Të dielën në Greqi zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal, ku për herë të parë do të votojnë edhe emigrantët. Por emigrantët marrin pjesë edhe si kandidatë për këshilltarë në listat e partive më të mëdha greke. Ndërkaq, ndonëse të drejtën për të votuar e përfitonin më shumë se 150 mijë emigrantë, vetëm një numër i vogël,i tyre është regjistruar në listat e zgjedhësve. “Emigrantët... për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta,” tha Andreas Takis, sekretar i përgjithshëm i emigracionit në ministrinë e Brendshme greke. Në listën e PASOK-ut është edhe ish-portieri legjendar i kombëtares shqiptare, Foto Strakosha.
“Sprovë për Papandreun”
Zgjedhjet kanë dalë tashmë jashtë problematikës së pushtetit lokal dhe po konsiderohen si një test i rëndësishëm për qeverinë Papandreu dhe politikat ekonomike për daljen nga kriza e thellë. Kryeministri, gjatë gjithë ditëve të fundit ka theksuar se fati i përpjekjeve të Greqisë për daljen nga kriza varet pikërisht nga zgjedhjet. “Vota jonë në zgjedhjet e 7 nëntorit është votë e një përgjegjësie të madhe ndaj atdheut dhe të ardhmes,” tha ai. “Qytetarët e vendit, të gjithë ne, do të votojmë e do të vendosim nëse atdheu do të realizojë përpjekjen e madhe për shpëtimin dhe transformimin e vendit, apo këtë përpjekje do ta lemë në mes”. Mirëpo, përtej karakterit vendimtar për të ardhmen e vendit që i atribuuan këtyre zgjedhjeve liderët e dy forcave më të mëdha politike, më 7 nëntor do të shënohet një risi që për kushtet e Greqisë. Në këto zgjedhje do të votojnë për herë të parë edhe emigrantët. Për më tepër, ata kanë fituar edhe të drejtën e kandidimit, deri në nivelin e këshilltarit bashkiak, apo të periferisë.
Kandidatë shqiptarë
Në gjithë zonat e mëdha zgjedhore të Greqisë kandidatët për kryetarë bashkie apo periferie kanë vendosur edhe emigrantë shqiptarë në listat e tyre. Në listën e PASOK-ut në pushtet për periferinë e Atikës, që përfshin 4 milionë banorë, është edhe ish portieri i kombëtares shqiptare, Foto Strakosha. Ndërkohë, nga rreth 150 mijë emigrantë që e përfitonin këtë të drejtë, të dielën do të drejtohen në kutitë e votimit rreth 13 mijë emigrantë. Ky numër i pakët ndoshta mund të shpjegohet me vonesat në përmbushjen e të gjitha procedurave burokratike të nevojshme në kohë për t'u përfshirë në listat e votuesve. Fakti se në këto zgjedhje vota e emigrantëve nuk do të jetë përcaktuese, ngase ata nuk u regjistruan masivisht në listat e zgjedhësve, megjithatë duket se ka evidentuar një element të rëndësishëm. Emigrantët po konsiderohen si partnerë të respektueshëm në shoqërinë greke, gjë që para disa vjetësh as që mund të imagjinohej.
“Kushte të barabarta”
Sekretari i përgjithshëm i emigracionit në ministrinë e brendshme greke, Andreas Takis, megjithatë, nuk brengoset nga numri i vogël i emigrantëve votues. Ai shprehet optimist se edhe ata që nuk arritën të regjistroheshin tani, do ta bëjnë këtë në zgjedhjet e tjera, pra pas katër vjetësh. Zoti Takis thotë se rëndësia e pjesëmarrjes në emigrantëve në votime qëndron tek filozofia pas vendimit të qeverisë. “Do ta konsideroja të pakonceptueshme nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës tonë, që dikush, që jeton ligjërisht për një kohë të gjatë në Greqi, të privohet nga shprehja e zërit të tij për çështjet që kanë të bëjnë me të, ashtu si dhe me të tjerët,” tha ai. “Prandaj mendoj se emigrantët që fitojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje, për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta. Dhe do të jenë një auditor i cili jo vetëm dëgjon autoritetet lokale, por edhe i vlerëson, i gjykon dhe ndikon me votën e tij në zgjedhjen e tyre”, tha ai.
Robert Goro “BBC, Athinë”
No comments:
Post a Comment