Kundërshtarët e Enver Hoxhës le ta shajnë Enver Hoxhën sa të duan, ku të duan e si të duan, por jo për ngjarje si data e Çlirimit të Shqipërisë, të cilat janë vepra të popullit shqiptar e jo të Enver Hoxhës.
Argumentet që kanë sjellë përkrahësit e datës së çlirimit më 28 Nëntor 1944, nuk janë akte dokumentare, por spekulime në leximin e tyre. Deri sot ata sillen e nga sillen e po ato referime spekulative përdorin. Dokumentet historike që janë përdorur nga historianët deri sot - shqiptare, gjermane, britanike, amerikane - flasin në mënyrë bindëse se ushtari i fundit gjerman u largua nga Shkodra në mëngjesin e 29 Nëntorit 1944 dhe po atë ditë disa orë më vonë edhe nga kufijtë e Shqipërisë
Si rrjedhim, dita e Çlirimit të Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 nuk ka përse të lëvizë.
Meqenëse dokumentet janë të njohura, nuk ka përse të rikthehemi tek ato. Mjafton që ato të lexohen me objektivitet. Këtu dua të sjell si dëshmi kokëfortë disa njoftime shqiptare të atyre ditëve, shumë pak të njohura, ose të shfrytëzuara mbrapsht, të cilat kundërshtarët do të kenë të vështirë t‘i hedhin poshtë ose ta deformojnë, siç e kanë zakon, përmbajtjen e tyre.
Në muajt e fundit të okupacionit gjerman, kur filloi çlirimi i qyteteve të mëdha, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL-së, nxirrte një buletin gati të përditshëm me ngjarjet e luftës. Buletini me titull "Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare" shtypej në një shtypshkronjë ilegale të vendosur në fshatin Priskë afër Tiranës. Buletini shtypej zakonisht në një fletë me dy faqe, afërsisht deri në fund të dhjetorit 1944, kur filloi botimin gazeta "Bashkimi". Sikurse tregon fotokopja këtu pranë, nga pamja tipografike, Buletini nuk kishte dallim nga media e zakonshme e ditëve tona. Për arsye që kuptohen, mungonin vetëm ilustrimet. Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se në çdo numër buletini si dhe gazetat e sotme ngjarjet e ditës së kryeqytetit, i botonte në numrin e ditës së nesërme ose të pasnesërme, kurse ato të rretheve nganjëherë edhe në disa ditë vonesë.
Më 28 Nëntor 1944, Buletini për shkak të festës kombëtare, nuk doli në qarkullim. Atë ditë, qeveria e përkohshme, fill pasi hyri në Tiranën e çliruar, vendosi që Dita e Pavarësisë të kremtohej tri ditë me radhë. Më 28 Nëntor do të ishte festa zyrtare e mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit; më 29 Nëntor festën e Pavarësisë do ta kremtonte Organizata e Rinisë Antifashiste (BARSh-i); më 30 Nëntor do ta kremtonte Organizata e Gruas Antifashiste (BGASh-i).
Të nesërmen, më 29 Nëntor, numri 51 i Buletinit qe mbushur me kremtimin e festës së Pavarësisë në Tiranë, duke i dhënë një vend të rëndësishëm hyrjes së qeverisë demokratike në kryeqytet dhe fjalimit të njohur që mbajti atë ditë E. Hoxha. Të nesërmen, më 30 Nëntor, buletini qe mbushur përsëri me reportazhe rreth kremtimit të Ditës së Pavarësisë në kryeqytet. Në këndin e djathtë të buletinit, brenda një katrori me titull "Ora e fundit", njoftohej tekstualisht: "Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare njofton: Repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që veprojnë në veri të Shqipërisë, çliruan Shkodrën".
Dihet se rruga Tiranë-Shkodër qarkullohej me vështirësi, për shkak të katër urave që kishte hedhur në erë ushtria gjermane (ura e Gjoles në Fushë-Krujë, ura e Matit në Milot, ura e Drinit në Lezhë dhe ura e Bahçallëkut në Shkodër). Njoftimi mbi çlirimin e Shkodrës u përcoll gjatë ditës së 29 Nëntorit nga korpusi II në Tiranë me radiograf.
Kjo shpjegon arsyen përse lajmi i çlirimit të Shkodrës u botua në Buletin të nesërmen, më 30 Nëntor. Njoftimi me radiogram i çlirimit të Shkodrës më 29 Nëntor 1944 dëshmohet dhe nga një burim tjetër. Në buletinin e datës 1 dhjetor (nr. 53) është botuar një reportazh mbi kremtimin e Ditës së dytë të Flamurit, pra më 29 Nëntor nga Organizata "Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare" (BRASh). Në mitingun, i cili zhvillohej paradite në sheshin që sot mban emrin "Nënë Tereza", fjalimin kryesor e mbajti presidenti i BRASh-it, Nako Spiru.
Disa minuta pasi mbaroi fjalimin e vet, Nako Spiru u kthye përsëri në tribunë dhe tha, sipas Buletinit, tekstualisht: "Shokë! Në këtë çast Shtabi i Përgjithshëm lajmëron se Ushtria jonë heroike çliroi Shkodrën. Shqipërinë tonë e kemi krejt të lirë". "Entuziazmi, vazhdon buletini, shpërthen pa kufi. Rregulli dhe radhitja nuk mbahen dot më. Të gjithë bërtasin ‘Rroftë Ushtria Nacionalçlirimtare! Rroftë Shqipëria e lirë demokratike‘ ... dhe nga gëzimi fillojnë të gjithë të hedhin kapelet në erë, të këndojnë, të brohorasin aq tepër sa mund të dëgjohen në anët e largëta të qytetit".
Disa ditë më vonë, buletini i datës 5 dhjetor 1944, në rubrikën "Lajme të brendshme", përmban një njoftim zyrtar lëshuar nga Korpusi II i UNÇL-së, i cili tani e kishte selinë e vet në Shkodër. Aty thuhet ndër të tjera: "Mbas grushteve të forta që hëngrën gjermanët në Krrabë, Tiranë e kudo gjetkë të tmerruar u mblodhën në qytetin e Shkodrës, qytet i fundit që mbetej për t‘u çliruar pas 28 Nëntorit". Më tej: "Më 29 Nëntor forcat e Korpusit të tretë hyjnë në qytetin e Shkodrës të pritura me brohoritje nga i gjithë populli i qytetit" .
Dy javë e ca më vonë, arriti në redaksinë e Buletinit të Luftës Nacional-Çlirimtare një letër nga një partizan i reparteve të UNÇL-së së Shkodrës me përshkrime mbi çlirimin e qytetit. Ai, me siguri nuk e parashihte se një vit më vonë Asambleja Kushtetuese do të vendoste më 30 Nëntor 1945 si festë kombëtare të saj 29 Nëntorin, ditën e shpalljes së Republikës Federative. Nga letra deri si e pashfrytëzuar edhe pse e gjatë, vlejnë të riprodhohen disa fragmente me rëndësi për çështjen që po trajtojmë. Aty thuhet ndër të tjera: "Partizanët i janë avitë qytetit të Shkodrës nga të gjitha anët. Shkodra, vendi i fundit që i ka ngelë nazistave e tradhëtarëve, asht në pragun e sulmit partizan. Okupatori e këlyshët e tij e kuptojnë mirë gjendjen kritike të tyne. Kanë marrë mësim të hidhët nga Tirana heroike! Prandaj duen që me çdo kusht të mos të përsëritet edhe një herë kjo betejë barrikatash, mos të përsëritet lufta rrugë për rrugë, shtëpi për shtëpi e dhomë për dhomë. Ata e din mirë se hovin partizan s‘mund ta luanin as topi, as mitralozi e as tanksi. Për këtë arsye, shpejtohen që me i thanë lamtumirën e fundit Kryeqytetit të Teutës, Shkodrës së Perlatit, Brankos, Jordanit e sa e sa dëshmorëve të tjerë.
Por Shkodra nuk dishëron me i lëshue fashistët gjermanë pa u a skuqë këmishën. E ja që nji luftim i ashpër ndezet te ura e Mesit, nja 4-5 km. jashtë qytetit, në mes të batalionit të dytë të grupit të Shkodrës dhe nazistavet barbar.
Anmiqtë janë shumë! Kanë futë në përdorim edhe artilerin e tanksat. Partizanët e grupit të Shkodrës luftojnë heroikisht dhe jo vetëm që nuk i lëshojnë asnjë pëllëmbë tokë anmikut, por përkundrazi me thirrjen karakteristike të kaq fitoreve "para partizan" hidhen në sulme pushka kundra topit, gjoksi kundra tanksit. Dhe mrekullia u ba!
Pse mbas gjasht orësh luftimesh të rrebtë, partizanët e grupit të Shkodrës të ndihmuem edhe nga njësina të brigadës VI-të, arrijtëm me e çpartalluem anmikun i cili, i turpnuem e i vramë si në të gjitha viset e tjera të Shqipnisë, hiku me bisht ndër shalë, por jo pa lanë gjurmat e barbarizmës së tij. Pse mbas mesnate të natës 28 Nëndorit plasje të tmerrshme tronditën Shkodrën.
Ishin urat e Bunës e të Bahçallëkut që hidheshin n‘erë nga vandalët e shekullit XX-të. Atë natë ishte nji errësinë që me futë gishtat ndër sy. Hana ishte mshefë që mos të shihte krimet monstruoze të hunëve modernë. Kishte pa mjaltë që në Borovën e shkretë e deri në Tiranën martire. Por të nesërmen ditën e 29 Nëntorit gëdhin një kohë e mrekullueshme. Dielli u çue n‘orizont me madhështi si të donte me i dhanë qytetarëve të Shkodrës, që hala flejshin, sihariqin e madh të çlirimit. Kur s‘vonoi shumë e në të gjithë qytetin plasi pushka. Aty këtu dëgjohesh dhe ndonjë krizëm e fortë bombje e fishkullim i mprehtë mitralozëi.
Por këto ishin pushkë gëzimi. Pse mbrenda në Shkodër nuk ndodhesh ma asnjë këmbë gjermani e nga ana tjetër pararojet e Brigatave 7, 22, 23 e 24 kishin kalue Drinin dhe gati ishin avitë në zemrën e qytetit. Lajmi u përhap me shpejtësin e rrufesë. Turma turma vinte populli para sheshit të Prefekturës për të pritë çlirimtarët dhe për të dëgjue zanin e tyne që, pa u drojtë fare, buçiti për pesë vjetë me radhë në mal, në fushë, në qytet e kudo".
Letra mbyllet me këto fjalë: "Dita e 29 Nandorit qe për popullin e Shkodrës një gëzim i dyfishtë e para pse iu hoq nga supat pesha e randë e robnisë, dhe e dyta pse me çlirimin e Shkodrës u çlironte e tanë Shqipnija, merrte fryres dhe e pushtetit popullor".
Letra e partizanit anonim e shkruar fill pas çlirimit të Shkodrës, ka vlerën e një dokumenti historik, e cila nuk lë shteg as për shtrembërime, as për interpretime keqdashëse.
Si përfundim, njoftimet që përmban Buletini i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare deri sot të pashfrytëzuara, mbase edhe të panjohura, se Shkodra, së bashku me të edhe e gjithë Shqipëria, u çliruan nga zgjedha gjermane më 29 Nëntor 1944 - përputhen pikë për pikë me dokumentin e shtabit gjerman, ku thuhet se ushtari i fundit i Wermacht-it, u largua nga toka shqiptare më 29 Nëntor 1944; me mesazhin e atyre ditëve të Departamentit të Shtetit të ShBA-së, me të cilin përshëndetej çlirimi i Shqipërisë më 29 Nëntor; me pohimin e misionarëve britanikë, të cilët pranojnë nga ana e tyre çlirimin e Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 dhe, mbi të gjitha, me deklaratat e kuadrove të reparteve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që morën pjesë në çlirimin e qytetit të fundit të Shqipërisë, të cilët pohojnë gjithashtu se Shkodra dhe Shqipëria u çliruan më 29 Nëntor 1944.
No comments:
Post a Comment