Tuesday, November 9, 2010

Libri që kisha jote nuk do të të lejonte kurrë ta lexoje

"Pjesa më e madhe e njerëzve parapëlqejnë më mirë të ndihen të qetë, se sa të njohin të vërtetën. Epo mirë, unë jam ai që do ta prishë qetësinë tuaj, duke ju thënë të vërtetën”. ROBERT R. KENNEDY


Me këtë thënie të këtij personaliteti të shquar të politikës dhe shoqërisë amerikane hapet libri më i ri që shtëpia botuese “Bota Shqiptare” sapo ka hedhur në qarkullim në tregun e librit. Ky vëllim që vjen tek lexuesi shqiptar është botimi i dytë i një libri shumë të famshëm i quajtur: Libri që kisha jote nuk do të të lejonte kurrë ta lexoje.

Paraqitja e botimit të parë, i pritur me polemika dhe zhurmë, por edhe i komentuar pozitivisht nga “Los Angeles Times” e nga “Orange County Register”, u bë në vitin 1993 në Njuport Biç, Kaliforni, në praninë e shumë prej autorëve, midis të cilëve: Stiv Alen, Robert Eisenman, Gerald Larue, Bill Edelin, Alen Snou e Xhordan Maksuell.

Me këtë libër janë marrë televizione të ndryshme të Kalifornisë së Jugut dhe natyrisht është damkosur si heretik nga shumë klerikë, të cilët megjithatë nuk janë angazhuar kurrë seriozisht për ta lexuar, prapë se prapë e kundërshtojnë dhe mbajnë qëndrim prej heretiku.
Duke lexuar këtë libër, lexuesi reflekton mbi karakterin e vet fetar dhe, është pikërisht kjo ajo që autorët i kishin vënë vetes si qëllim. Ky libër u bë mandej një bestseller dhe është mendimi i shumë njerëzve që duhet lexuar patjetër; për më tepër, pasi u ribotua në pak vite mbi 12 herë me tirazhe befasuese, profesorët e universiteteve të ndryshme si ai i Alabamës së Veriut dhe i Berklejit e kanë përshtatur edhe si libër teksti universitar.
Është paraqitur më në fund në American BooksellersAssociation Convention dhe ka tërhequr një vëmendje të veçantë në Whole Life Axpos. Botimi që ka në dorë lexuesi shqiptar është zgjeruar, përmirësuar dhe korrigjuar në mjaft drejtime dhe siç pohon njëri nga autorët: “Në dallim prej fundamentalistëve fetarë ne nuk kemi frikë të pranojmë gabimet tona dhe të ndryshojmë mendimin tonë. Është e natyrshme ta rishikosh dhe ta përshtatësh mënyrën tënde të të menduarit kundrejt evoluimit të vazhdueshëm shkencor e teknologjik.
Besimet e mëdha fetare kapen në mënyrë të dëshpëruar pas falsitetit, pas provave të paverifikueshme dhe pas legjendave, që vazhdojnë ta tregojnë veten jashtëzakonisht të dëmshme për njerëzimin. Ende sot e kësaj dite doktrina teologjike e krishterë e krijimit të njeriut nga Zoti u mësohet fëmijëve tanë nga profesorët e shkencave dhe politikanët aktualë citojnë rregullisht tekstet e shenjta për të futur koncepte që nuk kanë të bëjnë fare me fenë; kjo ndodh edhe kur flasin për luftë”.
Libri që kisha jote nuk do të të lejonte kurrë ta lexoje trajton me ndershmëri dhe guxim temën më të diskutueshme të të gjitha kohërave: fenë.

Midis faqeve të tij, kontributet e teologëve, të historianëve dhe të studiuesve të pavarur zbulojnë mistifikime, hedhin dritë mbi besimet e lashta e diskutojnë për anën e errët të besimit, duke trajtuar argumente, të cilat hierarkitë e larta të çdo feje përpiqen t‘ia fshehin njohjes së njerëzve. Një lexim tronditës që, faqe pas faqeje, vë në diskutim dogmat mbi të cilat bazohen besimet fetare më të rëndësishme të planetit dhe, ashtu si në rastin e akuzave për pedofili që kanë rënë mbi eksponentë të shumtë të katolicizmit, trajton skandalet që kanë përfshirë prelatët shumë të lartë, duke sfiduar paragjykime e fjalë bajate.

Nga origjinat hebraike të Islamit tek misteri i Maria Magdalenës, nga masakrat e kryera prej kryqtarëve në Evropë e në Lindje të Mesme tek gjenocidet e kryera prej ithtarëve të Muhametit, Libri që kisha jote nuk do të të lejonte kurrë ta lexoje është, në të njëjtën kohë, një kundërhistori rigoroze e besimeve fetare dhe një ftesë për të gjithë njerëzit, për të mos hequr dorë kurrë së menduari me kokën e tyre.



Libri që po lexojmë përfshin të gjitha besimet fetare më të rëndësishme, duke u thelluar në karakteristikat e përbashkëta dhe në arsyet që qëndrojnë në bazën e konflikteve të ndërsjellta të pamendta.
Duke analizuar kultin yjor, natyrën e shenjtë të femrës, paganizmin dhe zhvillimin e hinduizmit, shumë probleme të ditëve tona vendosen në perspektivën e duhur. Pjesë e rëndësishme e këtij botimi të dytë janë shkrimet e studiuesve bashkëkohorë, kërkuesa, autorë e gazetarë si: Bill Moyers e Chris Hedges, peshkopi John Shelby Spong, Joseph Campbell, Judy Chicago, Rick Perlstein i revistës “Village Voice”, Thomas Doyle e David Stannard.
Ky libër i jashtëzakonshëm, për faktet, mendimet dhe idetë që përcjell, e inkurajon lexuesin që të mendojnë me kokën e tyre dhe që të kërkojnë prova konkrete dhe siç pohojnë përsëri autorët: ...Nuk dëshirojmë që lexuesit tanë të kenë besim te përgjigje të dhëna nga tekste të lashta e filozofi të vjetra, atëherë mite e tani absurditete. Libri ynë bazohet tek mendimi i lirë i lindur me grekërit e lashtë (Protagora, Sokrati e të tjerë) dhe që, mandej, nëpërmjet Humanizmit Rilindas (Erazmit të Roterdamit e Spinozës) dhe Iluminizmit (Volter, Xhon Lok, Tomas Pein, Tomas Xheferson) ka arritur deri tek laiçizmi modern i zbulimeve të mëdha shkencore.
Ky libër e përvijon linjën e vet të kërkimit përmes autorëve si Robert Ingersolit e Tomas Peinit dhe nuk resht së sfiduari e së hequri maskën asaj që është e gabuar tek Bibla dhe tek feja.  
Përmendje të thjeshta ndaj origjinave pagane, astro-teologjisë dhe mitologjisë provokojnë gjithmonë protesta të forta dhe përgënjeshtrime nga ana e Kishës zyrtare, por teksti nuk kufizohet thjesht tek të përmendurit: e tregon fenë për atë që realisht është.
Megjithatë, këtu nuk do të gjeni uniformitetin e mendimeve që mund të ekzistojnë tek një studim monografik fetar, në fakt autorët janë të ndarë nga disa mospajtime të thella: kjo nuk duhet të habisë në një tekst provokues. Të zbulosh prova të sigurta të ekzistencës së shpëtimtarëve të tjerë dhe të historive të tjera të njëjta me shumë prej atyre të Testamentit të Vjetër e të Ri, histori të shfaqura mijëra vjet përpara Jezusit, mund të jetë tronditëse, ashtu sikurse do të jetë tronditëse të lexosh për abuzime e politika që janë çuar përpara në emër të Zotit. Por ashtu sikurse shumë njerëz do të tronditen nga këto fakte, shumë të tjerë do të mbeten të befasuar nga numri i burrave dhe i grave të mençur, patriotë, të sinqertë e fisnikë që kanë mendim të kundërt.
Një gjë e fundit për t‘u thënë është se ky nuk është një libër antifetar: në fakt, kërkimi i kuptimit të jetës ka filluar shumë kohë përpara Moisiut, Jezusit, Muhametit apo fesë së organizuar, dhe ky dëshiron të jetë vetëm një libër konsultimi, provokues dhe edukativ.
Shumë njerëz fetarë janë fisnikë, paqësorë e të mirë, shumë të tjerë jo. Është e vështirë të thuhet nëse kjo i detyrohet sistemit të besimeve fetare që u jep trajtë, apo natyrës së tyre; por, pjesa më e madhe e këtyre njerëzve është në mënyrë të trishtueshme e disinformuar dhe nuk ka të drejtë të hyjë tek materiale që mund t‘i ndriçonin mendimin e vet. Por, për të kuptuar, është e nevojshme të lexosh, për të ndryshuar është e nevojshme të angazhohesh dhe për ndriçimin e mendjes ka nevojë për guxim.
Në kohën e sotme, të vetmet luftëra në zhvillim janë luftëra të shkaktuara nga pretekste fetare: arabët vrasin hebrenjtë e anasjelltas; pas rënies së Bashkimit Sovjetik grupe etnish dhe besimesh fetare të ndryshme kanë filluar të vriten midis tyre; arabët vrasin të tjerë arabë ndjekës të një besimi të ndryshëm fetar; në Irlandë e në Angli katolikë e protestantë luftojnë midis tyre; në Afrikë e në vendet e jug-lindjes aziatike ka një listë të pafund me konflikte në zhvillim.  
Në këtë libër do të zbuloni se historia e Jezusit dhe e “kryqëzimit” është treguar gjashtëmbëdhjetë herë në dhjetë mijë vjetët e fundit, dhe do të gjeni përveç kësaj mendime mbi fenë, të cilat papa dhe të tjerë krerë fetarë nuk do të dëshironin t‘ju lejonin që t‘i lexonit, apo t‘i kuptonit.

Sepse, nëse ju lexoni dhe kuptoni, atëherë nuk do të jeni më pjesë e grigjës së tyre: kjo do të thoshte se nuk do t‘u bënit më atyre dhurime, dhe nuk do të ishit më aq të shumtë në numër, për t‘i bërë gjithmonë e më shumë me ndikim të madh politikisht.

G. Shqiptare

Këtu mund t'a lexoni librin "online" në anglisht"
http://www.amazon.com/Book-Your-Church-Doesnt-Want/dp/0939040158#reader_0939040158

No comments: