Krejt papritur (në kohë, jo në pritshmëri) në mesin e bulevardit te Tiranës ka mbirë një Kullë Ngujimi. Që të jemi më të saktë në terma, se pastaj mbase nuk pranohet të lexohet në zyrat e shtetit, ndërtesa aty ka qenë, vetëm se i është ndërruar destinacioni nga Kryeministri në Kullë ngujimi.
Në"moshën e internetit", në kohen e wikileaks, ndërsa institucionet shtetërore kanë krijuar sitet e tyre për të bërë transparencë me qytetarët, dhe kur politikanët shkëmbejnë mesazhe në Twitter për të popullarizuar idetë e tyre, në qendër të Tiranës ndërtesat qeveritare rrethohen me gardhe hekuri, ruhen me ushtarë më armë të mbushura dhe me urdhër për të qëlluar në mish, si të ishin kështjella mesjetare.
Megjithatë kjo ndërtesë nuk do ta ketë kurrë fisnikërinë e kështjellës, por do t'i mbesë për një kohë të gjatë emri i keq i Kullës së Ngujimit, që ngjan sikur vjen nga thellësitë e Bjeshkëve të Nemuna për të hedhur hijen e saj në qendër të kryeqytetit.
Në të, ashtu si ne simotrat e saj rurale, fshihen burra të parruar e të palarë, të armatosur deri në dhëmbë, që kanë vrarë e nuk pranojnë t'i binden ligjit, por ngujohen nën mbrojtjen e kullës së gurtë. Por brenda kullës është ngujuar edhe ai që e ka bërë, duhet ta ruajë zbatimin e këtij ligji. Dhe ky është kryeministri ynë kordhëtar. Këtu peshorja e logjikes thyhet më dysh.
Po tani çfarë të bëjë qytetari i gjorë?
Ai që nuk është as i kuq as blu. Ai që shpreson që shteti është një makinë që mbledh taksa, shtyp monedhën, ruan kufijtë nga armiqtë e jashtëm dhe ruan qytetarin nga kriminelë të brendshëm!
Si t'ia bëjmë kur gjyqtari ka frikë nga vrasësi, polici nga ushtari, populli nga qeveria?
Ja një pyetje e bukur retorike, që të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë normale, në një vend normal duhet të ulen e t'ia bëjnë vetes papushim, pa lëvizur nga vendi deri sa të gjejnë një rrugëzgjidhje.
Kësaj radhe pa Kryeministrin tonë kordhëtar që është ngujuar me vrasësit në kryekullë. Atij e vetmja gjë pa bërë që i ka mbetur tani, është që me një copë thëngjill të dalë dhe të shkruajë në murin e kryekullës :"E xanun".
Dhe ne tiransit e vjetër e dimë fare mirë se çfarë do të thotë kjo.
Peshkupauje.com
No comments:
Post a Comment