Saturday, January 8, 2011

Njeriu dhe uji i bekuar

Të gjithë po përballemi me një dukuri natyrore që për nga dëmi i ngjan përmasave të një epidemie, por që, kurrsesi, me këto njohuri të sotme që zotëron pjesa shkencore shqiptare të barazohet me fatkeqësi natyrore.

Pse?
Sepse me përkufizim është quajtur dhe do të quhet fatkeqësi natyrore, ajo dukuri e natyrës, që kur ndodh kalon kufijtë e njohjes inxhinierike apo shkencore ose është për herë të parë, e pastudiuar ende, e pandodhur më parë, e pamonitoruar më parë.

Në këtë kuptim janë quajtur proceset vullkanike, ato të tërmeteve, të përmbytjeve, deri në ato të bubullimave, në kohën kur njeriu primat trembesh dhe strukesh në shpella, siç bëjnë qeniet e sotme paranjerëzore, ato me ndërgjegje e arsyetim të ulët - Qentë.

Për disa nga proceset natyrore, kjo tromaksje ka vazhduar edhe në mesjetë, madje për pak nga këto dukuri, që lidhen ende me shkallën e injorancës vazhdon deri në ditët tona (ju kujtojmë eklipsin e vitit '99, se si media struku shqiptarët brenda mureve të shtëpisë).

Por, nuk mund të pranojmë, sot, se tërmeti, vullkani, përmbytja, rrëshqitja e erozioni përbëjnë fatkeqësi natyrore, në një kohë, kur për to në të gjithë botën e shkencëruar ekzistojnë harta të shpërndarjes së potencialeve të tyre të mundshme.
Kësisoj, çdo vend është i rajonizuar sipas kuptimit të rreziqeve natyrore në shkallë të ndryshme, ku edhe vendi ynë e gëzon këtë fakt në sajë të institucioneve shkencore që kishte, që sot janë kthyer si çiban apo si atashe aparatçikësh pranë katedrave pedagogjike. Harrojmë se këta i nevojiten vendit si deveja në shkretëtirë, si fotosinteza në bimë, por mbi të gjitha si oficeri në luftë.

Le të kthehemi tek halli që na ka zënë, por të jeni të bindur e të gatitur or qytetarë e katundarë shkodranë, se ky hall i ngjan miut që kaloi njëherë nëpër mustaqe. Zamzaneja prej qelqi u thye apo shtamba prej balte u kris.
Aq keq më vjen që po ju shkruaj, duke iu drejtuar juve këto reshta, aq sa po më dridhet dora mbi tastierë, por jo mendja, sepse më parë se të kesh këtë fatkeqësi, më saktë këtë zemërim natyror, ulu pak pranë një oxhaku me zjarr bubulak ose mund të ulesh edhe në banjat alla franga, sepse në kësi vendesh njeriu reflekton qetazi për ato që ka bërë dhe për ato që duhet të bëjë.
Çfarë?
Së pari, se si ndërtove në zonë përmbytje, duke zaptuar tokë buke, që shqiptari ka ndërtuar në mijëvjeçarë, qysh nga koha e Trojës, në kodra e në rrëzë saj (ju kujtojmë Beratin të ndërtuar në shtatë kodra, prej të cilit mori shembull Roma e Stambolli më pas).

Së dyti, nuk mjaftoi që ky vend fitoi nga ky lumë Drin, (i cili kur ndodh që gjëmon, ndodhka që ky popull edhe e mallkon), tokat që dikur përmbyteshin përgjatë zonës së Gjadrit. Sikur nuk mjaftoi, që ky komb fitoi nga ky lumë Drin, tokat, që dikur përmbyteshin përgjatë zonës së Lezhës.
Sikur nuk mjaftoi, që ky vendimmarrës qaraman fitoi energji elektrike për ditën, duke i zënë rrugën në Vaun e Dejës. Sikur nuk mjaftoi, që ky politikëbërës derëzi fitoi energji elektrike për natën, duke i zënë rrugën në Koman. Sikur nuk mjaftoi, që ky ligjvënës "hallemadh" fitoi energji elektrike për dimër e për verë, duke i zënë rrugën në Fierzë. Dhe pastaj e detyruan të bashkohej i tëri me Bunën.

Dhe pastaj katundarë e malësorë, që nga Shkodra gjer' në Vlorë, i zunë pusi me ndërtime të "legalizuara" anash majtas, anash djathtas, para e prapa rrjedhës, të njohura në mijëvjeçarë si zona përmbytje që janë vetëm për mish e oriz.

Çfarë nuk arrijmë të kuptojmë?
Mirë në zonë përmbytje, po pse në zonën gropë të saj, ku ju kujtojmë Nartën, Divjakën, Velipojën, Ulqinin, të cilat janë ndërtuar mbi mezhdë, që përmbytja t'i rrethojë për pak ditë, por jo t`i mbysë shtëpi e katandi për çdo vit.
Mirë në zonë përmbytje, po pse një ngrehinë këtu e një atje, duke betonizuar tokën, që në kësi kushtesh, rrit volumin e ujit përmbytës.
Së treti, si mund të derdhësh ujërat e zeza pranë një Liqeni që të ka dhënë ujë me u ngijue, peshk me jetue, shpezë me shijue, bimë me zbukurue, aq më tepër që ti o shkodran vajte e ndërtove jetë, qysh nga pellazgia, tek Liqeni, që pasi e pagëzove me emrin Shkodër, ku s'ka mundur gjuhë tjetër ta thyej, ti sot e thyen dhe e fyen, duke e bërë të thirret gjirizi i Shkodrës.

I dashur countryman and countrycitisen!
Jam i bindur, që si çdokush, e dini se uji ka një formulë të thjeshtë të ndërtuar nga dy atome hidrogjeni, si baza kimike e formimit të tokës që na ushqen dhe një atom oksigjeni, si baza kimike e jetës së gjallë, përfshirë dhe njeriun. Pra, uji është baza e jetës edhe për njeriun.
Sikundër jam i bindur, që nuk di të kundërtën e saj, që njeriu dhe qeniet e tjera të gjalla (kafshët, bimët etj.) janë baza e jetës së ujit.
Dëgjo këtu tani dhe dëgjomë mirë.
Uji, veç përbërjes kimike të mësipërme, duke qenë mineral, si gjithë të tjerët ka dhe ndërtohet prej kristalesh optikë, që marrin një formë të caktuar në varësi të sjelljes me të.
Pra, ndryshe nga të gjithë mineralet e tjerë, këto kristale optikë marrin formë të caktuar nga mënyra se si reagon, ajo qenie për të cilën ai është baza e jetës, pra, si qeniet e gjalla, si edhe njeriu. Ndërkohë që dihet, që qeniet e gjalla, si bimët edhe kafshët kanë ekuilibër dhe mënyrë të sjelluri me ujin sipas ligjeve e rregullave perfekte.
Ai që del nga binarët në marrëdhënie me të është vetëm qenia me dy këmbë.  
Kështu, në të gjitha eksperimentet e kryera në qindra pika të globit me ujin që rridhte nëpër rrjedha të caktuara, rezultoi se kur njeriu e bekonte me fjalë të ngrohta, dashamirëse e uruese, kristalet optike të ujit të rrjedhës vendoseshin sipas një forme të rregullt, duke e bërë atë ujë paqësor, të qetë, të dashur dhe dobiprurës.
man holding singing bowl at sunset
Kur njeriu nuk i bëzante kurrgjë ujit të kësaj rrjedhe, kristalet e tij merrnin formë amorfe dhe nuk reflektonin më vetitë e mësipërme. Por, kur njeriu i pëshpëriste fjalë të mallkuara, ai kthehesh në ujë agresiv, në ujë realisht i tërbuar, sepse kristalet e tij merrnin formën më të çrregullt të mundshme, sepse ato deformoheshin, zgjeroheshin, duke krijuar turbulenca brenda vetvetes, pa shkaqe të jashtme natyrore ose për të njëjtat shkaqe natyrore, si ato më sipër. Me këtë shkak shpjegohet rasti, pse një akshën gatim del me shije, edhe pa hedhur erëza.
Sepse, kuzhinieri apo amvisa e ka këndue apo ia ka pasë kënda ushqimin që gatuan, duke i dhënë një shije të papërsëritur. Kujtoj supën e prerë me vezë, kur dikush nga fisi im sëmurej në Berat, që vetëm nëna Minos (sime Mëje) i kërkohej ta gatiste, sepse ajo e këndonte kur e gatuante. Pra, është uji brenda gatimit që merr formë të gëzueshme, dhe/ose e kundërta, kur gjella del pa shije, dhe kuzhinieri e moleps me erëza.

Kjo po më tremb me këta politikëbërës apo me këta vendimmarrës, por më shumë më vjen të bërtas për këta qytetarë, që shajnë e shfrejnë për forcat e verbra të natyrës, duke harruar zemërimin natyror të saj për bëmat që i kanë kandisur. Po kur thonë: - "U çmendën apo u tërbuan ujërat!" Çështja është ujërat apo njerëzit?!

Nga prof. asc. Sazan Guri, G. Shekulli

Ndal Paditurisë - Ndiqni këtë eksperiment me video, se çfarë i ndodh realisht ujit, me anë të tingujve:
http://www.youtube.com/watch?v=rdOJZDWJkuk

No comments: