Mjafton të lexosh shtypin dhe çdo shqiptar e ka të qartë se në vendin tonë, klasa politike nuk ka moral (sigurisht pa përgjithësuar). Arsyeja është se vetë fjala "moral" nënkupton mos shkeljen e ligjeve: "të shoqërisë", "të shtetit", "të familjes" dhe kështu me radhë, sipas fushave në të cilat përdoret.
Morali është një kategori shoqërore d.m.th. një element që përdoret brenda një grupi njerëzish.
Historikisht tek shqiptarët ajo nënkuptonte normat (Kodet e qyteteve dhe kanunet) e vendosura nga komuniteti dhe respektimin e tyre. Kjo arrihej nëpërmjet ligjeve, traditës dhe besës.
Soloni (burrë shteti , poet dhe ligjvënës i Athinës v.640) p.k.) për t'i detyruar bashkëqytetaret e tij të zbatonin ligjin, u kërkoi t'i jepnin besën se deri sa të kthehej në qytetin e tij, të mos i shkelnin dhe as mos t'i ndryshonin. Soloni e dinte se nuk do të kthehej më, dhe dëshironte që ligjet të zbatoheshin përjetësisht.
Shkatërrimi i institucionit të traditës dhe të besës (një nga mbështetësit kryesor te ligjit dhe kombit), qe krimi më i madh që sistemi enverist i shkaktoi popullit shqiptar.
Ky shkatërrim nuk u synua të bëhej vetëm në Shqipëri. Edhe shtetet ku mbeten popullsi shqiptare, luftuan shume në këtë drejtim. Ngjarjet ne Maqedoni, janë dëshmuese të kësaj dukurie. Mos vënia e prioritetit për problemet kombëtare mbi ato partiake dhe personale, qe shprehje e qarte e degradimit shpirtëror te disa politikaneve shqiptare, por me pasoja të rënda për popullsinë tonë, bashkëjetesën paqësore dhe demokracinë në vendin fqinj.
Shpërfytyrimi gradual i karakterit te brezave filloi ne Shqipërinë e pas 45-sës, me anën e eliminimit të figurave me demokratike, trashëguese të vlerave shpirtërore te popullit tone, me anën e pushkatimeve, internimeve, varfërimit financiar dhe shpirtëror, me anën e lënies ne duart e njerëzve te pa afte, te pa skrupull, servileve dhe jo profesionistëve, te fateve ekonomike dhe politike te shtetit..
Media dhe shteti ligjor enverist, kjo "shpate e Demokleut" qe rinte mbi kokën e shqiptareve, e bene realitet këtë shpërfytyrim.
Trafiku i prostitucionit, shitja e kombësisë për një grusht para , dëmtimi i trashëgimisë historike dhe natyrore , etj. janë disa dukuri te shkatërrimit te karakterit te shqiptarit.
Të mos harrojmë se gruaja (simbol i familjes), atdheu dhe historia (simbole të përkatësisë dhe prejardhjes), kanë qenë gjithmonë të shenjta për popullin tonë.
Gjatë kësaj periudhe 45 vjeçare, ky shpërfytyrim maskohej nën parullat e paprekshmërisë territoriale, kontrollit punëtor, të drejtimit të pushteteve nga populli, qarkullimit të kuadrit, të shkojmë në gjirin e popullit, etj. Por në fakt, udhëheqja enveriane punonte për të përjetësuar pushtetin dhe pamoralshmërinë e vet. Edhe ne kushtet e ardhjes se pashmangshme te demokracisë, ajo shpejtoi "të fabrikoje" demokratet shqiptare, nga radhët e saj partiake. 20 vitet e "demokracisë shqiptare" janë pasqyrë e aktivitetit të pamoralshëm d.m.th., larg çdo ligji tradicional dhe shtetëror, te klasës drejtuese politike shqiptare.
Ne rast se ne kohen e Enverit, te drejtat e çameve ishte një kapitull i mbyllur, se ekzistonte "një miqësi e madhe midis dy popujve" dëshmi te te cilit kemi edhe një libër te tij, ne rast se shqiptaret ishin kthyer ne skllevër të një pakice, pa të drejtën e pronës private, besimit dhe të fateve të jetës së vet (se për çdo gjë do të vendoste Partia, lagjja, fronti, etj) edhe mbas viteve 90, pak gjë ose më mirë të themi përmes shumë sakrificave dhe viktimave, arritëm minimalisht te lëvizim dhe te punojmë për veten tone.
Parimi bazë në Shqipërinë e DEMOKRACISË u bë :
" secili të mendojë për kokën e tij dhe zoti (të huajt) për të gjithë! "
Dhe shteti, nga një shtet i shqiptarëve siç duhej të ishte, u bë shtet i politikanëve. Një miqësi e madhe na rrethon me shtetin jugor e "çelikosur" nga Traktati i Miqësisë 1996 qe garanton se, edhe ne dekadat e ardhshme, te drejtat e shqiptareve çam dhe te minoriteteve me kombësi shqiptare, nuk do te zgjidhen kurrë. Te braktisurve historike, siç janë minoriteti ynë ne Greqi (pavarësisht se është disa milionësh), ne kohen e demokracisë ju shtuan edhe te braktisurit ekonomike te pas viteve 90.
Këto 20 vjet treguan, qe këta nxënës te devotshëm te politikes enveriane, vazhdojnë te mos çajnë kokën për fatin ekonomik, ligjor dhe shpirtëror te afro 1 milion shqiptareve, te emigruar për te mundësuar jetesën për veten dhe familjen e tyre. Aktualisht, te ardhurat nga emigracioni përbejnë mbështetjen me te madhe ekonomike te shtetit tone (afro 950 milion euro ne vit) dhe mjet mbijetese te shume familjeve ne vend. (ndërkohë qe akoma nuk ju është njohur e drejta e votimit për vendin e tyre !).
Por nuk ndryshon gjendja as edhe për popullsinë e braktisur brenda vendit. Ndryshimi i vetëm i viteve te demokracisë është ndryshimi i parullave nga: "Të luftojmë për të mbajtur lart fenerin e socializmit" dhe "Gjithçka me forcat tona" ne: "Te luftojmë qe te bëhemi anëtare te BE-se dhe NATO-s".
A ka ndryshuar ndonjë gjë ne funksionimin e shtetit dhe plotësimin e kërkesave te natyrshme te shqiptareve?
Situata shëndetësore, ekonomike, rendi, liria e shtypit, korrupsioni e shume tregues te tjerë, nuk kane shënuar përmirësim. Dhe s'kish si te ndodhte ndryshe. A është valle e mundur qe, nga këta drejtues te politikes shqiptare , nxënës dhe pasues te karakterit dhe synimeve të sistemit enverian, por edhe të shembullit "të ustallarëve" nga shtetet perëndimore, të kërkojmë moral, shtet ligjor, mbrojtjen e interesave kombëtare, ndershmëri dhe përfaqësim dinjitoz ne arenën ndërkombëtare?
Përjetësimi i pushtetit dhe pasurimi personal, janë dy qëllime te vetme te tyre dhe përbejnë "moralin" e çdo partie qe e shikon "pushtetin" si shpellën e Ali Babait.
A është kjo një dukuri vetëm shqiptare?
Sigurisht qe jo.
Pushteti si mjet sundimi ekonomik dhe politik, është një filozofi e mësuar qe ne ditët e para te shoqërisë njerëzore.
Por a ekziston morali politik dhe ekonomik ne shoqërinë e sotme?
Kjo varet nga ndërgjegjësimi i qytetareve te një shteti. Shqiptaret nuk kane patur një shtet të konsoliduar historikisht, me gjithë përpjekjet e pareshtura e te vulosura me gjak dhe sakrifica. Por ka qene, një popull qe drejtohej nga një moral i forte tradicional familjar dhe shoqëror, qe shume popuj europiane e kane admiruar. Jo me kot emri i Aleksandrit te Madh, Pirros, Teutës, Skenderbeut, Ali Pashe Tepelenës, u bene jo vetëm emra historike për shqiptaret, por dhe figura frymëzimi te kulturës europiane.
Vete figura kolektive e shqiptareve, qe një figure admirimi nga te huajt (shpesh edhe armiq tanë), për vetitë më të vlerësueshme te njeriut si: besnik, luftëtar i lirisë, i ndershëm, punëtor, krenar, i zgjuar,?..
Pikërisht, për te shkatërruar këtë moral shoqëror te shqiptareve, qe ne periudhat para kristiane ne kohen e pushtimeve te Pol Emilit, u be ndarja gjeometrike e trevave shqiptare, qe edhe vëllai me vëllanë te mos takohej. Mohimi i qarkullimit te lire brenda shtetit te cunguar shqiptar (pas 45-sës) dhe te çdo lirie tjetër, gjenocidi politik dhe ekonomik ndaj përfaqësuesve me te shquar te patriotizmit, cënoi rëndë vlerat e traditës dhe te moralit kombëtar te komunitetit.
Sot shqiptaret, një popull tradicionalisht vital, ne kushtet e një demokracie (qe erdhi me shume si rrjedhoje e kushteve te krijuara ne Europe) akoma të mangët brenda vendit, janë ndërgjegjësuar, se kanë shumë të drejta që nuk i gëzojnë.
E drejta themelore është ajo e dinjitetit kombëtar.
Sot politikanet tanë dalin me teza se ne periudhën e bashkëjetesës brenda një familjeje europiane po humbet nocioni i Kombit, duke harruar se organizata me e madhe botërore quhet Organizata e Kombeve te Bashkuara dhe shenjtërimi i Kombit është ne bazën e çdo politike shtetërore ne vendet demokratike.
Shqiptaret kërkojnë te drejtën, për te plotësuar jetesën ekonomikisht, nëpërmjet zhvillimit ekonomik brenda vendit te tyre, si dhe te mos punojnë nen presionin e "fshesës" jashtë vendit. Demokracia në radhë të parë nënkupton fjalën "SIGURI", që do të thotë siguri brenda shtëpisë, në vendin ku jeton dhe siguri kombëtare. Siguri edhe kur ndodhet në çdo cep të botës, si qytetar të një shteti të caktuar, që figuron në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe pjesëtar i shumë organizmave të tjera ndërkombëtare.
A jemi ne të siguruar kombëtarisht?
Duke pare se brenda vendit, bëhen thirrje publike për tu tjetërsuar, për "autonomi" te tokave dhe popullsisë shqiptare, brenda territorit dhe popullsisë po shqiptare, kur nëpunësit e administratës shqiptare janë drejtuesit e këtyre veprimeve, kur përfaqësuesit më të larte shtetëror, nuk e ngrenë zërin me mjete ligjore tek institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, por me buzëqeshjen qe s'iu hiqet nga buza bëjnë shurdhmemecin, populli e kupton qarte, se ne Shqipëri nuk ka siguri, pra nuk ka demokraci reale.
Fatbardha Demi
E Shtune, 14 Qershor 2008
No comments:
Post a Comment