Kaseta 1: Prifti përgjon Fazlliç
Në orët e para të mëngjezit, telefonatat e shumta që u bënë nga të gjitha palët, konfirmuan se ekzistojnë edhe kaseta të tjera të regjistruara, por këtë radhë, jo vetëm nga Prifti, por edhe regjistrime nga Meta. Lufta e kasetave dhe brendia e tyre tashmë është bërë një “luftë” brenda llojit.
Ky i fundit i ka folur në emër të kryeministrit ish ministrit Prifti. I ka kërkuar garanci Priftit që të mos ndryshojë qëndrim, të mos bëjë asnjë veprim, të mos largohet nga maxhoranca edhe për shkak të numrave dhe se gjithçka do të zgjidhej shumë shpejt. Por, ndërkohë që Fazlliç i shprehte gjithë këto mendime të kryeministrit, Prifti heshtte, duke mos dhënë asnjë premtim. Ndërkohë i është kërkuar të mos bënte gjë me kasetën e parë, atë që tashmë është transmetuar në “Fiks Fare” dhe për të cilën të gjitha palët kishin dijeni.
Dritan Prifti, i pyetur nga Gazeta Shqiptare për vërtetësinë dhe përmbajtjen e një kasete të re, deklaroi “no comment”.
Kaseta 2: Përgjimi 2 Meta-Prifti
Këtë radhë, bëhet fjalë për një takim mes ish.zv.kryeministrit Ilir Meta, dhe ish ministrit Dritan Prifti, në restorant Piazza, kohë pas shkarkimit të Priftit. Përmbajtjen e kësaj kasete, pak a shumë Ilir Meta e deklaroi edhe në emisionin “Opinion” të së enjtes, për ofertën që Prifti i kishte bërë atij në emër të Edi Ramës. Prifti ka përmendur në këtë takim një ofertë të Edi Ramës, Gramoz Ruçit e Tom Doshit, për kreun e LSI. Ky i fundit, duhet të rrëzonte Berishën nga qeveria, dhe pas kësaj, oferta të ishte që Ilir Meta të bëhej kryeministër, dhe Dritan Prifti sërish ministër. Sipas asaj që është biseduar, Prifti ka shprehur shumë dyshime dhe për Berishën madje, mendohet të ketë deklaruar, sipas asaj që flitet, se Berisha do ta shesë shumë shpejt Ilir Metën.
Meta nuk e ka pranuar këtë skemë të Priftit, ndërsa ky ka thënë se do të bëhet ministër brenda 3 muajve. Meta i ka thënë se për tre muaj nuk e bën dot ministër, dhe se Prifti do të duhet të punojë me strukturat e partisë derisa të mbarojnë të paktën zgjedhjet vendore të majit 2011. Edhe kjo nuk është pranuar nga Prifti. Ai ka kërcënuar për publikimin e kasetës së parë nëse nuk bëhej një gjë e tillë, gjë që ka çuar në prishjen e atij takimi. Ashtu sikurse e konfirmoi Meta publikisht, vetëm një javë para publikimit të kasetës në Fiks Fare, Dritan Prifti, i ka bërë një telefonatë Ilir Metës, dhe ky i fundit nuk ka pranuar të flasë me ish ministrin. Kjo kasetë, me këtë brendi pak a shumë, është sot në duart e kryeministrit Berisha.
Fazlliç në mbledhje qeveritare mbi sigurinë kombëtare !!!
Nuk dihet nëse pas dorëheqjes së Metës ndonjë nga këto kaseta, të të dy palëve, që janë në dispozicion si të Ramës ashtu edhe të Berishës, do të bëhen publike nga aktorët përgjegjës, apo do të shfrytëzohen para fushatës zgjedhore. Ajo që bëhet e qartë, është se Prifti ka deklaruar se kasetat e regjistruara ekzistojnë. Ashtu sikurse, të dy palët, nuk marrin përsipër të komentojnë nëse materialet janë këto që përfliten poshtë e përpjetë në ambientet e politikës.
Ajo që është e qartë, është se frika e publikimit të këtyre kasetave, tashmë ka tronditur qeverinë dhe gjithë politikën.
G. Shqiptares
No comments:
Post a Comment