vetëm se pse është më e zhvilluar se ne?
Largqoftë nëse ajo specie e një planeti tjetër, do të kishte si ideologji fetare, që për raste festash të vriste e të hante miliona njerëz primitivë si ne?

Ku është dashuria ndaj botës së gjallë më pyet?
Nuk e di ç'të të them o qingj, prandaj rri më mendueshëm se ti, prandaj belbëzoj me veten duke patur frikë të tjerët të më dëgjojnë.

Sipas Z. S. Guri : "Çdo qenie e gjallë zotëron një fushë të caktuar elektromanjetike dhe në momentin, që dikush merr një hap shkatërimtar për të, ajo shkëmben me gjaksin ose lëshon në kushte të vetëmbrojtjes rreze α, β, dhe γ, që ndërhyjnë në mendjen e njeriut, duke lënë gjurmë negative mbetëse në trurin e tij."

Mbase kjo është edhe arsyeja përse bëhemi çdo ditë e më barbarë e këtë barbari vazhdojmë t'a quajmë festë.

Duke shpresuar se do më kuptosh por edhe nëse nuk më kupton dot, lejo o qingj i bukur dhe i urtë, që therja jote të jetë gëzimi ynë.
Përgjithmonë yti - Kasapi

Gëzuar festën e kurbanit njerëz, qingji blegëriu për të fundit herë...! 


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: