Katër fëmijë në një mort të vetëm. Në një natë. Nga një bark. Nga një qiri vrasës dhe nga një shoqëri vrasëse. Nga një mosvëmendje e ndërgjegjshme e një shoqërie që po çmendet mbas luksit të shfrenuar dhe çnjerëzores së shfrenuar në të njëjtën kohë.
I kujt është faji?
I një babai të pandërgjegjshëm, që braktis fëmijët; i një nëne që endet e vetme në xhunglën shqiptare të luftës për jetën; e ndërprerjes së dritave, që ndezën qiriun vrasës; e zonjave të pudrosura që me vlerën e një unaze mund të shmangnin katër arkivole fëmijësh; e burrave t’politikës, që lyejnë flokët dhe shpenzojnë kaq shumë për dashnoret, sa do t’i kishin dhuruar parajsën dhe jo vdekjen katër fëmijëve të zonjës Zana Xheka?!
Se Zana Xheka është një zonjë grua, n’krahasim me ca biçim grash t’kremosura, që mbahen me të madh restoranteve me ca çanta 5 000 euroshe, Gucci apo Louis Vuitton, e që parazitojnë falë talentit n’punë t’natës apo n’kunj t’foltoreve. Nuk mund të thuhet se kush tamam është fajtori apo fajtorët për vdekjen e atyre fëmijëve, por një gjë është e qartë, askush, askush nga ju dhe askush nga ne, nuk është i pafajshëm.
Kjo ngjarje, e ndodhur vërtet para ca ditësh, për dikë apo shumëkënd mund të duket e “vjetëruar”, porse, kjo gjëmë, ngjitet në kapilarët e shpirtit t‘shoqërisë, si një helm i avashtë dhe fatal.
Dhe helmi bëhet më helmues, kur Presidenti hesht, kur shumëkush tjetër hesht gjithashtu, kur mediat komerciale (Perëndi sa të shumta janë!) e largojnë tinzisht nga faqosjet, nga kronikat dhe kësisoj nga vëmendja e Bashkësisë, apo nga e ashtuquajtura “ndërgjegje kombëtare”.
Ndërgjegje kombëtare?! Po a kemi një të tillë? A e kemi një fat të tillë?
Marrëzi do t’ishte ta besoje, pasiqë dimensioni social dhe ndjeshmëria për “tjetrin”, për të “pafatin”, për të “mjeruarin”, për banorin e klasit të tretë, në këtë Vend, të pushtuar nga skizofrenia e parasë dhe e korrupsionit, nuk duket se ekziston.
Janë korruptuar xhepat, mendjet dhe shpirtrat.
Kësisoj korruptohet apo rrezikon të korruptohet e gjithë shoqëria, e sotmja dhe e ardhmja. Dikur në kohën e diktaturës u korruptuam në një dimension tjetër. U bëmë të gjithë mjeshtër në artin e hipokrizisë dhe jo pak, por shumë prej nesh, kundër nesh, u bënë denonciatorë, spiunë dhe pleh i vërtetë social. Menduam se ky korrupsion vdiq bashkë me sistemin. Por nuk po ndodh kështu, hipokrizia u ngjit dhe gurgullon përsëri në damarët e klasës politike, intelektuale dhe t’borgjezisë së re shqiptare, thellësisht t’pakulturuar dhe thellësisht ateiste. Dhe mbushen pra plot semaforët me foshnja që flenë gjysmë lakuriq trotuareve. Dhe ajme, askush nuk ka sy për t’i parë, askush nuk ka optikë për t’i mëshiruar, askush, ose pothuajse askush, nuk ka as ca groshë t’vogla, përfund çantave t’shtrenjta apo shumë t’shtrenjta, për të zbutur, pra, agoninë e tyre.
Të atyre viktimave të paralajmëruara, që presin t’bëhen t’famshëm, kur t’vdesin me tmerr dhe lebeti. Duket se të shumtit e kësaj palo shoqërie, post-komuniste, të rizgjuar kapitalistë vulgarë, janë pajtuar me klasat e reja të krijuara. Janë pajtuar se klasa e të varfërve apo këta banorë të ferrit, ashtu duhet të jetojnë, sepse ai është, simbas tyre, fati i tyre!
Por ky mjerim, që bëhet edhe më mjerim nga vetmia në të cilën mjerimi është braktisur në këtë Vend, nuk zhduket bashkë me vdekjen e mjeruar, të të mjeruarve.
Jo zotërinj, banorë të fryrë dhe shpesh ruralë renegatë, të hipur sakaq në klas’ të parë apo mikroborgjezë ambiciozë të klasit të dytë, askush nuk shpëton dot nga përgjegjësia! As nga varrosja e shpejtë e tyre. Sepse ata, të flijuarit e harruar të kësaj palo shoqërie të re, janë njëkohësisht përcaktues të modelit tonë të ardhshëm social.
Do të jenë skeletet e tyre, që do të persekutojnë të ardhmen e fëmijëve tanë, të llastuar nga çokollatat e markave më të shtrenjta.
Sepse modeli social që po ndërtojmë apo po lemë kësisoj të vetë-ndërtohet, është një model i bazuar mbi shumë urrejtje, shumë cinizëm primitiv, dhunë dhe korrupsion moral të brendshëm.
Kur të dergjemi në ndonjë korridor të mykur spitali nga ndonjë atak i befasishëm, mos prisni fytyra të dashura mbi krye, si dikur. Gjithsecili do të tundohet t’ju grabisë diçka.
Gjithsecili do t’ju dhurojë një shtirje dhe në këmbim do t’ju grabisë.
Sepse në kulturën e grabitjes jemi majmur!
Kur të dalim ndonjë mbrëmje çakërqejf nga ndonjë restorant, mund t’ju mbërrijë një telefonatë se shtëpinë ua kanë vjedhur, se fëmijën ua kanë rrëmbyer, se bankieri vodhi bankën, se polici vrau një kolegun tuaj n’bashkëpunim me hajdutin, se djali u drogua, se vajza është në depresion…Sepse këto varietete lulesh pjell barku i një shoqërie mbarsur me kaq pisllëk, me kaq shtirje, grabitje dhe urrejtje.Të tilla lule pjell barku i një shoqërie që ka në themel mosDashurinë.
Prandaj dhe Zana Xheka, një Nënë, është një zonjë grua.
Artur Zhei, Mapo
1 comment:
Turp per familjet shqiptare qe paragjykojn kte nen kjo ika be sakrificat per ato fmi po kjo esht sprov ezotit zoti na sprovo te gjithe dhe kush eparagjykon kte nen zoti idenoft eva lshoft kto sprova ne familje tuat onjerz pa zemer onjerz pa shpirt muhabet ijepni ksaj nene po buk per ato fmi si ka dhen askush ajo ma here kur ikishte fmit evegjel ka punu me shati eme kazem per buk tgojs un enjoh shum mir po ka qen evetme se doren ethat se puth askush bahi njers te ndergjegjshem elum kush le nje fjal tmir mos nxirrni helm per goje se nket bot krejt jemi mysafir kurgja tjeter
Post a Comment