Prefekti i Korçës, i cili qëndroi gojëmbyllur kur banorët e Boboshticës denonconin dhunimin e varreve të të parëve, ka reaguar fort dje kundër djegies së disa kurorave me lule në memorialin e një ushtari grek, që është ngritur mbi varre shqiptarësh.
Andrea Mano kërkoi dje një takim me mediat për të dënuar aktin e djegies së kurorave. Ai e konsideroi ngjarjen e dy ditëve më parë si veprim të nxituar të një grupi individësh të caktuar, ndërsa dhunimin e varrezave për ngritjen e memorialit grek e konsideroi një produkt të medias.
Ai e cilësoi skandalin e tjetërsimit të varrezave të fshatit, shpikje të mediave, edhe pse Komuna e Drenovës deklaroi zyrtarisht se dhjetë varre të vjetra ishin betonuar. Të njëjtin fakt e pranoi publikisht edhe prifti i Boboshticës, Atë Jani Trebicka, por as kjo nuk i ka mjaftuar prefektit.
“Çështja e varrezave të Boboshticës është një produkt i disa mediave për të ngritur në mënyrë artificiale pretendime për dhunim. Ndërtimi i atij objekti ka qenë i vitit 1996 dhe nuk e kuptoj pse tani pas 14 vjetësh në mënyrë artificiale hapet kjo çështje për të qenë titull i disa gazetave. Ne jemi duke hulumtuar çështjen dhe nuk kemi asnjë informacion që të ketë një dhunim në këto varreza, por ne do të zbatojmë ligjin. Kam qenë në kontakt me kryetarin e komunës dhe banorë, të cilët nuk më kanë konfirmuar të jenë dhunuar varret siç thuhet në media, por në momentin përfundimtar kur të bëjmë të gjitha verifikimet tona do të mbajmë një qëndrim”, tha prefekti.
Ai theksoi më pas se “institucioni i prefektit dënon veprimet e nxituara të disa përfaqësuesve, të cilët janë anonimë, për djegien e disa kurorave që janë vendosur në këtë monument, veprime të cilat janë të nxituara, spontane, nga njerëz që unë kam kërkuar të identifikohen nga policia se çfarë përfaqësojnë.
Këto janë veprime të veçuara nga individë të veçantë dhe unë garantoj se nuk mund të cenojnë marrëdhëniet shumë të mira që populli shqiptar ka me popullin grek dhe që qeveria shqiptare ka me qeverinë greke”.
I pyetur nga gazetarët për deklaratat e zyrtarëve të Komunës së Drenovës, prefekti Mano tha se “Nuk kemi dokumente që të vërtetojnë se aty ka eshtra. Me të marrë informacion do të mbajmë një qëndrim. Në këto moment qëndrimi im ka të bëjë me djegien në mënyrë të dhunshme të disa kurorave dhe kam kërkuar informacion dhe nga policia për këtë çështje dhe jam në pritje të përfundimit të hetimit për këtë rast. Nuk kam informacion të ketë eshtra në vendin ku është hedhur betoni apo që të ketë varreza”.
Sakaq, ai nuk harroi të kritikojë mediat se interesohen më shumë për kurorat dhe varrezat e Boboshticës sesa për rrugët e qytetit dhe qendrën e tij, edhe pse në deklaratat e veta është shprehur se është interesuar për informacion për djegien e kurorave, por s’ka informacion për ekzistencën e varrezës dhe të punimeve që janë bërë rishtas mbi të.
Reagimi i prefektit ka ardhur pas tensionimit të situatës së dy ditëve në parë në fshatin Boboshticë.
Ceremonia e organizuar për nder të ushtarëve grekë nga organizata “Omonia” dhe konsullata greke, është shoqëruar me përplasje mes banorëve të fshatit, që ishin ndarë në dy grupe pro dhe kundër grekëve.
Juliana Dhimitri, Shqip
No comments:
Post a Comment