Në Gjykatën e Sarandës dhe në gjendjen civile të bashkisë, pohojnë se këto kërkesa vijnë nga shtetas që njërin prej prindërve e kanë me kombësi jo shqiptare, sikurse pranon edhe ligji.
Kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, thotë se kjo praktikë mbështetet mbi ligjin e Parlamentit shqiptar, nr. 10129 të vitit 2009 “Për gjendjen civile”, që ka përfshirë edhe rubrikën e kombësisë, e cila nuk ka ekzistuar më parë. Në interpretim të këtij ligji, kreu i Gjykatës së Sarandës shpjegon se ndryshimi i kombësisë kërkohet dhe pranohet për ata fëmijë, që vijnë nga prindër me kombësi të ndryshme dhe ai ka të drejtën të zgjedhë kombësinë e njërit prej tyre, kur arrin në moshë madhore. Më tej kreu i gjykatës sqaron se deri sa të arrihet mosha e pjekurisë, këtë të drejtë e kanë prindërit me marrëveshje të përbashkët. Në rastet ku prindërit nuk janë marrë vesh për kombësinë e fëmijës së tyre, ligji i njeh atij të drejtën e ndryshimit dhe të marrjes së kombësisë që dëshiron të njërit prej prindërve, me të arritur moshën madhore. Me këtë argument dhe interpretim të ligjit, zoti Çela shpjegon kërkesat që i drejtohen Gjykatës së Sarandës për ndryshim kombësie. I pyetur në se ka ndodhur që edhe shtetas madhorë e kërkojnë ndryshimin e kombësisë së tyre nga shqiptare në greke, zoti Çela shprehet: “Po, ligji e parashikon, madje ka edhe fuqi paravepruese, pasi është e drejtë personale jo pasurore, por vetjake e tij dhe ka të drejtë të kërkojë kombësinë që ai dëshiron”.
Sipas Çelës, çdokush që provon me dokumente se një nga prindërit ose të dy kanë qenë me kombësi greke, ligji ia jep edhe atij atë. “Po nuk pati dokument të trungut familjar, që janë regjistrat e vitit 1930, me të cilin ta provojë këtë, pretendimi rrëzohet nga ligji dhe gjykata”, thotë Çela, duke shtuar se meqë në regjimin e Zogut kombësia ka qenë element i gjendjes civile, regjistrat e asaj kohe kanë vlerë burimore. Çela përjashton çdo mundësi dhe hapësirë abuzimi apo manipulimi të së vërtetës përmes avokatësh.
G. Shqip
No comments:
Post a Comment