Sunday, January 2, 2011

Kasapi, 10 kg mish për seks me 17-vjeçaren

F.C., është vetëm 17 vjeçe. Jeton bashkë me të ëmën, në një apartament në unazën e re. Prej më shumë se tre vjetësh prostituon.
Së fundmi është arrestuar sërish nga forcat e policisë në kuadër të operacionit të koduar "Liqeni". Mosha e saj, bukuria apo dhe fakti që është punëtore seksi, nuk përbën më habi për agjentët e policisë. Por 17-vjeçarja kurrsesi nuk pranon të padisë dy miqtë e saj, Elis Tafa 23 vjeç, dhe Emilano Rrapushin 23 vjeç, të dy të arrestuar bashkë me të dhe me një vajzë të dytë, për të cilët policia thotë se janë "tutorë".

 Për oficerët e policisë vajza dëshmon se dy të rinjtë i ka vetëm shokë dhe se u jep "para për qejf" pasi ata i gjejnë klientë. Gjatë dëshmisë ka thënë se ka kaluar edhe 10 meshkuj në një natë por asnjëherë nuk është dhunuar dhe nuk ka asnjë ankesë e asnjë denoncim për të bërë.

Madje, dëshmia e vajzës në polici ka edhe një rast të rrallë "seksi me klering".

Për një nga klientët vajza dëshmon se nuk kishte para. Por si kasap që ishte i ka afruar vajzës 10 kile mish viçi, vlera e të cilit ishte e përafërt me çmimin që kish kërkuar vajza për shërbimin.
Vajza ka pranuar ofertën e kasapit vetëm pasi është konsultuar me "shokët". Falë këtij "bashkëpunimi" edhe operacionet me të suksesshme të policisë përfundojnë me ca orë qëndrimi në qeli të vajzave dhe me rrëzim të akuzave në gjykatë të personave të akuzuar si tutorë të prostitutave.


F.C., është një nga ato punëtoret e seksit ku bukuria apo hijeshia e moshës që gjithsesi zbehet shpejt, nuk mund të ekspozohet nëpër rrugicat e ndotura të periferisë. Përveç kësaj, çmimi i vajzave si 17-vjeçarja e arrestuar e "Liqenit" është shumë i lartë për klientët e tallavave. Ka vajza si e mitura e kësaj historie që frekuentojnë vetëm hotelet luksoze në Tiranë dhe çmimi i shërbimeve të tyre shkon deri në 300 euro nata.


"Nga hetimi i bërë deri më tani ka rezultuar se klientët në gjendje të mirë financiare siguroheshin nga shtetasit Elis Tafa dhe Emiljano Rrapushi, me qëllim shfrytëzimin e tyre kundrejt pagesës në hotelet luksoze në Tiranë të shtetasve Z.M., 21 vjeçe, F.C., 17 vjeç, lindur e banuese në Tiranë", - thuhet në deklaratën e operacionit të koduar "Liqeni".
Raste të ngjashme kanë qenë të shumta që janë zbuluar nga policia e Tiranës gjatë muajve të kaluar. I ngjashëm është "Red Lights", ku u prangosën dy tutorë dhe tri vajza, të cilat shfrytëzoheshin si punëtore seksi prej tyre. Besim Lami dhe Gentian Buzi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni për një periudhe 4-mujore në hotele të ndryshme në kryeqytet, 3 vajzat me iniciale G.M., 24 vjeçe, lindur në Korçë e banuese në Tiranë, O.C., 22 vjeçe, lindur në Skrapar e banuese në Tiranë, dhe F.Ll., 23 vjeçe, lindur dhe banuese në Krujë.
Këto vajza u arrestuan në një hotel luksoz në Tiranë, duke ushtruar prostitucion me klientë të ndryshëm kundrejt shumës që varionte nga 200 deri në 400 euro. Janë këto fakte që duket se ka përligjur thashethemet e ekzistencës së rrjetit të "seksit elitar" ku ndërmjetësit janë shpesh taksistët e zonave VIP të Tiranës. Më të vjetrit në këtë zanat, dinë të të çojnë në vendin e duhur dhe tek vajza e duhur sapo të krijojnë bindjen që je vërtet dikush që po kërkon vetëm seks dhe ke mundësi të paguash mirë. Të huajt janë klientët më të preferuar. Sipas oficerëve të Seksionit Kundër Trafiqeve pranë Policisë së Kryeqytetit janë edhe disa gazeta njoftimesh që janë kthyer tashmë në një lloj mundësie "gjuetie".


Lokalet me muzikë "tallava", edhe strehë prostitucioni
Enden në të gjithë hapësirën mbytëse të lokalit, kinse për të pastruar tavllat e cigares. Ca të tjera tunden në skenën e improvizuar. Kanë pak tesha në trup dhe nuk kanë aspak droje të afrohen menjëherë me klientët që thonë se kanë ardhur aty "për të shijuar muzikën". Në lokalin pranë Zogut të Zi në Tiranë numërojmë 7 femra që vijnë rrotull. Muzika, alkooli dhe mugëtira e lokalit i ofrojnë "valltareve" atë që u duhet. Kohët e fundit, të ashtuquajturat "lokale me muzikë tallava" janë shndërruar në koperturën më perfekte të vajzave e grave që ofrojnë seks me para. Në ndryshim nga shtëpitë publike mungojnë vetëm kthinat "e përshtatshme".


Suzana, nëna që ju shuan katër fëmijët e gjorë pak javë më parë në Sukth, punonte në një lokal të ngjashëm tek zona e ish-frigoriferit në kryeqytet. Dhjetëra gra në zgrip të pamundësive për mbijetesë detyrohen të bëjnë të njëjtën gjë. Lokali me një emër maceje që vëzhguam për këtë reportazh, është vetëm një nga lokalet e këtij lloji.
Ofrojnë "muzikë live" apo "tallava", dhe janë vendosur në periferitë e kryeqytetit si zona e ish-Kinostudios, pranë spitaleve, "Stacionit të Trenit", "Lapraka", "Zogu i Zi", disa syresh në zonën e "21 dhjetorit" dhe ndonjë tek-tuk afër qendrës. Në gjithsecilin prej tyre po të hysh e vëren menjëherë që nëse nuk ke ardhur "për atë punë", je i tepërt.
Paguhet deri në 50 mijë lekë të vjetra dhe më shumë për një akt seksual. Për gratë e ofruara shfaqja si "valltare" është mënyra më e mire. Kopertura "muzikore" ka evituar edhe kontrollet e policisë. Ato janë "punonjëse lokali" në rast se dikush pyet pak si shumë.
E në fakt sapo këmba të shkel një ambient të tillë ato të servirin pijet. Nuk janë gra të bukura, por edhe klientët e tyre janë ca më zi. Kryesisht burra mbi të 50-tat, punëtorë krahu ose të moshuar të veshur keq. Tutorë nuk ka. Policia shkon shpesh në këto ambiente, por shumica e aksioneve rezultojnë të dështuara.

Kodi Penal

VEPRA PENALE KUNDËR MORALIT DHE DINJITETIT
Neni 113 - Prostitucioni
Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.


Neni 114 - Favorizimi i prostitucionit
Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet ndaj një të miture ose me anë të përdorimit të dhunës, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Neni 114/a - Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese


Shfrytëzimi i prostitucionit i kryer:
1 Me të mitur
2 Ndaj disa personave
3 Me persona që rezultojnë lidhje të afërta gjinie, krushqie, kujdestarie ose duke përfituar nga raportet zyrtare
4 Me mashtrim, shtrëngim, dhunë, ose duke përfituara nga paaftësia fizike dhe mendore e personit
5 Ndaj një personi që shtyhet ose shtrëngohet për të ushtruar prostitucion jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
6 Në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose nga persona të ngarkuar me funksione shtetërore dhe publike - dënohet nga shtatë deri në 15 vjet burgim.


Neni 115 - Mbajtja e lokaleve për prostitucion
Mbajtja, shfrytëzimi, financimi, dhënia me qira e lokaleve për ushtrim të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet
jetë vjet. 

Lindita Çela, G. Shekulli

No comments: