Thursday, November 11, 2010

Rruga e aksidentit do ishte bërë në 2005-ën

Këtë të hënë në orët e vona të mbrëmjes një autobus i linjës Tiranë-Athinë shkaktoi një tragjedi të re për Shqipërinë. Disa të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në gjendje të rëndë, mbajtën pezull frymën e miliona shqiptarëve, të cilët ishin duke mbyllur një ditë të ngarkuar me gënjeshtra dhe rrahje gjoksi nga qeveria për liberalizimin e vizave. Ato që po udhëtonin drejt Athinës, kishin të gjithë viza. Kishin të gjithë atë shans, që një pjesë e mbetur pa viza nga shoqëria shqiptare, e fitoi pardje. Ata kanë ndërtuar jetën e tyre në Greqi si emigrantë, dhe udhëtojnë prej vitesh në atë rrugë, pa u bindur të ndalen tek "vendi i mrekullive" që predikon qeveria.

Ata nuk kanë arritur të preken apo të binden deri tani nga vetëlavdërimet e Sali Berishës se jemi vendi me rritje më të madhe ekonomike në Europë. Thjesht u është dukur se te fqinji ynë jugor, që është një vend simbol i krizës ekonomike në Europë, është më mirë se këtu tek ne. Ata nuk kanë arritur të binden nga sukseset e qeverisë në hapjen e vendeve të punës, apo në ndihmën ndaj biznesit në Shqipëri, dhe vazhdojnë të jetojnë tek fqinji ynë jugor, i cili po raporton shifra të frikshme për papunësinë dhe falimentin e biznesit. Ata nuk kanë arritur dot dje as të shijojnë ato që Sali Berisha i quan rrugët më të mira në rajon, pasi gënjeshtrën e tij e paguan me jetën e tyre. Ajo që ndodhi dje në orët e mbrëmjes nuk është faj direkt i qeverisë, por është një dëshmi për atë se sa i shtrenjtë është çmimi i gënjeshtrave që i themi vetes para pasqyrës, me shpresë që do të hipnotizojmë pastaj gjithë shoqërinë. Tragjedia ndodhi në një ditë shumë simbolike për këtë tip sjelljeje të qeverisë. Ndodhi në ditën që qeveria po gënjente vetveten për "meritat" e saj në procesin e heqjes së vizave për shqiptarët, dhe u varrosën një ditë më pas, kur Europa ka shpallur "non grata" qeverinë shqiptare, si një qeveri e padenjë për të çuar vendin në Bashkimin Europian.


Edhe pse një fatkeqësi shumë e rëndë, që lëndon thellë dhjetëra familje që humbin aty njerëzit e tyre të afërt, ajo fatkeqësi shfaqet si një mallkim mbi përciptësinë dhe papërgjegjësinë me të cilën qeveria ka vepruar dhe për atë segment rrugor. Të gjithë e mbajnë mend vitin 2005, kur ai segment rrugor ishte gati për prokurim për shkak të një kredie të BERZH dhe Berisha e anuloi sapo erdhi në pushtet, me një arsyetim gati-gati krahinor, për shkak të asaj që ai mendonte se "rruga kalonte nga fshati i Gramoz Ruçit"(!). U desh viti 2007, që ai të tërhiqej nga kjo marrëzi për të bërë një marrëzi tjetër, duke ia besuar ndërtimin e asaj rruge F. Balliut dhe kunatës së tij, me një firmë fantazmë, e cila për tri vjet nuk hodhi asnjë lopatë dhe. Vetëm tre muajt e fundit këtë rrugë e ka marrë një kompani greke, e cila duket qartazi që ka fuqinë e duhur për ta ndërtuar atë.  
Pra, shqiptarët kanë humbur 5 vjet për të ndërtuar një rrugë për shkak të tekave krahinore dhe lidhjeve klienteliste të Berishës.
Ky aksident është si një mallkim ndaj gënjeshtrave të qeverisë dhe mënyrës se si përpiqet të paraqesë dështimet e saj si suksese. Shqipëria dhe Bosnja përfituan të fundit nga shansi për heqjen e vizave, por në Bosnjë nuk pati kurrfarë fishekzjarrësh si ato që desh dogjën pardje Bashkinë e Durrësit, dhe kurrfarë kryeministri të ndërkryer, si ai që shfaqej dje me dy gishta në tribunë. Ashtu siç ka këshilluar Bashkimi Europian, vendet përfituese duhet të dëshmojnë një lloj përunjësie, dhe të bëjnë gjeste që t'u dëshmojnë qytetarëve të tyre se heqja e vizave, nuk është arratisje drejt Europës. Por gjithë dizajni i fushatës së qeverisë shqiptare është tërësisht në sens të kundërt, duke treguar me tabela destinacionet ku njerëzit duhet të ikën nga sytë këmbët ditën e parë që hiqen vizat dhe një koncert festiv në ditën më të keqe të marrëdhënieve të Shqipërisë me Europën, më 9 nëntor, kur Europa na refuzon statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Është mënyra tipike e Sali Berishës se si do të gënjejë veten dhe të tijtë, me një histori që nuk është sukses i tij, por fati i qytetarëve evropianë të Shqipërisë. Ky njeri, i cili kërkon të mbulojë zinë me dasmë, ky njeri që kërkon të këndojë ditën që BE na refuzon si shtet të jemi pjesë e së ardhmes së saj, ka ndjellë dje mallkimin e Zotit për ata fatkeqë që janë sot pjesë e mallkimit që ne si shoqëri na zë, për faktin se i hapim rrugë gënjeshtrave të këtij njeriu dhe për gjërat që i shohim dhe i prekim me dorë.
____


Ruçi: I thashë Berishës që po penalizonte Jugun, tha që rruga kalonte nga fshati im...
Kur lexon materialet që ofron arkiva e shtypit lidhur me segmentin rrugor ku ndodhi aksidenti i së hënës në mbrëmje, nuk ka se si të mos bësh pyetjen: Do të ndodhte ky aksident, nëse në vitin 2005 fillimi i punimeve për këtë rrugë të mos ishte ndërprerë në mënyrë arbitrare nga qeveria e re që sapo kishte fituar zgjedhjet? Ky segment rrugor ka një histori që ka për protagonistë Sali Berishën dhe Gramoz Ruçin. Në fillim të 2006-ës, pak muaj pasi Berisha ishte rikthyer në pushtet, ka pasur një interpelancë të kërkuar nga Gramoz Ruçi me Sali Berishën. Shkaku i interpelancës ka qenë pikërisht segmenti Levan-Tepelenë. I pyetur mbrëmë nga "Shekulli", lidhur me këtë, Ruçi tha se segmenti në fjalë ishte gati për t'u ndërtuar në 2005-ën. "Ishte bërë projekti, nga një studio franceze që kishte kushtuar rreth 3.5 milionë euro dhe ishin gjendur edhe fondet, ishin 70 milionë euro nga BERZH-i. Gjithçka ishte gati për të nisur nga puna, por mbeti pa u ratifikuar pas zgjedhjeve të 2005-ës. Pasi erdhi në pushtet, Berisha e bllokoi 2 vjet duke e zvarritur", - tha Ruçi. Gjatë debatit në Kuvend mes Ruçit dhe Berishës, Ruçi iu drejtua Berishës me fjalët: "Me bllokimin e kësaj rruge ti po penalizon Jugun e Shqipërisë, sepse është votues i majtë", - kurse Berisha me retorikën e tij tipike tha se "rruga kalonte nga fshati i Gramoz Ruçit". "Ajo autostradë kalonte nga krahu i majtë i Vjosës, kurse fshati është nga e djathta e Vjosës", - tha mbrëmë për "Shekullin" Ruçi, duke shtuar: "Aq mirë e njihte projektin Berisha sa nuk dinte as nga kalonte". Më pas, Berisha mbrojti një tjetër version që rruga do të kalonte nga Berati etj., por projekti mbeti i bllokuar. Ruçi nuk donte të fliste mbi arsyet e vërteta të refuzimit të Berishës për këtë rrugë, por ish-këshilltari i Berishës, gazetari i njohur Mero Baze, tregon se çështja e këtij segmenti ka qenë debat i fortë i atyre ditëve. "E kërcënoi edhe BERZH-i, i tha se nëse e anulon, ne do të ikim nga Shqipëria, por ishte e kotë. E anuloi dhe ia dha një njeriut të vet, F. Balliut, por ky nuk e bëri dot kurrë..." - tha Baze. Pra, në 2005-ën rruga e aksidentit ka qenë e projektuar dhe e paguar nga BERZH. Ndoshta sikur qeveria të mos kishte anuluar gjithçka për pasione politike krahinore dhe klientelizëm, të vdekurit e radhës të autobusit Tiranë-Athinë, do të ishin ende gjallë... E.D


Dëshmitari: Ishte masakër. Pamë copa të vdekurish

Bledar Mustafaraj është një nga të parët e mbërritur në vendngjarje. "Ju thjesht nuk mund ta imagjinoni se çfarë masakre ishte bërë, - janë fjalët e para të tij kur e pyet për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës.
- Kemi parë njerëz të vdekur, të shtrirë, copa njerëzish. Kishte gra, fëmijë, të vdekur, ca poshtë autobusit, ca brenda e të tjerë që ishin zvarritur vetë duke dalë jashtë", vijon rrëfimin e tmerrshëm.
Bledi, kur mbërritët në vendin e ngjarjes?
Besoj se ishte ora rreth 20:00 - 20:30. Ishim makina e tretë në atë vend, ndërsa ndodhej vetëm një makinë e policisë së Ballshit. Ishin tre policë, dy në rrugë e një tjetër kishte zbritur poshtë te autobusi.
Çfarë bëtë më pas?
Dëgjonim klithmat e njerëzve. Autobusi kishte rënë në një lartësi pa frikë rreth 100 metra. Duhej të kishte bërë disa salro. Isha bashkë me një shokun tim, Erjonin, dhe zbritëm poshtë për të ndihmuar. Unë bëra vetëm dy hapa dhe më pas rrëshqita deri poshtë pasi ishte shumë baltë. Baltë, ferra, errësirë. Kështu ishte e gjithë situata. Aty ishte tmerr. Nuk mund ta imagjinoni dot se çfarë masakre ishte bërë.
Kishte njerëz?
Njerëzit filluan të vinin menjëherë. U mblodhën plot. Ishin banorë, erdhi policia e Fierit, rreth 20 autoambulanca. Filluam të ndihmonim në nxjerrjen e trupave. Kemi nxjerrë të vdekur. Një arritëm ta nxirrnim të gjallë. Ishte një djalë rreth 25 vjeç, të cilit autobusi i kishte zënë njërën këmbë poshtë.
Disa pasagjerë kishin arritur të dilnin vetë nga autobusi, disa i kishte zënë poshtë. Autobusi u lëviz me skrep. Fshatarët erdhën me zetorë dhe ndihmuan që të nxirrnin trupat dhe t'i lëviznin. Nuk kishte mënyrë tjetër për t'i nxjerrë.
Rënia e autobusit ishte në ndonjë kthesë?
Jo, ishte rrugë e drejtë, e mirë. Nuk ishte rrugë për të rënë. Më thanë që shoferi ishte grek.
Mund ta përshkruani ç'ndodhte?
Pak është për të thënë. Kam parë një vajzë të vdekur që e nxorën që aty. Ishte e vogël. Ndoshta 13 vjeçe. Kishte shumë njerëz të vdekur, koka të çara kemi parë. Njerëzit ishin bllokuar në sedilje, pasi tavani i autobusit ishte ngjitur me sediljet.
Si transportoheshin trupat?
Të vdekurit i morën me zetor. I ngarkonin në një zetor fshati, pasi nuk kishte mundësi tjetër për t'i ngjitur në rrugë. Ishte errësirë, baltë e ferra. Të plagosurit i tërhiqnin me litarë, një e mbajtën në krahë derisa e nxorrën në asfalt.
Deri në ç'orë qëndruat në vendngjarje?
Deri në mesnatë. Nuk e mbaj mend mirë se sa ishte ora, por di që vazhdonin të nxirrnin trupa. Gjetëm një telefon që binte. E morëm. Personi na tha se ishte vëllai i një gruaje nga Lushnja, quhej Manushaqe Bali. I thamë se kur të shkonim në spitalin e Ballshit do të mund t'i thonim ishte gjallë apo jo.
Vajtëm atje, por ajo kishte vdekur. Vajzat e veta shpëtuan. Kishin mbërritur edhe familjarët e tyre dhe ua dhamë atyre telefonin. Më pas u larguam. Gjithçka ishte e tmerrshme. Nuk ka fjalë për ta përshkruar.
Kryeministri vendos shtyrjen e festimeve
Kryeministri Sali Berisha lajmëroi shtyrjen e aktiviteteve festive me rastin e liberalizimit të vizave në shenjë solidariteti me zinë e familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre në aksidentin e ndodhur me autobusin e linjës Tiranë-Athinë . "Për të shprehur solidaritetin me zinë që ka pllakosur familjet e viktimave vendosëm të ndërpresim të gjitha aktivitetet festive të përcaktuara për ditën e sotme dhe të nesërme.
Qeveria merr përsipër shpenzimet e varrimit të viktimave të këtij aksidenti, duke iu shprehur familjarëve të tyre ngushëllimet më të sinqerta",- u shpreh kreu i qeverisë. Sipas kryeministrit, protokolli i shtetit do të planifikojë ngushëllime nga zyrtarë të lartë në familjet e viktimave ndërsa aktivitetet do të shtyhen për 48 orë, kurse koncerti festiv i parashikuar për dje do të shtyhet për ditën e premte pasdite.
TRAGJEDIA/ Familja Guma është nga familjet më të goditura nga tragjedia. Të afërmit thonë se ata kishin ardhur për një dasmë
Babë e bijë të vdekur, nëna e dy vajzat në spital
Familja Guma është familja më e prekur nga aksidenti. Pesë nga gjashtë anëtarët e kësaj familjeje kanë qenë në autobus, ku dy humbën jetën, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital. Ferdi Guma dhe vajza e tij 13-vjeçare Marjola janë viktimat, teksa Burbuqja dhe dy vajzat Valbona dhe Mariglena kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen në spitalin e Gjirokastrës.
Në orët e vona të mbrëmjes së të martës ende tre të mbijetuarat nuk kishin dijeni për humbjen e dy anëtarëve të familjes. Mariglena është binjake me Marjolën e pritet që për të të jetë edhe më e rëndë humbja. Zija për to është hapur në banesën që familja jetonte para emigrimit, në Frakullë të Vogël, një fshat 27 km larg nga qendra e Fierit.
Teksa hyn në fshat të gjithë të drejtojnë për në shtëpinë e familjes ku ka rënë fatkeqësia. Moti i keq e bën edhe më të dhimbshme tragjedinë. Neshati, vëllai i Ferdit, rrëfen se familja Guma kishte mbërritur fundjavën e shkuar pasi ishte dasma e së bijës. "Të hënën në mëngjes prenë biletat e pasdite u nisën", thotë ai. Neshati shprehet se i vëllai kishte katër vajza.
"E madhja jeton me mua në Shqipëri, pasi vijon vitin e katërt të shkollës së mesme. Vitin tjetër do të shkonte për shkollë të lartë në Greqi tek prindërit. Dje u takua me ta sikur të ishte takimi i fundit", rrëfen Neshati. Ndërkohë, vëllai tjetër Fatmiri thotë se lajmin e aksidentit e ka marrë nëpërmjet telefonatës që i ka bërë Burbuqja.
Pas lajmit të rëndë të afërmit kanë udhëtuar drejt vendit të ngjarjes. Ata kanë kërkuar familjen e Ferdit. Janë përballur me viktimat, ndërkohë që kanë kërkuar për shumë orë vajzat, pasi Burbuqja është gjetur që ishte nisur nga spitali i Tepelenës drejt Gjirokastrës.
Njerëzit me të zeza vijojnë të vajtojnë dy viktimat që në arkëmortet e tyre kishin pushtuar pjesën më të madhe të dhomës së shtëpisë së vjetër. Gratë e veshura me të zeza nuk kanë ditur se kë të qajnë më parë, Ferdin apo Marjolën 13-vjeçare, që do të prehet përhera pranë atit të saj.
Hetimet/ Rezulton se autobusi ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi prej 60 km/h në një rrugë të drejtë Aksidenti, policia: Faji ishte i shoferit
GJIROKASTËR- Gjashtë prej të plagosurve në aksidentin e mbrëmjes së të hënës ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy në gjendje më të rëndë janë transportuar me urgjencë drejt Janinës. Ekspertë të qarkullimit rrugor kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mendohet se është pakujdesia shkaku që solli aksidentin tragjik. Grupi hetimor
Që në orët e para të mëngjesit, në vendin ku mbrëmjen e së hënës u rrëzua autobusi me 50 pasagjerë ka mbërritur grupi hetimor. Në përbërje të tij kanë qenë ekspertë të qarkullimit rrugor nga Gjirokastra dhe Fieri, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të autobusit, për të bërë zbardhjen e plotë të shkaqeve që sollën bilancin tragjik.
Mendohet se ka qenë pakujdesia ajo që shkaktoi aksidentin, pasi nga hetimet paraprake rezulton se drejtuesi i autobusit, shtetas grek, nuk rezulton të kishte konsumuar alkool. "Në momentin e aksidentit, sistemi i frenimit dhe drejtimit kanë funksionuar.
Në momentin e aksidentit autobusi po ecte me 60 km/orë, një shpejtësi normale, por duket se shoferi i autobusit ka nënvlerësuar rrugën, është shpërqendruar dhe ka përfunduar poshtë rrugës, i favorizuar dhe nga kushtet e këqija atmosferike", pohojnë burime nga grupi hetimor.
Të plagosurit
Të plagosurit e parë janë transportuar rreth orës 22:30 në spitalin rajonal "Omer Nishani" në qytetin e Gjirokastrës. Sipas mjekut të urgjencës, Laver Stroka, tre prej të plagosurve kanë qenë në gjendje më të rëndë. "Kanë qenë 8 të plagosur, prej të cilëve 3 në gjendje shumë të rëndë.
Në gjendje më kritike ka qenë Eduart Prençe, nga Lushnja, i cili iu nënshtrua për disa orë ndërhyrjeve kirurgjikale, në mëlçi dhe në shpretkë, sepse kishte çarje të të dy këtyre organeve. Ishte vërtet në gjendje shumë kritike për jetën.
Pasi mbyllën rrugët e derdhjes së gjakut, ai u nis drejt spitalit të Janinës, Greqi, për një trajtim më të specializuar. Gjithashtu drejt Janinës u nis edhe Petro Vangjeli, nga Saranda i cili ka mbërritur me një makinë.
Edhe ai ishte rëndë. Po kështu për t'u theksuar është edhe një rast tjetër, Daniela Papallaqi, e cila ka një çarje në kafkën e kokës, shembje dhe dëmtime në kraharor dhe me rrjedhje gjaku nga veshi dhe dëmtim të orbitës së syrit. Po trajtohet në reanimacion.
Gjendja e saj sot paraqitet disi më e mire. Por, ne po e mbajmë, sepse ka rrezik të ndonjë infektimi i trurit. Të tjerët po vazhdojnë të mbahen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën", shprehet mjeku Stroka. "Gjendja e të shtruarve është jashtë rrezikut për jetën, kanë vetëm fraktura", shprehet mjeku kirurg Arben Kuro.
Por mbërritja e të plagosurve në spital ka rikthyer edhe njëherë një problem të mprehtë, mungesën e rezervave të gjakut.
Sipas mjekes së puntit të gjakut, Mira Bashari, edhe në këtë rast të rëndë ka munguar sensibiliteti i komunitetit për dhurimin e gjakut. Të vetmit dhurues kanë qenë një gazetar dhe një student, ndërsa nevojat janë plotësuar me rezervat që ishin.
"Tre falkone janë vendosur në dispozicion të të lënduarve, por kishte nevojë edhe për më shumë. Situata të tilla na vënë para vështirësive, pasi numri i vullnetarëve dhurues është i pakët",- është shprehur Bashari.
Ndërkohë, edhe pse janë jashtë rrezikut për jetën, për mjekët, trauma që kanë pësuar të plagosurit është tepër e rëndë dhe do të duhet shumë kohë të rikuperohet. Familja më e goditur nga ky aksident është ajo Guma nga Frakulla e Fierit, që humbi dy anëtarë, kryefamiljarin dhe njërën prej vajzave binjake.
Nëna dhe dy vajzat e tjera nuk dinë asgjë për gjëmën që u ka ndodhur dhe përpiqen të rikuperojnë gjendjen fizike "Autobusi po ecte me shpejtësi gjatë gjithë rrugës dhe ne u trembëm. Shoferi ishte i pirë. Dhe nuk e mori kthesën, po vazhdoi të ecte.
Unë isha në fund fare. Nuk mbaj mend asgjë, vetëm kur u përmenda në spital më thanë që të ka sjellë një makinë", tregon Marenglena Guma, njëra prej binjakeve që shpëtoi nga aksidenti. E plagosura tjetër, po jashtë rrezikut për jetën, Erjona Boçi, tregon për aksidentin.
"U nisëm nga pushimi i shoferit, po shoferi ecte shumë shpejt. Rruga ishte e lagur, rrëshqiti autobusi, bëri 4 herë rrotullime dhe pastaj ra në greminë. Na nxorën, na morën ambulancat", shprehet ajo.
Banori: Ndërhyrja jonë uli numrin e viktimave
Rrëzimi i autobusit nuk la gjurmë vetëm te pasagjerët, por edhe te banorët e fshatit Ziaj (pranë të cilit ndodhi aksidenti), të cilët qenë të parët që mbërritën në vendngjarje dhe dhanë ndihmë për udhëtarët.
Njëri prej banorëve, 60-vjeçari Myqerem Aliaj, thotë se "në momentin e rrokullisjes nuk dëgjuam asnjë zhurmë. Binte shi pa pushim. Ishin ulërimat e pasagjerëve të plagosur që na tërhoqën vëmendjen. Brenda pesë minutash u bëmë rreth 30 bashkëfshatarë që mbërritëm te vendi ku ra autobusi.
Në momentin e parë jam hutuar, por më pas mblodha veten, ndeza zetorin dhe mbërrita pak me vonesë për shkak të rrugës", shprehet 60- vjeçari, i cili pohon se ndërhyrja energjike dhe e menjëhershme e policisë, mjekëve dhe banorëve uli ndjeshëm numrin e viktimave.
"Një pasagjer ka shpëtuar mrekullisht falë këmbënguljes së banorëve dhe policisë rrugore, të cilët me mish dhe shpirt e nxorën djaloshin. Bëmë çfarë ishte e mundur për të mos lënë asnjë pasagjerë të humbte jetën", rrëfen Aliaj. Aksidenti tragjik i së hënës mbrëma, ku 9 persona humbën jetën dhe 41 të tjerë u plagosën është më i rëndi i shënuar në aksin kombëtar Ballsh- Tepelenë.
Shoferi grek: Më doli një maune përpara
Drejtuesi i autobusit me targa greke që regjistroi një nga tragjeditë më të rënda në rrugë ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekut kirurg, Bert Metaj, ai ka hematoma në kokë, dorë dhe në shpatull. Mjeku që ka ndjekur shëndetin e tij nga afër shprehet se gjendja shëndetësore e shoferit ka qenë e mirë që në momentet e para të mbërritjes në spital.
Gjithashtu, mjeku thotë se atij i është bërë i gjithë mjekimi i duhur, ndërkohë që në orët e para të mëngjesit nga shtrati i sallës së reanimacionit ai është zhvendosur në dhomën burg të katit të dytë të spitalit ku po ruhet me shërbim policor.
Ai nuk ka preferuar të flasë për grupin e hetimit. Sipas prokurorit Genci Mane që po merret me çështjen, "shoferi ka dashur të mbrohet me avokat grek dhe nuk ka folur lidhur me aksidentin". Gjatë paradites së martë një përkthyese e gjuhës greke është parë të futet në dhomën burg ku qëndronte shoferi.
Përkthyesja, Anila Haxhiu, tha se "edhe pse jam edhe avokate, ka preferuar që nga unë të marrë vetëm shërbimin e përkthimit. Ai është lindur dhe banues në Janinë. Tha se gjithçka ishte aksidentale dhe i ka dalë një maune përpara në momentin e përmbysjes".
Viktimat
1. Ferdi Guma, 45 vjeç, nga Frakull i Vogël, Fier, 2. Marjola Ferdi Guma, 13 vjeçe, nga Frakull i Vogël, Fier, 3. Manushaqe Bali, 33 vjeçe, nga Karbunara, Lushnjë 4. Dallëndyshe Ramazan Shuli, 40 vjeç, Lushnjë 5. Dhurata Nevruz Halilaj, 35 vjeç, nga Laçi, 6. Aferdita Nevruz Basha, 40 vjeç, nga Laçi 7. Refotaq Mefail Bashllari, nga Tirana 8. Nikollë Nina, 70 vjeç, nga Durrësi 9. Karafil File, 35 vjeç, nga fshati Peshtan, Berat
Të plagosurit
1. Eduard Prençe, 29 vjeç, nga Lushnja, 2. Petro Vangjeli, 61 vjeç, Sarandë, 3. Sebie Boksiu, 30 vjeçe, 4. Robert Boksiu, 8 vjeç 5. Bledar Boksiu, 5 vjeç 6. Luan Çela, 22 vjeç 7. Sebi Bolçiu Pukë 8. Hana Prifti 60 vjeçe Berat 9. Kozeta Myrtaj, 50 vjeçe 10. Nufie Gjivori 16 vjeçe, Lushnjë 11. Toma Cogas, 57 vjeç, Greqi 12. Mynyr Xhafa, 48 vjeç, Kavajë 13. Vasillaq Poni, 40 vjeç, Sheq i vogël 14. Sofia Cera, 35 vjeçe, Tiranë 15. Zana Papa 40 vjeçe, Fier 16. Robert Papa, 43 vjeç, Fier 17. Valmir Sulku, 26 vjeç, Lushnjë 18. Anxhelina Haldeda, 10 vjeçe, Kamëz 19. Naile Tagoxha, 52 vjeçe, Vlorë 20. Meleqe Bali, 4 vjeçe, Lushnjë 21. Nerehila Bali, 5 vjeçe, Lushnjë 22. Mili Goga, 59 vjeç, Afrimi i Ri 23. Edlira Haldeda, 27 vjeçe, Dibër 24. Amela Berisha, 24 vjeçe, Tiranë 25. Elisabeta Haldedaj, 6 vjeçe, Tiranë 26. Athina Vangjeli, 26 vjeçe, Tiranë 27. Lulzim Mali, 37 vjeç, Tiranë 28. Lorena Hoxha, 6 vjeçe, Lushnjë 29. Brixhida Hoxha, 32 vjeçe, Lushnjë 30. Lindita Gjinari, 36 vjeçe, Lushnjë 31. Todi Prifti, 55 vjeç, Fier 32. Teodor Koreta 18 vjeç, Fier 33. Jorgji Janaqi, 60 vjeç, Durrës 34. Daniela Papallaqi 35. Erjona Boçi 36. Marenglena Guma, 13 vjeçe, Fier 37. Burbuqe Guma, Fier 38. Valbona Guma, Fier

Entela Bani, Kristaq Thanasi, Shekulli

No comments: