Ai thotë se ka rregulluar gjithçka me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, prokurorinë dhe deri me kryeministrin Berisha. Në këmbim do të marrë 7% të investimit dhe 700 mijë euro në dorë.
Politikanët shqiptarë akuzohen për korrupsion, vjedhje të fondeve publike, emërime në administratë në bazë të njohjeve personale dhe së fundmi për përqindje në firma që marrin koncesione të dyshimta.
Akuzat kryesisht bëhen nga foltoret e Parlamentit apo të selive të partive dhe rrallë herë shoqërohen me dokumente konkrete. Kjo pasi një "kod nderi", i ngjashëm me "Omerta-në" e mafias siciliane, i ndalon të nxjerrin jashtë të palarat e njëri-tjetrit. Por këtë herë diçka ka rrjedhur.
Emisioni "Fiks Fare" ka transmetuar mbrëmjen e djeshme një video të filmuar në zyrën e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ku zv.kryeministri i Republikës Ilir Meta, kërkon "t'i mbarohen disa punë".
Emërime në poste kyçe, falënderime për punë të kryera më parë, kontrata biznesi dhe së fundmi koncesione. Meta premton se mund të zgjidhë gjithçka, pasi ai ka në dorë Gjykatën e Lartë, Prokurorinë, ka fol me Doktorin dhe si përfundim do të marrë 7% të investimit të një koncesioni hidrocentralesh dhe 700 mijë euro të thata në dorë.
Gjatë bisedës së zhvilluar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit kuptohet se si mjafton që të kesh pasur shoqëri me pushtetarët dhe fiton vende pune të rëndësishme, edhe pse nuk ke arsimimin e duhur.
Aty shpjegohet se si emërohen inspektorët në Ministrinë e Ekonomisë dhe se si aferat korruptive kërkohen në mënyrën më të thjeshtë. Dy pjesët më të rëndësishme të kësaj bisede janë çështja "ARMO-Albpetrol" dhe dhënia me koncesion e hidrocentraleve.
Meta kërkon haptazi nga vartësi i tij, Prifti, që të ndërhyjë tek "Albpetroli" për të ndihmuar një biznesmen që jeton në Greqi. Në bisedë përmendet emri Bekim Halilaj, i cili merret me naftë. Meta kërkon nga Prifti që të prishë një kontratë të vjetër të "Albpetrolit" me "ARMO"-n dhe të ndihmojë mikun e tij. "Anuloje kontratën, mos i zvarrit këto gjëra", - është porosia e Metës për vartësin e tij.
Pjesa e fundit e bisedës është ajo që zbardh mënyrën se si bëhet korrupsion në nivele të larta qeveritare. Bëhet fjalë për një koncesion hidrocentrali. Personi që kërkon të marrë koncesionin premton jo pak, por shtatë për qind të investimit dhe një pagesë të majme në dorë, 700 mijë euro. "Koncesionari" është një njohje e vjetër e drejtësisë dhe politikanëve shqiptarë, Agim Rrapaj. I arrestuar dhe i dënuar për korrupsion më parë.
Në atë kohë kishte përvetësuar paratë e grantit japonez për projektin "2KR". Tani ai kthehet si një biznesmen i fuqishëm dhe në bashkëpunim me zv.kryeministrin Ilir Meta, kërkon të marrë një hidrocentral.
Problemi është edhe më i komplikuar se kaq, pasi çështja është në proces gjyqësor dhe do shumë miq për të mbaruar. Këtu zv.kryeministri Ilir Meta shpjegon se meqë çështja është në Gjykatën e Lartë, ajo zgjidhet shumë shpejt. Ai thotë se e ka në dorë kryetaren e gjykatës, Shpresa Beçaj, sepse asaj i ka emëruar të bijën në ambasadë.
"Do të flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në ambasadë...", - thotë Meta, duke shpjeguar edhe përfitimet financiare që do të ketë nga dhëna e këtij koncesioni. Më pas, duhet zgjidhur puna edhe në prokurori, por sërish Meta merr përsipër çdo gjë vetëm me një kusht, mos e marrin vesh më shumë se dy ose tre veta.
Koncesioni që Ilir Meta do t'i japë Agim Rrapajt dhe një biznesmeni tjetër Fatmir M., duhet miratuar edhe në mbledhjen e qeverisë. Teorikisht, ministrat duhet të diskutojnë me njëri-tjetrin dhe nëse koncesioni e meriton duhet të miratohet. Teorikisht!
Praktikisht, ndodh tjetër gjë. Meta i shpjegon Priftit procedurën: "Bisedova edhe me doktorin edhe për një javë do ta mbyllim. Kupton?". Mjafton një bisedë me kryeministrin dhe nuk ka më nevojë për dokumente dhe shkresa të kota, mjafton 7% e investimit dhe 700 mijë euro para të thata në një zarf...
Legjenda
Data 01.03.2010
Ambienti
Zyra e ministrit të Energjisë Dritan Prifti
Personazhet kryesore
Dritan Prifti, ministër i Energjetikës, zv.kryetar i LSI-së
Ilir Meta, ministër i Jashtëm, zv.kryeministër, kryetar i LSI-së
Personat që përmenden në bisedë
Tur Hajdari, - një njeri që i ka dërguar SMS Metës dhe kërkon zgjidhje
Koli - Sokol Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Metës në Ministrinë e Jashtme
Bekimi - Bekim H. Biznesmen i fushës së karburanteve. Jeton në Greqi
Gimi - Agim Rrapaj. Ish-funksionar i Ministrisë së Bujqësisë. I arrestuar dhe dënuar për korrupsion me projektin "2KR". Sot biznesmen që kërkon të ndërtojë një hidrocentral në bashkëpunim me shtetasin Fatmir M.
Shpresa - Shpresa Breçani. Kryetarja e Gjykatës së Lartë. Ilir Meta thotë që e ka në dorë se i ka emëruar vajzën në Austri, në Ambasadën Shumëkombëshe në OSBE
Doktori, kryeministri Sali Berisha
Kërcënohet Dritan Prifti
Në kohën kur emisioni "Fiks Fare" transmetonte videon ku Ilir Meta i kërkonte Dritan Priftit që të miratonte afera korruptive, në telefonin e Priftit kanë mbërritur disa mesazhe kërcënuese. i kontaktuar nga "Shekulli", Dritan Prifti ka konfirmuar vërtetësinë e videos. Ndërkohë Prifti ka pohuar se menjëherë i kanë mbërritur edhe kërcënimet e para. Bëhet fjalë për sharje dhe kërcënime familjare.
Kush është personazhi Agim Rrapaj
Agim Rrapaj, personazhi, i cili i ka premtuar Ilir Metës 7% të investimit në një hidrocentral dhe 700 mijë euro të thata në dorë është një personazh i njohur për drejtësinë dhe publikun shqiptar. Ai është bërë i njohur për skandalin e grantit japonez ku ka shpërdorur fondet duke u ndërruar destinacionin.
Në atë kohë ministri i Bujqësisë Jemi Gjana u shpreh: "Mbrojtja e turpshme e Agim Rrapajt, se gjoja u sakrifikua duke mbrojtur interesat e fermerëve për furnizimin me naftë pa akcizë, është një mashtrim i paskrupullt".
Ish-drejtori i zbatimit të projektit të financuar nga qeveria japoneze, "Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR", Agim Rrapaj, është shkarkuar nga puna së bashku me 25 drejtorë të tjerë në strukturat qendrore e lokale të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, për abuzime të rënda miliona dollarëshe dhe arbitraritet në zbatimin e ligjit.
Agim Rrapaj, që ishte njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, është akuzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vjedhjen e 1 milion dollarëve të grantit japonez, duke i xhiruar ato për OJQ-në e vet private.
"Me një vendim plotësues të datës 6 maj 2005, qeveria 'Nano' ka lëshuar në dorë të Agim Rrapajt, përveç fondeve të '2KR', edhe 280 milionë lekë kosto lokale për gjoja furnizimin me naftë të fermerëve. Në të vërtetë, fondet janë përdorur gjatë muajve maj, qershor e korrik në rrugë tërësisht abuzive dhe për qëllime elektorale", - deklaronte në atë kohë ministri Jemin Gjana.
Kërkesat e Ilir Metës për "të mbaruar porositë" dhe shkarkimi i Priftit nga ministër i Ekonomisë
Si nisi konflikti me Metës dhe Priftit
Konflikti mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit ka kulmuar në shtator të vitit të kaluar me shkarkimin e nënkryetarit të LSI-së nga posti i ministrit dhe më pas largimin e tij nga partia. Por ky konflikt i kishte rrënjët shumë më thellë.
Të dy personazhet politikë kanë duruar muaj të tërë kërcënimesh dhe sharjesh mes tyre ku baza e çdo gjëje ishin kërkesat e Ilir Metës për çështje të ndryshme që duheshin miratuar nga Prifti.
"Mes meje dhe Metës ka pasur një lidhje që herë ka qenë e mirë dhe herë problematike. Kemi pasur përplasje të lehta dhe të forta dhe sigurisht që disa nga këto kanë qenë dhe në periudhat e fundit. Ai është një lloj politikani që bashkëpunëtorët ka qejf t'i ketë servilë ose ushtarë dhe nuk i vlerëson njerëzit e aftë që ka përballë.
Në këtë kuptim unë kam pasur një marrëdhënie problematike sepse jo të gjitha porositë dhe kërkesat e tij mund të zbatoheshin duke pasur parasysh ligjin. Ka pasur qejf-mbetje për shkak të realizimit të porosive apo të kërkesave të caktuara", ka thënë në atë kohë Dritan Prifti i pyetur për nisjen e konfliktit me Ilir Metën.
Meta - Çfarë thotë puna?
Prifti - Mirë
Meta - Tani, të dërgova një mesazh... Ma kishte dërguar Turi:
"Faleminderit për bashkëpunimin dhe punën tuaj...". Numrin e telefonit...
Prifti - Po, jo mo, ia çova Kolit unë... E pyeta... E pyeta ku je...
Meta - Të mos ...Ke një zakon të keq që mendon se njerëzve mund t'u bësh edhe me nge...
Prifti - ... ishte tek unë një ditë më përpara
Meta - Ai tha ca gjëra që të qëndrojnë. Ka ndonjë problem?
Prifti - Po jo, çfarë problemi të ketë.
Meta - Pse të bëhesh? E vë re që shpesh herë me njerëzit... Çfarë të keqe ka?
Prifti - S'ka të keqe mor burrë. Ç'të keqe ka?!
Meta - Më mori Turi mua, jo më mori Turi, jo më tha kështu, jo më tha ashtu.
Prifti - ...nuk ka diplome, përveçse nuk ka diplomë, asnjë gjë tjetër
Meta - Po përse ta solla unë? Unë mund ta kisha sjellë edhe pa emrin e atij, apo jo? Mund të mos ia kisha vënë emrin fare dhe vari k...
Prifti - Po varja
Meta - Çfarë të keqe ka?
Prifti - Jo të keqe nuk ka
(Vjen sekretarja, shërben ujin)
Meta - i gjen një zgjidhje...
Prifti - Për kë?
Meta - Tur Hajdarin
Prifti - Turin, ëhë
Meta - Turi Hajdarin, e para... E dyta, me Lushnjën unë kam një që duhet ta bësh inspektor. Kam detyrim, që e kam pasur në shkollë, është marrë me LSI-në. Po se duhet bërë...
Prifti - Pa diskutim që do ta bëjmë...
Meta - E treta...
Prifti - Këtë me kontratë do ta vëmë?
Meta - Me letra... E treta, me Albpetrolin çfarë do të bësh? - Për Bekimin si do ta zgjidhësh?
Prifti - Do ta zgjidh mos ki merak
Meta - Zgjidhe pra...
Prifti - Ose ndoshta të bisedoj dhe një herë me "Armon"... Do ta anuloj të parën ...
Meta - Po mirë, anuloje, pse s'e bën? Anuloje! Gjeje!
Prifti - Po të flas edhe një herë me "Armon"
Meta - Po gjeje vetë. Po mos i zvarrit këto gjëra... Tani për punën e hidrocentralit të Gimit... Tani, nuk e di në çfarë forme do të hysh t'i etj., po ky Gimi më tha mua, ne mund të bëjmë diçka diku te 7%. Nuk e di se çfarë bëre me atë...
Prifti - Nëse ju mendoni... Këtu ka një problem
Meta - Këtu nuk ka problem, sepse ata e kanë fituar. Ata le ta ndjekin këtë çështje, nëse e fitojnë ata, ta marrin ata... Ata e kanë fituar, le ta ndjekin këtë çështje.
Prifti - T'ua jap tenderin pa mbaruar punë ata?
Meta - Ajo është punë e mbaruar. Ata...
Prifti - Unë di që në apel e kanë fituar apo jo?
Meta - E kanë fituar në apel
Prifti - Këta e kanë humbur në shkallë të parë, e kanë fituar në të dytën. Tani është në Gjykatën e Lartë.
Meta - Absolutisht po... Apeli është i formës së prerë, ti mund ta zbatosh, do ta çojnë më tej. Ata le ta çojnë, por prapë mbyllet, do të flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në ambasadë.
Prifti - Po u them çunave këtu.
Meta - Gimi më tha mua, nga ana ime 700...
Prifti - Të më çojnë një letër zyrtare, të më thonë Zoti Prifti, ne e kemi fituar apelin, ky është vendimi, kështu që zotëri vazhdoni vendimin...
Meta (merr telefonin) - Alo Gimi, si kalove, mirë? Foli pak këtu Dritanit (ia kalon celularin Priftit)
Prifti - Po... Çfarë bëre? Duhet të ma dërgosh në protokoll ti mua, një letër... Një letër... Jo ti, po ata që janë firmat, po nuk e kanë sjellë me protokoll...
Meta - Po le ta bëjnë prapë.
Prifti - Ta bëjnë prapë dhe t'i bashkëngjisin vendimin e apelit. Mirë? Dhe ma dërgo që sot. Po dërgoje me protokoll duke m'u drejtuar mua si ministër...
Meta - Jo, jo... Është... Probleme të ndryshme... Por emri im... Dhe ... Prandaj them që duhet bërë
Prifti - E mbyllëm atë muhabet
Meta - Nuk kundërshtoj... Nuk kundërshtoj... Bisedova edhe me Doktorin, dhe për një javë do ta mbyllim. Kupton?
Prifti - Këtë e di
Meta - Duhet me pas shumë kujdes... Nëse Prokuroria e hap ... Më pas, në dy-tre veta pjesa tjetër. Sa më pak...
Meta - Për këtë (hidrocentralin) mbaroje sot që të jetë gati...
Prifti - Sot ...
Meta - Janë gati
*************************************
Një video e fshehtë ku shfaqen zv.kryeministri i Republikës Ilir Meta dhe ish-ministri Dritan Prifti është transmetuar sot në mbrëmje në emisionin Fiks Fare.
Në video dëshmohet z.Meta herë duke porositur e herë duke urdhëruar ish-vartësin e tij, për të bërë emërime dhe për të dhënë tendera për persona të cilëve u është marrë rryshfet.
Për një licensë që duhet lëshuar nga ministria ku ka qenë titular Prifti, zv.kryeministri Meta pohon me gojën e tij se ka marrë 7 përqind dhe rreth 700 mijë euro.
Kaseta përmban fakte që implikojnë edhe gjyqësorin. Në një moment të bisedës Meta porosit Priftin t'i jap tenderin një komanie, dhe kur Prifti i përmend që është ende në gjykim, Meta pohon se ka folur me kryetaren e Gjykatës së Lartë dhe ajo punë është mbyllur sepse "I kam emëruar vajzën në ambasadë".
Kaseta ka bërë shumë bujë në Tiranë, ku shihen njerëz të grumbulluar thuajse në të gjitha lokalet që shohin transmetimin që ende nuk ka përfunduar.
Disa gazetarë dhe fotografë që po qëndrojnë poshtë shtëpisë dhe zyrës së zv.kryeministrit thanë se Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, u pa të shkonte me eskortë në zyrën e Ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta dhe më pas ka dalë prej andej, ndërkohë që makina të tjera me targa Z janë parë po aty.
Shekulli
No comments:
Post a Comment