Kur u nda me "sulm" bagëtia dhe pasuria e kooperativave, e po thamë, se e kishim nga dalldia e lirisë dhe harruam logjikën.
Kur na thanë se u bëmë të pasur, kur na ndanë milionat për kokë të popullsisë, nga vlerësimi i pasurisë kombëtare e kur me duart që na dridheshin nga kjo "drejtësi" e shtetit demokratik shtrënguam letrat me vlere, menduam se tani do të ishim të "lumtur".
Shqiptarët në Ambasadën gjermane
Kur u formua Parlamenti i parë pluralist i Shqipërisë, thamë se do të shikonim burrat e mëmëdheut që do të merrnin fatet e Kombit në dorë e do ta lulëzonin Shqipërinë e shkatërruar pas 90-tës.
Të braktisur, të varfër e të poshtëruar s'patëm aq forca (por edhe nuk dinim) si t'i mbronim bijtë tanë kudo që ndodheshin. "Zoti mendoftë për ta!"
Kur filluan të ulërinin si bisha për hir të ?demokracisë dhe kushtetutës ?, pamë se kush hyri i varfër në parlament, dilte me vila e prona, me gra e fis, që rraskapiteshin deri sa bëheshin milionerë, për hir të ligjit dhe "të ardhmes? në: dogana, tatime, polici ndërtimore, fondacione e organizma ndërkombëtare. Me merakun për të rrëmbyer projekte, grand dhe investime.
Kur u rinovuan Ambasadat e "ish regjimit enverian" me personel "demokratik" e "socialist të rinovuar", pamë se si e harruan fare shqipen dhe nuk kishin mundësi të komunikonin me shqiptarët që ndodheshin në ato vende, t'i mbronin apo t'i ndihmonin, të ngrinin lart historinë, kulturën dhe dinjitetin e vendit që përfaqësonin me emrin Shqipëri. E se detyra e vetme e tyre (përveç halleve personale) ishte t'i këndonin lavde traktateve dhe marrëdhënieve ?të mrekullueshme" në shtetin ku ndodheshin. Shumëkush aq u pasionua nga ajri i "miqësisë" se vendit ku ndodheshin, sa afruan"vullnetarisht" shërbimet e veta që as shqiptarët brenda vendit të mos merrnin vesh kurrë se ç'bëhej aty, por as ata jashtë të mos dëgjonin kurrë për njeri tjetrin.
Po flasim për ata që kishin ardhur nga toka mëmë, se për ata "të lashtët" si arvanitasit, arbëreshët apo mërgata e vjetër, për vëllezërit e tyre brenda kufijve shtetëror, mbeten figura aq të largëta si ato të Mujit dhe Halilit.
Me gjithë premtimet që ju bënë autorit (dhe detyrimin që kishin), nuk është bërë promovimi i librit në selinë e Ambasadës sonë në Francë. Ky është vetëm rasti më i fundit. Kur doli gazeta e parë e pavarur "Koha Jonë" menduam se qe dallëndyshja e parë e pranverës demokratike. Kur shumë gazeta dhe televizione filluan të flasin ndryshe nga politikanët tanë. Pamë se sa e drejtë është thënia e Montesquieu: "Nuk ka tirani me mizore se sa ajo që ushtrohet nën hijen e ligjit dhe me ngjyrat e drejtësisë".
Kur morëm vesh se sa pjellore paskan qenë minoritarët, që vetëm gjatë 17 vjetëve të demokracisë, nga afro 40 mijë që ishin në kohën e Enverit janë bërë me qindra mijëra (këmbëngulet se edhe në Lezhë qenka përhapur fara e tyre), vumë duart në kokë.
Kur shikojmë se sa pa mëshirë po shkatërrohet natyra, monumentet e kulturës, se si nuk flasim dhe as jua mësojmë dot fëmijëve tanë, historinë tonë që Rilindasit para 150 vjetëve me bindje ua përcillnin shqiptarëve dhe të huajve; Pamë se si e ka fytyrën ai që nuk e meriton të quhet njeri.
ZOTERINJ!... Çdo gjë ka një kufi.
Nuk jeni ju pronare të këtij vendi që e ka emrin Shqipëri!
Kjo ishte arsyeja që objektet e lashtësisë, si në të gjithë vendin edhe nëpër muzeume u lanë mbas dorë (për mungese të fondeve, që janë të bollshme gjatë fushatave)? Po pyetja më e rëndësishme është: Kush do të përcaktojë se cili objekt duhet shitur apo jo e me ç'farë çmimi? Mos vallë ata gojëkyçurit, specialistë të Historisë dhe Arkeologjisë, që nuk guxojnë të thonë të vërtetat historike dhe jo me të dalin kundra orekseve të pushtetit?? Apo do t'u mbetet edhe atyre ndonjë kockë? A nuk kemi përvojën e hidhur të batërdisë që ju bë vendeve turistike?
Historia dhe nderi i kombit, as nuk shitet dhe as nëpërkëmbët.
Nuk jeni ju që vendosni për një komb e për një popull për këto gjëra. Është ai, që pranon apo hedh poshtë e demaskon propozimet "e ndritura" tuaja, ashtu siç ndodh për këto raste në vendet demokratike evropiane. Kjo bëhet me REFERENDUM!!!
Shumë pasuri me vlera historike dhe kombëtare u mblodhën dhe u shitën për një televizor, makinë larëse apo thjesht për të mbajtur familjen me bukë. Shitje të bëra rrugëve apo dhomave të hotelit. Por pafytyrësia dhe pangopësia juaj, zotërinj deputete s'paska fund. Doni të ligjëroni zbrazjen "rrufe" që do tu bëni arkivave të muzeumeve shqiptare, se "pushteti nuk është i përhershëm" dhe o sot, o kurrë !?
Ky do të jetë tërmeti dhe zjarri që do të lerë thërrime nga një prej pasurive më të çmueshme të kombit shqiptar siç është HISTORIA. Sot, po të mos ngrihemi të mbrojmë atë që të parët e kanë ruajtur si dritën e syrit NUK NA FALET !
"E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së ligës, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë" ka thënë Edmund Burke.
E gjithë pasuria kulturore, në mëshirë "të fatit".
Fatbardha Demi
No comments:
Post a Comment