Wednesday, January 26, 2011

Vetëm hasmi dërgon “lajmës” për t’u pranuar në “kafen e mortit”

Vetëm katër orë pas ceremonisë mortore në nderim të protestuesit Hekuran Deda, vrarë nga “rojat speciale” të kryeministrit Sali Berisha në demonstratën e 21 janarit 2011, me qetësinë dhe paturpësinë e një krimineli të “stazhionuar”, dora vetë Sali Berisha tentoi të futej në shtëpinë e Dedajve për të pirë kafen e mortit me maskën e “nderimit” të viktimës të pushtetit të tij.

Familja nuk e pranoi “nderimin e kryeministrit” për mortin e Hekuranit. “Shtëpia” e Dedajve nuk ia hapi derën. E lanë atje buzë rrugës, të strukur brenda makinës luksoze me xhama të zinj, në pritje mjerane për t’u pranuar në “odën” e burrave që pinin kafen e mortit për njeriun e vrarë prej rojeve të tij në një “demonstratë buke e pune”.
Po pse Berisha dërgoi “lajmës”?
Kur dhe prej kujt dërgohet “lajmësi” për të kërkuar “pirjen e kafes së mortit”?  Përse nuk e pranoi familja Deda kryeministrin Sali Berisha në shtëpi për “kafen e mortit”?
Këtyre pyetjeve, u jep përgjigje tradita shqiptare, “plumbi qeveritar” në gjoksin e Hekuran Dedës dhe qëndrimi i kryeministrit e i deputetëve të mazhorancës për jetët e humbura.
Sali Berisha respektoi “kodin” e vrasësit, kërkoi leje për kafe

Përse Sali Berisha e “lypi” kafen e mortit në familjen Deda? Sali Berisha e di mirë si malësor se në cilat raste dhe përse dërgohet “lajmës” për t’u pranuar dikush që të pijë “kafenë e mortit” në një familje që nuk e duan, ose nuk e pranojnë. Sipas traditës shqiptare, “lajmësi” në të tilla raste dërgohet kur familja që ka mortin është në konflikt “për jetë a vdekje” me personin që “ul hundën”, ose kur e ka hasëm atë që kërkon të vijë për ta nderuar. Në rastin konkret, kryeministri Sali Berisha e ka respektuar këtë traditë, duke dërguar “lajmësin” e vet në familjen Deda, që ta pranojnë në shtëpi “për një kafe”. Nuk kishte rrugë tjetër. Fakti që është i ngarkuar me përgjegjësinë direkte të kësaj vrasjeje, Sali Berisha nuk mund të shkonte kapardisur në familjen Deda, siç futet p.sh në Sheraton, në zyrat e ministrive, në KQZ, në vilën e Fazlliçit në Serbi e në mjedise të tjera, ku i qëndrojnë të gjithë me përulje e “në shkim rreshtor”. Sali Berisha, udhëzuesi dhe urdhëruesi i vrasjes e dinte mirë që për të hyrë tek familja “Deda”, sipas “kodit zakonor” duhej marrë leje sepse “këtu e kishte çuar punën”, edhe pse në raste të tilla dyert e familjeve në fatkeqësi qëndrojnë të hapur e në to nuk trokitet për të pirë kafenë e mortit.

Ndaj dhe prej Berishës, si në të gjithë rastet e zallamahive me viktima të pafajshme të krijuara prej tij, duhej dërguar “lajmës”. Berishës dhe qeverisë së tij i ishte hequr e drejta për të hyrë në shtëpinë e Dedajve për të pirë kafen sipas zakonit. Kjo familje, gjithë lagjja, fshati, Shqipëria e bota panë me sytë e tyre, që autorët e vrasjes së Hekuranit, të Ziverit nga Gjirokastra e të Faikut nga Fieri ishin ata që mbrojtën në mënyrë të kundërligjshme me breshëri armësh jo shtetin, jo institucionet, por vetëm kolltukun e kryeministrit Sali Berisha, duke gjakosur për vdekje popullin. Për këtë e shpallën Sali Berishën me plot gojën e publikisht: “vrasës të djalit, prindit e vëllait të tyre”. Duke qenë se Sali Berisha ia njihte vetes këtë vrasje dhe e pranoi publikisht atë, si “zbatim detyre të Gardës”, sipas traditës shqiptare respektoi “kodin zakonor” duke dërguar “lajmësin” e tij për ta pranuar për kafe.

Familja Deda pranoi “lajmësin”, por jo Berishën, duke e deklaruar “vrasës”

Familja Deda priti dhe përcolli “lajmësin e kryeministrit” sipas zakonit, duke e respektuar, mbasi po sipas zakonit “lajmësi nuk preket” (siç ka thënë edhe Sali Berisha). Ndërsa kryeministrit i dërgoi lajmin se “nuk e pranonin për kafe në shtëpi”. Motivet e mbylljes së derës prej familjes Deda për Sali Berishën, janë morale e zakonore. Nëse Sali Berisha i shkel pa asnjë problem këto norma zakonore e rregulla morale, familjet shqiptare, ato që nuk mendojnë e nuk veprojnë si Sali Berisha, vazhdojnë t’i respektojnë e t’i përcjellin brez pas brezi. Përse nuk u pranua kryeministri për kafe?

Së pari, Sali Berisha nuk u pranua sepse konsiderohet bindshëm si “shefi” që ka “instruktuar” këtë vrasje. Familja Deda ka provat e plota, ashtu siç i ka dhe drejtësia, që Hekurani, Ziveri e Faiku janë vrarë prej qeverisë, dhe vrasësi sipas zakonit dhe moralit njerëzor nuk mund të jetë pjesë e funeralit, sepse kjo nuk ishte vrasje aksidentale, por e parapërgatitur në mbrojtje të interesave private të grup vrasësve.

Së dyti, Sali Berisha, edhe kur Hekurani ishte në sekondat e fundit të jetës, vazhdonte ta quante “huligan, kriminel, rrugaç, hajdut, qelbanik, vagabond, mafioz, trafikant”. Hekurani ndjesë pastë, ishte një qytetar i ndershëm, ishte një hallexhi që nuk siguronte dot kafshatën e bukës për fëmijët e tij, mbasi pushteti i Sali Berishës e kishte lënë rrugëve pa punë si mijëra shqiptarë. Ndërsa në fund të jetës e gjatë përcjelljes në banesën e fundit, Sali Berisha dhe banda e deputetëve e ministrave të tij hajdut, hodhën baltë mbi arkivolin e të ndjerit, për të mbuluar krimin e “shefit” të tyre gjakësor. A mund të konsiderohen qeverisës këto monstra?

Së treti, Sali Berisha vonoi, madje bllokoi shërbimin mjekësor, duke mos lejuar që atyre t’u jepej sa më shpejt ndihma emergjente e mbijetesës, duke i prangosur e izoluar edhe në shpirt të fundit si “kriminelë” në qelitë mjekësoro-policore të Spitalit Ushtarak. A mund të pranohet për kafe një njeri kanibal si ky?

Së katërti, Sali Berisha shkoi në Spitalin Ushtarak dhe nuk i vizitoi të plagosurit e të vrarët. Nuk tha një fjalë ngushëlluese për ata, përkundrazi i shpërfilli jetët e tyre, nuk u hodhi as sytë, tamam si Milosheviçi me shqiptarët gjatë genocidit serb. Mirë si njeri që njihet se cili është, po mjek a mund të quhet kjo specie?

Së pesti, Sali Berisha doli dhe gënjeu publikisht disa herë për vrasjen e trefishtë, duke thënë që: “i vrau Edi Rama”, “u vranë me njeri-tjetrin”, “vrasjet u bënë nga populli e jo nga Garda” e më së fundi pranoi me “hundë të ulur” por jo me pendesë, se “vrasjet i bëri Garda në mbrojtje të institucioneve”. A mund të pranohet për “kafe morti”, një njeri i tillë, i cili për të mbuluar krimin e tij, gënjen 100 herë në ditë?

Së gjashti, Sali Berisha edhe pse kryeministër i një qeverie, gjatë mandatit të të cilës vriten prej Gardës së tij policore qytetarë të thjeshtë në demonstratë, nuk mbajti as një minutë zi zyrtare për 3 të vrarët, sikur ata të ishin trafikantë, hajdutë, apo mafiozë të vrarë sit ë tillë në përleshje me policinë!? Kur në realitet të tre të vrarët në demonstratë ishin qytetarë të ndershëm, kryefamiljarë me fëmijët pa bukë në tavolina. Prej cilit kryeministër në botë, përveç diktatorëve, ndodh kjo që ka bërë e po vazhdon të bëjë Sali Berisha, duke hedhur baltë mbi funerale?

Së shtati, Sali Berisha me gjakftohtësinë dhe kënaqësinë histerike si të një krimineli të pangopur me vrasje e të pa penduar, shpërblen vrasësit e demonstruesve me dekorata e financiarisht! Për këto motive familja Deda nuk e pranoi kryeministrin Sali Berisha në familje. Për këto motive duhet të jepet alarmi për rrezikshmërinë në vazhdim të këtij huligani barabar me imunitet e mandat krye-qeverisës.

Nga Kledian Lula

No comments: