Thursday, November 11, 2010

Boboshtica …Bo....Bo…Bo…

Një banor i fshatit Polenë të Korçës tani do të gjykohet. Atë e gjykojnë se ka betonizuar mbi varet 200-vjeçare të fshatit Boboshticë. Historia është e njohur….
…...dhe në atë zonë duket se u mbaruan muhabetet  e trazuara të këtij fundtetori. Gjithsesi litari më ngjan se rri mbi varre, për të kthyer e rikthyer gurët sa herë  që e do vendi fqinj. Në pika të nxehta populli bëhet viktima e shtetarëve, që  i japin ngjarjes diplomacinë, që aspak nuk i shkon.


Në Boboshticë, në varret 200-vjeçare, të atyre që vetëm të zotët emrat ua dinë, u hodh betoni se festa e Çlirimit të Greqisë fqinje po afrohej për tu kremtuar.
E në kujtim të  një apo dy ushtarëve grek rënë në ato anë, si luftëtar të luftës italo-greke u vunë kurora në Memorial. Por, ato as dita në orët e saj nuk i pa të vendosura me freski, se morën flakë nga një zemërim, që atje flet e flet. Flakët kishin ardhur më parë me “flakët” e dëshpërimit, që në një ekran televiziv kombëtar u panë, prurë me pamje të eshtrave, që në emër nuk flisnin, por në qindra vite thuhej se ishin.

Ja kështu, të dy palët me të sharë e me të vrarë. Më të humburit janë bashkëkombësit e mi nga Boboshtica, që edhe në të vdekur si lënë rehat. Në tokë të tyre dhe për hesap të gjitonëve! Betoni  hedhur mbi varre, duket se i shpërtheu nga marazi dhe ashtu si për turp e frik dolën mbi baltën e tokës së tyre, që balta një ditë të tërë do t’i marrë sipas ligjit që natyra ka.

Me pak fjalë kjo është ndodhia, që dhe në vitin 1996 ka ardhur në vëmendje. Vendasit  nuk gjejnë rehat në vendin e tyre, ndërsa fqinjët bëjnë çfarë duan e ikin si duan. E them kështu pasi bie në kujtesë reagimin e Prefektit tonë në Korçë, i cili me të drejtë shqetësohej për djegien e kurorave  që iu bë kurorave, të cilat u vendosën nga përfaqësues të Konsullatës Greke, OMONIA-s dhe shumë shtetasve greke në Memorialin e ushtarëve grekë të rënë në luftë me Italinë.  Por z. Mano  nga ana tjetër  për   dhunimin e varreve 200-vjeçare të Boboshticës nuk  dinte që kishte pasur ankesa  se “nuk është vërtetuar ende nëse poshtë betonit ka varre dhe nuk kam marrë asnjë konfirmim nga komuna në lidhje më këtë çështje”.
Më erdhi në vëmendje ta përmend këtë fakt, pasi më jep mua arsye të them se në shumë raste nuk bëhemi njësh me hallin brenda shtëpisë sonë, por të tjerët i shohim si të vërtetët e së vërtetës. Sa pak e duam veten dhe sa shumë ndahemi prej saj për tu bërë mbrojtës të krahëve, që krahë nuk i kemi, kur vjen fjala që në tokën tonë edhe me të vdekurit merremi.

Ngjarja që ndodhi dhe jo rrallë të tilla na trazojnë nuk është në zgjidhjen time. Janë institucionet ligjore ato që do penalizojnë  më parë ata që dhanë urdhër për të betonuar varrezat 200-vjeçare, pse jo dhe më pas të atyre që flakën u vunë kurorave për ushtarët e rënë. Tani që shkruaj këto radhë, më vjen para syve  një banor i  fshatit, që thoshte se stërgjyshi i tij, atje qe varrosur, ndërkohë para këmbëve të tij kishte eshtra, që toka mbi vete po i mban, por që nën të vendin e kanë.


Atje, në Boboshticë nuk di se sa dhe si vazhdojnë ta tregojnë historinë e këtij fundtetori. Gjithsesi, edhe pa u thënë ajo mbetet e trishtueshme, si për atë që ndodhi, por edhe për fjalën e shtetit, që vendasit e tij i vë në faj dhe për të përtejmit një thënie te zbutur e gjen. Thonë se e kanë kapur fillin pasi u gjet Alqi Koroveshi, ai banori i Polenës, që hodhi beton mbi varrezat se dikush i tha. Me të tilla më duket se betonizohet e vërteta, dhe në mos njëherë, apo njëherë tjetër, flasim për të tilla histori.  
Pretendojmë të shkojmë në Evropë dhe ajo si do veten edhe ne besoj se na do edhe me historinë e të parëve, që dhe vend varri nuk duam t’iu lëmë.
Afërdita Selimi, G. Start


PDU akuzon mosreagimin e shtetit shqiptar: http://www.youtube.com/watch?v=j3u0o1lQIpA

Mbreti Zogu I: Shoqata “Omonia” fyeu popullin shqiptar (2008) ... e historia vazhdon!

No comments: